Vdekja përballë vdekjes


dionis_xhafa23Dionis Xhafa – Fiction

Po një ditë e pashë vdekjen time, përballë vetes. E ndoshta edhe vdekje tjetër kish në anën tjetër se këtë nuk e di e dy të shuar po shihnin njëri – tjetrin në sy. Tanimë ndaras. Jashtë mureve të fakultetit magjiplotë dikur, që u shndërrua në makthin e përndjekjes jetësore të një vdekjeje në të gjallë.

Po të shihja dhe tashmë kisha harruar flokët, sytë e tu, ecjen, çdo gjë, por prapë më bëhesh të thosha se unë po e dua këtë qenie, si një njeri edhe pse më kalli të gjallë në tokë, më keq se kushdo, ashtu sikundër unë nuk e kisha imagjinuar kurrë në jetë. Unë vdekje e kockë e për gjallë jam, që eci rrugëve të qytetit me ngjyra dhe i qejfeve të shumta është qytet, e unë një qejf mezi e bëj, se frikë duhet me pas’ prej bukurisë së jetës tanimë. E tronditshme ishte ajo që më ndodhi, gjë që nuk dija, nuk isha i vetëdijshëm se do të mund të ishte kaq shumë e se një ditë do të më kushtonte shumë, vërtetë shumë.

Epo tashmë ajri nuk ishte më ai kur unë dashuroja, nuk kisha pse të merrja kot dhe të shihja më tepër si gabimin më të madh të jetës sime, pasi nuk mundesha më të vazhdoj përpara. Unë vdekje prej teje, prej ndjenjash që nuk i kontrollova dot dhe sa e pamëshirshme që ishe, duke mos më falur as ndjesi, as zemër, as puls, ftohtë fare drejt e në gjykatore. Pse unë jam i keq kështu? Nuk dija që të ketë ligj në këtë rruzull që të fuska në listë vetëm pse do një vajzë, dashuri e zakonshme, ndoshta pak e tepruar e një djaloshi që ka pasion letërsinë. E unë vdekje prapë, por varrin nuk e kam. Po ndoshta vdekje je dhe ti e për këtë gjë më vjen keq. Unë ndjenja kam pasur edhe kam vepruar po njëjtë, me poezi e me shkrime, por askush nuk më dërgoi aq rëndë sa ty. Direkt e në skuadra pushkatimi.

Për çfarë? Për dashurinë, një jetë e marrë, e këputur në mes në normalitetin e vet prej zemrës që donte fort. Ah, vdekje e zezë e s’ka mort më të madh se ai kur je gjallë e nuk jeton. Më mirë një mermer e lart një qiparas se vdekje morale. O Zot më shiko e gjyko atë që njerëzit e gjykonkan ndryshe. Mishëro njerëzinë e dashuro fund e krye, dërgo lot, djersë, dëshirë, mall e mishëro këtë njerëzi që është çmendur e nuk donka që të duheshkan njerëzit. Altari i dasmës shndërrohet në altar të vetëvrasjes, Zot. Po po, e këtu je në një vend që të “rrahin”, të vret përditshmëria, e kush s’të len të ikësh lart në qiell. Po do jetoj me forcën tëndë, forcë qiellore, e larg qofshin të këqijat njerëzore që nuk e duan dashuri kaq të madhe, deri në qiellin e paanë. Amin.

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.