Armiku i popullit Ben Blushi


Nga Dionis Xhafa

Ben Blushi po kthehet në element reaksionar brenda Partisë Socialiste. Beni ka kohë që po i kundërvihet partisë sonë të madhe e cila ishte kaq zemërgjërë sa e ka bërë atë deputet, madje edhe ministër. Beni shkruan libra kundër partisë dhe po del kundër frymës sonë kolektive socialiste, frymë kjo e dalë nga vullneti i plotë i popullit shqiptar.

Beni po mbron armiqtë tanë të jashtëm duke u shprehur se ata paskërkan edhe anë pozitive në një kohë që vija e partisë i ka quajtur këta elementë si satrapë, regjim i vjetëruar dhe si lëvizje që duan të pengojnë partinë tonë drejt reformave dhe sukseseve spektakolare.

Ne e kemi shprehur hapur se këta partiçka reaksioni, bashkëpunëtorë të armiqve tanë të egër meritojnë të asgjësohen në mënyrë të plotë dhe të degdisen me damkën e zezë në koshin e mbeturinave të historisë.

Ne nuk do të lejojmë që atdheu ynë i shenjtë i cili përparon sot në rrugën e fuqisë socialiste, të përlyhet nga fryma destruktive e partiçkave që kakarisin kundër partisë sonë të shëndetshme dhe që duan ti vënë kazmën atdheut. Por partia jonë është zemërgjërë.

Pasi u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme dhe që në fund sigurisht vendosi kryetari pa pyetur askënd vendosi të mos i asgjësojë partitë opozitare, por se i cilësoi si të rrezikshme pushtetin e partive të tilla dashakeqe ndaj atdheut tonë i cili po përparon dhe se ky përparim po shihet me tepër lakmi nga ana e armiqve të atdheut.

Këto rreshta janë pak a shumë idetë e një socialisti ram-ist lidhur me Ben Blushin, duke e cilësuar Benin si berishist, njeri që kërkon të përçajë partinë dhe që llomotit në libra sharje për partinë mëmë.

Ajo ç’ka i ndodhi Blushit në Elbasan është më tepër se turp për demokracinë teksa shkrimtari dhe deputeti rebel shahej, pengohej të fliste dhe po pengohej nga salla.

Blushi ngjan jo pak si njeriu idealist i George Orwell i cili thoshte se kur gënjeshtra kthehet në normalitet, e vërteta nuk pëlqehet nga askush.

Beni është mëkatar sipas PS-së sepse ai pati guximin të thotë se rotacioni politik që ndodhi në vitin 2013-të nuk solli ulje të varfërisë, por se kjo varfëri ndër shqiptarë është thuajse e njëjtë.

Blushi po konsiderohet si “armik” sepse ka guximin të thotë se Rama sot po kthehet njëlloj si paraardhësi i tij dhe se ka jo pak tendenca të totalitarizmit.

Blushi po konsiderohet si “armik” sepse po dëfton të vërtetën se ka nisur “ikja e madhe” e shqiptarëve për shkak të keqqeverisjes.

Blushi po konsiderohet “armik” sepse parimi i tij nuk është i ngushtë veç për bazën e partisë ku ai bën pjesë, por ata probleme që thotë prekin socialistë, demokratë, njerëz pa parti dhe të papunë.

Të gjitha këto akuza të Blushit nuk janë pëlqyer aspak nga ana e simpantizantëve të Ramës dhe të PS-së, më mirë të thuash nga militantët e verbër që përpos interesit të ngushtë vetjak nuk iu intereson hiç kërrkund e vërteta.

Dhe se edhe këto akuza Rama përpiqet ti sfumojë, duke dirigjuar elementët e vet brenda partisë, njëlloj gati në stilin PPSH, duke denigruar dhe diskretituar figurën e Blushit.

Rama lë të kuptohet se ka ambicie personale të jashtëzakonshme të cilat sa duket as që pyesin për zëra kundër, rezistencë apo kritikë.

Gjithëpushtetshmëria e Ramës po e kthen atë si një pikë uji me paraardhësin.

Nga njëra anë kemi kryeministrin që sa vjen dhe e përforcon pushtetin dhe nga ana tjetër shqiptarët që largohen njëlloj sikundër sirianët të cilët janë të prekur nga lufta.

Mjerimi, varfëria, skamja dhe gjendja e rëndë ekonomike po njëlloj është ulur këmbëkryq.

Propaganda fillestare me të cilën erdhi në pushtet maxhoranca aktuale tashmë është shuar thuajse krejtësisht. Njerëzit kanë nisur të mos hanë më propagandë teksa përballen me padrejtësi, papunësi, emigrim dhe varfëri.

Dhe se edhe kur qëllon që aksh politikan apo shkrimtar të rradhitet në krah të popullit të tij, atij i vërsulen, kërkojnë ta heqin qafe dhe ta asgjësojnë nga partia.

Ben Blushi është prova se liderët politikë shqiptarë nuk e durojnë dot kritikën, demokracinë brenda partisë dhe se kërkojnë me çdo kusht ta mbysin zërin kundër.

Blushi është më pranë realitetit kaq komik për kryeministrin që tallet me të varfërit dhe kaq dramatik në realitetin e përditshëm.

Blushi është prova se zëri i vërtetë i popullit vetëm kërkohet të mbytet, të zhytet dhe se triumfi të jetë vetëm ai monetar dhe pushtetar.

Blushi është prova se kryeministri aktual ka cilësi të theksuara totalitare, që nuk pyet për askënd, vepron si të dëshirojë dhe më e keqja ndër këta: Adhurimi si Zot nga baza e partisë!

Vetëm liderët me tipare diktatoriale ngrenë mite të vetvetes dhe përpiqen të dëftojnë se kanë tipare më tepër sesa njerëzore.

Thirrja në korr e emrit të Ramës në Pallatin e Sportit në Elbasan është mendësia e liderit si “hyjni”, i cili di gjithçka dhe se pa të partia ka marrë fund.

Adhurimi i tepërt për një person është shenja më e qartë se demokracia akoma nuk ka ardhur ashtu siç duhet ku njeriu i çfarë do lloj kategorie sociale të ketë respektin dhe autoritetin personal.

Derisa akoma mbajmë mbi kurriz liderë të këtillë, “armiqtë” e popullit si Ben Blushi kurdoherë do të kenë këtë lloj “damke” dhe se duket si fatkeqësi që Zeusi fuqiplotë kurdoherë e mbyt Prometeun e kësisoj për njerëzit do të ketë veç zjarr që djeg dhe jo zjarr që ngroh.

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.