Rimi


Dionis Xhafa

Po Rimi ishte në klasën time, në tonën më mirë me thënë. Në atë klasë ku mundeshe me vërejt varfërinë si rridhte si ujë Drini, që ne e kishim afër. E madje Drini quhej edhe i Zi, e se me të vërtetë mundet se meritonte atë emërtim, se zi ishte fati i shumë banorëve në ato zona. Po ndjeja trishtim në shpirt kur shihja se ndonjë vajze merrte me vete bukën me vezë për të mbajtur gjallë veten dhe se një baba i një vajze tjetër nuk kishte as 100 lekë të reja për të bërë dhuratë për mësuesen për 7 marsin. Po dhe Rimi hynte te djemtë që mendoj shihte të ardhmen, ashtu në një moshë të njomë. Ai ishte me trup më i madh se ne dhe se sikur ishte thërritur që të “mobilizohej” për të qenë krahë pune, e se dëftesat e shkollës më tepër i shihte si peng për me qenë akoma në shkollë sesa ishin për të qenë në të ardhmen diçka e vlefshme. Po ndoshta e donte edhe shkollën, por se shihte se kushtet rreth e rrotull nuk ishin dhe se edhe përparimet nuk i kishte të mira. Donte apo nuk donte fati i tij ishte rrënjosur. Një pasdite, kur unë e mbaroja shkollën, pashë që pasi mblidhte qershitë në verë dilte në aksin nacional dhe i shiste në anë të rrugës. E siluetë e Rimit binte në rrugë të madhe, në xhade në kohën e muzgut, kur dielli perëndonte në ngjyrë të verdhë në të kuqe e kur shpresat ishin të venitura se mundet të kishte një klient të radhës, që në mbrëmje vere kushedi i kishte rënë në kokë të blinte qershi. E Rimi mbrëmjeve nisej sërish në fshat, me aq të holla sa kishte fituar, i vetëdijshëm për fatin e vet të hidhur që ishte caktuar edhe prej familjes ku bënte pjesë e se nesër merrte ata nota që merrte sepse fundja nuk kishte edhe kohë të mësonte. E sot do jetë rritur e nuk di ku mund të ketë përfunduar, se ai Rim me siguri vetëm punë do, me pak rëndësi sesi ishte puna, se e përballonte çdo lloj gjëje të rëndomtë. Se ai ishte Rimi, më i madhi ndër ne, më gjigandi, e si lisat më të gjatë që digjen më lehtë prej rrufesë, edhe ai ashtu ishte caktuar që të merrej “përpara” nga valë e madhe e jetës së egër. Rimi nuk e di se ku mundet të jetë, ndoshta as ai nuk e di se ku jam e askush prej nesh nuk ka kohë të merret me tjetrin, kaq e vrullshme dhe e tmerrshme, e pashpirtë sa është bërë jeta në modernitet. Po i sigurt jam se kudo të jetë, Rimi si punëtor, si zemërmadh është kudo e kurdo për të shërbyer, për të qenë bir i denjë i një republike të shkallmuar.

xhafa_dionis13.jpg

Advertisements