“U tradhtuam nga shteti”, flet i infiltruari i mafies në Itali


Gianfranco Franciosi, një ish-spiun për shtetin italian ose Giannino ka qenë një i infiltruar për mafien në Itali, i cili as që binte në sy të bandave për shkak të aftësisë së tij të jashtëzakonshme për t’u sjellë sikur të ishte realisht një trafikant droge.

Për katër vjet, Gianfranco Franciosi, ose Giannino si të gjithë e quajnë atë, u besua nga të gjithë, nga mafiozët italianë te baronët e drogës kolumbiane dhe spanjolle. Ai ishte në gjendje të transformonte një gomë të vjetër në një Ferrari, anije kontrabandë perfekte për të mbajtur ton kokainë. Ai gjithashtu do të mundte të prodhonte edhe vetë pajisje përgjimi, aq profesional ishte bërë në “punën” e tij.

Më datë 26 shkurt 2019, inteligjenca që e kishte porositur këtë të infiltruar, arriti të çmontojë një kartel droge, ku u kapën 9 tonë kokainë. Atë ditë puna e Giannino si një informator policie kishte mbaruar. Njohur si Donnie Brasco i Italisë sipas emrit të një agjenti amerikan të FBI-së që godiste mafien në Nju Jork në vitet 1970 – 1980, Giannino tani jeton aspak i qetë në veriun e Italisë. Pasi u përdor për të shkatërruar trafikantë droge me rëndësi, ai tani përballet me borxhet dhe kërcënimet me vdekje. I infiltruari akuzon tani autoritetet italiane se e kanë braktisur atë. “Unë tradhtova trafikantët, por duket se tashmë jam vetë i tradhtuar nga shteti italian”, tha ai, shkruan “Guardian”.

Giannino është një nga shumë ish-informatorët e policisë dhe dëshmitarët e shtetit të përdorur në operacionet e antimafiave, të cilët pastaj u bënë viktima të një sistemi të thyer që nuk është në gjendje të ofrojë siguri dhe mbështetje, kryesisht për shkak të kufizimeve buxhetore. Shumë persona që janë infiltruar dhe kanë dashur të shkatërrojnë mafien, pak mbështetje kanë gjetur nga shteti i Italisë dhe ndihen thuajse të braktisur. Të tjerët janë larguar nga vendi dhe disa prej tyre, me peshë të borxhit kanë pësuar depresion, ndërsa ka pasur edhe nga ata që kanë kryer vetëvrasje. Rocco Greco, një biznesmen nga Gela në Sicili, u vetëvra këtë muaj pasi kompania e tij u vendos rastësisht nga ministri i Brendshëm në një listë të bizneseve të dyshuar për lidhje me mafien, duke ndaluar firmën e tij nga oferta për kontrata publike.

 

Giannino shprehet se ka tentuar vetëvrasjen tri herë. “Tri herë e kam parashikuar vetëvrasjen. Kjo ndodh kur nuk ke mbështetjen nga shteti dhe ndihesh sikur je një mbeturinë”, deklaroi ai. Informacioni i mbledhur nga informatorët e policisë dhe dëshmitarët shtetërorë është një nga instrumentet më efektive kundër klaneve mafioze, por çmimi që ata paguajnë mund të jetë i lartë. Lista e të vrarëve është e gjatë dhe vazhdon të rritet. Më i fundit ishte në Ditën e Krishtlindjeve vitin e kaluar, kur vëllai i një anëtari mafioz u kthye në informator, u qëllua nga dy burra të maskuar në atë që policia besonte se ishte një sulm i urdhëruar nga ‘Ndrangheta’, një nga grupet më të fuqishme mafioze të Italisë.

Tommaso Buscetta, zbulimet e të cilit në vitet 1980 bënë një goditje vdekjeprurëse ndaj mafias siciliane më të famshme, Cosa Nostra, mund të kishin paguar çmimin më të lartë. Ndërmjet viteve 1982 dhe 1984, vëllai i tij, dhëndri, kunati dhe katër nipërit e mbesat u vranë dhe dy djem u zhdukën. Në Itali, problemi i njohjes gjyqësore dhe mbrojtjes së dëshmitarëve është bërë serioz dhe i përhapur. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme italiane, rreth 6 200 njerëz janë nën mbrojtjen e dëshmitarëve në Itali, duke përfshirë edhe anëtarët e familjes. Në përgjithësi, dëshmitarëve shtetërorë paguhen një pagë mujore prej 1,000 € deri në 1,500 € secili, plus një shtesë prej 500 € në muaj për secilin anëtar të familjes. Por, shteti nuk ka më fuqi ekonomike për të mbështetur këta njerëz. Ministri i Brendshëm i Italisë Mateo Salvini tha se do të shqyertojë situatën për mbrojtjen e dëshmitarëve. /Dionis Xhafa – Balkan Web/

 

 

 

Advertisements

CNN: Mafia italiane Ndragheta ka qarkullim vjetor sa buxheti vjetor i Kroacisë


CNN ka shkruar në lidhje me mafien italiane “Ndragheta” dhe ka vënë në dukje se buxheti vjetor i mafies në fjalë është i barabartë me buxhetin vjetor të Kroacisë. Ndrageta është tashmë një mafia e cila ka fuqi të madhe, gati një perandori, me shtrirje në aktivitet në shtete si Italia, Belgjika, Gjermania dhe Holanda. Aktiviteti i kësaj mafieje është fokusuar kryesisht në trafik droge dhe pastrim parash. Në total, 90 njerëz u arrestuan nga policia italiane, falë një operacioni të karabinierëve. “Operacioni Pollino” ishte përgatitur jo për pak kohë, por për mbi 2 vjet, për shkak se cilësohet ndër operacionit më të mëdha të karabinierisë dhe të mbajtura sekret më tepër se asnjë tjetër më herët. Në pranga kanë rënë njerëz me fuqi dhe pushtet, persona me lidhje të fuqishme të rrjeteve kriminale në Itali dhe më gjerë.

Ndër të arrestuarit rezulton edhe një “kokë” e rëndësishme e mafies, pasardhës i Toto Rinos, padrinos italian të drogës. Ndragheta është shoqatë kriminale që ka vepruar edhe në Amerikë, por edhe në shtete europiane të tilla si Turqia dhe Shqipëria. Kjo mafie mban lidhje të ngushta me mafien e Shqipërisë dhe Turqisë, sidomos. Buxheti vjetor i Ndraghetas është shtuar kaq shumë sa shkon thuajse i barabartë me atë të Kroacisë apo të Bullgarisë. “E fortë” Ndragheta është sidomos në fushën e trafikut të kokainës, duke kontrolluar thuajse 80 për qind të tregut europian. Në fillim të viteve 1990, autoritetet italiane e kishin “luftën” me Cosa Nostran, pasi anëtarë të kësaj mafie, kanë vrarë dy prokurorë kryesorë në hetime ndaj bandave dhe bëhet fjalë për Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellinon.  Ekspertët kanë thënë se po dobësohet gjithmonë dhe më shumë mafia siciliane dhe po shtohet fuqia e mafies kalabreze.

Në Italinë e Jugut, në Kalabri sa vjen dhe shtohet aktiviteti kriminal i Ndraghetës. Në fshatrat e Kalabrisë, Ndragheta ka një shtrirje të gjerë. Shpërndarja e kokainës nën logon e mafies është bërë thuajse zakon në ato zona.  Të dhënat e gjykatës italiane përshkruajnë trafikun e drogës si “një minierë ari” nga e cila “Ndrangheta vazhdon të investojë në një ekonomi ligjore në Itali dhe jashtë saj”. Antonio Nica, i cili ka shkruar tridhjetë libra mbi krimin e organizuar, duke përfshirë disa prej ‘Ndragetën, thotë se Ndragheta ka vendosur lidhje me prodhuesit dhe shpërndarësit e drogës përgjatë gjithë Amerikën Latine: Peru, Kolumbi, Guajana dhe Brazil. CNN ka deklaruar se ‘Ndrangheta kontrollon të gjitha rrugët kryesore tregtare, duke përfshirë portet në Brazil dhe Afrikën Perëndimore, por edhe portet europiane, sidomos të Holandës. Tregtia e drogës e mafias italiane është shtirë edhe në vende të njohura për kokainën si Kolumbia dhe Guajana. Ndragheta ka gjetur shpërndarje edhe në shtete si Kolumbia, Spanja, Gjermania, shtetet e Ballkanit, Kanadaja, si dhe Australia.

Paratë që nxirren nga aktiviteti kriminal i Ndraghetas investohen në Rivierën Franceze, në restorante dhe pasuritë e paluajtshme në Spanjë, si dhe në prokurimet publike në Italinë Veriore. Duke e zgjeruar hapësirën e saj të aktivitetit, Ndragheta e ka shtirë aktivitetin edhe në “diaspora” të saj sidomos në Gjermani. Trafiku i kokainës zhvillohet me anë të lidhjeve familjare dhe klaneve farefisnore. Për trafik droge përdoren baret dhe kafenetë italiane, por edhe ato në Dusedorf dhe në Londër e më gjerë në Britaninë e Madhe. Vetëm këtë javë, policia ka kapur mbi 4000 kilogramë kokainë dhe 140 kilogramë ekstazi. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë aktiviteti kriminal ushtron kjo mafia dhe sa e fuqishme është ajo njëkohësisht. Cecilia Alesi, autore shprehet se ka dëshmi se një akullore në Bruges u përdor për pastrimin e parave. Një piceri pranë Këlnit është bërë një bazë logjistike dhe një qendër për pastrimin e parave. Restorantet në dy fshatra holandeze luajtën një rol të ngjashëm.

Fillimet e Ndraghetas

Kjo mafia kalabreze i ka fillimet në shekullin e 19. Të parët që nisën këtë organizëm bazë të mafies kanë qenë hajdutët e vendit malor të Kalabrisë. Kalabria rezulton gjithashtu se është vend, me terren të përkryer për krimin e organizuar. E largët dhe misterioze, ndër rajonet më të varfëra në Europë, si dhe armiqësor në përpjekjet për të pasur një autoritetet të rëndësishëm shtetëror. Sot, rajoni është i dominuar nga disa familje të vjetra – Pelle, Romeo dhe Giorgi. Bastioni i Ndraghetas rezulton qyteti i San Luca.  Sipas fjalëve të një prokurori italian, familjet mafioze po kontrollojnë “çdo vend të përgjakur” të tokës së Kalabrisë. Ka raste që bashkëpunojnë, por nuk janë të rralla edhe hakmarrjet mes klaneve.

Dionis Xhafa