Prapë e ha populli!


Nga DionisXhafa

 

Tre partitë kryesore në vend, PS, PD dhe LSI duket se po ‘hahen” me njëra-tjetrën si e si të mbrojnë vetveten nga reforma në drejtësi, pasi pak a shumë që të gjitha partitë kanë abuzime me pushtetin.

Duket se përherë të parë kemi një çarje të maxhorancës mes PS dhe LSI dhe se forca e vogël e së majtës në pushtet duket se është bërë disi palë me partinë që e kishte aleat, PD-në.

LSI ngulmon në faktin se duhet që të gjitha partitë politike të arrijnë në konsensus për ta zbatuar reformën në drejtësi.Kjo pikë e LSI duket tipike për këtë parti, që gjoja “partitë bashkohen” në hir të interesit të vendit apo të tilla “sloganeve”. Kur në fakt nuk është aspak kështu, por përkundrazi, “konsensusi” do të thotë që politikanët mbeten të paprekur, kurse populli do të vijojë ta “hajë” nga drejtësia, ashtu siç edhe e ka “ngrënë” në 25 vite.

Ngjan se përjashtim bën PS, e cila është shprehur se do të kërkojë edhe referendum për ta kaluar reformën në drejtësi. Por se PS vetëm pa dy forcat e tjera politike të rëndësishme në vend, do të thotë që pakica vendos mbi shumicën, pasi PD e LSI janë shumicë në raport me Partinë Socialiste.

Përtej debateve teknike, në rast se drafti për reformën në drejtësi kalohet me qëllim që të kemi drejtësi ndryshe për qytetarët dhe jo të ndëshkohen politikanët – atëherë kemi një vrimë në ujë dhe vijim i politikës që ka qenë e gjallë deri më tani.

“Konsensusi” që po tentohet nga partitë do të thotë që politikanët qëndrojnë të paprekur nga drejtësia – kurse ligjet funksionojnë për mrekulli për popullin.

“Konsensusi” do të thotë pazar politik dhe shitet sikur u mblodhën partitë në tryezë “për të mirën e përbashkët”. Në rast se reforma në drejtësi kalohet me ndryshime të disa neneve, të cilat përsëri mbajnë të paprekur politikanët, prapë do ta “hajë” veç populli.

E shumta që mund të ndodhë në rast se reforma kalohet duke mos u ndëshkuar politikanët, është që drejtësia mund të mos jetë kaq e padrejtë ngase është aktualisht.

“Konsensusi politik” mes partive për reformën në drejtësi mund të bëjë që kjo klasë politike të qëndrojë akoma e paprekur nga zullumetqeveritare.

Nëse edhe nga kjo reformë nuk ndëshkohet krimi qeveritar, ai me krevatë dhe me karrige prej pushtetit, vendi do të vijojë të mbetet nën tutelën e disa partive dhe disa liderëve që kalojnë ligje për të dënuar qytetarët e thjeshtë, por jo veten.

Por prapë duket se e po e ha populli!

 

 

 

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.