Ilir Meta dhe gjarpërinjtë e Sazanit


Nga Dionis Xhafa

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka treguar sot ëndrrën e shqiptarëve dhe të disa ndërkombëtarëve, ajo për të degdisur disa politikanë në ishullin e Sazanit dhe të jetojnë atje veçmas me disa gjarpërinj.

Ai madje, me ironi ka shtuar se nëse shumicën e politikanëve shqiptarë e dërgojmë në ishullin e Sazanit dhe e lëmë atje të bashkëjetojë me gjarpërinjtë – nuk do të pësonin gjë politikanët, por gjarpërinjtë.

Në fakt është kaq e çuditshme sesi Meta të bëjë të tilla komente, në momentin që është personi më i goditur nga të gjitha anët, sidomos shoqëria civile për atë se ka grumbulluar rreth vetes një pasuri të hatashme me vila në bregdet, pasuri që thuajse e pamundur të llogaritet se mund të vihet vetëm me punën si zyrtar i lartë në shtet sëbashku me bashkëshorten.

Prirja është për ta parë komentin e Metës si autokritikë ndaj vetvetes, por edhe kolegëve të tij, që e kanë vendosur pasurinë mbi kurriz të qytetarëve shqiptarë dhe që kanë krijuar një sistem përfitimi në bazë të lidhjeve fisnore, interesave dhe klanit të ngushtë të të vepruarit.

Më tej, Meta thotë se politikanët duhen degdisur në ishullin e Sazanit për faktin se ata përplasen kaq shumë me njëri-tjetrin dhe se ky është një mëkat që ata bëjnë, kur në fakt duhet të tregonin qytetari.

Mirëpo, po të kujtojmë historinë jo të largët të politikës sonë, Meta që sot e ka kthyer në slogan “Me qetësi dhe dashuri” dhe që për hir të së vërtetës kontribon disi në dialog dhe në zbutje të toneve, dje ka patur një nga gjuhët më të ashpra kundër politikanëve që e sulmonin.

Meta ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj atyre që u vranë dhe protestuan më 21 janar, duke i quajtur “kokëpalarë”; Meta poashtu e ka quajtur 21 janarin si fashizëm të Edi Ramës, të cilin nuk ka lënë gjë pa i përmendur në akuza personale dhe aspak me aktivitetin politik.

E gjithë deklarata e çuditshme sot e Metës, në fakt duket si autokritikë ndaj faktit se vetë kryeparlamentari e meriton të jetë në atë ishull mes gjarpërinjsh, në mënyrë figurative.
Ç’është e vërteta, mund të thuhet edhe se nuk është vetëm Meta i vetmi politikan që shkel mbi gjakun e qytetarëve për pasuri individuale apo për pushtet, por racë e tillë ngjajnë shumica e politikanëve shqiptarë, “majtas” dhe “djathtas”.
“Qetësia dhe dashuria” e Ilir Metës nuk mund të jenë aspak normale kur përdoren në një ambjent ku ka politikanë që ka 25 vite që i kanë ngrënë gjakun popullit të tyre.
Media politikë – biznes duket se bën të mundur që e gjithë klasa jonë politike të jetë e zhytur nën llumin e veprave që bien në kurriz të qytetarëve.

Të tillë janë që nga ish-kryeministri, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe sa duket edhe kryebashkiaku – që e pati nisur kaq mirë punën e tij – por që po e shkatërron Parkun e Liqenit Artificial, duke e mbytur Tiranën, e cila ka kaq pak gjelbërim.
Sëfundmi, mund të thuhet se derisa të vijojë të jetë në këmbë kjo klasë/kastë politike, gotat e verës përpara tragjedisë së 21 janarit do të duken normale; darkat dhe drekat e shtrenjta për pazare politike poashtu do të duken normale dhe populli nga ana tjetër do të vijojë të mbesë i nënshtruar nga thundra e fortë e politikanëve.

Një vend, ku të shumtët kërkojnë azil për tu larguar, ku popullin e largon, e mbyt në taksa edhe në pamundësi, ku ia heq biznesin nga informaliteti, por nuk i gjen punë, nuk mund të jetë vend normal.
Sa duket, aq është mbushur kupa dhe populli ndihet kaq i pafuqishëm, sa politikanët tanë mund të bëjnë ironi edhe me veprat e tyre të shëmtuara në kurriz të popullit!

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.