Imazhe fëmijërie


Dionis Xhafa

 

Një gulag përshpëritës, tri pallate në shtet-rrethim,

kthyer pas 20 vitesh, në rrugicën e vjetër, më të vogël tashmë,

e njëjta grua, më e vjetër, ikte të blinte ushqim në dyqanin përballë,

banonte në të njëjtën hyrje, ndërsa herë pas here dilte në dritare dhe pinte duhan.

 

Gruaja ikte në dyqan pas shumë kohësh, njësoj siç kishte bërë dikur,

e aty gjë nuk kishte ndryshuar, edhe pse në Ballkan kishin plasur luftëra,

në Ruanda ishte ushtruar gjenocid, e regjimet e Lindjes së Mesme kishin rënë si domino,

prapë në atë vend e njëjta jetësi, burri për karshi me tabelën e shahut në kohën e lirë, në lulishten e njohur.

 

Oborri njëjtë, “grirë” prej betonit dhe dy porta me gurë, portat famoze,

dielli  si poç digjte fëmijët, sharrën e vjetër vetëm e kishin bërë lokal,

po e çuditshme shumë se jeta vijonte, dramat sociale ndodhin, luftërat e trazira plot,

kurse oborri i pallateve po njësoj, Gulagu i vogël,  e gruaja ikte në dyqan, si njëzet vite më parë.

 

 

Advertisements