Kufi!


Nga Dionis Xhafa

Vendi ku jam rritur nuk ka qenë vendlindja ime.  Kjo sepse familja ime ishte zhvendosur nga një vend tek tjetri pak përpara se të lindja unë. Kisha qenë vetëm dy vjeç kur kisha ardhur këtu dhe sigurisht që vendlindjen nuk e mbaja mend e ndaj ky vend më ishte bërë më i dashuri nga të gjitha vendet e planetit. Vendi ku u rrita ishte një qytezë me emër të çuditshëm dhe se ashtu si të çuditshëm e kishte edhe natyrën e cila e rrethonte. Quhej Maqellarë dhe se nga emri vetëm si vendbanim shqiptar që nuk dukej. Dikush më kishte thënë se ishte emër me prejardhje sllave kur në këtë vend andej nga vitet 1913-1914 ishte bërë luftë e madhe mes serbësh dhe shqiptarësh, por edhe betejë mes vetë shqipove të kohës për hesapve të pushtetit. Kjo qytezë ndodhet diku mes dy qyteteve më të rëndësishëm të rrethit dhe të qarkut të Dibrës – mes Peshkopisë dhe qytetit të mbetur jashtë kufirit territorial të Republikës së Shqipërisë.

Diku këtu gjendet edhe kufiri ku Zogu me xhandarmëri hyri në Shqipëri dhe ia rrëmbeu pushtetin Nolit i cili më herët konsiderohej nga ana e zogistëve se kishte kryer “grusht-shteti”. Po diku këtu ishin kryer edhe luftimet e përgjakshme mes xhandarëve të Zogut dhe forcave të Elez Isufit mbështetës ky i kryeministrit Noli. Beteja rezultoi me humbjen e jetës së Cen dhe Elez Isufit – persona këto me nam në këto anë e se përpos tjerash mbahen mend edhe për luftën kundër Serbisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Kjo duket paksa histori si vëllavrasëse, për shkak se Zogu me origjinë ka qenë nga Burgajeti i Matit, vend ky brenda konfiguracionit politik të Dibrës. Ndoshta ishte koha e tillë dhe shumë e ashpër, por se dibranë dhe matjanë e nderojnë secilën palë të politikës së kohës sipas meritave që i kanë.

E pra vendi ku u rrita kishte një veçanti tepër të rëndësishme dhe disi element romantik më dukej: Kufirin! Maqellara, që mua më tingëllonte gjithnjë si ndonjë emër italian ishte qyteza që ndante qarqet me të njëjtin emër në shtete të ndryshme: Këtej Dibër e andej ne e quanim “Dibër e Madhe” – këtej Shqipëri e andej Maqedoni.

Ky është vend ku po të ecësh në maja e në shkrepa rrëzë Korabit ose poshtë në fushat e Drinit të Zi mundeshe që ashtu pa dashje të shkelje tokat nën territorin e shtetit tjetër.

Madje si kufi ndarës natyror më dukesh se ishte maja e malit mbi qytezë – një grumbull krepash e shkrepash që formonin një si kokë majmuni.

Fshatrat në fushë    

Veç se nuk kam lindur në Maqellarë dhe se nuk e kam të shënuar në pasaportë, por se e njoh shumë mirë atë vend dhe njerëzit që e banojnë atë. Njerëzit këtu janë nga të rrallët – ata të cilët punën e vënë parësore dhe mbi gjithçka tjetër, pa ditur të thonë se u lodha. Kush e njeh zonën, nuk mundet të mos ketë dëgjuar se këtu banojnë njerëz tepër punëtor dhe të sakrificës. Zona është e madhe pasi ish-komuna ka qenë një perimetër i gjërë dhe përfshinte diku tek 22 fshatra, njëri më interesant se tjetri. Maqellara është vendi ku e vjetra përzihet dhe ndërtheheq keqas me modernitetin dhe se pa frikë mund të konsiderohet “qytezë”, megjithëse disi e përçunduar nga ndërtimet pa kriter.

Kurse në fshatrat përreth Maqellarës më është ruajtur tradita dhe jo gjithçka e lënë trashëgim nga të parët është rrënuar e shkatërruar. Madje është ruajtur diku me kujdes dhe diku me fanatizëm.

Të lezetshme dhe me plot hijeshi ishin çezmat e vjetra në mes të fshatit, të cilat diku punonin dhe diku tjetër kishin dalë jashtë çdo lloj funksioni.

Akoma dhe më interesante ishin çezmat të cilat kishin disa govata prej druri ose prej betoni, e kjo e fundit ngjante si ndonjë vaskë e madhe krejt natyrale.

Këtu shpesh gratë e fshatit mbushnin shtambat me ujë ose lanin qilimat në ujë të ftohtë. Qëllonte në jo pak raste që gjatë shkundjes së qilimit këtë ta mirrte me vete lumi. Gurrat e këtyre fshatrave në përgjithësi e kishin ujin akull të ftohtë.

Më kujtohet se ishte atmosferë tejet interesante ajo se nga njëra anë ishte gurra e ftohtë sa nuk bëhej dhe nga ana tjetër ishin kazanet me ujët valë.

Gratë pasi lanin qlimat në ujin e ftohtë, i shtinin ato në ujin valë të kazanit. Veçse qilimi nuk ka shpirt, por se dukej si një njeri i cili lahet njëherë me ujë të ftohtë dhe menjëherë më pas i lëshon vetes ujë të nxehtë përvëlonjës.

Panorama që shihja kur isha i vogël, sidomos gurrat e fshatit, më mrekullonin.

Ulesha pranë një shkëmbi të gurrës e prej andej shihja gratë të cilat i lanin qilimat në ujë e më pas i fusnin këta (qilimat) në ujët e nxehtë. Në ajër lëshoheshin bulëza e re tymi pasi uji i fto0htë nga njëra anë përzihej me ujët e ngrohtë.

Natyra ishte fantastike. Më shfaqej përpara syve gurra e cila e çante më dysh një mal të tërë me pyje përreth dhe që rrugëtimin e vet e mbaronte në Dri.

Ekzistojnë ndër fshatra edhe “burimet e shenjta” ose siç i quajnë disa zona të Dibrës “izvoret” e këto janë vende ku thuhej se po të lahesh në ato vende bekohesh.

Edhe vetë e kam përjetuar këtë lloj “bekimi”, jam larë e lagur me atë ujë burimi që rridhte nga thellësia e barkut të malit dhe se në fëmijëri i besoja besytnisë së zonës.

Shkurt ishte një oaz, një pamje e mrekullueshme me ajër të pastër dhe një mjedis krejt idilik. Kjo ishte bukuri fine, krejt natyrale, ku nuk kishte ndërhyrë as zezonja dhe as fëlliqësia.

Bukuri që Zoti apo Natyra e kanë ndërthurrur krejt në mënyrë magjepsëse. Bukuri e një zone të rreptë e cila gërshëtehet mjaft bukur me mjedisin romantic natyror.

Fshatrat në male

Këtu në Maqellarë si antipod i Drinit është Korabi. Kështu edhe si antipod i fshtrave që shtrihen në fushë e në Luginë të Drinit janë fshtrat kodrinor e malor që shtrihen buzë Korabit ujëvarërave e shkëmbenjve të malit tonë kryelartë.

Kam shëtitur rrezikshëm në adoleshencë në fshatrat e largët buzë Korabit. Aty ç’nuk mundesh të gjesh. Aty gjen humnera, vende të thepisura, shpate, tunele, gropa dhe shpella.

E kam shëtitur këtë zonë në të hyrë të pranverës por se çudia është se në fushat e pakta atje në Korab edhe në mars e në prill gjendet borë. Vetëm e imagjinoja sesa i egër mundet të jetë dimri këtu. Më dukesh tamam si Olimpi ky Korabi ynë.

Kjo sepse kur shkoje pranë një shpelle tregonin se këtu natën vijnë arushat dhe se ajo e madhja të shqyente nëse ia prekje arushat e vogla. Kur hasëm një humnerë, tregonin se këtu një djali i kishte rrëshkitur këmba, ishte bërë copë-copë atje në hon dhe se më tej njerëzit rreth tij kishin ndezur zjarr për tia ngrohur trupin.

Kur hasje një barishte të keqe mbi një shpatë mali të rrezikshëm thonin se një djalëduke u përpjekur të ngjiste malin, duke u kapur prej barishtesh, kjo (barishtja) ishte këputur dhe djalit as trupi nuk i ishte gjendur.

Por edhe atje në majë të malit kur u ngjitëm dëftonin se këtu ushtarët maqedonas e kishin vrarë një bari shqiptar. Madje thonin në mënyre makabre dhe krejt brutale.

Dy ushtarët-rojë nga ana tjetër e kufirit kishin zënë në fall se kush e godiste bariun, ai e fitonte lojën.

Jeta e një njeriu për ata ushtar-rojë ishte thjesht një lojë e cila luhej me armë të vërteta dhe madje me snajper vdekjeprurës!

Fshatrat këtej në male e në kodrina janë një mozaik më vete. Ata përmbajnë brenda vetes legjenda, mite, përrallëza të cilat qarkullojnë ndër sheshe e ndër rrugica të këtyre vendbanimeve.

Edhe fshatrat malorë, sikundër ato në fushë kanë çezmën në qendër të vetes si një relike e kohëve shumë më të vjetra, ndoshta atëherë kur Zotat ishin ato që tregoheshin se rrinin ndër male.

Edhe ndër këto fshatra ka shtëpi që ruhen të ndërtuara me pite prej balte apo me të tjera përmbajtje, që gjenden me shumicë këtyre anëve.

Fshatrat kodrinorë ngjajnë si të fshehura në brezaret e kodrave dhe se prej secilën gëlon jetë e se më tej e gjitha kjo shndërrohet në aktivitet të përditshëm jetësor e shpirtëror.

Feja, fjala, besa

Banorët e këtyre anëve kanë veçanti dhe karakteristika që përbëjnë vlera për zonën, krahinën, por edhe republikën e pse jo më gjërë.

Ndërsa është dëgjuar se në Veriun e Shqipërisë ruhen me fanatizëm zakone dhe tradita të së shkuarës, në Maqellarë ka tradita që ruhen – por se fatkeqësisht koha i ka venitur shumë prej tyre.

Një tipar i veçantë ndër dibranë në disa zona kam vërejtur se është feja. Shqiptarët si popull i lashtë në hershmërinë e vet kanë besuar tek perënditë e ndryshme, ndërsa rrjedhë e historisë i konvertoi ata në myslimanë, katolikë dhe në ortodoksë.

Këtyre anëve janë të shumtë ata që besojnë tek feja myslimane. Kjo fe për nga historia ka ardhur qysh kur Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë Osmane dhe se u zgjerua kur vendi ynë ishte integruar më së miri brenda perandorisë.

Shumë dibranë e lidhin moralin e tyre e të familjes me këtë fe.

Aq të theksuar e kanë disa syresh besimin fetar, saqë fëmijët e disa familjeve dibrane qysh të vogël rriteshin me kulturë të thellë fetare dhe morale.

Nuk kishte si të mos ndikonte edhe kultura fetare e shumë prej banorëve në sjelljen njerëzore të tyre.

Përpos fesë, në brumosjen morale të banorëve edhe fjala zë vend të rëndësishëm. Fjala dhe besa e fisnikëron dibranin.

Këta dy elementë sidomos e fisnikërojnë njeriun e këtyre anëve. Njeriu që i ka të tilla cilësi, përzier me qetësi përgjithësisht ndodh të jetë më i nderuari në komunitet.

Sigurisht që një njeri që të nderohet në këto anë jo doemos duhet të besojë në Zot, por të ketë elementë si dituria, qetësia, fjala e pakët e me vend si dhe besa.

Patjetër që edhe të thënit e të vepruarit drejt. Personi i cili mashtron apo që nuk e ka elementin e drejtësisë, fjalën e dhënë, besën  nuk është se dënohet – por se ndodh që të diferencohet nga shoqëria.

 Kufiri fizik dhe mental

Kufiri në Bllatë lidh Shqipërinë me Maqedoninë dhe është aty në mënyrë fizike, mundet krejt i përhershëm.  Ky kufi është pjesë e pandarë e këtyre njerëzve, e njerëzve të këtushëm.

Ekziston ndër banorë kufiri i brendshëm dhe i afërt, por edhe i jashtëm dhe i largërt.

Kufiri mental i brendshëm është ai se akoma ka disa robërira për gjininë e dobët dhe se akoma qëndron mentaliteti që qëndron hijerëndë dhe i plotfuqishëm.

Thashethemet, të thënat dhe të pathënat, përfoljet dhe përgojimi në segmente të shumta është i gjallë.

Morali dhe forca e zakonit qëndrojnë hijerënda e kokëlartë.

Imoraliteti në këtë zonë dënohet nga shoqëri e gjërë dhe po e them këtë pa qenë në gjendje të them nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe – thjesht është veçori e zonës ku jam rritur.

Morali i zonës sidoqoftë ka shumë fuqi, madje të jashtëzakonshme. Duket se kjo është vazhdimësi e traditës së zonës pasi këta njerëz e njohin kufirin e jashtëm dhe “botën” jashtë në mos më tepër se çdo zonë tjetër e Dibrës.

Këta banorë kanë shkelur për punë në Greqi, Itali, Gjermani e deri në Francë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kufirin këtej ku është territorialisht Shqipëri më së shumti ikin nëpër shtete fqinje dhe jo kaq larg; ndërsa përtej në zonën e Maqedonisë më shumë kanë ikur drejt SHBA-ve.

Tipar pra i zonës është se pavarësisht se kanë parë botë me sys a duket modernitetit i marrin më të mirën dhe ia injorojnë të ligën.

Thithin pjesën se jetojmë në kohë të materializmit dhe se për këtë duhet punuar fort ndershmërisht dhe nga ana tjetër e injorojnë imoralitetin që ka përfshirë sidomos perëndimin.

E kjo padyshim është vlerë e shoqërisë së kësaj zone, ku njerëzit pavarësisht arratisë në kërkim të parasë mbajnë të paprekur moral e traditë.

 

4 prill 2016 – Dionis Xhafa (GAZETE LOKALE)

 

dionis5

Advertisements