Të ringjallësh Hitlerin


Nga Dionis Xhafa

Thonë që nga historia duhet mësuar, me qëllim që e shkuara e dhimbshme, e tmerrshme a tragjike të mos përsëritet.
Sa duket, parim i tillë “thyhet në mes” nga djemtë e Agimit të Artë, parti politike kjo me tendenca të qarta për të qenë organizatë terroriste. Në mos është e tillë. “Agimi i Artë” është parti politike greke, ku llumi i ideologjive më të mbrapshta të ngritura si sisteme, sa duket është mbledhur i tëri në disa njerëz, që kanë bërë bashkë neo-nazizmin, fashizmin, racizmin e ksenofobinë.

Dhunë, gjak, krime
Dhunë, hekur, gjak, krime si plagosje e deri në vrasje. Huliganizma, dhunë ndaj pakicave etnike e prapë dhunë e vrer ndaj emigrantëve.
Më tej, vrasje e therrje në futboll, kërcënime LIVE e grushta në parlament. Ky është “Agimi i Artë”, partia që siç e ka të shënuar edhe në emër, është agu i parimeve që kishin perënduar së bashku me mposhtjen e nazizmit dhe të fashizmit në Evropë.
Është nazizmi modern, që lind si diell i zi, e që kudo rrezaton veç mëri, skëterrë, barbari, marrëzi e llahtari. “Djemtë” e Agimit të Artë, veshur me rroba të zeza janë aty, në Greqi, në vendin e konsideruar se ka lindur demokracia, ku supozohet se filozofët e lashtësisë rroknin mendime si e si të mund të përsosnin sistemin demokratik.
Këta “djem të zinj” ndodhen në mes të Ballkanit, në zemër të Evropës, si gjak i keq që pulson në trupin e kontinentit të vjetër. Djemtë e “Agimit të Artë”, janë ata që nuk kanë turp, që më 2015-tën, të veshin bluza të zeza me simbole naziste me kryqe të thyer, që ngrihen mbi “flamuj krenarë” mbi shtiza të gjata.

Nazizmi është gjallë
Hitleri nuk ka vdekur. As Duçja, as Metaksa. “Vepra” e tyre është bursa drejtuese e “Agimit të Artë”. Ata janë frymëzimi i partisë neonaziste, shpirti dhe zemra. Një nga militantët e partisë, Elias Kaseliaris shkruante në revistën e organit partiak se Hitleri ishte “reformator i madh” si dhe “gjeni i rrallë” ushtarak. E frikshme ta mendosh se personi në fjalë nuk është trembur ta shkruajë diçka të tillë.
E më tej, çmenduria e partisë në fjalë nuk njeh limit. Njëlloj si teza nazizte e “racës superiore ariane”, edhe “Agimi i Artë” njëjtë shkruan në program se “kultura e lashtë greke do të jetë dominuese në Evropë dhe se ajo do të vendosë për fatin e kombeve”.
Neonazizmi si ideologji nuk ka prekur vetëm Greqinë, por edhe shtete të mëdha evropiane, teksa partitë e ekstremit të djathtë sidomos, po fitojnë terren çdo ditë e më tepër. Të ngresh në qiell diktatorët, vrasësit, ata që për ideologji të presin e të bëjnë copë e çikë, bash këtë punë e bën “Agimi i Artë”. Ideologjitë më të zeza që ka njohur historia, krimet më të kobshme të kryera nga dora e fashistëve, nazistëve dhe diktatorëve komunistë, janë rehabilituar në një parti, e cila “përkushtohet të ndjek me kujdes” këto lloj idesh gjakatare.

Fantazma e “Greqisë së Madhe”…
Sa duket, ka shumë të vërteta në teorinë, se një komb që e konsideron veten “të shenjtë”, “superior” apo të tilla superlativa, e që i shohin kombet e tjera si “inferiorë”, si të “denja për tu mposhtur”, kanë gjasa të zhvillojnë ide raciste, ksenofobe e deri kriminale.
Kështu ka ndodhur me serbët, që duke u vetëquajtur si “komb i shenjtë” apo duke himnizuar sikur “Serbia është shtet i drejtësisë”, i ngritën aq shumë këto mite, sa shkaktuan trazira, përgjakje, vranë e prenë kombasit e tjerë.
Kështu, njëjtë është e rrënjosur edhe te “Agimi i Artë”, ideja se “kombi grek është i shenjtë dhe ai duhet të vendosë për fatet e çdo kombi”. Partia neo-naziste greke po ashtu e ka të rrënjosur idenë e “Greqisë së Madhe”, gjë që është praktikisht oreks “për tiu ngrënë fqinjve territor”. Fantazmë e “Greqisë së Madhe” dhe fakti se shteti grek duhet të jetë i pastër etnikisht bën që militantët neonazistë grekë të sillen agresivë ndaj të huajve, emigrantëve, të bërtasin aq fort sa të shurdhojnë veshët. Tamam si ajo ena bosh, që hiç gjë s’ka brenda, por kur rrëzohet, trazon një lagje të tërë.

Neonazistët, si shpatë mbi qafën e emigrantëve
Aktualisht, në kohën që Greqia po përballet akoma me pasojat e një krizë të thellë ekonomike, tërë helmi e vreri racist i “djemve të Agimit të Artë” bie mbi emigrantët.
Këta të fundit, të ndjerë ashtu si në dhe të huaj, rendur pas fitimit të gjëplaçkë në shtetin helen, iu duhet që mbi shpinë të mbajnë poshtërimin, vrerin dhe të zezat e militantëve të partisë në fjalë.
Një i afërm që jeton dhe punon në Greqi, më tregonte se racizmi i “Agimit të Artë” rëndon sikurse një shpatë mbi qafën e emigrantëve, sidomos mbi shqiptarët.
Sikur të mos mjaftonte fakti se kriza e ka bërë të vështirë jetesën për emigrantët, këta të fundit do të duhet të përballen me racizmin, përjashtimin dhe moralin e mbrapshtë se “nëse nuk je grek nuk mund ti kesh privilegjet tona” e për rrjedhojë të pranosh fyerjet dhe tendencën për nënshtrim.
Tendencë e tillë të kujton shprehjen se “njeriu për njeriun është ujk”.
Nëse je njeri i mirë apo i keq nuk të përcakton fakti se je shqiptar, grek, afgan, biznesmen apo i papunë. Të jesh kundër njeriut thjesht për faktin se tjetri i përket një tjetër etnie, race apo besimi, është e tmerrshme. Gjuhë e veprime të tilla minojnë paqen dhe fyejnë dinjitete njerëzore.
Gjuhë e veprime të tilla janë si shpatë e Demokleut, që qëndron mbi qafë të emigrantëve dhe sa më tepër ka njerëz që besojnë të tilla ide, aq më tepër afrohet shpata drejt qafave të tyre.
Siç thotë Eco, ajo që ka lindur në Lindjen e Mesme e që quhet ISIS është nazizëm i ri, organizatë e cila ka dhe shoqet e saj në Evropë e gjetiu.
Duket sa qesharake në teori, por kaq tragjike në praktikë në atë se “paskan lindur njerëz që besojnë se ata duhet të vendosin për fatet e kombeve”.
Thuhet se “mjerë ai vend që ka nevojë për heronj”, e ndërsa në rastin konkret është të lemerisesh, të llahtarisesh, që njerëz kryekëput të zinj, që duket sikur kanë ringjallur Hitlerin nga varri, hiqen si “heronj” dhe “të plotfuqishëm”.
Realiteti që servir “Agimi i Artë” është tragjedi e kohëve moderne, ku personazhet në skenën politike duartrokiten nga spektatorë që kanë të zhvilluar racizmin, urrejtjen e dhunën. Aktet e partisë në fjalë bien sidomos mbi emigrantët shqiptarë.
E, se nuk dihet sa do të zgjasë roli i politikanëve të “Agimit të Artë” e se kur maskë e tyre do të çirret…

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.