Kur pagesat e ujit nuk bëhen me libreza, por me afrofe…


Dionis Xhafa , “Sot”

Ujësjellësi i Tiranës vijon të grabisë qytetarët duke i faturuar shumë më tepër nga çfarë mund të ishin faturuar në mënyrë të rregullt. Thuajse shumica e qytetarëve të kryeqytetit ankohen se faturat janë shumë të kripura dhe se askush nuk i sheh sahatet, por i vendosin në mënyrë afrofe dhe shumë më shumë nga sa harxhojnë në të vërtetë. Shkojmë në zyrat qendrore të UKT-së në kryeqytet dhe ajo që të bie në sy është fakti se shumë qytetarë janë drejtuar te zyrat e ankesës, pasi janë të pakënaqur me shërbimin e Ujësjellësit të Tiranës. Qytetarët që kanë ankesa pranë këtyre zyrave nuk ngurrojnë aspak të hedhin akuza ndaj punonjësve dhe stafit të Ujësjellësit, staf që sipas tyre shpesh është dembel dhe nuk merr iniciativën as të vërë sahate, por edhe kur ata janë, nuk shihet se sa xhiro ka bërë sahati, por vihet një faturim afrofe. Një ndër qytetaret e paraqitura në këtë sportel, Fatbardha, shprehet e shqetësuar, pasi i kanë vjedhur sahatin dhe ka mbetur pa një të tillë. Duke qenë se nuk ka tashmë sahat, UKT e faturon afrofe ndaj dhe ka ardhur pranë këtij institucioni për të bërë një ankesë, si dhe për të kërkuar instalimin e sahatit në shtëpi, gjë që nuk është bërë nga ana e punonjësve të Ujësjellësit. “Më kanë vjedhur sahatin ka dy muaj. Kjo sepse instalimin e sahatit e bëjnë jashtë shtëpisë. Nëse nuk kujtohesh vetë për ta vënë, këta nuk denjojnë fare të vijnë vetë. Megjithatë, sigurisht ne na intereson kjo gjë dhe kështu që kam ardhur vetë që të bëj kërkesë për sahat se kështu të rrjepin me afrofe, e cila shkon deri në 21 mijë lekë të vjetra. Afrofenë e vendosin që nga zyrat dhe as që vijnë fare ta vendosin. Ky është turp”, thotë Fatbardha, e shqetësuar për vjedhjen e sahatit të ujit dhe e që kërkon që Ujësjellësi të vendosë rregull dhe ta faturojë aq sa t’i shkojë sahati. Një qytetare tjetër, Nuria, dhe ajo e shqetësuar për situatën, shpjegon se situata ekonomike është mjaft e rëndë për të dhe sikur të mos mjaftonte kjo, fatura e ujit i shkon 21 mijë lekë të vjetra për çdo muaj, një pagesë mjaft e lartë për ujë. “Shumë keq është gjendja. 21 mijë lekë janë shumë para. Ne jemi vetëm tre vetë në familje dhe aq më tepër nuk kemi fare sahat dhe çdo gjë e bëjnë afrofe. Kam bërë ankesë për sahat, por nuk kanë ardhur. E keqe tjetër është edhe kamatë-vonesa, pasi nëse nuk vjen me datë 28 të çdo muaji dhe vonohesh, je detyruar të paguash kamatën”, tregon Nuria, një grua rreth të 60-tave. Një tjetër qytetare po me të njëjtin problem thotë se sahati nuk shihet fare edhe pse ka sahat në shtëpi. Madje, ajo shton se punonjësit e UKT-së çdo gjë e bëjnë nga zyrat dhe as nuk paraqiten ndonjëherë që të shohin se sa ka shkuar shiriti në sahat, gjë e cila, sipas qytetares nuk është aspak e drejtë. Situata është akoma dhe më e vështirë për një grua të papunë, rreth të 40-tave, e cila gati në ngashërim, na thotë se është një grua e papunë dhe se bashkëshortin e ka invalid, gjë e cila e ka penguar të paguajë faturën që sjell Ujësjellësi. “I kam lënë dy muajt e fundit pa paguar. Jam interesuar edhe te drejtori i UKT-së, Fatbardh Islamaj, po të qe nevoja edhe te kryeministri do ankohem se nuk kam punë dhe s’kam mundësi për ti paguar lekët”, na shpjegon situatën e saj gruaja. Të njëjtin problem shpreh edhe një burrë i moshuar, që edhe pse i pajisur me sahat, faturat i shkojnë afrofe.

Fatbardha: Kam dy muaj pa sahat, fatura afrofe 21 mijë lekë

Fatbardha, një grua rreth të 50-tave thotë se sahati i ujit që ajo ka patur të instaluar pranë shtëpisë së saj është vjedhur dhe se UKT-ja as që është shqetësuar për të vënë sahat të ri vetë, por ajo detyrohet të paraqitet personalisht, kjo edhe për shkak se tashmë i shkojnë fatura afrofe të kripura. “Ma kanë vjedhur sahatin e ujit ka 2 muaj. E kanë hequr me kaçavida, kjo për shkak se sahatin e instalojnë në ambientet e jashtme të shtëpisë dhe si rrjedhojë nuk kam mundur ta kontrolloj kur e kanë vjedhur. Meqenëse më ndodhi kjo, nuk më vjen më askush në shtëpi nga Ujësjellësi, por i vendosin afrofe dhe s’kam ç’të bëj gjë tjetër veçse ti paguaj sa të vijë fatura, gjë që nuk është aspak e drejtë. E sjellin faturën 21 mijë lekë, para të cilat unë nuk i harxhoj, por meqenëse nuk e kam sahatin duhet ti paguaj”, shprehet e shqetësuar gruaja. Ajo më tej shpjegon se ka qenë gjithmonë e rregullt me pagesën dhe do vetëm drejtësinë, ndaj dhe është paraqitur në zyrat e ankesave, për të vënë një sahat të ri. Sipas Fatbardhës, është vetëm interesi i saj që e ka sjellë në zyrat e UKT-së, pasi nëse nuk do ta bënte vetë, askush nuk është interesuar, pasi ka dy muaj që nuk e ka sahatin.

Nuria: Faturistët nuk vijnë të shohin sahatin, tarifimi afrofe

Nuria është një grua me banim tek zona e quajtur “Medrese” në Tiranë dhe thotë se tashmë është bërë e modës që faturimi të bëhet afrofe nga ana e punonjësve të Ujësjellësit të Tiranës. Sipas gruas, faturimi në këtë mënyrë është mënyra më e përhapur dhe më tepër e aplikueshme, gjë që qytetarja e quan të padrejtë. “Është e padrejtë të faturohesh në mënyrë afrofe, pa e parë fare sahatin. Kjo është mënyrë shumë e gabuar, pasi dikush harxhon më shumë dhe ndokush më pak ujë, ndërsa këta i vendosin sipas qejfit. Është një kaos i madh kjo puna e pagesës dhe aspak transparente. Për këtë kam ardhur sot, për të bërë ankesë pranë zyrave të ankesës se më vjen faturë afrofe, zakonisht 21 mijë lekë dhe nuk shihet sahati i ujit, hiç fare”, shprehet më tej Nuria. Ajo shton se banon vetëm me bashkëshortin dhe vajzën dhe janë shumë pak anëtarë për të shkuar pagesa e ujit kaq shumë, pasi nuk e përdorin ujin në mënyrë kaq të bollshme sa të vijë kjo faturë kaq e lartë. Nuria përmbyll prononcimin e saj duke vënë theksin tek padrejtësia e metodës së pagesës afrofe.

 Faiku: Të na faturojnë aq sa shënohet në sahat

Faiku është një burrë i thyer në moshë i indinjuar për situatën dhe thotë se qytetarët duhet të faturohen aq sa është shënuar në sahat dhe asnjë gram më shumë. Sipas tij, është një metodë aspak e mirë kjo që ndiqet nga ana e punonjësve të Ujësjellësit të Tiranës, të cilët as që e shohin sahatin, por lëshojnë fatura afrofe. “Këta nuk i shohin fare faturat. Unë jam dakord me ligjin dhe me rregullin. Të më faturojnë aq sa shënohet në shirit dhe as më pak e as më shumë. Edhe sikur të harxhoj më shumë nga se është afrofeje, unë do isha dakord, pasi është ligjore dhe brenda rregullave. Megjithëse, si për mua, si për të gjithë faturat afrofe vijnë më shumë nga se mund të harxhohet me ujin. Punonjësit e kanë lehtësuar punën në atë fazë sa s’ka ku të shkojë më. Mirë që jemi të detyruar të vijmë vetë se na vënë kamatë për çdo ditë vonesë, por tani as sahatet nuk i shohin, unë se kuptoj se çfarë pune bëjnë. Më duket se bëjnë muhabete nëpër kafene dhe lëshojnë fatura për popullin, sikur të jetë populli ndonjë plaçkë për ta rrjepur. Kështu nuk bëhet”, mbyll fjalën i moshuari, i cili ka ardhur që nga lagjja “21 dhjetori” e Tiranës në zyrat e ankesës së UKT-së.

Merita: Do ankohem deri tek Rama për faturat afrofe

Merita është një grua që edhe në pamje të parë të jep përshtypjen se nuk ka një gjendje të mirë financiare. Ajo është sot në zyrat e ankesave të Ujësjellësit të Tiranës për një problem shumë të madh. Merita thotë se nuk ka para ti paguajë faturat e ujit që i vijnë nga ana e punonjësve të UKT-së të vëna në mënyrë afrofe nga ana e punonjësve të institucionit. Gati në ngashërim ajo ndan problemin e saj dhe pamundësinë për të paguar faturën që i vjen për çdo muaj, e cila duhet paguar, pasi në të kundërt kamata ecën dhe pagesa bëhet gjithnjë e më e pamundur. “Nuk kam mundësi të paguaj faturimin afrofe që më vjen, disa herë 15 mijë lekë dhe herë të tjera 21 mijë lekë të vjetra. Unë jam e papunë dhe burrin e kam invalid dhe si kemi mundësitë për pagesë. Kam ardhur sot për të folur personalisht me drejtorin e UKT-së, Fatbardh Islamaj për këtë problem. Unë jam e gatshme që të flas edhe me vetë kryeministrin Rama për ta zgjidhur problemin në fjalë, pasi s’kam se si të veproj dhe e kam të pamundur”, përmbyll fjalën 35-vjeçarja, Merita.

– See more at: http://www.sot.com.al/aktualitet/uj%C3%ABsjell%C3%ABsi-grabit-qytetar%C3%ABt-me-faturime-afrofe-radh%C3%AB-t%C3%AB-gjata-ankesash-n%C3%AB-ukt#sthash.zqPBojnh.dpuf

Image

Advertisements
This entry was posted in Sociale.