Sikur paratë e koncerteve të këngëtarëve tua jepnin të varfërve


Nga Dionis Xhafa

Po afrojnë festat e fundvitit. Viti i Ri 2016 është shumë pranë. Një atmosferë e ngrohtë duket se përcjell për shumë shqiptarë ky fundvit, por se ka nga ata që atmosfera për festa nuk është e ngrohtë, por e njëjtë si stina e dimrit: e ftohtë akull. Bëhet fjalë për faktin se këta festa fundviti presin shumë shqiptarë, të rritur, të rinj e të vegjël në gjendje të mjerë, të varfër dhe me shpresa të copëtuara për të ardhmen.
Një rast ekzemplar ishte ajo që pashë dje. Ta shpjegoj fare thjeshtë. Rrugës hyrëse për në Tiranë, sapo zbret mbikalimin tek “Kthesa e Kamzës” ishte krijuar një trafik tejet i rënduar. Makina që hynin nga dy anë e kishin bllokuar rrugën kryesore që të çon për në qendër të kryeqytetit. Trafiku i dendur me makina këta ditë vjen edhe për shkak se për festa kthehen shumë emigrantë, që i festojnë festat pranë gjirit të familjes.
Në mes të këtij trafiku të rënduar pashë disa djem të rinj, të cilët duke shitur shkrepëse, çakmakë e sende të tjera me vlerë “iu kishin zënë rrugën” disa makinave. Madje arrita të shohë edhe një skenë, atë se shoferi nuk pranoi fillimisht të blinte gjë nga djali që mbante sendet në dorë, e nisi makinën me shpejtësi të ulët, por se u detyrua ta ngadalësojë për shkak se djali e ndoqi nga pas. Shoferi “i bezdisur” disi, por edhe se u prek nga ajo që po shihte, i bleu diçka djalit në fjalë.
Sa pashë ishin mbi 3 djem në atë rrugë që kërkonin të shisnin gjësend tek pronarët e makinave që ishin në trafik të rënduar prej fluksit të madh. Por, se edhe pak më tej, tek “Dogana”, në “Laprakë” gjenden plot që lypin rrugëve të Tiranës por edhe të Shqipërisë, të rinj, të reja dhe gra.
E trishtueshme ta mendosh se pak më tutje nga vendi ku pashë tre djemtë në fjalë, tek “Dogana” bashkia kishte vendosur një reklamë, ku reklamoheshin koncerte madhështore të këngëtarëve shqiptarë e të huaj për festat e fundvitit.
Mendova se sikur bashkia ata para që iu jep këngëtarëve tua japë këtyre të varfërve, me siguri që këtë fundvit më shumë do ta kalonin me ushqim përpara dhe me ngrohtësi.
Viti i Ri 2016 po vjen, por ai nuk vjen njëlloj për të gjithë. Ende ka shumë njerëz që vuajnë në këtë vend, jo vetëm në kryeqytet, por në mbarë Shqipërinë.

 

mjerim

Advertisements
This entry was posted in Sociale.