Maloku: Mendësia politike në Shqipëri duhet të ndryshojë


Edhe pak orë e ndajnë Partinë Demokratike të Shqipërisë deri te zgjedhja e kryetarit të saj, pas dorëheqjes së Sali Berishës, kryetarit historik të PD-së. Në garën për kryetar të PD-së hynë Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha dhe Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi. Fushata e kandidatëve ishte mjaftë intensive, edhe pse e bërë nën presionin psikologjik të humbjes së thellë që pati Partia Demokratike, mirëpo ajo po i afrohet fundit.

Në lidhje me fushatën kandidatëve Basha e Olldashi për kryetar të PD, në një intervistë ekskluzive për portalin informativ “Nacional Albania” kishte folur edhe publicisti e politologu nga Kosova, Albinot Maloku.

Ndër të tjera Maloku kishte thënë se ajo çfarë i nevojitet Shqipërisë është mendësia politike ndryshe nga që ishte.  Në pyetjen e Nacional Albania, për garën për kreun e PD e cila po zhvillohet pas një humbje të thellë të së djathtës dhe atë se sa e vështirë duket për dy kandidatët të fitojnë vota në këto kushte të rënda psikologjike? Politologu Maloku thotë: Për mendimin tim, humbja në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, e Partisë Demokratike nuk do të duhej marr si rëndesë psikologjike. Përkundrazi, kjo humbje u bë për shkaqe që PD-ja duhet t’i studioj fort, dhe të kërkohen përmirësimet e pa kompromis përbrenda së djathtës shqiptare. PD ka një histori të shkëlqyer dhe kjo me humbjet e fundit nuk shlyhet e tëra. Urova që kryetari në detyrë Sali Berisha, pas humbjeve të fundit ndërmori hapin e dorëheqjes që duhet të përçojë shembull për të gjithë liderët politik anë e mbanë hapësirës shqiptare. Kjo garë bëhet me synimin e rifreskimit të asaj që u pa si e molisur. Ajo që i nevojitet të djathtës shqiptare është reformimi i plotë i saj, ruajtja e identitetit konceptual të saj, duke mos bërë aleanca bashkëpunimi ku qëllimi është pushteti, e të tjera gjëra përcjellëse. Elektorati i Partisë Demokratike është ai që e meriton një lidership të ri, në të gjitha aspektet të Partisë Demokratike.

Në lidhje me përvojën politike që kanë kandidatët, Maloku tha se : Eksperienca gjithherë është e domosdoshme në politik. Kur shikojmë CV-të e kandidatëve vërejmë  se që të dy kanë një beckground të mirë, edhe pse Olldashi në CV-në e tij është më modest për dallim nga Basha që është më e ekzagjeruar.

Gazetari i “Nacional Albania”, Dionis Xhafa u interesua të di edhe për atë që, humbësi përveç Partisë Demokratike, u vetëdeklarua edhe lideri historik i saj, Sali Berisha. Por, pavarësisht kësaj figura e tij duket se vijon të glorifikohet nga ana e Olldashit dhe Bashës. Në këtë Politologu Maloku tha se:  Sali Berisha pa dyshim që është figura më historike e Shqipërisë pas komunizmit të egër të Enver Hoxhës. Puna dhe emri i Berishës do të ngelen në memorien e të gjithë shqiptarëve, por as ai nuk është i pa zëvendësuar. Partitë politike shqiptare, e sidomos ato me karrierë të frytshme politike e historike duhet me çdo kusht ta lënë mendësinë e liderit. Glorifikimi i liderit dhe tentimi për tu thirrur gjithherë në të nuk i bënë nderë partisë, por as elektoratit e simpatizantëve të konceptit ideologjik që përfaqëson partia e caktuar. Partia Demokratike u themelua nga një garniturë demokratësh e liridashësish që luftuan e punuan për një Shqipëri e shqiptari të prosperuar, me vlerat më të mira të kohës. Sali Bershia e vetëpranoi humbjen, por për humbjen e PD-së kësaj radhe janë e gjithë garnitura e angazhuar për këto zgjedhje. E natyrshme është të ndodhin ndryshimet përbrenda një turpi politik i cili u tregua jo i përgatitur për të mos thënë i shpenzuar për të fituar prapë. Kjo ndodhi në demokracitë e shëndosha. Po e jap një shembull ilustrativ që nuk duhet ndjekur as një parti politike shqiptare. Në Kosovë emri dhe vepra e ish-presidentit Ibrahim Rugova do të mbahet mend në historinë shqiptare si politikani e diplomati më i shkëlqyer që ka pas kombi shqiptar. Pas vdekjes së tij, ish-partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri zgjedhjet dhe ndodhi ndarja e hapur e parë e saj, më pastaj në zgjedhjet tjera ndodhi edhe një zbehje e një krahu me stazh të saj. Për veç këtyre ish-partia e ish-presidentit Rugova vazhdojë ta ketë si referencë Ibrahim Rugoven në të gjitha zgjedhjet lokale e parlamentare, ku patetizmi shkonte aty, që liderët aktual të ish-partisë së ish-presidentit Rugova, e vizitonin varrin e të ndjerit Ibrahim Rugova edhe për ti uruar ditëlindjen e tij. Liderët janë, kjo është e pa kontestuar, por ata nuk janë të pazëvendësuar. Secili lider e ka kapitullin e tij apo saj. Edhe në këtë rast, mua nuk më bindin as Lulzim Basha as Sokol Olldashi nëse i referohen Sali Berishës si njeriun nga i cili duhet të marrin model. Partia Demokratike e Shqipërisë është subjekt politik me stazh të gjatë në historinë plurale politike në Shqipëri dhe e meriton më të mirën.

INTERVISTE / Dionis Xhafa – Publikuar ne: http://www.nacionalalbania.al/2013/07/mendesia-politike-ne-shqiperi-duhet-te-ndryshoje/  2. http://www.kosova.info/index.aspx?SID=29&LID=2&AID=86930&Ctype=1&ACatID=27 3. http://time.ikub.al/405027bb51/e6096c24e61d82ae6320327e45f5ecb7/Lajm_Maloku-Mendesia-politike-ne-Shqiperi-duhet-te-ndryshoje.aspx 4. http://albinotmaloku.wordpress.com/2013/07/19/interviste-5/ 5. http://almakos.com/lajme/shqiperi/29051-maloku-mendesia-politike-ne-shqiperi-duhet-te-ndryshoje.html 6. http://grid.al/read/news/156491803/3969268/maloku-mendesia-politike-ne-shqiperi-duhet-te-ndryshoje

Image

Advertisements