Pamje e trishtë


Dionis Xhafa

Verë e vitit 2017 nuk duket se është ndryshe nga stinët e ngjashme të viteve më herët. Po njësoj janë dhimbjet, njësoj janë trishtimet, lotët, djersët dhe pjesa e padëftuar e fytyrës së shqiptarit. Në një tokë ku errësira është e madhe, mundesh me gjet plot raste të trishtimit, edhe ndër kohë të plazhit. Por e dhimbshme është ta tregosh e lërë më andej ta provosh atë çka të shohin sytë në vjetin e shtatëmbëdhjetë të mijëvjeçarit të tretë, ku teknologjia ka hyrë në çdo sferë jetësore, ku tashmë njerëzia nuk jeton në realitet po “fluturon” ndër I-Phone e ndër makina që janë shumë të shtrenjta.

E këtë realitet mundesha ta shoh dhe me sytë e mi. Në hyrjen e rrugës për në qendër të Tiranës, kryeqytet i shtetit tonë, aty ku fokusohen zakonisht kamerat e medieve ndërkombëtare kur transmetojnë ndonjë palë zgjedhje a rast të jashtëzakonshëm që ndodh në Shqipëri, mundeshe me pa atë çka do ta dëftoj. Djem të rinj, adoleshentë që me siguri kanë mbaruar shkollën e ndodhen në pushime të verës, kishin rrëmbyer lecka e çka mundeshin tjetër ndoshta në shtëpi e nën kujdesin e nënës së tyre të dashur dhe se kishin nisur të lanin xhamat e makinave. I lanin ashtu me një shpejtësi shumë të madhe dhe se ndonjëherë shoferi paguante dhe kishte raste as që iu binte ndërmend shoferëve, por vetëm ecnin si të tërbuar që të kapnin semaforin.

E përnjëherë zemra të shuhet, se rini e kombit tënd, dritëzë e saj, në moshën e dëlirësisë, në atë ku duhet të ishte në gëzimin më të madh të mundshëm, rrinte rrugëve duke u pjekur në atë diell përvëlues të korrikut, që përcëllon e djeg keqas, fort sikur të jesh në ndonjë furrë të bukës. Është pamje e trishtë, që në hyrjen rrugore, që mundet ta konsiderosh ndër më kryesoret në vendin tonë, hasje me atë lloj problematike. E më tej, në këtë lloj pamjeje të mjegullt shihje një dëfrim të kobshëm, një vallëzim rinor të asaj moshe nën dritën e diellit, që ngjasonte si ajo e balerinëve  nën një magall me prush të nxehtë. E gëzimi dilte në pah, edhe pse nën terr e trishtim të pafund. Sapo ndonjë shofer dhuronte ndonjë para, djemtë nisnin të blinin bake rrolls, coca – cola e aty dilte në pah qartasi se ishin me zemrën prej ndoshta edhe paksa fëmije, por se kushtet, realiteti dramatik i ftonte për më qenë në një situatë të brishtë, të egërsuar, kaq me dhimbë. E kur pashë djemtë e ri, në fakt mendja më shkoi tjetërkund, në një tregim që kisha lexuar kur kam qenë i vogël dhe që mbante vulën e shkrimtarit për libra për fëmijë, Gaqo Bushaka.

Ky i fundit ka pasur një tregim për një djalë që dilte në semafor dhe se lante xhamat e makinave e se shokët e vet e shihnin për çdo ditë në të njëjtin vend, me atë leckën e vet, e se vogëlushi shkonte ashtu në mes të makinave. Një ditë, ndodhi tragjedia. Djali i vogël në tregimin e Bushakës, duke larë një prej makinave, shtypet dhe ndërron jetë. E miqtë mblidhen dhe kujtojnë atë djalë, që ndërroi jetë ashtu në mes të xhadesë, shtypur keqas, që të shkretën jetë ia mori varfëria. E se ata në tregimin e Bushakës i vunë djalit një buqetë me lule dhe një lapidar ia ngritën, në kujtim të mirësisë së madhe të tij. E kjo më shkoi ndërmend vagullt kur shihja pamjen e trishtë, tek vëzhgoja ngjyrën e zezë të coca colës nën dritën e diellit që shkonte në fytin e njërit prej djemve që lanin xhama të makinave aty në rrugën e Durrësit. E në fakt ndoshta edhe këtyre djemve mund t’iu ndodhë fundi si i djalit në historinë që e kam lexuar. Dhe e sigurt është se mund të jetë rruga më ngushëlluese, pasi në ka gjë që nuk durohet është vdekja në të gjallë.

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.