Errësirë në tunelin e përditshmërisë


dionis_xhafa13Dionis Xhafa

Shqipëria është një realitet i vështirë, aq shumë sa shumica e shqiptarëve zgjedhin të largohen nga vendi për të mos vazhduar të vuajnë përditshmërinë e egër të vendit tonë. Po, vendi ynë shpesh ngjan se është një tunel, ku fillon dhe ecën dhe se edhe teksa vijon rrugëtimin tënd, sheh vetëm zi e se edhe në fund ngjan se sheh natën e nuk ka ditë. Në këtë mënyrë, ka vdekur edhe rrënja e fundit e asaj çka mban gjallë shpirtin njerëzor për një të nesërme më të mirë: shpresa. Po në një vend që nuk ka shpresë, ku vdes njeriu duke qenë gjallë, ku rënia është zakonshmëri e ngritja një proces që vështirë se e gjen, jetohet me probleme shumë.

Shqiptarët fatkeqësisht janë një popull që nuk reagojnë për problemet, për hallet, klasën qeverisëse dhe kjo për shkak se secili ka një mal me probleme vetjake, të cilat si gur sizifi rëndojnë mbi to, pa mundur të vëzhgojnë dot më tutje realitetin në tërësi, që maskaradë e bën jetën e thjeshtë të qytetarëve të shtënë nën guaskën e mosdaljes dot të varfërisë, pazgjidhshmërisë e marrisë së jetës të përditshme. Jeta në vendin tonë është që të vijosh të udhëtosh e të qëndrosh njëjtë, në po ata kushte, të punosh sa për mbijetesë dhe borxhe plot mundet të kesh e se këto i zgjidh me familjarë, miq, të njohur e se edhe këta të fundit shpesh nuk ta kanë ngenë. Po e tërë kjo problematikë e tillë sjell pasoja të rënda edhe në çështje të tjera. Ku sjell probleme errësira e përditshme?

Sjell probleme, ngatërresa, zënka, të cilat bëjnë që shumë çifte të përfundojnë në ndarje, duke bërë kjo që harmonia sociale të bjerë, që shkatërrimi moral, njerëzor, social të ketë kulmin e vet. Shqipëria ka qenë një vend ku kishte lindshmëri të madhe, ujët e përditshmërisë ecte, por se tanimë rënia e madhe ka ardhur e më keq është duke u bërë. Realitete sociale janë ndarjet e këqija, janë depresionet, një shoqëri që ngjan se ka njerëz centaurë, të zhbërë fizikisht e të çakërduar mendërisht prej gëlimit të çështjeve që prekin më tepër zemrat e brishta të shtetasve të Shqipërisë. Vendi ynë është duke u plakur shumë, çiftet e reja nuk lindin për shkak se nuk plotësohen dot kushtet e në të tilla batake të padurueshmërisë, njerëzia ikën, duke zgjedhur një largim gati biblik. Shqiptarët e duan dashurinë, jetën, çiltërsinë, por vetë gjërat si ecin në këtë vend i shndërrojnë ata në qenie që të zgjedhin rrugët e  Europës. E, Europa është bërë udha e yllit polar për të dalë nga këneta e madhe ku jemi zhytur që të gjithë.

Edhe atje rrëmujshëm, trazirë pas trazira, marrëzi pas marrëzie, përballje me botë që në gjirin e vet të merr, por të pranon të jesh në fundin e e saj, nëpër biruce të panjohura, ku shqiptarët ndeshen e përplasen si ndër filma të Hollivudit. Errësirë është dhe qiriun e punës mbajmë në dorë, por dhe ky ndriçon shumë pak, duke bërë që shpresat të veniten e gjërat të rrokullisen në një pjerrësi të paimagjinueshme të rrezikshmërisë të çështjeve të mprehta të jetës që shfaqen vrullshëm e nën hije të mjegullnajave që mbijnë përpara syve tanë. Shqiptarët janë larguar dhe se tashmë mund të thuhet se jemi shndërruar në një popull emigrant, në një komb që lëviz nëpër portat e kontinentit të lashtë europian apo kudo tjetër, mbushur me një zemër që mban përbrenda brenga të llahtashme. Po e rëndë është errësira e këtij vendi, e madhe është plaga që shihet përditë e Migjeni shprehet se “çdo ditë shoh qartë e më qartë e vuej tepër e më tepër”. Se realiteti është vërtetë migjenin, të këput mishtë e shpirtit, të jesh banor i një shteti me ajër të prishtë, me ushqime të pakontrolluara, ku aty një qen rri në vend të fëlliqur dhe mbeturina e ndjesi e kotësisë së kohës që ecën marrëzisht e ndjen përditë. Realiteti këtu të ha, të gërryen ngadalë, e nën tortura vdes, nëse mortjen nuk e ke provuar për së gjalli.

Dionis Xhafa

 

Advertisements