Përditshmëri dhe politikë, maj 2017. Pjesa e parë


 

dionis_xhafa191 Maj 2017

Sot ishte një ditë që duhet të ish në fakt emocionuese shumë, por se nuk qëlloi e tillë. E kisha lënë me Flavian në fakt në orën 6 pasdite, por nuk u bë për shkak se ajo ishte në Durrës e ma ktheu këtë përgjigje e se më datë 1 maj e kishte pushim si ditë punëtorësh që është dhe se ne gazetarët me siguri e kemi punë përditë, se të tillë profesion kemi zgjedhur e gazeta del edhe në ditën e punëtorëve. Kisha emocion plot, piva dhe diçka një pikje energjike se takim i parë do të ishte dhe se unë jam nga ata tipa që nëse pi diçka të lehtë kuptohet jam më mirë dhe sikur shpreh gjithçka qartë e se largoj emocione e çdo gjë që është e pakëndshme.  Kështu siç e kam emrin kam lindur ndoshta. Kurse për lajme që ishin sot, ishte ajo se ka pasur shumë reagime në rrjetet sociale sidomos për të drejta të munguara të punëtorëve. Po ishte edhe një video e tmerrshme që mbërrin nga Maqedonia. Një deputet atje pjesëtar i VMRO DPMNE, akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve ishte kapur duke iu dhënë urdhër huliganëve që të ndërhyjnë në parlament dhe të rrahin deputetët maqedonas dhe ata shqiptarë, të cilët bashkë u bënë maxhorancë. Vetëm kjo mjafton të thuash se çfarë paturpësie dhe marrëzie ndodh në shtetin maqedonas.

Data 2 maj 2017

Ditë plot me trazime ishte kjo në fakt. Që pa hyrë në punë, kur isha në kafe më erdhi telefonatë për tu ngjitur më lart në detyrë por se kjo gjë më duket edhe me përgjegjësi, por edhe se unë dua të jem gazetar, shkrimtar e se nuk dua të merren mirfilli me politikë. E vlerësoj faktin që duan të jem më lart, por ama nuk e di sesi më duket që të heq dorë nga profesioni që unë kam. Flavia ndërkohë as nuk më është përgjigjur për kërkesën për kafe dhe më mërziti jo pak. Nuk e di nëse do pranojë apo jo. Ndërsa si lajm kryesor është se janë ulur tensionet politike në vend dhe se presidenti në detyrë i Shqipërisë Bujar Nishani është duke u përpjekur që të ulë në tryezë të bisedimeve liderin e opozitës Lulzim Basha së bashku me kryeministrin e vendit Edi Rama dhe se nesër në orën 10.00 do të zhvillohet takimi, por se them se ky lloj takimi nuk do të ketë aspak gjetje konsensusi, për shkak se Rama nuk tërhiqet nga ideja e vet dhe se opozita do një qeveri pa Ramën, gjë që një njeri si kryeministri ynë nuk e duron dot. Bota është me trazime ndërkohë.

Data 3 maj 2017

Duan të ma ndryshojnë vendin e punës në fakt, gjë të cilën me aq dëshirë nuk e kam dhe se për këtë gjë jam duke menduar. Ndërkaq, më është bërë kjo vorbull, sikundër edhe një tjetër dhe se kjo e dyta është Flavia, e cila më dha edhe numrin sot dhe e lashë më në fund për kafe. Këta dy vorbulla ka diçka: ose unë i shkel me këmbë ose ata më shkelin mua! Kjo gjë pritet të shihet çka është e vërteta madhore. Turbullirë paksa, kurse si lajm kryesor do të rendisja faktin se ndër shqiptarët për vitin 2016 ishin shënuar plot mbi 250 vetëvrasje, kurse 350 të tjerë kane tentuar të vrasin veten. E tmerrshme të mendosh se në çfarë kushtesh të rënda jetojmë, në çfarë vendi, shteti, Shqipërie.

Data 4 maj 2017

Mes mërzisë dhe lumturisë. Ja kështu mund ta përshkruaj atë që ndjej në këto momente. Të hënën do ta takoj Flavian dhe se këtë lajm e kam përhapur thuajse në mbarë redaksinë. Po unë kështu jam, e bëj lajm në mbarë vendin ku gjendem atë që po jetoj në jetë. Ma ka dhënë edhe numrin, tashmë veç një performancë e mirë më duhet që të jap me të. Sa iu takon lajmeve, më bëri shumë përshtypje fakti se në Shkodër jepesh aty, por edhe në qytete të tjera them është realitet, se ishin braktisur shkollat, ka rënë lindshmëria se më kush nuk lind se është e vështirë të rritësh një fëmijë dhe se kanë ikur thuajse të gjithë jashtë. Çfarë drame luhet me këtë vend. Shqipëria, nëse do të ishte një qenie e gjallë, do të kishte vdekur dhe se edhe aty të vdekur do të rrokullisej, se aq tmerr e trishtim madhor është, është një varr lapidar në fakt, jo thjesht pllakë. Është sikur të jetosh mbi një arkivol, ja kështu dhe se edhe për sa kohë do të vazhdoj, këtë gjë nuk e di.

Data 5 maj 2017

Sot ishte një ditë që kam dalë nga mëngjesi dhe deri në darkë kam qëndruar nëpër rrugë dhe pashë edhe ndeshjen mes Partizanit dhe Kukësit, e cila u mbyll me rezultatin 1:1. Golin e parë e shënoi ekipi kuksian, kurse të kuqtë barazuan sa nisi pjesa e dytë. E pashë në stadium. Por zullum dhe fjalor i ulët ishte aty. Lajme s’jam marrë shumë se dola disi për qejf sot.

Data 6 maj 2017

Emocionet shtohen disi. Me Flavian do të takohem të hënën në orën 18.00. I thashë se takimi me të është sa emocionues, po kaq edhe frikësues, një lloj ankthi i pambarimtë. Nuk e di sesi do të shkojë. Kurse për situatën politike, them se është kaq shumë sallatë, sa ç’është edhe sallata e situata mizerabël në terrenin e përditshëm shqiptar.

Data 7 maj 2017

Nesër është ditë shumë e tensionuar. Po sepse kam disa çështje për të zgjidhur në punë, e para dhe e dyta është se do të takoj Flavian në orën 18.00. Nuk e di si do të shkojë dhe kjo gjë ka realisht ankth. Sot edhe u mërzita paksa, nga një telefonatë e papritur nga një i afërm. Në fakt, kohët e fundit sa më shumë që më marrin në telefon të afërmit, aq më tepër mërzitem. Po, mërzitem për shkak se kuptoj në zërin e tyre se ata disa vetëm vuajnë dhe se realiteti është i egër dhe se jeta e njeriut sot është vërtetë një hiç përballë një mijë sfidave që ofron jeta. Ndërkaq, për lajmet sot interesant sigurisht që ishte zgjedhja e Emanuel Makron si president i Francës. Në fakt edhe pritej që Makron të zgjidhej kreu i shtetit francez, mirëpo mund të pritej edhe ndonjë suprizë, me Marine Le Pen, siç kishte për shembull të tilla supriza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur u zgjodh Donald Trump apo edhe marrja hov e partive të djathta në mbarë Europën. Pavarësisht se me parime jam larg Le Pen, më pëlqeu se e pranoi humbjen dhe se ia dorëzoi mandatin për president Makronit. Ky i fundit ka një detaj interesant biografik se ka marrë për bashkëshorte mësuesen e tij. Nuk e di ndonjëherë më duket të thyesh një tabu, por kaq edhe aspak etike, sikur jetojmë në kohë realisht të çmendur tregon ky fakt. Në një status që shkrova në FB, theksova se sot ishte ndër ata ditë që edhe hiri politik i Tiranës merrej me qiellin politik të Parisit. Ndonjëherë më duket sikur ngjarjet rrjedhin kaq shpejt. Edhe ata që kanë shumë rëndësi për shtetet, kombet, botën mbarë. Për shembull u zgjodh president Aleksandar Vuçiç dhe kjo gjë ndodhi sa hap dhe mbyll sytë. Shembull tjetër pra është se u zgjodh sonte Emanuel Makron, edhe ky si vetëtimë në qiellin francez, kurse nga ana tjetër vazhdon në popullatë kriminaliteti, përditshmëria, martesat, ndarjet, bosët e drogës, mafie etjerë.

Data 8 maj 2017

Sot që isha përgatitur thuajse me të gjitha mënyrat që të takoja Flavian, në fakt nuk ndodhi takimi. Kjo sepse asaj i ikte autobusi në orën 19.15 minuta dhe se e kishte të pamundur që të vinte në këtë takim. E mirëkuptova dhe më erdhi jo pak keq, kur me shaka, por mua mu ngul si thikë në zemër, kur tha se ndiheshte si emigrante në Tiranë. Më la takim në orën 17.00 diku te Zogu i Zi të premten, kur ajo mbaronte më herët dhe kur unë e kam pushim. I thashë se pas kafes mundet ka shumë mundësi ulem bashkë me të në autobus urban të kryeqytetit dhe se e lë te Dogana e vetë vazhdoj në shtëpi. Dua ta dërgoj diku te TEG. Por se me të fola gjatë disi edhe në chat. Kishte të njëjtat ide edhe për paratë me mua, se ata duhen se me ta ndërton lumturinë, ama mjafton të kesh normalisht para dhe jo të kesh pangopshmëri për ta, për shkak se pangopshmëria në para të bën që të mos kesh as ego, ndoshta, megjithëse unë paranë e shoh si shumë me rëndësi për të ndërtuar të ardhme të lumtur. Do nuk do, jeta të bën materialist, pasi do jetosh dhe se ia shpjegova gjithashtu se kisha frikë disi nga e ardhmja, për shkak se kam frikë ndonjë periudhë të jetës, kur të jem keq, shumë keq. Ajo mu shpreh se nuk do të donte të binte fort keq, por se edhe situatë e tillë do ta bënte shumë të fortë. Këto dhe muhabete të tjera të ëmbla ishin, ndërsa për lajmet, sot është se vazhdon përplasja dhe se PS sa duket ka ndërmend të hyjë e vetme në zgjedhje, pa opozitën e vendit. Në fakt më ka pëlqyer një mendim i Fatos Lubonjës, se fakti nuk merr pjesë në zgjedhje dëshmon edhe se ky vend nuk është normal, prandaj unë nuk iki në zgjedhje.

Data 9 maj 2017

Sot isha veshur me një bluzë të kuqe, po kuq fare ama, ndoshta si përkujtim për ditën kundër një murtaje të zezë siç ka qenë lufta kundër nazifashizmit, e cila është zhvilluar në vendin tonë, gjithashtu si thuajse në çdo shtet të globit. Gjithsesi edhe forma të mbrosh tërësisht partizanët dhe të mohosh çdo nazist, që shpesh ka qenë i detyruar ose madje më mirë ëhstë ai nazist që ka hequr dorë nga puna sesa një partizan vrastar për shembull. Por se nuk më pëlqen fakti që Rusia është shteti që e propagandon kaq shumë këtë datë, duke mos mohuar kontributin shumë të madh të shtetit rus në luftën në fjalë. Kjo sepse Rusia e kujton si fitore shumë të madhe, si një trëndafil të madh që mbulon fushat ruse, për të fshehur krimet e shtetit të sotëm të Rusisë. Ndërkaq, me Flavian komunikimi sa vjen dhe bëhet më i mirë dhe me ndëraktivitete po e njihja edhe me motrën. Kam dëshirë që ta afroj sa më tepër me familjen. Për lajmet, opozita e vendit do të protestojë më datë 13 maj dhe se ka gjasa mund të jetë edhe protestë ndoshta e fuqishme, sepse PD tashmë nuk ka ku të shkojë më, për shkak se nuk hyri as në zgjedhje. Dhe siç deklaron Fatos Lubonja, ndoshta edhe opozita ka të drejtë. Ky nuk është normal, s’ka kryeministër normal dhe prandaj nuk hyhet dot në zgjedhje.

Data 10 maj 2017

Me Flavian flas përditë dhe tashmë sa duket iku faza e fjalëve të bukura dhe se muhabeti bëhet serioz e më serioz, sepse njeriu fundja nuk ka sesi të marrë me shaka jetën, sidomos fillimet e saj, të cilat janë realisht të sikletshme dhe plot me pengesa. Po këtë ia kam shpjeguar se unë trembem nga e ardhmja shumë në fakt, por se nga ana tjetër nesër është dita që kisha frikë dje. Po me Flavian e kam shumë seriozisht dhe se ajo e di shumë mirë këtë gjë. Një orë vetëm do ta takoj pranë Zogut të Zi dhe shpresa është se kaq kohë të mjaftojë për të biseduar diçka, pasi është edhe pak, por edhe shumë nuk ke çfarë e do aq. Për lajme, ka qenë me kaq shumë sa nuk di nga t’ia nisësh. Në Kosovë ra qeveria, pasi mori mocion mosbesimi. Sa duket pazaret mes Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila kishte kryeministrin kukull Isa Mustafa dhe Partisë Demokratike të Kosovës e udhëhequr tanimë nga “kukulla” e Hashim Thaçit, Kadri Veseli janë prishur. Mustafa, pasi ra qeveria tha diçka që duket se tingëllon paksa e vërtetë: “Unë dhe LDK tentuam të bëjmë shtet, por se funksionarët e PDK dhe korrupsioni që ka kapur këtë parti në pushtet bënë që mos të çonim në fund objektivat tona”. Sigurisht që askush nuk e di nëse Mustafa realisht është i pastër, por ka gjasa të ketë vërtetësi këtu. Kadri Veseli, një katunar tipik, SHIK-s, njeri që vetëm për politikan nuk e di si e kanë vendosur aty, që ka mbaruar një shkollë Agri-Kulturë më duket në Kamzë do të bëhet kryeministër, me anë të një puçi shteti disi dhe duke “ia futur” Mustafës, që sa duket ndjeu dhembje. Në fakt, tamam siç pashë një status në rrjetet sociale më duket situata në Kosovë: “SHIK të ngre, SHIK ta fut”. Isa Mustafa më duket si një njeri që e ngritën për ta pasur në fakt si kukull, sa duket nuk e pranoi këtë rol dhe iku. Ndërkohë shpresa ka në kampin opozitar te liderë të tillë si Ramush Haradinaj, që sapo është kthyer nga Franca pasi u lirua nga akuzat e rënda të Serbisë për krime të luftës, shpresa ka për Albin Kurtin dhe veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, shpresa ka edhe për Behgjet Pacollin, që biznesmen është por e nderojnë shumë persona në biznesin e vet. Lajme të tjera ka. Policia arrestoi gazetarin Kastriot Myftaraj për akuzën: “thirrje për prishje të rendit kushtetues” apo diçka e ngjashme, pasi shau me fjalën “kurvë” Romana Vlahutinin, ambasadoren e BE-së në vendin tonë. Policia ishte për arrestim, kurse Prokuroria tha se Myftaraj nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet nga uniformat blu. Por Prokuroria e ka ruajtur emrin e Myftarajt dhe se ndoshta e përgatit një dosje për të. Mirëpo, unë nuk besoj sepse këto gjëra bëhen sipas tarafit partiak, sipas asaj se x parti kap këtë institucion dhe të mbron. Ndërkaq në mbrëmje, Atletiko Madrid dha shpirtin në fushë, shënoi 2 gola për 20 minuta, në përpjekje për të mundur Realin aq thellë sa të kthehte rezultatin 3:0 në ndeshjen e parë, por pësoi gol dhe ndeshja sonte përfundoi 2:1. U kualifikua Reali, e duket se Atletiko ka fatin e të dobëtëve në jetë, të cilët arrijnë të bëjnë diçka, por thyhen në fund, disa keq dhe disa paksa keqas. Jeta vazhdon me ngjarje plot. A se harrova më bëri paksa përshtypje se disi e dija se Meksika ishte shteti  që kishte vrasje dhe dhunë më tepër si vend, e se vinte menjëherë pas Sirisë, që ky shteti i fundit ka qenë në luftë civile dhe kjo gjë është për tu mos u harruar. E rëndë në fakt, një vend ku kartelët e drogës dhe vrasjet për hesape të ulëta janë mëse të zakonshme. Kjo është Meksika dhe shtete të tjera të Amerikës Qendrore, ku lufta, krimi dhe droga janë gjëra që ndodhin rëndomtë, për fat të keq.

/D.Xh/

 

Advertisements