Fëmijët e Bulqizës, një tragjedi migjeniane


dionis_xhafa.jpg

Dionis Xhafa

Bulqiza është ndër qytetet më të pasura në krom në Europë, duke kapur majat e pasurisë në materialin e çmuar që mbart. Në këtë qytet, ndër ata vende më bujare se askush, më të freskëta se askund, më të besës se asgjësendi, nëntoka punon ditë e natë. Drejtorët e kupola mafioze ka kapur për fyti nëntokën e pasur dhe vetëm shfrytëzon pleq, gra, fëmijë, të mitur, njerëz me mundësi dhe pa mundësi, duke e shndërruar qytezën e vogël malore në një Gulag modern, një kamp internimi ku luhet me jetën e përditshme.

Në krom punon një qytet i tërë. Ky material është sinonim i bukës së përditshme të bulqizakëve dhe banorëve përreth. Për të flitet si kalliri i misrit te legjendat me malësorë të Migjenit. Erë e kromit nuhatet në shkolla, ku normalisht vend s’duhet të kishte, në udhë, në shtëpi e banesa, ku në vend se të përshëndetet a të flitet për punët e përditshme, dëftohet e thuhet: “Kromi ç’thotë?”. Kjo sepse kromi është përditshmëria që mban në këmbë qytetin. Vendasit e mbledhin kromin, e dërgojnë atë në Durrës dhe më tej në Kinë a më larg, në kontinente të tëra, ndërsa paratë e kriminelëve politikë të veshur me kostum partish politike vetëm shtohen.

Samir Mane me shokë, të lidhur me partitë politike shqiptare e kanë mbërthyer jetën e njeriut në Bulqizë e bandat hedhin valle si ujku që sheh tufën e deleve, i gatshëm për ta ngrënë. Kompanitë e Manes e bandat e kromit bëjnë që në Bulqizë të ketë kufoma, mortje të gjalla e tragjedi të shumta dhe lëshohet nën britma një vend i tërë, zotërohet me paranë e pistë e të ndyrë ai territor që përfshin Vajkalin, fushat ku ka luftuar heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ata malësorë që ia kanë dalë në luftë me armiqtë më të egër të popullit, sot përkulen përpara fashistëve ekonomikë e politikë të sojit të vet, fshehur nën maska të drejtorëve e politikanëve e vallen e hedhin që nga Tirana.

E, për tu kthyer të fëmijët, fëmijëria e humbur e një brezi që kërkon bukë, të hajë për të siguruar të nesërmen, të mbijetojë në xhunglën e madhe e të ngatërruar që kanë krijuar partitë mafioze. Pikërisht për fëmijët në Bulqizë kishte përgatitur reportazh edhe kanali “Le Iene” e Italisë. Aty dëshmohej sesi fëmijët në moshë të mitur mbledhin krom, braktisin dijen e hallet i kanë zënë më herët nga se duhet. E, Bulqiza e prek mjerimin përditë sa kohë që bandat vrasin njëri – tjetrin, luftojnë për territore kromi dhe prekin parajsën në kohën e varfërisë së madhe e pllakosjes së tmerrit e lemerisë. Bandat e kromit, kallashnikovi e pistoleta duhen shkatërruar që fëmijëria, rinia e jeta e dinjiteti njerëzor të shpërthejë në një mijë ngjyra. Kështu, edhe 1 Qershorët e fëmijëve do të ishin të çiltërta e me bojë e gëzime dhe jo hipokrizi politikanësh të veshur me petk krimimelësh. /Dionis Xhafa – Pamfleti/ 

 

Advertisements