ISIS-i i vërtetë është Serbia!


Nga Dionis Xhafa

Propaganda serbe nuk njeh kufij. Makineria propagandistike e Beogradit zyrtar,  e njëjta që ka zbukuruar edhe krimet makabre të makinerisë ushtarake të luftës në Kosovë, ngjan se është vënë në punë sërish.

Pasi e ka nxirë luftën çlirimtare të UÇK-së, pasi heronjtë shqiptarë të lirisë i nxin si “kriminelë”, së fundmi krerët e shtetit serb kanë nisur shfrenimin e retorikës kundër Kosovës. Që pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia, shteti serb vetëm sa përpiqet të shfrenojë zhvillimin e shtetit tanimë 8-vjeçar, pengon njohjet dhe përpiqet veç ta nxijë imazhin e shtetit të Kosovës. Në këtë këndvështrim, së fundmi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka thënë se “Kosova është si ISIS”.

Edhe pse viti 2016, Serbia nuk rresht së lidhuri gabimisht dhe me tendencë të theksuar Kosovën me terrorizmin. Të tilla përpjekje të shtetit serb kanë qenë të kahershme, të parreshtura dhe të drejtuara egërsisht mbi Kosovën.

Daçiç me “Kosova është si IS” përpiqet të dëftojë në faqe të botës se “luftëtarët shqiptarë që e luftuan Serbinë janë si luftëtarët që sot luftojnë për organizatën famëkeqe në disa shtete të Lindjes së Mesme”.

Në këtë deklaratë lexohet qartë fytyra e Serbisë që kërkon ta deformojë të vërtetën, e që paturpësisht dhe pabesisht barazon luftën për liri me terrorizmin e egër dhe të pashoq të ISIS.

Paradoksalisht, akuza e rëndë vjen nga Daçiç, i cili ka qenë krahu i djathtë i Slobodan Millosheviçit kur ky kryente masakra kundër shqiptarëve dhe që flet në emër të Serbisë, shtet ky i kriminalizuar në rrënjë me gjakun kundër pushkës për liri e pavarësi të kombeve joserbe në ish-Jugosllavi.

Paradoksalisht, në krye të sistemit politik të Serbisë qëndron treshja Daçiç-Vuçiç-Nikoliç, e që kush më pak e kush më shumë kanë qenë të vendosur në luftën e padrejtë kundër shqiptarëve.

Paksa humor i zi ngjan dhe jo pak tragjike që të flasë për terrorizëm numri dy i sistemit politik fashist të Serbisë, që i ka terrorizuar dhe dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre shekullore.

Tinëzisht dhe barbarisht në krye të sistemit politik serb qëndrojnë kukulla të Millosheviçit që e kanë kriminalizuar Serbinë dhe që mbajnë peng të nacionalizmit mesjetar serb një komb të tërë.

Asgjë e keqe s’mund të të gjejë kur “murtaja” të thotë se je mënxyrë; kur xhindi të thotë se je fantazmë; kur vetë dreqi të thotë se je shejtan.

Deklarata të tilla janë marrëzi të një lideri të një shteti që e ka terrorizuar Kosovën dhe viktimën përpiqet ta tregojë sikur është agresori.

Deklaratë e tillë është marria e një shteti që nuk e di ç’është njerëzorja, humanizmi, të duash njeriun duke mos e parë si qënie etnike apo mirfilli politike.

Ivica Daçiç është rritur politikisht nën sqetullat e kasapit të Ballkanit, krimet e të cilit (Millosheviçit) oshëtinë thuajse të gjitha kancelaritë e Evropës.

Daçiç vijon të mbrojë me forcën e moskokëçarjes krimin e shtetit të vet, që u përpoq ta gjunëzojë e shkallmojë lirinë e shqiptarëve në Kosovë.

Me gjithë përpjekjet, tentativat dhe forcën e tmerrshme të dhunës e përdhunës,  edhe nën tytën e armëve, liria e shqiptarëve ngadhënjeu mbi bishën Serbi.

Ivica Daçiç si duket nuk është ngopur së pari gjak shqiptari, gjak lirie, gjak të derdhur lumë për shkak të mosdurimit nga shtypja, gjak që ka vulosur pavarësinë e Kosovës.

Një politikan që më së paku ka mbrojtur edhe krimet e serbëve kundër gjakut për liri, nuk ka sesi të jetë i pastër.

Ivica Daçiç, që përfaqëson një shtet të kriminalizuar, që si hije e zezë qëndron mbi Kosovën e njomë, më së pari do të duhej të vëzhgonte thellë në ndërgjegjen e tij.

Ndërgjegje e tij sa duket nuk përkulet e nuk gjunëzohet përpara dhimbjes njerëzore; gjakun e lirisë përpiqet ta prishë; parimin më të shenjtë – atë të lirisë e shkel, e shtyp, e nxin, e vret dhe e varros.

Në rast se ka një ISIS në Ballkan, ky IS mund të konsiderohet më së pari Serbia.

Shteti serb njihet ndërkombëtarisht i fryrë me gjak pafajësie. Serbia vijon të ketë damkën e “tokës pjellore” të kasapëve e të kriminelëve të luftës.

Serbia vijon të mbajë damkën e shtetit famëzi, ku kanë lindur “gjeneralët”, “baballarët e kombit” të mbytur në humnerë krimesh.

Serbia pos tjerash ka “pjellë” liderin e Partisë Radikale Serbe, Vojislav Seselj apo Arkanin që me bandat e tij kryente masakra në mbarë Jugosllavinë. Seselj ngjan sot si një përbindësh, si një njeri i dalë nga legjenda të errëta apo përralla të “shtrigave” që vrasin për arsye thjesht etnike a racore.

Këto e një sërë masakrash me vulë të urrejtjes etnike dhe racore të prodhuara nga llavë e vullkanit të nacionalizmit primitiv e grotesk serb e shndërrojnë Serbinë gati në ISIS-in e Ballkanit.

Ivica Daçiç dhe liderët e tjerë serbë përpara se të përmendin Kosovën, aq më tepër të përpiqen ta nxijnë pavarësinë dhe lirinë, më së pari do të duhej ta pastrojnë vetveten dhe atdheun e tyre.

Nuk ka sesi të besohen politikanët serbë, po qe se së paku nuk kërkojnë falje për krimet e shqiptarëve, ti japin shtysë prokurorisë e gjykatave për të dënuar kriminelët e luftës dhe të distancohen qartë e sinqerisht nga politikat monstruoze jetëgjata serbe.

Daçiç, Vuçiç e Nikoliç ngjajnë për fat të keq fytyrat e qelbura nacionaliste serbe, aq dritë vite larg principeve të lirisë dhe të pafajësisë.

Këta lloj politikanësh përkundër vetëm përpiqen ta mposhtin lirinë, ta vrasin pafajësinë e ti vënë pranga çlirimit nga dhuna e represioni.

Për fat të keq, si në sonambël a në ëndrra të keqija, përreth kokave të politikanëve serbë vërtiten kafka shqiptarësh të pafajshëm, të vrarë padrejtësisht nga Serbia dhe që nuk kanë gjetur ende drejtësi.

Përfundimisht mund të thuhet se sot, po qe se mund të ketë një shtet që ngjan me ISIS-in në Ballkan, për fat të keq ky shtet është Serbia.

Ky shtet nuk ka kërkuar falje, nuk ka dënuar një pjesë të mirë të kriminelëve të luftës dhe vijon “breshërinë” automatike me gjuhë të fashizmit të sofistikuar kundër Kosovës.

Gjaku i shqiptarëve të Kosovës u shkaktua nga Serbia, e cila këtë gjak e ka legjitimuar në shumicë, e se përpiqet që krimet tia ngarkojë Kosovës së pafajshme, duke lidhur krejt pa turp ISIS-in me faktin se shumica e shqiptarëve në Kosovë janë myslimanë.

Të lidhësh terrorizmin e ISIS me myslimanizmin e shqiptarëve të Kosovës është tinëzia e një shteti të ç’akorduar prej humbjes së një territori që e kanë shndërruar në mit të rremë të kombit serb.

Kombi serb me siguri do të ishte më tepër qytetar, po qe se do të ç’kriminalizohej, të zhvishej nga çetnikizmi dhe nga makabriteti.

Për hir të realitetit të sotëm, qytetaria serbe është pak e dukshme, me siguri e shtypur nga politika dhe kasta beogradase, që nuk e njeh as faljen dhe as përuljen.

Sa kohë vijon një situatë e tillë, ISIS-i i Ballkanit është vulosur të gjendet mbi Kosovë dhe që qëndron sikundër një qyqe e zezë me një shpatë të përgjakur në krah.

ISIS-i ka vrarë, ka kryer krime makabre, ka dënuar veçse je tjetër etni apo tjetër besim fetar; Serbia poashtu ka vrarë e masakruar vetëm se njerëzit nuk ishin serbë apo nuk kishin të njëjtin besim fetar me ta.

Krejt thjesht ngjan se ISIS i Ballkanit të  jetë Serbia!

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.