Hollanda zgjon shpresat: Statusi mund të merret në qershor


Hollanda më në fund duket se është pranë një dakordësie që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në muajin qershor. Një gjë të tillë e ka deklaruar edhe ambasadori i Hollandës në vendin tonë, Martin De La Beij. Ai thotë për TCH se në këndvështrimin e qeverisë së Amsterdamit, Shqipëria e merr statusin në muajin qershor. Duke folur në një tryezë për çështje të politikës së jashtme, ambasadori holandez theksoi se bojkoti i mundshëm i Parlamentit nuk ndihmon në integrimin dhe afrimin me Bashkimin Europian, ndaj shtoi se Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në bazë të ligjit për emërimet dhe shkarkimet në administratën e vendit. De La Beij shprehet i bindur se statusi do të vijë në rast se ka një bashkëpunim më efikas në mes mazhorancës dhe opozitës në vend. Ai nënvizoi edhe faktin se në vendin tonë duhet të mbizotërojë meritokracia e mirfilltë, me qëllim që vendi të shohë më qartë perspektivat e saj evropiane. Në këtë mënyrë, ambasadori i Hollandës në Shqipëri jep edhe sinjalin e parë për një kthesë të qëndrimit të saj lidhur me statusin e mundshëm që pritet ta marrim në muajin qershor. /Dionis Xhafa/

 

Lajmi origjinal: http://www.nacionalalbania.al/2014/03/hollanda-zgjon-shpresat-statusi-mund-te-merret-ne-qershor/

Image

Advertisements
This entry was posted in Lajme.