Sa shqiptar është Isa Mustafa?!


nga Dionis Xhafa

Kryeministri aktual i Kosovës Isa Mustafa me siguri që kurrë nuk do të kishte qenë në postin aktual, po qe se Hashim Thaçi nuk do të ndihej në vështirësi aq të madhe
sa ta merrte atë si ortak në qeverisje.

Edhe pse Mustafa është kreu i LDK-së, partia e dytë më e madhe në vend, edhe duke mnos e patur shumicën e elektoratit, Mustafa e ka zënë postin e kryeministrit.

Ky post i Mustafës i leverdis jo pak edhe Thaçit, i cili ëndërron një karrierë prej “sulltanati”, teksa vitin e ardhshëm pritet të jetë president i Kosovës.

Thaçi, duke patur mbi supe mitin se ishte një nga udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përfituar jo pak pushtet, duke qenë kryeministër, ministër i jashtëm dhe pritet edhe president.

Gati-gati duke kaluar të gjitha postet më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës dhe duke qenë “de facto” njeriu më i fuqishëm politikisht në Kosovë.

Folëm për Hashim Thaçin, njeriu që soli lirinë për shqiptarët, por se më tej devijoi jo pak parimet për të cilat luftoi, duke u cilësuar me të drejtë “një vit luftëtar, dhjetë vite biznesmen”.

Tashmë dalim tek Isa Mustafa. Ky i fundit ka një të kaluar të errët politike, të përlyer jo veç me titistët, por më keq akoma, me klikën famëkeqe millosheviçiane në Kosovë, që qëndronte si hije mbi shqiptarët e pafajshëm në kohën që ushtria e Millosheviçit kryente masakra mbi civilët shqiptarë.

Duke e lënë paksa të shkuarën që nuk e nderon, Mustafa po sillet jo fort mirë edhe sot.

Isa Mustafa dërgoi në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje policinë shqiptare, e cila dukesh si e veshur me mantelin e forcave ushtarake të Millosheviçit.

Kjo polici arrestoi në mënyrë masive aktivistë të një force politike, madje duke mos llogarotur aq as edhe moshën e tyre.

Ndërsa, kreun e partisë, të cilës i dërgoi në zyra policinë, e arrestoi, e nxorri në ekrane me pranga në duar dhe e përplasi në një burg të Sigurisë së Lartë.

Nuk është problemi për ta bërë hero Albin Kurtin, por nuk mund të mohohet dhuna, agresioni dhe forca e shtuar policore kundrejt sidomos Lëvizjes vetëvendosje.

Them se agresioni policor ishte kundër sidomos VV-së, për shkak se Isa Mustafa i dërgoi letër për tu marrë vesh jo Albinit, por Ramush Haradinajt. Një gjest ky,
si për të thënë se “me Albin Kurtin nuk hyj në bisedime” apo për ta trajtuar Kurtin sikur të jetë person që ka kryer ndonjë krim ordiner.

Isa Mustafa, për hir të së vërtetës, mbetet një ushtrues i dhunshëm i pushtetit dhe vështirësisht se drejton një Kosovë të lirë, të pavarur dhe aq më tepër autonome.

Sa shqiptar mund të jetë një njeri, që ka qenë pro-Millosheviçit në kohën kur “kasapi i Ballkanit” iu kishte lëshuar makinerinë ushtarake shqiptarëve?!

Sa shqiptar mund të jetë një njeri, që duket sikur po e kopjon Millosheviçin në forcë policore?! Sa…

Për të folur pastaj për dyshen Mustafa – Thaçi, e cila vështirë se është realisht me shqiptarët. Kosova nën drejtimin e Thaçit dhe Mustafës është shtet i kapur nga politika e gjithëfuqishme,
shtet i dobët ndërkombëtarisht dhe i pabarabartë me shtetet e tjera në Ballkan, shtet me papunësi si kërrkund në hapësirën ballkanike, shtet ku partia hyn në punë më tepër se arsimi.

Kosova është shtet ku nuk ka taksa progresive, ku nuk mendohet për të varfërit, por i kapur nga klasat politike dhe ekonomike të kryesuar nga dyshja politike Thaçi-Mustafa. Kosova sot gëzon një autonomi të rreme.

Veriu i saj mbetet tokë e rrezikshme për Prishtinën, ku hyjnë lloj-lloj furnizimesh nga Serbia dhe ku ka jo pak rrjedhje të ardhurash apo financime nga shteti serb.

Mustafa dhe Thaçi nuk janë të aftë që të ndërpresin çdo lloj aktiviteti ilegal serb që zhvillohet në veri të Kosovës dhe që nuk ka vulën e shtetit të Kosovës. Thaçi dhe Mustafa nuk janë të gatshëm ta bëjnë funksionalë ligjin edhe kundër kriminelëve të dyshuar serbë që shkelin në veri të Kosovës.

Kosova nën qeverisjen Thaçi – Mustafa mbetet një geto e izoluar në truallin ballkanas, një republikë që rrezikon të jetë si e tillë, ku zhytet i varfëri dhe lartësohet i pasuri, ku sovraniteti vihet në rrezik nga politikanët nacionalistë serbë dhe ku mbijetesa për shtetasit mbetet temë e përditshme.

Me krejt ç’ka u thanë, sesa shqiptar mund të jetë Mustafa, por edhe Thaçi, këtë secili mund ta mendojë vetë.

Me pak mendim kritik dhe racional, nisur nga gjendja e Kosovës sot, e dobët si shtet, me shtetas të dobët dhe politikanë të fortë, shpirti i shqiptarit të ndershëm tek Mustafa duket se nuk ekziston.

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.