Mbi dramën e Srebrenicës


dionis_xhafa24Dionis Xhafa

Ndërsa këta ditë jemi duke përjetuar një të nxehtë ekstrem, kujtojmë se ndër vite të shkuara, pikërisht në kohën që njerëzia kridhej nëpër plazhet e botës, në një qytet të Bosnjës me emrin Srebrenica po ndodhte një nga masakrat më gjakatare të Ballkanit dhe për më tepër në një kohë të modernitetit, ku gjaku e lufta presupozohej se ishin lënë mbrapa. Në qytezën në fjalë, por se edhe në kryeqytetin boshnjak Sarajevë ndodhin një sërë ngjarjesh të rënda që në atë kohë tronditën opinionin publik europian dhe atë botëror.

Srebrenica është një rast ku ndërkombëtarët kanë dështuar në mënyrë të pastër dhe se ushtria serbe ishte ajo e cila arriti që të imponojë dhunën, derisa ta degradronte atë në një shkallë të tillë sa Srebrenica nga të shumtë konsiderohet si gjenocid. Janë të tmerrshme e kanë qenë të tilla pamjet, ku ushtarët serbë vrisnin pas shpine nëpër fusha të Bosnjës myslimanët, vetëm për besimin e tyre fetar, që ishte ndryshe nga ai i serbëve. Ndërkombëtarët, më saktë ekipi holandez që ishte në terren jo vetëm që dështuan, por se serbët ishin të fituarit më të mëdhenj, pasi me marrëveshjen e Dejtonit arritën që të marrin edhe një republikë brenda për brenda Bosnjës dhe që sot është Republika Srpska. Këtë gjë e ka arritur vetë njeriu që krijoi të gjitha trazirat dhe traumat në Ballkanin e dalë nga sisteme moniste, Slobodan Millosheviç dhe ndihmësit e tij, kasapët me rroba ushtrie.  Dhe se doli në fund se agresorët morën pak nga torta e pushtetit dhe e territorit, që e donin me dhunë e gjak. E Srebrenica është drama e madhe e viktimave të djeshme dhe të sotme. Ajo mbtet plaga e madhe jo vetëm për Bosnjën, as për Ballkanin por si një fenomen nga i cili ne duhet që të mësojmë. Në fakt, historia ka treguar gjithmonë se të fortët ngelen, ata që ushtrojnë dhunën dhe gjenocidin dhe se edhe në Srebrenicë, në Bosnjë duket se ndodhi pikërisht kjo gjë.

Pavarësisht se pushka dhe mitralozi u drejtua për te boshnjakët, Serbia dhe serbët dolën të fituar dhe se edhe diplomacia turpërisht u reshtua në idenë gjakatare të serbëve të kohës. E drejtësia akoma nuk është vendosur për Srebrenicën dhe për masakrat e kryera anembanë shtetit boshnjak gjatë luftrave të fundit. Madje raportimet e BIRN flisnin për zyrtarë serbë që kanë marrë pjesë në masakra, dënuar ose jo për krime kundër njerëzimit dhe që vegjitojnë akoma ndër zyra të shtetit serb. Prokurorët e Serbisë duke qenë të mbërthyer nga nacionalizmi shumë i ethshëm rrallë bëjnë që të dënohen kriminelë të luftës dhe se më e vështirë akoma është që të dërgohen përpara drejtësisë ata që konsiderohen se janë peshq të mëdhenj në Serbi. E viktimat për fat të keq mbeten viktima.

Gazetari Bashkim Hoxha ka përshkruar mjaft mirë Srebrenicën, kur ai ndodhej atje në një përvjetor, në kohën që në qytet shkoi për vizitë ish-kryeministri serb Aleksandar Vuçiç. Hoxha, gazetari shqiptar shkruan në reportazhin e tij se Srebrenica kishte ngelur një qytet që dukesh si fantazmë dhe se tanimë çdo gjë ngjan si e marrë fund, si një murtajë mbi tokë. Dhe të shumtë kanë qenë gazetarët që e kanë përshkruar qytetin e shkatërruar boshnjak, duke thënë se ai ngjan si varrezë e madhe, heshtje që flet në gjuhë të pllakave të vdekjes. Viktimat ishin dhe janë kështu. Plagët e tyre pikojnë ende gjakun e madh, vetëm se tanimë të mpiksur nga koha e kaluar. Drama mbetet midis nesh, në çdo shoqëri, trishtueshëm, e se kujtimet janë ata që vrasin pa fund, zemrat e pafajshme.

 

Advertisements

Mali dhe rënia nga shkëmbi


dionis5Dionis Xhafa

Atë ditë A. kishte shkuar me klasën në ekskursion. Kishin shkuar në një majë të lartë, të malit më të lartë të vendit. Po ishte një mal i veçantë ky, se në lëndinën e vet, në pranverë, në kulmin e marsit, kur në fushë kishte lule, aty kishte dëborë. Ishte një lëndinë e madhe aty e mbuluar e tëra nga dëbora dhe se po të rrëshkisje zbrisje tëposhtë në qytetin që ne e mbanim si më të madhin, më krenarin e të gjithëve, që ndodhet tej kufirit e që dikush thotë se padrejtësisht ka ngelur andej e dikush se vërtetë e ka merituar.

Janë çjerrur për këtë muhabet dhe nuk ia vlen të merresh fort se është debat i shterpë. Po është qytet me shtëpi 2 katëshe dhe se ballkanik tipik por me një urë lidhet me SHBA-të. A. ishte me ne. Ai më krenari, më trimi nga të gjithë, më moskokëçarësi, që kur e pa qytetin poshtë e që nuk e kishte vërejtur kurrë në jetën e vet, tha do zbres poshtë lëndinës duke rrëshkitur si me patina e se atje do shkoj. “Unë nuk kam frikë nga rojet. Madje do të zbres poshtë me argëtim. Është bukur të ecësh në këtë rrëpirë dhe më tej të përfundosh nëpër rrugët e qytetit D në shtetin M”, ishin fjalët e A. Në fakt, disa prej nesh e panë me rrezik rrëshkitjen se dukesh se ishte mashtrim bora, për shkak se nën të ishte gur, mal e kodrina plot. Por A. nuk e besonte, madje lodronte se në moshë ishte i vogël dhe naiv fort në kokën e vet të fortë.

E pashë njëherë turmën e bashkëmoshatarëve të mi, me të cilët ndanim barcaleta rrugës, më tej një sy e hodha nga minareja e qytezës e më dukej trishtë, më ngjante se mundet që mos të ktheheshim andej nga kishim ardhur gjallë. Kishim hipur në malin K. e se kishim kaluar ujëvara e tatëpjeta që na kishin bërë copë e çikë, na kishin shkatërruar. E ndërsa mendoja këtë, A. me gëzim të madh ishte bërë gati. Rrëshkiti. Ai mendonte dhe ne mendonim se do të ishte një rrëshkitje mbi dëborë, se atë gjë nuk e gjente. Duke qeshur u lëshua shumë, por se humbi nën borë. Ne shihnim njëri – tjetrin të tmerruar me sy si prej çakejsh. Historia më herët se këtu të vrisnin dy roje maqedonas me pushkë duke bërë lojë se kë do vrisnin më herët nuk ishte asgjë përballë çka shihnim.

A. humbi krejt. Helikopterët erdhën. E nxorrën trupin pas ca kohësh e kishte qenë thellë, në humnerë kishte përfunduar pasi në shkëmb ishte përplasur. Pamja e rrejshme që u shfaq me bardhësinë e borës na kishte mashtruar. O ç’tragjedi. Të gjithë ujë në djersë. Na thanë të ndezim zjarr se kështu ngrohet trupi. Nuk e kisha dëgjuar të tillë rit, por se ashtu kur përfshihesh nga turma je irracional. Telefonat në qytezë nuk pushonin. Lajmi kishte marrë dhenë. U zbulua dhe fshati nga ishte, shumë pranë malit K. Ne të luajtur mendsh u kthyem, me djersë të ftohta akull. Nesër varrimi. Dhe e pashë fotografinë e A. Ai ishte gjithmonë i qeshur. Tashmë as trupin nuk ia shihje dot se ishte lemeri. Buzëqeshte akoma, vetëm në fotografi.

Drama e harresës dhe përmbytjet në Japoni


 

Dionis Xhafa

E ku ka më dramë se drama e harresës. Është tragjedia jetësore pa gjak më e madhe që mund të ekzistojë. Po që njeriu të harrojë e ka shumë të vështirë. Atij i shfaqen imazhe, zëra dhe se kocka nis e ka një peshë të papërballueshme, sikur ka një beton mbi shpinë e se mundet edhe të thyhet. E të duket fill se krejt tulla e llaç e kësaj toke shemben përmbi ty, për shkak se rëndesa e asaj humbjeje që e pësove është stërmunduese.

E hapa që lëvizin rëndë, nëpër korridore të panjohura, e ata duan të vijnë në ty, zemra dëshiron me qenë pikërisaht me ty, por truri thotë se duhet ndaluar. Janë hapa të kundërt me zemrën, janë drama jetësore e pallogartishme e një kohe pa kohë. E ti në mendjen time vjen si mjegullnajë, si re që dukesh dhe se bëhesh hera-herës si shtëllungë cigareje. E se kur e kisha mendjen për të të harruar, në lajme jepet se në Japoni ka ndodhur përmbytje e madhe. Po po kanë vdekur gati 30 veta, forcat e policisë, të xhandarmërisë, zjarrfikës e çka dreqin janë, bëhen bashkë për të shpëtuar jetë njerëzish. E drama bëhet akoma më e madhe. Botë e tërë është zhytur në mesele e prapë vdekja e atyre japonezëve më duket si lehtësim përballë jetës plot me shqetësime. E nga ana tjetër fëmijët luajnë futboll dhe sporte të tjera. A sa të pafajshëm që janë. Ata vetëm nuk e dinë se ka dhimbje të mëdha kjo botë, se ka tragjedi shekspiriane në kohë të modernes. Ata nuk e dinë se njëri vdes si qen e tjetri si micë, kurse një tjetër e hedh veten në erë. Fëmijët nuk e marrin dot me mend se njeriu varet në litar si me qenë kafshë e kaluar kafshës në veprimin që e kryen.

A fëmijët nuk dinë brenga të të rriturve dhe as se ç’do të thotë para e zezë, që shumë gjëra i bën të tilla në këtë jetë lëmsh e turli. E prej harresës dhimbje të shtohet,  kur dëgjon zërë fëmijësh. E dhimbje e kësaj harrese është prej Tiranës deri në Tokio.

 

 

Pamje e trishtë


Dionis Xhafa

Verë e vitit 2017 nuk duket se është ndryshe nga stinët e ngjashme të viteve më herët. Po njësoj janë dhimbjet, njësoj janë trishtimet, lotët, djersët dhe pjesa e padëftuar e fytyrës së shqiptarit. Në një tokë ku errësira është e madhe, mundesh me gjet plot raste të trishtimit, edhe ndër kohë të plazhit. Por e dhimbshme është ta tregosh e lërë më andej ta provosh atë çka të shohin sytë në vjetin e shtatëmbëdhjetë të mijëvjeçarit të tretë, ku teknologjia ka hyrë në çdo sferë jetësore, ku tashmë njerëzia nuk jeton në realitet po “fluturon” ndër I-Phone e ndër makina që janë shumë të shtrenjta.

E këtë realitet mundesha ta shoh dhe me sytë e mi. Në hyrjen e rrugës për në qendër të Tiranës, kryeqytet i shtetit tonë, aty ku fokusohen zakonisht kamerat e medieve ndërkombëtare kur transmetojnë ndonjë palë zgjedhje a rast të jashtëzakonshëm që ndodh në Shqipëri, mundeshe me pa atë çka do ta dëftoj. Djem të rinj, adoleshentë që me siguri kanë mbaruar shkollën e ndodhen në pushime të verës, kishin rrëmbyer lecka e çka mundeshin tjetër ndoshta në shtëpi e nën kujdesin e nënës së tyre të dashur dhe se kishin nisur të lanin xhamat e makinave. I lanin ashtu me një shpejtësi shumë të madhe dhe se ndonjëherë shoferi paguante dhe kishte raste as që iu binte ndërmend shoferëve, por vetëm ecnin si të tërbuar që të kapnin semaforin.

E përnjëherë zemra të shuhet, se rini e kombit tënd, dritëzë e saj, në moshën e dëlirësisë, në atë ku duhet të ishte në gëzimin më të madh të mundshëm, rrinte rrugëve duke u pjekur në atë diell përvëlues të korrikut, që përcëllon e djeg keqas, fort sikur të jesh në ndonjë furrë të bukës. Është pamje e trishtë, që në hyrjen rrugore, që mundet ta konsiderosh ndër më kryesoret në vendin tonë, hasje me atë lloj problematike. E më tej, në këtë lloj pamjeje të mjegullt shihje një dëfrim të kobshëm, një vallëzim rinor të asaj moshe nën dritën e diellit, që ngjasonte si ajo e balerinëve  nën një magall me prush të nxehtë. E gëzimi dilte në pah, edhe pse nën terr e trishtim të pafund. Sapo ndonjë shofer dhuronte ndonjë para, djemtë nisnin të blinin bake rrolls, coca – cola e aty dilte në pah qartasi se ishin me zemrën prej ndoshta edhe paksa fëmije, por se kushtet, realiteti dramatik i ftonte për më qenë në një situatë të brishtë, të egërsuar, kaq me dhimbë. E kur pashë djemtë e ri, në fakt mendja më shkoi tjetërkund, në një tregim që kisha lexuar kur kam qenë i vogël dhe që mbante vulën e shkrimtarit për libra për fëmijë, Gaqo Bushaka.

Ky i fundit ka pasur një tregim për një djalë që dilte në semafor dhe se lante xhamat e makinave e se shokët e vet e shihnin për çdo ditë në të njëjtin vend, me atë leckën e vet, e se vogëlushi shkonte ashtu në mes të makinave. Një ditë, ndodhi tragjedia. Djali i vogël në tregimin e Bushakës, duke larë një prej makinave, shtypet dhe ndërron jetë. E miqtë mblidhen dhe kujtojnë atë djalë, që ndërroi jetë ashtu në mes të xhadesë, shtypur keqas, që të shkretën jetë ia mori varfëria. E se ata në tregimin e Bushakës i vunë djalit një buqetë me lule dhe një lapidar ia ngritën, në kujtim të mirësisë së madhe të tij. E kjo më shkoi ndërmend vagullt kur shihja pamjen e trishtë, tek vëzhgoja ngjyrën e zezë të coca colës nën dritën e diellit që shkonte në fytin e njërit prej djemve që lanin xhama të makinave aty në rrugën e Durrësit. E në fakt ndoshta edhe këtyre djemve mund t’iu ndodhë fundi si i djalit në historinë që e kam lexuar. Dhe e sigurt është se mund të jetë rruga më ngushëlluese, pasi në ka gjë që nuk durohet është vdekja në të gjallë.