“Pseudo-historiani nuk e denigron dot figurën e Skëndërbeut”


Nga Dionis Xhafa

Pavarësisht deklaratave të tilla, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë të mira dhe normale. Nuk bën për asnjë moment që të prishen marrëdhëniet mes dy shteteve mike për deklarata të tilla të njerëzve të çmendur. Prandaj mendoj se kur ka deklarata të tilla nuk duhet prononcim qeveritar. Kjo sepse prononcimi zyrtar ashpërson marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia e sotme është shtet modern dhe thuajse nuk ngjan aspak me Perandorinë Osmane. Raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore dhe të ngrohta.

Çdo komb i rruzullit tokësor lëvdohet për heronjtë të cilët dalin nga gjiri i vet. Franca lëvdohet me Napoleon Bonapardin, Italia me Garibaldin, Shqipëria me Skëndërbeun. Heroin tonë kombëtar e kanë lëvduar shumë shkrimtarë, historianë dhe akademikë. Mirëpo jo të rralla kanë qenë së fundmi deklaratat denigruese ndaj figurës së Skëndërbeut. Historiani ose ciceroni nga Turqia Talha Ogurluel nga memoriali i Skëndërbeut në Lezhë lëshoi deklaratën “bombë” se Skëndërbeu ka qenë “terrorist” dhe “tradhtar”. Ugurluel madje e krahason Skëndërbeun me terroristët e partisë kurde në shtetin turk. Historiani madje nuk ka kursyer as fjalët “bandit” dhe “kusar” për heroin tonë kombëtar. Ish ambasadori i Shqipërisë në Turqi gjatë periudhës 1992 – 1997 Skënder Shkupi mendon se Ugurluel është një pseudo-historian, i cili nuk duhet të merret seriozisht.

Ai mendon se deklarata të tilla janë “lajthitje” dhe sulme të ulëta ndaj figurës kryesore të histografisë shqiptare. Për ish ambasadorin shqiptar në Turqi deklarata nuk e prek aspak dinjitetin e shqiptarëve pasi personi që flet kundër Skëndërbeut nuk ka integritetin e duhur moral e profesional në shoqëri. Z. Shkupi shprehet se problem përbën fakti se histografia turke ende e cilëson si “tradhtar” Skëndërbeun. Për të, janë librat shkollorë në Turqi ata që brumosin një pjesë të turqëve me ide kundër heroit tonë kombëtar. Ish ambasadori mendon se tekstet shkollore turke e denigrojnë figurën e Skëndërbeut në mënyrë të padrejtë. Ai thotë se ekzistojnë dokumente të tëra që flasin për trimëritë dhe veprën e heroit tonë kombëtar.

Skënder Shkupi thekson se pavarësisht deklaratave të tilla të çmendura raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore. Ai shton se Turqia e sotme është shtet modern dhe pak ose aspak ka lidhje me Perandorinë Osmane të dikurshme.

  1. Shkupi, si i cilësoni deklaratat e historianit turk për Skëndërbeun?

Mendoj se çështja ka dy aspekte. Mendoj se së pari deklarata e Ugurluel nuk duhet të na çudisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë tek bindjet e tij. Ai shprehet në të tillë mënyrë sepse i tillë është mentaliteti dhe bindja e tij.

“Historiani” në fjalë ka krijuar të tillë bindje për shkak se në tekstet shkollore turke Skëndërbeu ende paraqitet si “tradhtar”, “i pabesë” e të tilla cilësime. Pra histografia turke ende mban qëndrim poshtërues ndaj figurës së Skëndërbeut dhe se heroi ynë së bashku me Huniadin e Hungarisë paraqiten ende sikur ishin “të pabesë” ndaj Perandorisë Osmane. Një shtrembërim të tillë nuk e bën vetëm histografia turke por edhe ajo serbe. Serbia ende e nderon figurën e Esat Pashë Toptanit i cili tradhtoi interesat e Shqipërisë.

Aspekti i dytë që duhet kuptuar: Mungesa e etikës njerëzore dhe diplomatike nga ana e historianit turk. Ai paraqitet i vetëm në Memorialin e Skëndërbeut në Lezhë dhe deklarata që lëshon është një çoroditje e plotë. Nuk ka në këtë mes asnjë institucion apo emër shteti që ta ketë lëshuar deklaratën, por një person që pa frikë do ta cilësoja si të lajthitur.

A mendoni se deklarata e historianit turk nëpërkëmbi dinjitetin tonë kombëtar?

Nuk e besoj. Kjo sepse të tilla deklarata më së shumti janë marrëzi të cilat ngjajnë shpesh mes kombeve ose vendeve të ndryshme. Unë mendoj se pavarësisht goditjeve që i bëhen Skëndërbeut, qoftë nga element radikalë apo nga akademikë të ndryshëm, heroi ynë kombëtar nuk mund të demaskohet dot. Kjo sepse ekzistojnë me qindra dokumente në arkiva të ndryshme në Turqinë e sotme apo në Evropë ku dëftohet për përpjekjet e stërmëdha të Skëndërbeut për lirinë e popullit shqiptar. Mendoj se duhet të jemi krenar që kemi një hero të tillë i cili nuk u përkul përballë fuqisë të perandorisë më të madhe në atë kohë.

A mendoni se duhej të kishte reagim nga ana e shtetit shqiptar për deklaratat e Ugurluel?

Nuk e besoj se ia vlen të merret me këtë rast Ministria e Jashtme apo institucionet e tjera të shtetit shqiptar. Kjo sepse siç e sqarova më lart deklarata bëhet nga ana e një personi që i tillë është formuar. Reagimi do të duhej në rast se denigrimi i figurës së Skëndërbeut do të bëhej nga ana e shtetit turk apo ndonjë shteti tjetër. Ky është një rast i izoluar dhe se personi nuk përfaqëson shtetin, por veten e tij. Mendoj se mjafton reagimi i kryetarit të bashkisë së Lezhës për rastin. Madje mendoj se mund edhe të mos kishte aspak reagim, pasi është e kotë ti japësh vëmendje një deklarate të çmendur si kjo.

Nuk është hera e parë që sulmohet figura e Skëndërbeut. Ç’mendoni për këto sulme?

Kam dëgjuar shumë zëra kundër Skëndërbeut dhe të them të drejtën nuk më pëlqejnë sulmet që i bëhen heroit tonë kombëtar. Sulmet më së shumti bëhen nga ana e elementëve radikalë dhe është e kotë t’ju jepet rëndësi e madhe. Një zë kundër Skëndërbeut së fundmi ka qenë edhe akademiku austriak Oliver Schmitt. Jam njohur me tezat e tij dhe ajo që mund të them është se sado që e godet figurën e  Skëndërbeut, nuk mundet që ta rrëzojë atë. Schmitt megjithatë ndryshon me deklaratat radikale të disa elementëve pa identitet dhe nuk e fyen aq rëndë heroin tonë kombëtar.

Deklarata e historianit turk ishte e fuqishme, megjithatë raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të mira. A mendoni se këto deklarata dëmtojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë?

Pavarësisht deklaratave të tilla, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë të mira dhe normale. Nuk bën për asnjë moment që të prishen marrëdhëniet mes dy shteteve mike për deklarata të tilla të njerëzve të çmendur. Prandaj mendoj se kur ka deklarata të tilla nuk duhet prononcim qeveritar. Kjo sepse prononcimi zyrtar ashpërson marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia e sotme është shtet modern dhe thuajse nuk ngjan aspak me Perandorinë Osmane. Raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore dhe të ngrohta.

 

dionis_xhafa8

Advertisements