Emigrantët, të përjashtuarit e mëdhenj


xhafa_dionis14Tashmë që ka ardhur vera nisim dhe kuptojmë më qartë me sytë tanë se një pjesë e kombit tonë mungon dhe se ka ardhur për të pushuar në vendlindje, për shkak se ndjejnë mall për atdhenë.

Pikërisht tani e kuptojmë se Shqipëria dhe kombi shqiptar janë një trung i prerë, që jashtë vetes ka një pjesë të rëndësishme, një pjesë të trupit që shërben si aortë për të funksionuar tërë sistemi imun i popullit tonë. Bëhet fjalë për emigrantët. Këta të fundit, edhe pse janë pjesë shumë me rëndësi, në mos gjysma tjetër e trupit të kombit që ka mbetur këtu në Ballkan, konsiderohen nga qeveria dhe institucionet sikur nuk kanë fort rëndësi. Madje, nuk ka as edhe një numër të saktë sesa emigrantë ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sa është diaspora shqiptare dhe shifra të natyrës së tillë.

Emigrantët vetëm vijnë në Shqipëri dhe se ata paguajnë për çmimet e shtrenjta, duke qenë kështu vetëm persona që kanë paranë dhe e harxhojnë e se shteti i konsideron vetëm si konsumatorë, por se nuk merr përgjegjësitë që i takon në lidhje me këtë grupim mjaft të madh në numër të personave që ndodhen jashtë territorit shqiptar. Duke vepruar në këtë mënyrë, emigrantët vetëm largohen, ata nuk ndihen më pjesë e shtetit shqiptar dhe se vetiu iu lind dëshira për t’u larguar edhe nga shteti nga janë me origjinë. E, çështja e emigrantëve është shumë delikate në një vend kaq të vogël sa Shqipëria, por nga ana tjetër me një masë të popullatës që ka emigruar kaq të lartë sa tejkalon normat normale me shtetet e tjera fqinje. E rëndë është që një shtetas i Republikës vetëm se largohet nga vendi ta ndjej veten jo pjesë e shtetit ku ka lindur, të ndihet i tradhtuar prej institucioneve vendore dhe se të endet nëpër rrugët e Europës, ku as nuk numërohet se është me rrënjët e veta pjesë e një kombi. Kështu, Shqipëria vetëm e përjashton shtresën e emigrantëve, duke bërë që edhe këta të fundit të mund ta urrejnë disi vendin e tyre, në vend se të ndjejnë dashuri nga shteti nga vijnë, të kenë fuqinë, forcën dhe zemërgjerësinë e Tiranës zyrtare. E kështu mbetemi një shtet që endemi sikurse një anije e shkatërruar dhe e braktisur në mes të detit, teksa udhëtarët që kishim me vete, ikin nga kjo anije për shkak se panë se ajo po fuste ujë.

I largojmë me shkelma, me forcë, i bëjmë të huaj, duke mos pyetur për fate njerëzore të shqiptarëve që enden ashtu me ose pa punë nëpër rrugët e Athinës a Romës, Berlinit a të Londrës e deri në qytetet e kryeqytetet e kontinenteve përtej oqeaneve. E kështu, një pjesë e trupit të kombit endet udhëve, ku nuk ka të siguruar as punë, as shtëpi, as ndonjë pronë, por ashtu në një jetë që nuk ka të sigurt as të tashmen dhe as të ardhmen. Emigrantët nuk janë as të regjistruar, gjë e cila nënkupton se ata nuk dihet sesa janë gjithsej në mënyrë të saktë, por se ka shifra me hamendje sesa mundet të jenë në Greqi, Itali a në shtete të afërta apo të largëta me Shqipërinë. Emigrantët shqiptarë, çka është më e rëndë nuk kanë të drejtën e votës, duke mos u ndjerë kësisoj shtetas i asnjë republike në botë, të huaj krejt në tokën e vet. Vetëm diaspora shqiptare, e Shqipërisë nuk voton. Sistemin e votës për emigrantët e kanë të aplikueshëm edhe shtete si Maqedonia, ku numri i emigrantëve sidoqoftë vështirë se kalon atë në Republikën tonë. E një shtet që nuk e mban shtetarin e vet afër, edhe kur ai ndodhet larg, nuk ka shpirt, nuk ka zemër institucionale, por vetëm ftohtësi e largësi, të cilat më pak i duhen shqiptarit të shtrydhur nga problemet e përditshme jetësore.

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.