Krenar të jesh shqiptar?!


Nga Dionis Xhafa

(Përshtypje, ngjarje, përditshmëri ose udhëtime)

Tiranë, 28 mars 2016.  Koha sapo ka ndërruar. Dimri i madh së bashku me të ftohtin e acarrtë janë larguar për tia lënë vendin një pranvere plot me diell. Më rastisi që ratësisht të kaloj pranë “Piramidës” e aty tek ndërtesa e Kryeministrisë munda te shkrep fare thjeshtë këtë fotografi.

Krejt rastësisht e shkrepa fotografinë dhe me një celular të vjetër të cilin e kisha në xhep. Në fakt diçka arrita të nuhasë disi të veçantë dhe disi interesante në këtë fotografi.

Sigurisht që po ta vëzhgosh në pamje të parë foton në fjalë, secili mundet që ti thotë disa fjalë e se të gjitha mendimet mundet të jenë të sakta . E fiksova një pamje të tillë sepse mu duk tepër interesante. Ky vend përpos tjerash më kujton personalisht edhe një duarlidhje të shkëputur tanimë, por se pak e kujtova këtë nostalgji kur munda ta shkrep fotografinë në fjalë.

Shqiptari i thjeshtë

Në foto duket një njeri i varfër, disi i mjerë, që një Zot e di se çfarë e ka sjellë deri këtu në zemër të kryeqytetit. Njeriu i fiksuar në këtë fotografi- aq sa munda të vëzhgoj nga larg – ishte përpos tjerash shumë i menduar, i zhytur në botën e tij, i veshur keqas, i mbytur në brenga dhe me siguri i munduar nga shumë halle dhe probleme personale.

Në sytë e mi burri në foto u bë përnjëherë personi që simbolizon në një formë apo në një tjetër shqiptarin. Po po, shqiptarin. Por se kohët kanë ndryshuar dhe se edhe shqiptari tanimë kategorizohet.

Ka nga ata që në emër të kapitalizmit e shqyejnë gjithçka që e gjejnë përpara. Ky lloj shqiptari e ha gjithçka që gjen, e shqyen, e përtyp dhe mandej thotë se përpos shqiptar jam edhe kapitalist, kinse modern.

Ky shqiptar i përlyer keqas me damkat e pushtetit – i ngritur mbi fatkeqësi të popullit është i shndërritshëm në pamjen e parë, me rroba krejt të reja e konto bankare të lartë dhe nga ana tjetër i kapur prej veshi prej interesash të liga e të pista të politikës sonë namuzqare.

Ky lloj shqiptari është ai që kinse hiqet se kështu është edhe bota e pse edhe ne si shqiptar mos me qenë kështu.

Ndoshta kisha shumë të them për këtë lloj shqiptari të shpërfytyruar të prodhuar nga kapitalizmi i pafre, por se nuk desha të ndalem aq gjatë këtu. Desha madje të përshkruaj të kundërtën e shqiptarit zingjin e të lidhur pas zinxhirit të pushtetit si qeni pas të zotit e i kapërdisun se është “në oborrin e pushtetit”.

E kundërta e shqiptarit të përshkruar më lart është shqiptari i varfër, i harruar dhe që i shtyn ditët herë me të holla dhe herë pa të holla.

Njeriu që duket në foto ngjan të jetë tamam lloji i njeriut që jeton rëndomtë sot në Shqipëri, në cepet më të humbura të saj, larg interesave madhore të politikës e gjithçkaje të ligtë e të prishtë që ndodh në mëhallën tonë.

Ky lloj shqiptari i vetëm përpiqet të jetojë dhe të mbijetojë, madje i fshehur në atë strofullën e vet. Ky është shqiptari që ka prodhuar tranziocioni ynë mediokër – i Republikës që në 100 vite shtet që nga diktatura shkon në viagrat e demokracisë e nga “vullkanet demokratike” shkon në mini-stalinizma.

Ky është shqiptari që e përjeton vuajtjen, skamjen, të ftohtin e dimrit, të ecurit e gjatë në vendbanime ku pak njerëz kanë mbetur; shqiptari që përjeton krizën e thellë ekonomike, sociale e morale dhe se e di se ç’domethënë me qenë më barkun bosh e që si asht’ i ngulet thika e padrejtësisë në amullinë e përditshmërisë.

Ndërtesa e Kryeministrisë

Më tej, përballë njeriut të menduar, tragjik, të skamur, qëndron ndërtesa që përbën piramidën e pushtetit politik në Shqipëri: Kryeministria.

Ndërtesa qëndron aty stoike, kinse krenare dhe e konsoliduar në bulevardin kryesor të Tiranës.

Qëndron në bulevardin e emërtuar “Dëshmorët e Kombit” por se vështirë shumë se njerëzit që i ka mbajtur dhe mban brenda kjo ndërtesë kanë ndonjë të përbashkët me dëshmorët, aq më tepër ata të kombit. Por mos të thënë se në rrjedhë të historisë në këtë ndërtesë kanë shkelur njerëz që me plot gojën kanë qenë edhe turpi i kombit.

E prapë ajo ndërtesë vijon të qëndrojë si shkëmb krenare e duket në një cast sikur i flet njeriut përballë se “sado i varfër të mbetet populli, unë kam qenë dhe do të mbetem epiqendra e pushtetit politik të Shqipërisë”.

Flamuri kombëtar

Sigurisht që nuk mund ti shpëtonte syrit tim edhe flamuri kombëtar në ndërtesën e kryeministrisë. Patjetër që secili mund ta vëzhgojë sipas mënyrës së tij edhe mënyrën sesi është vendosur aty flamuri.

Flamuri më duket si i prerë, si i rrëzuar mënjanë dhe sikur i vjen turp nga vetja e vet.

E në këtë moment kisha imagjinuar një intervistë ekskluzive me flamurin. Në këtë intervistë flamuri me siguri që do ta nxirrte gjithçka që i përmban shpirti i kombit të cilin e përfaqëson.

Kjo sepse në atë flamur gjendet fati i një kombi me histori të trazuar e së fundmi krejt të marrë dhe tragjike.

Flamurit me siguri i vjen turp nga vetvetja për pabarazinë e madhe sociale që ekziston; për plaçkitjen e madhe nga partitë që i bëhet shtetit dhe kombit; për fatin e qindra e mijëra shqiptarëve të arratisur e të degdisur në udhëtime të panjohura rrugëve e qosheve të Europës për shkak se atdheu ua ktheu shpinën dhe i tradhëtoi.

Flamuri me siguri që ka shumë për të thënë. Por sa duket është përulur mënjanë si për të thënë se më kanë masakruar dhe gojë nuk më kanë lënë për të folur.

Panoramë e një realiteti tragjik

Panorama shkurt më ngjan krejt realiteti tragjik i përditshëm shqiptar.

Godina e pushtetit që edhe me dhunë qëndron krenare dhe e pamposhtur dhe nga ana tjetër popull i ngratë që vritet nga vërshimet e fuqishme të herëpashershme të pushtetit. Një kombinim tragjik që nxin një komb të tërë.

Në mes të këtij realiteti tragjik qëndron flamuri i përulur të cilit figurativisht sikur i vjen për turp për faktin se ndërtesa nuk qëndron krah për krah me popullin, por e lufton pa rreshtur qytetarin.

Flamuri është i gjunjëzuar, i turpëruar, i nxirë, dhe i mënjanuar. E duket se jo krejt rastësisht.

Flamuri ynë, që siç shprehet Noli na bëri krenarë me Skëndërbenë e me Ismail Qemalin, është përulur nga dufë e pushtetit të papërmbajtur.

Sa duket është koha kur flamuri po shtrihet përdhe, po çirret dhe po ndizet me zjarr. Siç thotë Noli në “Hymni i Flamurit”, ky simbol i shqiptarëve edhe në zjarr e ndër pushtim arriti që çdo mizori me shpatë ta grijë.

Me siguri që flamuri do të valëvitet krenar, do ta dëshmojë ballëlartë fushën e kuqe dhe shkabën e zezë kur godina e Kryeministrisë të jetë njësh me fatet e shqiptarëve të thjeshtë.

E vetëm nëse ndonjëherë arrihet kjo ditë, flamuri do të valëvitej i paqtë mbi qiell të lirisë.

 

Kryeministria_njeriu_varfer

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.