Ku qëndron “Drama e Shqipërisë”?


Nga Dionis Xhafa

 Gazeta e njohur në mbarë botën “Huffington Post” kishte botuar një shkrim të Jaime Pozuelo Monfort, me titull “Drama e Shqipërisë”.

Gazetari, që kishte shkelur tokën tonë kishte renditur edhe një sërë arsyesh pse Shqipëria ndodhet aktualisht në situatë të atillë, që të mund të konsiderohet situatë dramatike.

Monfort do ta thoshte lakuriqe atë të vërtetë që në këtë vend të vogël prej as 3 milionë banorësh e dinë të gjithë, por pak e thonë.

Administratë e mbushur përplot nepotizëm, ku emërimet bëhen me lista partish, ku sado i aftë të jesh do të duhet “miku” me patjetër të hysh në një punë dhe se për realitetin që e jetojmë, nëse nuk e gjen mikun e mbështetjen, do të duhet të arratisesh nga një realitet bardh e zi dhe i rënduar nga hijet e zeza të padrejtësisë.

Për ne që e jetojmë për çdo ditë realitetin e Shqipërisë, shohim dhe dëgjojmë po përditë sesi të rinj që nuk kanë krahë, që nuk kanë më asnjë shpresë nga ky vend, iu mbetet vetëm të ikin jashtë atdheut.

Ndër këta që tentojnë arratisjen, nuk janë vetëm ata që realisht janë krahë pune dhe që përkundër pagave të vogla në vend mund të merrnin paga të larta në perëndim, por janë edhe të arsimuar, që duke mos gjendur mikun, përplasen në ujërat e turbullta të një jete me sakrifica dhe pa përkrahje.

Nuk ka shqiptar që nuk e di se në këtë vend vihen nota fiktive për fëmijë deputetësh apo zyrtarësh të lartë dhe nuk joshet talenti, i cili mund të gjindet edhe tek fëmijë që fati ua ka sjellë të jenë fëmijë të familjeve të thjeshta shqiptare, term që aq shumë e propagandojnë liderët politikë.

Nuk ka shqiptar po ashtu që nuk e di se Shqipëria është shndërruar në vendin ku prodhohen diploma pa fund, por se janë thuajse krejt të pavlefshme, pasi vendi i punës përfitohet me miq a të njohur dhe këto me interesa partiake.

Monfort me të drejtë i quan politikanët shqiptarë si “mediokër”, në atë se e kanë formuar elitën politike sikur të jetë një klasë njerëzish “më lart se të tjerët”, “me cilësi më të mira se të tjerët” e të tilla terma të ngjashëm.

Janë këta politikanë që kanë ndërtuar një Shqipëri kaotike, me një treg të tmerrshëm pune, me mposhtje të shtyllës bazë të demokracisë, meritokracinë.

E ngjashme me doktrinën e neo-fazhizmit, ashtu funksionon elita politike në Shqipëri, ku disa jetojnë rehat, me të gjitha të mirat, marrin nota të pompuara, jetojnë në blloqe të veçanta dhe populli nga ana tjetër, që gjithnjë duhet menduar që ti hidhet një kockë për të mos lehur aq shumë sa ta dëgjojnë ndërkombëtarët.

E kësisoj si është ndërtuar sistemi edhe nga “të majtët” sot në pushtet, funksionon në mënyrë të atillë që nepotizmi, burrokracia, marrëveshjet e pushteti ndahen brenda një kornize të veçantë “të njerëzve të priviligjuar”.

E kësisoj, duke funksionuar kështu, vijohet të mbytet talenti i atyre që nuk e kanë përkrahjen, i më të ndershmëve që iu rrijnë larg sloganeve partiake të bukura dhe në shumicë të zhytura në llum nga punët që i kryejnë.

Shqipëria vijon të mbetet vendi, ku ndershmëria, drejtësia dhe integriteti zhytet, e ndërsa nga ana tjetër lartohet pushteti, që ka ngritur doktrinën dhe propagandën e atillë, sa të besohet se ky pushtet e nisi historinë e Shqipërisë dhe se ky do ta mbarojë.

Një sistem që nuk funksionon mbi barazi përpara ditarit të mësuesit a pedagogut, me konkurencë të ndershme përballë sfidave që të ofron tregu i punës, me departizim për ta zënë vendin e punës, ai sistem është i destinuar të dështojë apo të damkoset nga historia se nuk i ka shërbyer të gjithë njerëzve, të të gjitha shtresave, pa dallime, njëlloj.

Qeverisja aktuale, që e mban në këmbë një sistem të tillë, të nepotizmit, të jetesës brenda një muri ku jetojnë ata “të privilegjuarit” ku hyjnë artistët e shkrimtarët, të cilët gjenden në shërbim të pushtetit dhe me gjitha të mirat dhe jo të lirë, sikundër duhet të jenë.

Si mund të jetë e majtë  një qeveri e tillë, e cila sillet sikur të jetë elitë e vetëshpallur dhe aspak në shërbim të atyre që e kanë zgjedhur.

Si mund të jetë e majtë një qeveri, e cila (ndoshta) nuk e njeh një realitet të frikshëm, ku për çdo ditë, si rrjedhojë e sistemit ameritokratik të ngritur, vijon të prodhojë padrejtësi pa fund?

Vetëm ideologjitë ekstreme të përgjakshme të djathta apo të majta kanë njohur dhe njohin diferencimet e njeriut nga njeriu, e trajtimit ndryshe të një njeriu nga një tjetër, e privimit të talentit të një njeriu, vetëm se ai mund të jetë i departizuar apo se nuk i shërben pushtetit.

Në Shqipëri është një realitet aq i trishtë, saqë thuajse aspak nuk ndihet nga askush në qeveri trishtimi i thellë i njerëzve në këtë vend.

Një pushtet që është kundër të varfërve, kundër të përndjekurve, kundër punëtorëve, kundër të shfrytëzuarit, kundër atij që nuk pajtohet me ato që e bëjnë të keqen, kundër atyre që nuk mundet ta kenë lirinë dhe mirëqënien në vendin e vet, vetëm sa vjen e lëkundet.

Mbeten madhështore fjalët e shkrimtarit francez, Alphonse de Lamartine dhe tepër aktuale për situatën politike shqiptare.

 

Në qoftë se arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë shoqëri të turpshme gënjeshtarësh; në qoftë se e bën atdheun të skuqet për shkak të këqijave zyrtare; në qoftë se lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit; në qoftë se lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit – ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset.

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.