Romët, mes kaosit dhe në mes katër rrugësh!


Jetesa buzë rrugës te “Pallati me shigjeta” dhe puna e tyre e përditshme në rrugët e kryeqytetit Romët mbeten në mes të katër rrugëve, kundërshtojnë dhe strehimin tek reparti ushtarak në TufinëKomuniteti rom vijon të mbetet një nga problematikat më të mprehta shoqërore në vendin tonë. Jetesa e tyre në kushte tronditëse, papunësia dhe diskriminimi vazhdon t’i shoqërojë prej vitesh pjesëtarët e këtij komuniteti. Ata banojnë poshtë urave, buzë lumenjve, nëpër lulishte, apo lagje të izoluara periferike, në banesa kryesisht të improvizuara me ambalazhe plastike dhe kartoni, të cilat janë siguruar gjatë “punës” në kazanët e mbeturinave. Me këtë punë të vështirë e të lodhshme nëpër Tiranë, ata sigurojnë të ardhura minimale për të mbajtur frymën gjallë. Jo rrallëherë, janë pikërisht këto kazanë mbeturinash, të cilët i ndihmojnë romët direkt me ushqim dhe veshmbathje, të hedhura nga qytetarët si të panevojshme. Por për disa prej tyre, një vend pune janëe dhe rrugët. Lypës, xhamalarës dhe shitës, janë kryesisht “profesionet” e kësaj kategorie që i has grupe-grupe thuajse në çdo rrugë kryesore të kryeqytetit. Në mes të rrugës, pa u shqetësuar aspak për fatin e vet, por dhe të drejtuesve të makinave, ata i gjen pa pritur pa kujtuar me fytyrën mbështetur tek xhami i makinës: Më fal 200 lekë, do të t’i laj xhamat?”. Ndonjëherë, e kanë larë dhe makinën teksa ti pret në semafor. Duhet vetëm t’u japësh 200 lekëshin. Shpeshherë, halli i tyre i përditshëm, kthehet në një stres të paparë për drejtuesit e makinave, por dhe kalimtarët, të cilët duan apo jo, shpesh detyrohen të ndalojnë për t’u kthyer përgjigje lypsave. Jetesa buzë rrugës te “Pallati me shigjeta” Një dramë e vërtetë dhe kaos urban është krijuar prej disa ditësh në afërsi të zonës së njohur si “Pallati me shigjeta” në Tiranë, ku prej disa kohësh familje rome që kanë barrakat e tyre në afërsi të rrugës, përballen me një situatë të mjerueshme dhe të rrezikshme për jetën e tyre. Kaosi i krijuar është evident në çdo pëllëmbë të kësaj rruge, ku mes mbeturinash, plehrash, ujit të ndotur dhe makinash, banojnë romët. Duke mos patur ujë të pijshëm brenda “shtëpive barrakë”, romët kanë gjetur një mënyrë alternative për ujin, duke e sjellë atë me anë të disa tubave uji nga lokalet pranë, gjë që e shndërron rrugën me baltë dhe gropa uji të ndotura. Fëmijë të vegjël gjen ngado në rrugën e ngushtë ku kalojnë mjete të ndryshme, të cilët kryejnë aktivitetin e tyre të përditshëm, lypjen, duke iu shtrirë dorën kalimtarëve për ndonjë monedhë apo duke kryer punën e xhamalarësit. Në të djathtë të rrugës, në pamundësi për të patur hapësira të nevojshme, gratë rome varin rrobat e tyre dhe i thajnë në mes të rrugës pranë Lanës. Gjendja bëhet më e rëndë në barraka, ku ka mungesë të shumë orendive shtëpiake, madje edhe nga ata më të domosdoshmet, si televizori apo soba, e ku e shumta gjen ndonjë krevat për të fjetur. Në hyrje të barrakave të ngritura rresht kanalizimet kanë shpërthyer dhe një erë e rëndë kutërbon gjithandej. Jeta e përditshme e një romi është lypja, kërkimi i mbeturinave për ti shitur, më së shumti kanaçeve ose larja e xhamave të makinave, punë që më së shumti i kryejnë fëmijët, që në masë kanë braktisur edhe shkollën. Të rriturit ndërkaq, shumica prej tyre janë të papunë dhe ata përpiqen që me shitje kanaçesh të mund të mbijetojnë. Shifra nga ana e Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve, tregojnë se në Shqipëri punojnë plot 50.000 fëmijë, në rang republike ka 1.200 lypës, nga të cilët 800 në kryeqytet, ndërsa 800 nxënës braktisin shkollën në një vit, duke u bërë një pre e mundshme e trafikantëve për pedofili. Ministria e Punës dhe Ministria e Brendshme kanë nënshrkuar gjatë viteve të mëparshme disa marrëveshje bashkëpunimi për largimin nga rruga dhe rehabilitimin e tyre, por deri tani, situata ka mbetur në vend… Romët, ende nuk e kanë ndier dorën e shtetit, e cila nuk është vetëm për taksa, por dhe ndihmë e shërbim të kategorive vulnerabile.

Romët nuk pranojnë strehimin në repart ushtarak: Ka kimikate, na rrezikohet jeta Qeveria e re e ka nisur punën e saj me një vendim, sipas të cilit romët do të mund të kenë një banesë të tyren dhe këto banesa do të jenë në ambiente të disa reparteve ushtarake në Shish-Tufinë, vënë nën dispozicion nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri i Punëve Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj disa herë është shprehur se do të marrë fund njëherë e përgjithmonë “odiseja” e jetesës së romëve në këta barraka në mes të katër rrugëve dhe do të rehabilitohen në ish-repartet ushtarake. Lidhur me këtë transferim të romëve në reparte, kanë protestuar e reaguar pronarët e tokave në Shish-Tufinë, të cilët kanë shprehur indinjatën për marrjen e një reparti nga romët, ku banesat kanë zaptuar tokat e tyre. Romët vetë janë në dy mendje nëse do ta pranojnë ofertën për të shkuar në repartet ushtarake, pasi sipas tyre, në ato banesa ka mbetje kimike dhe që përbëjnë një rrezik edhe për fëmijët e vegjël. Madje, disa prej tyre pohojnë se më mirë jetojnë këtu në mes të kaosit se të shkojnë dhe të mbyten nga kimikatet që kanë mbetur nga aktivitetet ushtarake që janë kryer ndër vite në ata banesa. Kryetari i Seksionit të Shoqatës së Romëve në Tiranë, Hajdar Hashimi e shpreh edhe vetë këtë problem. “Banesat në reparte ushtarake ne vetë i kemi vërejtur dhe kemi parë se aty ka mbetje kimike të rrezikshme për fëmijët tanë, të cilët aq më tepër janë të rrezikuar, pasi ne kërkojmë të mbijetojmë dhe ne me shitje kanaçesh e mbajmë frymën, e si rrjedhojë rreziku është tejet i madh që këto kimikate të na mbysin shpirtin”, thotë me një shqetësim që i lexohet në fytyrë, kryetari i shoqatës, Hashimi. Ai më tej akuzon se jo pak, por 580.000 euro që u vodhën nga qeveria e mëparshme, të cilat ishin vënë në dispozicion për strehimin e komunitetit të tyre por që u përdorën për fushatë.

Gruaja 63-vjeçare, lyp rrugëve të Tiranës Gruaja e moshuar, 63-vjeçarja, Fatimja, që ka një ëmbëlsi në fytyrë, e veshur me rroba të leckosura, është shtrirë në bulevard dhe ka nxjerrë një karton për të gjithë ata që duan ta ndihmojnë. Ajo i përket komunitetit të romëve, jeton pranë barrakave dhe e ka të vështirë të na tregojë historinë e saj dhe katandisjen në rrugë, por pasi bindet me rrënqethje e tregon sesi u detyrua të bëjë punën e lypëses. “Jam katandisur në mes të rrugëve se nuk më donte gruaja e djalit, e djali im u nis me të në Gjermani e më la këtu siç më sheh. Ata jetojnë atje dhe as duan tia dinë se çfarë bëhet me mua. Edhe këta të tjerët nuk jetojnë aq mirë, por me mua ka ngjarë shumë më keq, pasi nuk kam as edhe një strehë ku të shkoj në darkë e jam e detyruar të flej jashtë, në mes të shiut dhe të ftohtit.” – thotë duke u dridhur gruaja e moshuar. Ajo tregon edhe se nuk është ndihmuar aspak nga shteti shqiptar, i cili nuk i siguron as asistencë, pasi zyrat e shtetit i kërkojnë të ketë djalin prezent që mund ti lidhë një asistencë familjare, mirëpo djali i saj e ka harruar prej kohësh dhe ka humbur çdo kontakt me të.

Klajdi 6-vjeçar, i pëlqen shkolla, i detyruar të lypë Klajdi është vetëm 6 vjeç dhe i pëlqen shumë shkolla. Ai merr edukim parashkollor nga ana e Shoqatës Rome, por si dhe çdo rom, kushtet e vështira të familjes “i rrisin përpara kohës” këta vogëlushë, që detyrohen shpesh edhe nga vetë pjesëtarët e familjes të dalin në rrugë e të lypin. Vetë Klajdi, edhe pse i vogël, jeta e vështirë e ka mësuar të bëjë shumë manovra dhe të ketë një shkathtësi të zhvilluar. Shkon ngado e shpejt për të kërkuar kalimtarë dhe iu shtrin dorën për lëmoshë. “Këtë punë e bëj çdo ditë kur vij nga kopshti dhe mbledh disa lekë”, thotë Klajdi i vogël. Fëmijët janë personat më të ekspozuar ndaj fenomenit të lypjes, pasi e kanë më të lehtë të kërkojnë lëmoshë se të rriturit, ndaj ata detyrohen që të bëjnë këtë punë, për të fituar para për mbijetesën e romëve. Klajdi, edhe pse ka marrë një drejtim drejt dijes në këtë moshë të brishtë, përsëri rrënjët e prejardhjes kanë bërë që edhe ai të marrë rrugën që shumica e familjeve rome iu mëson fëmijëve, rrugën e lypjes.

Ilmie Orani: Shteti na ka katandisur në këtë gjendje

Gruaja rome, Ilmie Orani, një mesogrua rreth të pesëdhjetave shprehet e shqetësuar për situatën në të cilën gjendet dhe thotë se një faj i madh për këtë bie mbi shtetin, që i ka lënë në harresë. “Unë kam patur emrin tek Njësia nr.11 dhe tashmë që jam shpërngulur me barakë këtu jam rregjistruar tek Njësia nr.5. Kur shkoj tek njësia që jam momentalisht më thonë që nuk mund ta marr asistencën dhe nuk më jepet asnjë arsye.”. Ajo mendon se fakti që nuk i jepet asnjë arsye për ndihmë ekonomike që e meriton si e papunë dhe me burrë të papunë, e shtyn atë të besojë se vetë zyrat e shtetit mbajnë një qëndrim racist ndaj kësaj kategorie sociale. Sipas Ilmies, romët jo vetëm diskriminohen nga shoqëria, e cila i distancon vetëm për shkak të lëkurës, por një dënim të madh romët marrin edhe nga shteti shqiptar, edhe pse ajo vetë është shtetase shqiptare. Është vërtetë i trishtë fakti që familje rome, ashtu sikundër edhe familja e Ilmies, nuk trajtohen edhe si qytetar përpara shtetit të tyre.

Dionis Xhafa , Gazeta Sot

Image

Advertisements