Një vend të një ditëlindjeje


 

dionis_xhafa4Dionis Xhafa

Unë në fakt, qysh në krye dua ta them se nuk mund të ankohem te të tjerët se ata nuk më kanë plotësuar aq sa kam mundur për ditëlindjen time. Po e kanë bërë dhe nuk ua lë fajin të tjerëve, aspak, aq më pak familjarëve të mi. Jo jo, ia lë një ambienti mbytës, që të vret çdo ditë e më shumë, sikundër edhe në mëngjesin e këtij 1 gushti. Sa herë mundohesha të kem gaz, hare, diçka tjetër, ajër ndryshe të thith, por prapë do të përballesh me atë benzonatë, me atë trishtim të përditshëm, me ata ngjyra të flamosura që rrejnë krejt bajat nëpër rrugët e gjëra të kryeqytetit. Ja u çova si merimangë dhe u vesha krejt me dhe pa shije, se ditëlindje. Dhe vetes qejfin ia plotësova. Që në pikë të mëngjesit shkova dhe u ula në lokalin Z1, ku ulen zakonisht personat që ikin dhe vijnë nga Greqia dhe se ishte vendi im i preferuar gjithmonë kur isha në shkollë të mesme dhe ndaj kam ndjerë ndoshta çuditërisht një dashuri për grekët, jo fort për njerëzit atje, sesa për kulturën Helene, për mitet e saj që udhëtojnë ndër shekuj dhe prapë nuk e kanë humbur sensin e vet, me anë të së cilit shpjegojnë një univers të tërë që funksionon në mënyrë kaq bajate, të tmerrshme, kaq pa takt e në mënyrë të jo të drejtpërdrejt. Por përpara se të ulesha në lokal një vajzë, shoqja e ngushtë e një vajze që kisha pretenduar, më doli përpara syve dhe eci me tangërllëk që ecin vajzat nga Vlora e se vazhdonte të bënte hapa përpara në atë bulevard të madh të bërë në Tiranë sikur të ishte Shkup. E më tej me vrap për të mbushur numrin se shqiptarët nuk vijnë fiks në orar dhe e urrej për vdekje faktin që më vonohen, duket sikur më tallin kur iu them se në orën 10.00 duhet me qenë në qendër dhe se acarrohesh kur duhet që ti t’i marrësh sërish se ndryshe nuk kujtohen. E prandaj e mbusha numrin që t’i merrja në telefon. Bashkë me ata, kolegët, bashkëvuajtës të realitetit migjenian u nisëm në lagjen e madhe, që mbahet si më e mira, e do iknim në kujtim të së keqes, të vdekjes. Edhe ajo lagje, që mbahet si më e mira e Tiranës, tashmë është shkatërruar dhe kam dëgjuar strehon kriminelë me shumicë. E ndër ata rrugë me cupa të bukura, ne kishim për të kujtuar një person që kishte ikur nga jeta në moshën 60 vjeç nga një sëmundje e rëndë. E ishte lagje luksi, por e rëndë dhe disi të duket e çuditshme shumë se edhe ata pallate, edhe jeta me të gjitha të mirat, vjen një moment dhe shuhet për të qenë në fund një varr, për të gjithë ne, vdekatarë të një toke, ku dhe kur jetojmë ne përballemi me vështirësi dhe padrejtësi. E më tej gëzim e shend, përzier keqas me vdekjen që të duket një erë e rëndë dhe e tmerrrshme, ku mjalti dhe kafkat bëhen bashkë, në funeralin e sheqerosur me mënxyra jetësore, në atë ku mësuesja nuk është mësuese, ku drejtësia nuk është drejtësi, ku njohja, interesi, çasti janë fotografia e madhe e një njerëzimi që po shkon drejt degradimit. E ditëlindja e bukur ishte, me kafka dhe me truall varri, me nostalgji që zjen ndër shpirt të njeriut si kazan rakie që pëlcet në oborr të thatë. E në vend të një torte, në vend të një ditëlindjeje, ka lindje, ka vdekje, mortje e vijimësi, ku humbet dielli, zhduket hëna dhe ngelet truall toke.

 

Advertisements
This entry was posted in Shkrime.