Bulqiza është drama e përbashkët


Dionis Xhafa

Nëse njeriu sheh me ngjyra, ai bëhet qen në Bulqizë. Ndodh kështu, për shkak se vetëm qeni sheh bardhë e zi dhe se në qytetin e Bulqizës shihet vetëm bardhë dhe zi. Kështu, në trajtë të kundërshtive është ngritur ky qytet, me pasurinë nga brenda dhe varfërinë lart dhe nga jashtë, me qytet të ri dhe të vjetër, e me ngjyrat larg saj, kurse bardhë e zi është aty. Një ditë në këtë qytet është dramë e madhe, zia e bukës e vendeve afrikane të zbritur në vendin tonë. Fëmijët që në vend që të shohin shkollën si objektin e së ardhmes, shikojnë kromin, pasurimin, pasi brezat ikin dhe kocka treten në dhe. Fëmijët e Shqipërisë, baballarët e ardhshëm që do të përfundojnë minatorë në minierë të Bulqizës ose do të ikin jashtë vendit në Itali dhe në shtete të tjera, e nëse nuk merren me banda të krimit të organizuar, ose me drogë, do të përfundojnë duke e parë botën bardhë e zi, ashtu sikundër është edhe Bulqiza. Një qytet pa ngjyra, krejtësisht i zhveshur prej tyre, por me pallate të vjetra, me fëmijët që lodrojnë në kromin e bukës dhe bukën e kromit e një zezonjë, një re e madhe mbulon vendin, si vend krimi. Aty ku pallatet janë si të ngrënë dhe një rrugë e gjatë, si një autostradë e vogël lidh qytetin e ri me të vjetrin, kromin me modernitetin. Ndërsa rruga nacionale që të çon nga Tiranë në Bulqizë duket sikur është si ata rrugët që të çojnë nga Nju Delhi për në provinca të largëta të Indisë, ku fëmijët vuajnë bukën dhe kromin, kromin dhe bukën e vdekja është një hap larg. Bardhë e zi, si në ëndrrat më të errëta njerëzore, me ëndrra të largëta, me dëshira të zjarrta që nuk janë dëshira, me ëndjen e paëndje, me dëshira që nuk janë dëshira, me lirinë që nuk ka liri, me pavarësinë e papavarësuar, një mall dhe një lot, një Tiranë dhe një emigrim, e një qytet, një qytezë, një fshat dhe një rrugë e gjatë deri në vende të largëta, udhëtimi i zi në shtetin e zezë. Një dramë e përbashkët, një qytet me përbindësha që ne i quajmë pallate, e ka trishtim, ka mjerim, ka largësi dhe pafundësi, larg deti, afër mizerja, pranë trishtimi dhe larg e bukura. Bulqiza, është drama e përbashkët, është mizerja jonë, që diku dhe atje, këtu dhe andej, larg dhe afër, me apo pa dëshirë, korruptuam dhe korruptojmë, gënjejmë dhe mashtrojmë, servilosemi dhe bëhemi derra të parasë së gjelbër për të shtypur të tjerët, e shtypet njeriu në shtypje të madhe, harresa është armë e së përditshmes, ndoshta ëndërrimi, një ëndërr që zhduket në mëngjes. Batat e pista janë te dera, aty herët në mëngjes, kur del dielli në malin e madh, edhe era si puhizë, duart e ftohta dhe të trishta, malli i madh dhe loti i zi, një Bulqizë sa një dramë e një Athine të madhe, në Greqinë e tragjedisë. E këtu, Homerët, këndojnë këngët e kukuvajkave, në mjerimin e agimit, të një dielli që shkëlqen për pasurinë e zezë dhe ndrin i zi për fëmijët e bardhë dhe të dëlirë, në qytetin që mundesh ta shohësh me sytë bardhë e zi, me ngjyrat e një qeni në agoni.

 

 

 

 

This entry was posted in Shkrime.