Karta e Studentit, nje premtim qe mbeti si i tille….


Dionis Xhafa, SOT   –  17.10.2013

Karta e Studentit, aq e trumpetuar sidomos në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2011 nga kryetari aktual i bashkisë, Basha, duket se ka rezultuar një kartë e djegur. Premtimi aq i bujshëm se karta do të ishte jo vetëm gati, por edhe efikase, nuk rezulton të jetë aspak i tillë. Ishte një premtim revanshi që u ngrit në qiell dhe sot ky premtim është thuajse në venitje ose ka probleme të shumta, sidomos në raport me studentët, shtresa sociale që preket nga ky projekt. Kur pyesim në bashki për problemin në fjalë, punonjësit na drejtojnë për tek zyrat që janë marrë posaçërisht me kartat e studentëve. Arnita Beqiraj, menaxhere e projektit për Kartat e Studentit na thotë se karta vijon të mbesë në fuqi dhe se po bëhen përmirësime për të qenë sa më e nevojshme për studentët. Ajo vazhdon më tej se shërbimet që ofron Karta Studentore varen krejtësisht nga partnerët, të cilët deri më tani janë disa. “Shërbimet që mund të marrë studenti nga karta varen nga partnerët që ne krijojmë. Deri më tani kemi 20 partnerë, që janë subjekte të ndryshme në kryeqytet, si kinema, kompani interneti, autoshkolla, spitale private dhe kompani për kujdesin e trupit”, thotë Beqiraj. Teksa e pyet për mungesën e një shërbimi urban në mes të shërbimeve të tjera për studentët, Beqiraj shprehet se akoma nuk është arritur një akord për të futur në mes të shërbimeve edhe transportin urban, por që kompania “Zero Gravity” ku ajo punon dhe që ka marrë përsipër projektin e Bashkisë së Tiranës është në negocime për një shërbim të tillë. Fakti që të bie më shumë në sy është se në të gjithë listën e shërbimeve që ofrohen për studentët me marrjen e Kartës së Studentit, përfshihen subjekte që janë larg për një student. Kështu, në listën e shumtë të subjekteve që përfshihen në kartë ka kinema, kompani kursesh private, autoshkollash, teatro, por edhe banka, shoqata e Dhomës së Tregtisë etj., të cilat nuk janë nevoja parësore për një student.

Reagime

Studenti i vitit të parë të Drejtësisë, Donalti na thotë se është interesuar personalisht për Kartën e Studentit që ofron bashkia, por nuk është pajisur me të, pasi të gjitha shërbimet që ofrohen nga kart, nuk janë imediate. Sipas tij, në listën e shërbimeve me ulje ka kompani parfumesh, që nuk janë aspak të duhura për një student. Madje, Donalti i sheh me pesimizëm edhe futjen e disa shërbimeve, të tilla si kinemaja apo spitalet. “Për mua nevojë e parë është urbani, pasi me autobus brenda qytetit më duhet të udhëtoj çdo ditë katër herë, ndërsa shërbimet e tjera i shoh me shumë dyshim. Unë nëse shkoj në spital, do të ishte e rrallë, pasi do të isha shumë i sëmurë dhe në këto raste dua apo jo, nuk do të pyes për uljen që më është shënuar në kartë, sepse e kam urgjente. E njëjta gjë vlen dhe për kinemanë. Nëse iki në kinema, unë shkoj për qejf dhe do shpenzoj aq para sa kam, nuk besoj se ka nevojë për ulje kur je duke shkuar diku për qejf”, përfundon Donalti. Ndërkohë, sekretarja e Fakultetit të Histori-Filologji na thotë se aplikimet nga studentët, që janë bërë edhe në fakultet edhe në bashki kanë qenë të pakta dhe e metë tjetër. Sipas saj, është edhe fakti se afati kohor i Kartës së Studentit është një vit dhe jo aq sa zgjasin studimet Bachelor, 3 vite. Deri më tani, nga bashkia na thonë se janë bërë mbi 3.000 aplikime për kartën.

Cfarë është karta e Studentit

Karta e Studentit parashikon që të gjithë studentët e universiteteve të Tiranës që pajisen me të, përfitojnë shërbime falas apo me kosto të reduktuar. Përmes kësaj karte, studentët presupozohet se do të kenë lehtësira në shërbimet e ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë, që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti etj.

Oli: Plotësuam formularin për kartën, nuk u bë asgjë

Studentja e degës Gjuhë-Letërsi, Oli thotë se ajo që është bërë në Fakultetin Filologjik është një vepër e turpshme. Sipas saj, para disa kohësh, në fakultet erdhën disa vajza, nëpër oborre që kishin formularë në duar dhe që kërkonin nga studentët ti plotësonin ato. “Vitin paraardhës në oborr isha me disa shoqe dhe erdhën disa vajza të reja me formularë në duar. E plotësova formularin, pagova dhe 1000 lekë të vjetra dhe asgjë. Vajzat u zhdukën dhe nuk e kuptova se ku i çuan paratë”, thotë studentja e Letërsisë. Ajo shprehet e indinjuar për këtë fakt, ndërsa shton se është në dijeni të kartave por nuk ka aplikuar për të marrë një të tillë, kjo pasi nuk ka leverdi me të. Ajo tregon se nga të gjithë vajzat e klasës së saj, asnjëra nuk ka kartë dhe kjo për faktin se është përhapur tashmë ideja se kartat nuk janë aspak efikase dhe për më tepër nuk ofrojnë shërbimin e transportit publik, një shërbim kryesor për çdo student.

Ana: Karta e Studentit, thjesht na gënjyen

Ana, një studente e Shkencave Sociale thotë se studentët janë gënjyer dhe asgjë nuk u bë realitet nga ajo që u premtua. Ajo thotë se e ka ndjekur me vëmendje problemin e kartës së Studentit, pasi sipas saj ishte shumë me rëndësi për të, por është zhgënjyer dhe nuk aplikoi për të. “Karta e Studentit është thjesht një farsë. Ndoshta mendojnë se ne që jemi studentë dhe jemi të rinj në moshë mund të gënjehemi më lehtë dhe kështu kanë bërë. Mua s’më duket fare e moralshme që kryetari i bashkisë të premtojë diçka dhe ky premtim të bëhet sa për sy e faqe.”, shton më tej, Ana. Sipas saj, karta duhet të ishte shumë e rëndësishme, por në të vërtetë ajo as që ka vlerë fare dhe prandaj nuk ia ka vlejtur që të merret. Në fund, Ana shprehet se nuk e ka marrë kartën dhe nëse nuk vihet shërbimi i urbanit nuk ka ndërmend ta marrë. “Ia vlen më mirë abonoja. Karta është për ata që s’duan të studiojnë, por duan të bëjnë qejf, se vetëm të tilla shërbime ka”, përfundon studentja.

Donaldi: Karta, nismë e Bashës për përfitime personale

Donald Muka sapo ka nisur Fakultetin e Drejtësisë. Ai thotë se ka shkuar për tu interesuar për Kartën e Studentit, por nuk e ka marrë me dëshirë. Sipas tij, karta është një nismë që duhet për studentët, por abuzohet me të. “Nisma është shumë e mirë dhe kështu duhet të jetë, neve na duhet një kartë, ashtu siç ka në të gjithë Evropën dhe botën e zhvilluar. Por, bashkia e ka banalizuar kartën, teksa e ka shndërruar në një karton të pavlerë për një student. Ajo kartë është vetëm për ata persona që duan të bëjnë qejf, se vetëm ulje për shërbime të tilla ofron, për kompani parfumesh e thonjsh dhe asgjë për librari, urbanë, apo biblioteka”, shprehet Donaldi. Sipas tij nisma është e guximshme, por është shndërruar në një biznes privat. Ai vetë ndihet i poshtëruar si qytetar i Tiranës, që kryetari i bashkisë të premtojë diçka kaq me rëndësi dhe ta shndërrojë në një rreth të ngushtë biznesesh, pranë tij, por larg asaj që kërkojnë studentët.

Xheni: Karta e Studentit, demagogji e kryetarit Basha

Xheni, një studente e Fakultetit Ekonomik thotë se Karta e Studentit është një demagogji e hapur e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. “Po të shohësh asnjë nuk e ka marrë kartën. Ne nuk është se jemi kundër një karte për studentë, pasi është një mjet që duhet ta kishim se na takon me ligj, por jemi kundër këtij administrimi aspak të mirë që i bën kryetari i bashkisë së Tiranës. Edhe unë si shokët dhe shoqet e mia nuk e kemi marrë kartën. Nuk ia vlen. Kjo është tallje që bëhet me ne studentët dhe është vërtetë për të ardhur keq katandisja deri në këtë pikë e situatës, saqë edhe ligji të mund të deformohet dhe të bëhet ç’do me të. Të shpresojmë që situata të rregullohet”, vijon Xheni. Ajo shton më tej se ka parë që ka patur sportele aplikimi, si në fakultet, ashtu edhe në bashki, por nuk iu është drejtuar atyre për arsyen se e dinte që karta është joefikase. Xheni shprehet se edhe kushërirat e saj më të mëdhaja në moshë, nuk kanë aplikuar.

Image

– See more at: http://www.sot.com.al/aktualitet/student%C3%ABt-refuzojn%C3%AB-kart%C3%ABn-e-studentit-nuk-duam-ulje-p%C3%ABr-kinema-e-parukeri-por-p%C3%ABr-urban%C3%AB#sthash.dtMT2BDC.dpuf

Advertisements