Maratona e armëve kimike…


Dionis Xhafa , 13.11.2013

Mundësia e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri ka alarmuar Greqinë, Maqedoninë dhe Italinë. Disa ditë më parë, mediat italiane raportuan për rrezikun që i kanoset Pulias, qytetit që është vetëm 70 km larg nga bregu shqiptar. Ndërkaq, Greqia dhe Maqedonia i kanë bërë apel dje qeverisë shqiptare që të refuzojnë demontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Mediat helene kanë bërë një pasqyrim të të gjitha protestave të bëra në Shqipëri, duke bërë edhe apel që qeveria e Shqipërisë të mos i pranojë armët kimike të regjimit të Baschar Al Asaddit. E përditshmja greke, “Kathemirini” ka shkruar se Shqipëria nuk duhet t’i pranojë armët kimike të Sirisë, pasi ata përbëjnë një rrezik real për vendin dhe për të gjithë rajonin. Gazeta në fjalë, thotë më tej në shkrim se si alternativë për një vend ku mund të shkatërroheshin armët kimike mund të ishin shkretëtirat e pabanuara siriane ose vetë SHBA dhe Rusia ta ndanin territorin për të shkatërruar këta armë dhe të mos i sjellin në Ballkan. Më tej thuhet se Uashingtoni i ka kërkuar Shqipërisë ta pranojë kërkesën, ndërkohë që vende të tjera që kanë eksperienca në këtë fushë, si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Norvegjia etj nuk kanë pranuar që armët të shkatërrohen në territorin e vendit të tyre. “Është e vërtete që Shqipëria ka shkatërruar 6 vite më parë armë kimike të periudhës së komunizmit, por ky vend është një nga shtetet më të dobëta kandidate për të bërë shkatërrimin e armëve dhe një import i mundshëm i armëve kimike në territorin shqiptar do të vinte në rrezik edhe të gjithë Ballkanin.”, vijon më tej, Kathemerini në shkrimin dedikuar çështjes së armëve kimike siriane, që mund të importohen në Shqipëri. Të njëjtat thirrje janë bërë edhe nga ana e Maqedonisë, ku media të këtij vendi i bëjnë thirrje vendit tonë të mos pranojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një kërkesë që vë në rrezik të gjithë rajonin. Të gjitha vendet fqinje kanë shprehur qëndrimin e qartë kundër kërkesave të tilla, që do të vinin në rrezik jo vetëm shqiptarët, por edhe paqen dhe jetën e të gjithë ballkanasve.
– See more at: http://www.sot.com.al/politike/alarmohet-greqia-italia-dhe-maqedonia-k%C3%ABrkes%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-q%C3%AB-t%C3%AB-kund%C3%ABrshtoj%C3%AB-arm%C3%ABt-kimike#sthash.zm6UZSkQ.dpuf

Zëvendësambasadori amerikan, Jardine: Keni kapacitete për asgjësim, procesi është i sigurt

Zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri, Henry Jardine, ka konfirmuar planin për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Zyrtari amerikan është shprehur se demontimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri është i sigurt, duke konfirmuar kësisoj negociatat për të përfshirë Shqipërinë në këtë proces. Jardine shtoi se procesi i shkatërrimit të armëve kimike jo vetëm që është i sigurt, por edhe se do të kryhet nën një mbikëqyrje rigoroze ndërkombëtare. “Procesi i demontimit të armëve kimike në Shqipëri është një proces që do të zhvillohet normalisht dhe ndërkombëtarët do të kujdesen që gjithçka të shkojë vërtet në drejtimin e duhur. Këtu nuk ka asgjë për të protestuar. Shqipëria është vlerësuar si një vend ku mund të bëhet një shkatërrim i tillë, për shkak se ka dhënë prova se mund ta bëjë këtë demontim. Pozita gjeografike e ndihmon të jetë vendi i duhur për të shkatërruar këta armë”, ka thënë zv/ambasadori amerikan në vendin tonë, Jardine. Zëvendësambasadori ka këmbëngulur në idenë se shqiptarët nuk kanë pse të shfaqin një pasiguri të madhe. Ai shprehet se çdo gjë, nëse merret vendim, do të bëhet brenda standardeve ndërkombëtare. Henry Jardine ka përforcuar dhe më tepër qëndrimin e zyrtarëve amerikanë për këtë çështje. Fjala e tij është në përputhje edhe me fjalën e ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. “E përsëris se ky proces do të jetë në nivelin më të lartë të mbikëqyrjes dhe të sigurisë ndërkombëtare”, ka qenë fjala e zëvendësambasadorit amerikan në vendin tonë. Këta deklarata numri dy i diplomacisë amerikane në Shqipëri i ka bërë nga pika kufitare e Kakavijës, ku ka qenë për një vlerësim të Policisë Kufitare. Nga ana tjetër, kjo çështje po trajtohet edhe nga ndërkombëtarët. Diplomatë dhe politikanë të botës, po mendojnë se në cilin vend do të bëhet shkatërrimi i armëve siriane. Rusia mban qëndrimin se procesi për të gjetur një vend dhe për të demontuar armët kimike po bën gjithnjë përpara.

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shprehur se procesi për shkatërrimin e armëve kimike po vijon normalisht. Këtë deklaratë, Lavrov e ka dhënë në një takim që ka patur në kryeqytetin egjypitan, Kajro. Me këtë deklaratë, Ministri i Jashtëm rus i bashkohet idesë së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar mundësinë e tregtimit të armëve siriane. BBC raporton se po flitet për një marrëveshje ku janë të përfshira 2 miliardë dollarë. Duke folur nga Kajro, për “Voice of Russia”, kryediplomati rus tha se procesi për të shkatërruar armët kimike po ecën përpara dhe se nuk ka hapa pas.

Këshilli Ekzekutiv

Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) po merr në konsideratë planin për të larguar armët kimike nga Damasku. Një vendim i tillë do të merret ditën e sotme. Ende nuk është bërë e ditur se procesi i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë do të bëhet apo jo në Shqipëri, por po aludohet se Shqipëria mund të jetë një shtet i mundshëm ku mund të shkatërrohen këta armë kimike të luftës civile të Sirisë. Lavrov nuk ka përmendur saktësisht se cili shtet mund të marrë përsipër shkatërrimin e armëve kimike. Ai ka nënvizuar se procesi për t’i shkatërruar armët është në një udhë të mbarë dhe se gjithçka po ecën në një normalitet, siç është parashikuar nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Ban Ki-Moon: Shkatërrimi i armëve kimike të bëhet në Siri

Lidhur me armët siriane ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon. Këtë lajm e ka dhënë agjencia e lajmeve japoneze “Kyodo”. “Po marr në konsideratë që t’i kërkoj Këshillit të Sigurimit,  që të kërkojë në mënyrë të menjëhershme transferimin e armëve kimike të shtetit sirian. Mendoj se shkatërrimi duhet bërë jo shumë larg, por brenda territorit të Sirisë, si një vend ku mund të shkatërrohen ata armë të rrezikshme”, tha Ban Ki-moon në fjalën e tij, citojnë mediat botërore. Bann shprehu zemërimin e brendshëm edhe për një çështje të ndjeshme njerëzore që ka të bëjë me situatën në Siri. Vlerësohet se nga lufta civile në këtë shtet kanë humbur jetën deri tani mbi 100.000 persona. Sipas sekretarit të OKB, Moon, përçarjet në mes superfuqive të botës ka bërë që kriza në Siri të mos marrë fund. Këshilli i Sigurimit nuk merr dot një vendim mbi Sirinë, kjo për shkak të vetos të vënë nga ana e Rusisë dhe e Kinës, të cilat mbrojnë regjimin e Baschar Al Assad.

Eksperti amerikan: Shqipëria ka potenciale

Eksperti amerikan, Daniel Kaszeta, është shprehur se Shqipëria ka potencialet për të shkatërruar armët kimike. Ai shton më tej se ky shkatërrim nuk ka aq rrezikshmëri sa ç’është përshkuar në vend. “Siria e ka të nevojshme të largojë nga vendi 1 mijë ton lëndë kimike dhe Shqipëria është një vend kandidat për të marrë përsipër shkatërrimin e këtyre armëve. Shqipëria i ka potencialet dhe ka treguar se mund të shkatërrojë armë kimike, pasi e ka bërë këtë me armët kimike të mbetura nga komunizmi. Eksperienca që ka dhe afërsia gjeografike me Sirinë kanë bërë që ndërkombëtarët ta shohin Shqipërinë si një vend ku mund të ndërmerret shkatërrimi i armëve kimike”, tha eksperti Kaszeta. Eksperti i armëve kimike ka shtuar se çështja nuk paraqet aq rrezikshmëri sa ç’është paraqitur në media dhe nga se është reaguar. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për ta bërë këtë, pasi ka ndërtesë që është krijuar për të shkatërruar lëndë kimike, dhe është projektuar për të shkatërruar lëndë madje më të rëndësishme se sa është gazi sarin”, përmbyll eksperti amerikan në fjalën e tij.

Eksperti i armëve, Duelfer: Shqipëria e ka në dorë

Një nga ekspertët e armëve të shkatërrimit në masë, Charles Duelfer, i cili ka qenë edhe kreu i ekipit të OKB për inspektim të armëve nga viti 2003 në vitin 2005 ka thënë se Shqipëria e ka në dorë nëse do ti shkatërrojë armët kimike të Sirisë. Duelfer ka vënë në dukje se Shqipëria mund ta marrë përsipër demontimin e armëve kimike të Sirisë dhe siguria është maksimale. Sipas ekspertit të armëve, lënda që mund të eksportohet nuk është shumë e rrezikshme, por është aq e rrezikshme sa një lëndë industriale. “Me sa kuptoj unë ka disa alternativa. Vendi juaj mund të thotë se nuk e pranon kërkesën dhe armët mund të dërgohen për demontim në çdo vend tjetër. Shqipëria mund të marrë pjesë vetëm në një komponent të demontimit, që është çaktivizimi i komponentit e më pas të dërgohet diku tjetër për djegie. Alternativa e tretë është që në Shqipëri të mund të ndërtohet një impiant djegie, vend i cili mund të shërbejë edhe për qëllime të tjera industriale”, ka thënë eksperti i armëve të shkatërrimit në masë, Charles Duelfer.

Zëdhënësi i KE: Nuk ka vendim. Ka disa shtete në listë

Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Michael Mann ka sqaruar opinionin publik se në listën e shteteve ku mund të shkatërrohen armët kimike janë disa të tilla. Ai bëri thirrje të mos ketë aludime lidhur me shkatërrimin e amrëve kimike në vende të caktuara. “Nuk është publikuar deri tani asgjë specifike lidhur me këtë temë. Në listë për të shkatërruar armët kimike që vijnë nga Siria janë disa shtete. Nga ana jonë nuk ka asnjë vendim”, ka sqaruar zëdhënësi Mann opinionin  në një konferencë për mediat. Ai ka komentuar më tej, duke thënë se gjithçka do të trajtohet me profesionalizëm. Michael Mann ka sqaruar se do të merret çdo masë, me qëllim që gjithçka të jetë transparente dhe e hapur. Sipas Mann, kur të ndodhë, çdokush do të jetë i vetëdijshëm, me qëllim që mos të ketë asnjë lloj cënimi. Kështu, zëdhënësi i KE jep një siguri për shtetin që do të marrë përsipër shkatërimin e armëve kimike të Sirisë. Ai konfirmoi sigurinë dhe njëkohësisht transparencën e plotë në proces.

Friday, November 15, 2013 – 07:40

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/arm%C3%ABt-kimike-drejt-shqip%C3%ABris%C3%AB-jardine-keni-kapacitete-p%C3%ABr-asgj%C3%ABsim-procesi-%C3%ABsht%C3%AB-i-sigurt#sthash.cdPNP9Ef.dpuf

sh-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë tentuar dje të bëhen pjesë e protestës qytetare përpara Kryeministrisë. Ata kanë dashur ta politizojnë protestën e qytetarëve shqiptarë, mirëpo nuk janë lejuar ta bëjnë një gjë të tillë. Kanë qenë protestuesit ata të cilët kanë dëbuar të dy politikanët e opozitës. Berisha ka dalë në sheshin para Kryeministrisë duke ngritur gishtat lart, ndërkohë që protestuesit nuk janë bashkuar me këtë tentativë. Ka qenë kryesuesi i protestës, që ka bërë thirrje që të mos politizohet protesta dhe që njerëzit të mos bëhen palë me politikën dhe t’i rrinë larg servilizmit ndaj politikës. “Rrini larg politikanëve që na kanë gënjyer për 23 vite. Rrini larg atyre që për kaq vite na kanë mbajtur peng dhe na kanë lënë këtu ku jemi, duke vuajtur çështje jetike për ne siç është kjo për armët kimike. Ruani dinjitetin tuaj personal, emrin dhe mbiemrin tuaj dhe mos e shpërdoroni atë duke u bërë pre e politizimit. Thuajini ik këtyre politikanëve”, ka thënë një nga drejtuesit e protestës. Në këtë situatë të krijuar, Sali Berisha dhe Lulzim Basha pas bisedave të shkurtra me disa protestues, kanë ecur përmes turmës të shoqëruar. Ka patur një qëndrese nga protestuesit për të mos e përzier çështjen me politikën. Protestuesit vijuan më tej me thirrje: “Luli Ik, Luli ik …Largohuni plehra me dy këmbë. Mos u tregoni servilë. Vetëm ik, vetëm ik, ik”. Protestuesit janë irrituar edhe më shumë kur Berisha dhe Basha tentuan t’i drejtohen pjesës ku bëhej drejtimi i protestës. Protestat kundër armëve kimike kanë nisur dje që në orën 09.30 minuta përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar kundër armëve kimike të Sirisë. Në këtë protestë kanë marrë pjesë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës, fakultete dhe universitete, të cilët patën paralajmëruar braktisjen e mësimit për të protestuar për kauzën e armëve kimike.

Protesta në Tiranë

Protesta në Tiranë ka qenë mjaft e ndezur dhe me një pjesëmarrje të gjerë popullore, duke krijuar edhe trafik në “Rrugën e Elbasanit”. Të rinjtë shqiptarë bënë thirrje se do të vazhdojnë protestën derisa kauza e tyre të shkojë deri në fund. Nxënës, studentë dhe qytetarë të ndryshëm të Tiranës dhe të Shqipërisë janë ngjitur në podium dhe kanë folur, dukë vënë theksin tek rëndësia e një çështje të tillë. Ata thanë se janë për një Shqipëri të gjelbërt dhe evropiane dhe një Parlament që i përgjigjet popullit të tij. Nuk është ndalur vetëm këtu protesta kundër armëve kimike, por është vazhduar edhe përpara kryeministrisë. Protestuesve fillimisht iu janë bashkuar Sokol Olldashi, Mesila Doda dhe gazetarë si Blendi Fevziu, Andi Bushati, Arjan Çani, Çim Peka etj. Protesta u tentua më pas të politizohet nga dyshja Berisha – Basha, të cilat u larguan nga ana e protestuesve. Ata kanë qëndruar deri në orët e vona të natës në protestë për të pritur një përgjigje nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Marshimi

Protesta ka nisur me një marrshim nga Fakultetit Ekonomik drejt ambasadës amerikane, për të përfunduar para Parlamentit. Forca të shumta policie dhe forcat speciale u rreshtuan para Parlamentit. Me akuza se vendi po shkon në krim e vdekje, organizatorët kanë bërë apel që në këtë protestë të bashkohen të gjithë, kryesisht të rinjtë. Shoqëria civile thotë se do përshkallëzojë protestën e saj duke zbritur në rrugë përpara Kryeministrisë dhe Ambasadës Amerikane, Parlamentit për të mos lejuar përfshirjen e vendit tonë në shkatërrimin e armëve kimike siriane në vendin tonë.

Durrës, studentë dhe qytetarë në protesta

Studentë, nxënës, por edhe qytetarë të qytetit të Durrësit janë bashkuar kundër kauzës së armëve kimike që në orët e para të ditës së djeshme. Në protestë ka patur nxënës të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, të cilët janë ulur këmbëkryq në sheshin para bashkisë së qytetit, ku bashkë me ta janë bashkuar kryetari i bashkisë Dako dhe deputetë të PD, duke u bërë bashkë për një kauzë. Gjatë protestës, ka patur probleme edhe në qarkullimin  automjeteve në shesh. Qyteti i Durrësit paraqet një pikë strategjike të veçantë lidhur me këtë kauzë, pasi nëse do të merrej një vendim për ti sjellë armët kimike, nga ky qytet do të hynin armët kimike të Sirisë. Sazan Guri, ka thënë se protestat do të nisen edhe për në Durrës. “Nëse vijnë armët kimike do të ndalohen. Nuk do të lejohen që këta armë të helmojnë vendin. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një Hiroshimë të dytë. Vendi ynë është një vend që do pastërti dhe frymë humanitare e qytetare evropiane, e cila po shihet mjaft qartë në këta ditë”, është shprehur ambjentalisti Guri.

Elbasan, protesta kundër armëve kimike

Qyteti i Elbasanit është mjaft i ndjeshëm ndaj çështjes së armëve kimike. Si rrjedhojë, protestat në qytetin e metalurgjikut kanë qenë të shumta dhe për disa ditë rresht. Protesta ka patur edhe ditën e djeshme, ku nxënës e studentë janë shprehur kundër një importi të mundshëm të armëve kimike siriane. Bashkë me këta të rinj janë bashkuar edhe qytetarë të sensibilizuar me kauzën, të cilët kanë bërë thirrje që qyteti të mos pranojë armë kimike, pasi do të ishte një katastrofë. Protesta dje, sikundër edhe ditë më parë është bërë në bulevardin qendror të Elbasanit, “Aqif Pasha”. Njerëzit janë ngritur kundër armëve kimike me një ndërgjegje qytetare dhe në një protestë civile. Elbasani është një qytet që ka ngritur zërin herë pas here, duke qenë se edhe problemi i një aplikimi të shkatërrimit të mbetjeve të ndryshme është më evident se në çdo qytet shqiptar. Qytetarët janë sensibilizuar si nga mediat,  ashtu edhe përmes rrjeteve sociale, të cilat kanë shërbyer për një ndërgjegjësim sa më të gjerë në të gjithë qytetin dhe për të gjithë qytetarët elbasanas.

Protesta kundër armëve kimike në Gjermani, Itali e Francë

Çështja e asgjësimit të armëve kimike në vendin tonë ka sjellë reagim qytetar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve të saj. Kështu, emigrantët kanë protestuar në shtete të ndryshme të Evropës për armët kimike siriane. Protesta ka patur në Gjermani, Itali dhe në Francë. Protesta janë shpërndarë në qytete të rëndësishme europiane, si në Milano, Paris dhe në Berlin. Emigrantët kanë protestuar në orën 11:00 në kryeqytetin francez, Paris përpara ambasadës shqiptare në Francë. Në Milano në orën 11:00 është mbajtur protesta e emigrantëve në “Piazza Cordusio” . Në kryeqytetin gjerman, në Berlin protesta është mbajtur nga emigrantët shqiptarë në orën 16:00. Çështja e nxehtë e armëve kimike ka prekur çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, jo vetëm ata që jetojnë brenda territorit shqiptar, por edhe emigrantët. Pavarësisht se jetojnë jashtë vendit, ata janë ndërgjegjësuar në protestën që ka ngërthyer të gjithë shoqërinë shqiptare.

Kisha Katolike, kundër armëve kimike

Kisha Katolike Shqiptare është shprehur kundër importit të armëve kimike siriane. Ky qëndrim është mbajtur gjatë Konferencës Ipeshknore Shqiptare, në zhvillimin e punimeve të konferencës të mbajtur nga ky institucion. “Konferenca Ipeshknore është kundër armëve kimike siriane. Ne shprehemi kundër një importi të këtyre armëve në tokën tonë. KISH bashkohet me shqetësimin mbarëpopullor shqiptar për të mos lejuar një import të mundshëm të armëve kimike në Shqipëri. Armët kimike mund të kenë pasoja të rënda mbi njerëzit, për shëndetin e tyre, si dhe për vendin tonë, Shqipërinë, duke ndotur ambientin”, ka qenë qëndrimi zyrtar i Kishës Katolike. Gjithashtu, në konferencë, Kisha Ipeshknore ka mbajtur një qëndrim mohues edhe ndaj martesave mes gjinive të njëjta, një propozim ky i bërë nga ana e Avokatit të Popullit, Igli Totozani disa ditë më parë. “Konferenca Ipeshknore Shqiptare mbron njerëzit dhe respekton dinjitetin e personave me prirje homoseksuale, por është kundër martesave të personave me gjini të njëjtë”, thotë KISH.

Friday, November 15, 2013 – 07:35

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/protestuesit-d%C3%ABbojn%C3%AB-berish%C3%ABn-dhe-bash%C3%ABn-nga-sheshi-jan%C3%AB-plehrat-e-politik%C3%ABs-shqiptare#sthash.9Sb1iNLx.dpuf

Mediat botërore pasqyrojnë deklaratën e Ramës për armët kimike

Vendimi i Shqipërisë për armët kimike duket se është pasqyruar edhe në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare. BBC, Reuters, EuroNews, ishin ndër të parat që lajmëruan botën për vendimin e Shqipërisë menjëherë pasi kryeministri Edi Rama bëri publik vendimin e tij kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Portalet më të rëndësishme kudo në botë kanë pasqyruar zhvillimet e fundit në vend, protestat kundër ardhjes së armëve kimike siriane në vend, duke e vënë Shqipërinë në fokusin e ditës.

“Shqipëria nuk do të shkatërrojë armët kimike të Sirisë”, shkruan Reuters, duke theksuar se, Shqiperia ka hedhur poshtë kërkesën e SHBA-së për të pritur çmontimin e armëve kimike të Sirisë. Kryeministri i një vendi të NATO-s, tha “Është e pamundur për Shqipërinë të përfshihet në një operacion të tillë”.

Ndërkaq, lajmit i ka dhënë jehonë në kohë reale edhe ABC News, duke shkruar se: Kryeministri ka kundërshtuar kërkesën e SHBA-së që të shkatërrojë armët kimike. “Shqipëria i thotë “JO” shkatërrimit të armëve kimike”- shkruan Corriere della Sera. BBC po ashtu shkruan se Shqipëria shmangu shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

– See more at: http://www.sot.com.al/politike-bota/mediat-bot%C3%ABrore-pasqyrojn%C3%AB-vendimin-e-ram%C3%ABs-p%C3%ABr-arm%C3%ABt-kimike#sthash.Utw9pYr6.dpuf

 

Protesta në 14 qytete të Shqiperisë, qytetarët fitojnë betejën me armët kimike

 

Qytetarët shqiptarë fituan betejën me armët kimike. Qytetarët shqiptarë mbushën sheshet e qyteteve të Shqipërisë për disa ditë me radhë, duke detyruar qeverinë të tërhiqet nga vendimi.
Protestat qytetare kanë arritur kulmin ditën e djeshme në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të rinj dhe qytetarë kanë mbushur sheshet qendrore të kryeqytetit, duke braktisur edhe shkollat për disa ditë me radhë. Një sensibilizim i paparë qytetar ka bërë që sheshet qendrore të Shqipërisë të gëlojnë nga nxënës, studentë dhe qytetarë. Disa nga protestuesit kanë qëndruar gjatë të gjithë natës përpara Kryeministrisë. Këtyre të fundit u janë bashkuar edhe studentë, nxënës dhe qytetarë të tjerë, që po protestojnë kundër importit të armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Ndërkaq, deklarata e Ramës për tërheqjen nga armët kimike është pritur me brohoritma dhe ovacione nga protestuesit.

Organizimi

Një rol shumë të rëndësishëm në mbledhjen e qytetarëve nëpër sheshe kanë luajtur edhe rrjetet sociale, si Tuitter apo Facebook. Të gjitha gjimnazet e Tiranës kanë braktisur mësimin për t’u bërë palë e protestuesve kundër armëve kimike. Në bulevardin përpara Kryeministrisë, përveç të rinjve dhe qytetarëve të ndryshëm, ka patur edhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman. Në këtë shesh nuk kanë munguar edhe persona publikë të fushave të ndryshme, si politikani Spartak Ngjela dhe këngëtarë si Greta Heta dhe Landi Hysa. Organizatorët e protestës u shprehën të vendosur në kauzën e tyre. Sipas tyre, në sheshin përpara Kryeministrisë në bulevard ishin rreth 40 mijë persona. Të gjithë kanë dalë që në orët e para të mëngjesit duke pritur përgjigje nga kryeministri për armët kimike siriane. Drejtoresha e komanduar e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Mira Peshkatari, ka thënë se nxënësve nuk iu është dhënë aspak leje, por kanë lënë orët e mësimit me vullnetin e tyre të plotë. “Në të gjitha shkollat e Tiranës nuk është dhënë asnjë urdhër lejeje për gjimnazistët e Tiranës. Ata kanë ikur nga mësimi me dëshirën e vet. Mësuesit janë nëpër shkolla dhe janë në gatishmëri të plotë dhe në orarin e punës. Në shumicën e gjimnazeve ka patur braktisje të mësimit në mënyrë masive. Nuk ka mungesa të shumta në gjimnazet e Petro Nini Luarasit dhe Besnik Sykja. Mësimi ka vazhduar edhe nëse ka patur pak nxënës nëpër klasa”, ka thënë Peshkatari.

Qytetet

Si asnjëherë më parë, sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve shqiptare janë mbushur plot me nxënës, studentë dhe qytetarë. Manifestimet e bëra këto ditë për kauzën e armëve kimike të Sirisë kanë prekur të gjithë shqiptarët. Një mbështetje jo të vogël qytetare ka patur në Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Sarandë, Lezhë, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Pogradec, Krujë, Berat, Ersekë, Pukë e Peshkopi. Kryeministri Edi Rama po përballet me një protestë civile, jo vetëm përpara godinës së Kryeministrisë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Dionis Xhafa

 

– See more at: http://www.sot.com.al/politike/protesta-n%C3%AB-14-qytete-t%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB-qytetar%C3%ABt-fitojn%C3%AB-betej%C3%ABn-me-arm%C3%ABt-kimike#sthash.HQGYOWyL.dpuf

Image

Advertisements