A ka të ngopur me pushtet Hashim Thaçi?!


Kryeministër, ministër i Jashtëm dhe pas kësaj tashmë kërkon të jetë edhe president i Kosovës, duke patur një pushtet thuajse absolut dhe i krahasueshëm me pushtete të liderëve autoritarë.

Njeriu që e filloi si kreu i luftëtarëve dhe që po vijon politikën e Kosovës si biznesmen, duke mbajtur pushtetin – e provuar të mbushur me nepotizëm, korrupsion dhe padrejtësi.

Përpos shumë çështjeve të dyshimta në qeverisjen e tij dhe faktit se ajo qeverisje dhe kjo e tanishmja nuk po e çojnë gjëkund Kosovën – pasi s’po merr as liberalizimin e vizave – Thaçi ka ambicien për tu bërë president.

Ndërsa opozita po ndez flakë vendin për shkak të padrejtësive, për shkak se pushteti ka numrat por se shpesh është amoral si e qeveris vendin, pushteti dhe Thaçi kridhen e duan të ngjiten lart e më lart në karrierë personale.

Pasi Thaçi ka vrarë shpresat e qytetarëve të Kosovës, po rrezikon copëtimin e shtetit dhe ka favorizuar haptazi pakicën etnike serbe në Kosovë, tashmë kërkon të bekohet si presidenti i republikës.

Tek protesta e opozitës së bashkuar, VV-NISMA-AAK mund të lexohet se ka një vullnet proteste për të bërë shtet dhe jo për përfituar pushtet – ndërsa nga ana tjetër kemi një pushtet që ka vullnet të ketë edhe më tepër pushtet dhe jo të jetë me problemet e popullit të Kosovës, i cili mbijeton më së shumti për shkak të emigracionit.

Përtej kësaj, ajo ç’ka lexohet ndër këta kohë protestash nga ana e opozitës është fytyra e një pushteti që e sheh me përçmim opozitën, në mos sikur ndihet se është e fuqishme dhe sikur ndjen kënaqësi nga ky fakt.

Është e vërtetë se pushteti aktual i Kosovës, ku janë dy partitë kryesore PDK dhe LDK ka shumë pushtet, ka dhe shifrat, por se janë shifra të cilat vështirë se janë morale dhe të pastra.

Hashim Thaçi për hir të rritjes së pushtetit personal bëri pakt me Mustafën dhe i dhuroi atij postin e kryeministrit të vendit, duke u spostuar kështu vetë nga ky post, por se në hije sërish si ministër i Jashtëm ishte i fuqishëm.

Shpërblimi për Mustafën ishte poashtu politik, pikërisht për faktin se sot i duhet Thaçit për ta patur mbështetjen e kryeministrit aktual për tu katapultuar si president.

Pra janë të gjitha këto pazare politike që luhen nga pushteti në Kosovë, që nuk e ndriçojnë aspak Thaçin, por se ai ka numrat dhe politika s’ka moral e për këtë arsye Thaçi përdor numrat dhe “tall” opozitën.

Nga protestat e opozitës, shihet/j një Thaç, i cili i shikon këto protesta si me përbuzje, si me nënqeshje dhe sikur i shpërfill ato, edhe pse në shumicë dërrmuese arsyet që jep sot opozita janë të qëndrueshme.

Kemi Thaçin, që duke qenë se shijon një pushtet realisht të madh dhe që kërkon ta forcojë pushtetin personal, duket tejet i ekzaltuar nga fakti që gjendet në majë të pushtetit dhe pak reflekton mbi gabimet e vetvetes apo të qeverisjes nga ai.

Ngjan se Thaçi e ka veshur veten me një petk lavdie të atillë sa të duket i pamposhtur politikisht; një burrë i fortë dhe që ka etje veç për pushtet.

Injorimi apo trajtimi i opozitës në këtë formë, deri në llojin e përndjekjes nga ana e qeverisë Thaçi – Mustafa, dëshmon një fytyrë pushteti që luan me fortësinë dhe me faktin që ka numra thuajse të padiskutueshëm.

Delir, madhështi dhe lavdi e këtillë e Thaçit, por edhe e Mustafës vetëm sa vulosin fytyrën e një pushteti që mendon për veten, rrethin e ngushtë dhe njerëzit rrotull – jo aq për popullin.

Por deliri, madhështia dhe lavdia të bëjnë që të kesh etje vetëm për pushtet personal – të tallesh e ta përndjekësh opozitën – veprime apo mendime të cilat pashmangshmërisht çojnë në betejë kundër qytetarit.

E nëse qytetari “shpërthen” një ditë, populli vlon, Thaçi vështirë se do kishte kaq shumë pushtet. Por edhe me pushtetin e gëzuar, emri i Hashim Thaçit vështirë të gdhendet si emër i ndriçuar.

Si përfundim, njeriu që mban mbi veten lavdinë se i solli Kosovës lirinë që aq shumë e dëshironte dhe më tej edhe pavarësinë e shtetit – është shndërruar në njeriun që po e gllabëron pasurinë dhe po rrezikon ta copëtojë territorin e shtetit të ri.

Me petkun e “heroit të luftës”, Thaçi ka marrë veç përpara në jetën politike dhe publike, duke shkelur me këmbë një sërë parimesh dhe mbi idealet e larta me të cilat u lufta në UÇK.

Vihet re një shkëputje thuajse totale e Thaçit nga problemet e popullit dhe duket sikur jeton në botën e tij të harremit politik dhe të të mirave materiale, të cilat e kanë verbuar aq shumë sa të mos zbresë nga froni ‘perandorak” në të cilën është ngjitur dhe as tia dëgjojë zërin popullit të tij.

Hashim Thaçi në kohën e luftës ishte realisht një çlirues i popullit të vet, sikundër ishin të tillë edhe një sërë komandantësh të UÇK-së, por se rrugës humbën idealet e larta të lirisë e të jetës së dinjitetshme që duhet ta kenë qytetarët e Kosovës.

Hashim Thaçi ka dëshmuar se tek figura e tij parimet vetëm bien, ndërsa lavdia dhe interesi pushtetor vetëm sa lartohet, interes ky personal i tij që bie në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Hashim Thaçit po duket se nuk i interesn aq fakti se në Kosovë ka papunësi – se njerëzit gjenden në kushte mjerane – por se interes primar po vendos objektivat e vet për pushtet sa më të gjërë.

Koha është treguesi më i mirë i së vërtetës. Një qeveri që tradhëton interesat qytetare vështirë se njihet mirë me kalimin e kohës.

Poashtu edhe (ish)-lideri politik i kësaj qeverie dhe këtij vendi. Hashim Thaçi nëse ndjek rrugën e interesit personal dhe pushtetit po personal përpara interesit të përgjithshëm – ç’ka po e bën – vështirë se kohët do ta dëftojnë si emër të lëvduar!

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.