Etje për gjuhën shqipe


Dionis Xhafa

Shkupi është sa i bukur, sa drithërues, sa mahnitës, po kaq fsheh tradhëti, poshtërsi dhe ligësi. I bukur sepse është një qytet ku mund të gjesh stampimin e shumë kulturave, etnive dhe religjioneve. I tradhëtuar më së shumti nga ana e politikës, sidomos asaj aktuale. Qytet si i ndarë më dysh, si i vrarë prej pushtetit, ku nga njëra anë ngrihen në pietestal “Aleksandri i Madh”, dreqi e shejtani bashkë që më shumë janë figura politike e historike të Greqisë së Lashtë e pa pikë lidhje me Maqedoninë e sotme, ndërsa nga ana tjetër zhytet, poshtërohet shqiptarizma, myslimanizmi si fe kryesore e shqiptarëve në këto anë dhe çdo lloj vlere që e ka etnia jonë kombëtare.

Madje shkohet deri në absurd dhe në tragjizëm se meqenëse figura si Nënë Tereza, Fan Noli e Pjetër Bogradi kanë qenë të krishterë, një pjesë e mirë e këtyre tentohet të paraqiten sikur janë maqedonas ose keq e më keq ngrihen lart vetëm pse janë të të njëjtit besim fetar sikundër maqedonasit. Nuk bën të shahen maqedonasit apo cilado etni pse e ka tjetër besim fetar, por është turp kur përkatësia fetare keqpërdoret në këtë lloj mënyre. Kjo dëfton se pushteti maqedonas tenton deri përçarjen e shqiptarëve, duke ua theksuar fort se kanë besime të ndryshme fetare.

Po nëse kanë besime të ndryshme fetare shqiptarët, ku qëndron problem këtu? Ku është e keqja se shqiptarët janë edhe myslimanë, edhe të krishterë? Asgjëkund. Përkundrazi fakti se shqiptarët kanë besime të ndryshme fetare tregon tolerancën e një populli të lashtë me rrënjë tek paganizmi. Problemi është se duke qenë se maqedonasit, serbët etj. janë thuajse të gjithë të krishterë, jo rrallë quajnë “armik” apo “të padëshirueshëm” cilindo që nuk e ka besimin fetar të njëjtë me to. Jo vetëm kaq, por edhe dhuna politike, nacionalizmi dhe ekstremizmi politik i Shkupit zyrtar ka arritur kulmin. Sikur të mos mjaftonte teatri i madh grek i improvizuar në qendër të Shkupit me statuja, përgjithësisht sllavët po tentojnë të kryejnë vepra që janë kryekëput anti-njerëzore: Vendosja e statujës së Car Dushanit në qytete ku ka edhe shqiptarë. A është normale kjo? Do thotë ndokush se duhet të jesh veç anti-sllav, sepse derisa Mitrovica ka serbë atje duhet statuja e Car Dushanit.

Jo, ajo statujë nuk duhet. S’po gjykoj Car Dushanin pse ky është serb. Nga djalli e dreqi të ketë dalë. E gjykoj këtë hero të Serbisë ose të kthyer në të tillë nga ana e serbëve, për shkak se, siç na mëson nëna e shkencave humane, historia, Car Dushani ka qenë vrasës, më së tepërmi i shqiptarëve. Ky vriste njerëz krejt të pafajshëm në mesjetë ku të shumtët kuptohet se ishin shqiptarë. Këta vrasje cari Llazar i kryente vetëm për të realizuar objektivat e veta “famoze” dhe famëkeqe, për qëllimet ekspansioniste territoriale të Serbisë, për të realizuar projektin famëkeq “Serbi e Madhe” dhe se përmes vrasjeve, terrorizimeve dhe barbarive ndaj popullatës kryesisht shqiptare, e shtriu Serbinë në mesjetë deri në Vlorë.

Për t’u nderuar është ky njeri që vret njerëz, të cilët nuk kanë faj? Për tu nderuar është ky? Le të jetë në daç shqiptar, serb a dreq i mallkuar, derisa ka vrarë është kriminel dhe jo hero. Ja pra pse nderimi i Car Llazarit dhe ngritja e një përmendore për të, nga ana e sllavëve është t’iu ngresh përmendore gjakësve të pushtetit, vrasësve të njerëzve të pafajshëm, kriminelëve me damkë që njollosin vlerat njerëzore.

“Car Llazarët” modernë

Car Llazari vërtetë nuk jeton më, por se “Car Llazarët” dhe projektet “madhore” të mbretit serb ende janë të gjalla ndër liderët e sotëm, kryesisht sllavë. Një gjë të tillë e ka pohuar me gojën e vet presidenti serb Tomislav Nikoliç. Por edhe Aleksandër Vuçiç ka thënë fjalë të mira për kriminelin në fjalë. Por edhe Gruevski nuk ndryshon shumë në retorikën dhe sidomos në politikën që e ndjek nga strategjia politike e Beogradit. Madje në mos Gruevski është më keq. Shqiptarët e Maqedonisë e vuajnë shumë nacionalizmin e skajshëm gruevskian dhe këtë kam mundur ta shoh në shumë qytete të shtetit maqedon të banuara nga ana e shqiptarëve.

Prej Ohrit, Strugës, Tetovës, Kumanovës dhe Shkupit është lëngim dhe vuajtje e përbrendshme. Kjo në sajë të politikës që e ndjek prej disa viteve VMRO-DPMNE, e ndihmuar sigurisht nga ana e dyshes shqiptare BDI-PDSH. Nënshtrimi i partive shqiptare karshi atyre maqedonase thuajse shtrihet në çdo lloj fushe, por se e rëndë mbetet sidomos pjesa e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Bastardimi i gjuhës shqipe

Përmes një shëtitje të vogël në Shkup ku natyrisht edhe vërejta sesi jetohej aty, mund të shihej nga tepër afër realiteti tragjik i shekullit XXI-të. Shqiptarët i vëreja qartazi të bastarduar ekonomikisht se politikisht janë shitur dhe janë masakruar si pasojë e shitjes në një realitet mjeran. Aq sa disa prej shqiptarëve përpos se ishin veshur keqas, ecnin edhe sikur të ishin sakat, sikur e kishin humbur krejtësisht realitetin. Sikur të mos mjaftonte i gjithë ky bombardim kostant i shqiptarëve. që vjen kryesisht nga ana e pushtetit, kjo dorë e fortë pushtetare përpiqet që shqiptarëve t’iu vjedhë edhe kulturën, traditën e zakonet, për t’i parë lakuriq e të sakatosur. Çfarë ndodh më saktësisht?

Nëpër tabela të rrugëve ka orientime në maqedonisht, por edhe në gjuhën shqipe. Shpesh kur shkruhet në shqip ka gabime ortografike tepër të rënda. Gabimet janë kaq të dukshme dhe trashanike, sa për një shqiptar vihen re fare thjeshtë. Por a nuk është e turpshme kjo? A nuk është e turpshme që qytetet, vendbanimet dhe njerëzit e rëndësishëm mbishkrimet t’i kenë të shkruara shtrembër gramatikisht në gjuhën shqipe? Si mund të ndihet një etni e tërë shtet-formuese, kur e vë re të tillë fenomen? Sigurisht e fyer, e poshtëruar. Por nga iu vjen shqiprtarëve kjo fyerje dhe ky poshtërim? Përse poshtërohen shqiptarët kaq shumë dhe nga kush? Me patjetër që nga klasa e vet qeverisëse politike.

BDI, paterica e VMRO

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka si të mos jetë fajtore për një sërë çështjes të mprehta problematike për Maqedoninë. BDI është partnere në koalicionin qeveritar dhe sigurisht fajtore për projektin çmendurak “Shkupi 2014”, me baza të ethshme e të tmerrshme etnike maqedonase. BDI poashtu nuk ka sesi të mos jetë fajtore për miliona paratë e derdhura nga taksat e qytetarëve, për të njëjtin projekt fantastiko-shkencor. Kjo ndodh kur gjithë këta para mund të kishin shkuar për rritjen e mirëqënies së qytetarëve. BDI nuk ka sesi të mos jetë fajtore për sharlatanizmin nacionalist të Gruevskit, për shtypjen e shqiptarëve, për skenarët ogurzi dhe për shërbimet e dyshimta sekrete brenda vendit e të ngjashme.

Bashkimi Demnokratik për Integrim, paçka nga retorika e mban vendin peng të integrimit për në BE për shkak se çështja e emrit të Maqedonisë me Greqinë, as që ka ndërmend të zgjidhet ndonjëherë (se nuk pranojnë grekët /AÇ). Janë këto dhe qindra të zeza që BDI ua ka sjellë shqiptarëve. Tani le të ndalemi tek gjuha, tek identiteti i shqiptarëve. Shumë shqiptarë etnikë në qytete ku etnia e shqiptarëve është pakicë, po e humbasin identitetin. Më ka rastisur të komunikoj me një shqiptar nga Prilepi, i cili thuajse e kishte harruar gjuhën shqipe. Masakrimi i vërtetë ndaj gjuhës shqipe në Maqedoni ndodh nëpër shkolla, në tekste shkollore e deri në Akademinë e Shkencave. Kurse kulmin e kanë arritur teksa shqiptarëve “ua plasin përpara syve” kur nëpër qytete iu vënë tabele me shqipen e deformuar.

Tani pyetja që shtrohet është: A ka faj BDI për tabelat? Sigurisht që ka faj. Kjo sepse sipas një shpjegimi të disa profesorëve në media ndërkombëtare tabelat në gjuhën shqipe përgatiten deri nga maqedonas. Pra nga njerëz që nuk e dinë mirë gjuhën shqipe dhe kushedi punojnë me “copy paste”. Kjo ndodh sepse politizimi në vend nuk ka të ndalur dhe se njerëzit e VMRO-së vendosin nëpër komisionet e përgatitjes së tabelave për gjuhën shqipe njerëzit e vet. Katastrofë! Por se ky është realitet që ndodh në Maqedoni, sipas shpjegimit të profesorëve. Po BDI si e lejon diçka të tillë, ku prishet e shkërrmoqet gjuha shqipe dhe për të cilën shqiptarët janë ende të uritur? BDI e shkel gjuhën shqipe për shkak sesa duket është e uritur vetëm për pushtet e para dhe jo për gjuhën shqipe. Derisa BDI ka uri veç për pushtet, shqiptarët me siguri, që kanë etje për gjuhën shqipe e ndjenja kombëtare.

Shqipëria – Trupi i ndarë në katër pjesë


Dionis Xhafa

Për një çast e imagjinojmë Shqipërinë e sotme njëqind e kusur vjeçare sikur të jetë një qënie. Po po një qënie e cila ndjen, nuhat, shikon dhe percepton. Kjo qënie ngjan ashtu e rrënuar, e shkatërruar, e sakatuar, dhe e goditur thellë në ndjenjat e saj. Shqipëria ngjan e tillë. Atdheu ynë ngjan se është qënie të cilën e kanë ndarë në katër pjesë të ndryshme. Trupin e saj e kanë shkatërruar dhe e kanë ndarë në katërsh. Çfarë bën një trup i tillë? Çfarë ndjen i lënë ashtu i sakatuar dhe i damkosur? Ky trup, trupi i atdheut nuk është në trajtën e vet natyrale. Përkundrazi e kanë sakatuar me thika e bajoneta për të mos e marrë më veten kurrë. Trupi i Shqipërisë lëngon, ndihet i sëmurë. Gjaku në këtë trup kalon ndër vena ashtu shkapërdalë dhe rrëmujshëm. Indet e trupit rrjedhin gjak pa ndërprerë. Ky është trup që nuk gjen dot rehati por i gjakosur jetë e mot. E pamundur të reagojë. E kanë goditur me shpatë rëndshëm. Trupi i Shqipërisë pikon gjak. Hera herës kjo qënie hedh një vështrim plot keqardhje, që të therr në zemër, që ta këput shpirtin, ta vret ndërgjegjen. Trupi i sakatuar i Shqipërisë bën që atdheu të jetë gjithnjë në gjendje kome, shtrirë përdhe dhe i plagosur. E kanë plaguar. E kanë vrarë. E kanë masakruar. Në katër pjesë. Është keqardhje e dhimbje e madhe tek e sheh trupin e Shqipërisë në këtë gjendje të stërmundimshme të ndarë katërsh. Shpirti të ther teksa ia sheh sytë qënies me emrin Shqipëri. Sy të mbushur përplot dhimbje, krenari e mallëngjim.

 

dionis_xhafa5

KAPITULLI I: Uliksi në Itali


RUBRIKA: QYTETI NË DY SHTETE

Uliks e kishte emrin dibrani 19 vjeçar i cili mbante këtë emër për shkak se në zonën ku kishte lindur kultura oksidentale kishte ndikim tejet të madh tek shqiptarët. Aq më tepër që Uliksi kishte lindur në vitin 1993 viti i “shpërthimit të madh demokratik” në Shqipëri. Ishte pikërisht kjo koha kur fëmijëve iu liheshin emra nga më të ndryshmit nga oksidenti, madje edhe nga ata më të çuditshmit duke braktisur emrat tradicionalë si Mira, Besa, Beni, Luan apo Fatmir.

Uliksi pak e nga pak ishte rritur fizikisht, kishte kryer jo pak vite shkollë dhe se pak e kishte njohur egërsinë e jetës. Ai kurrë nuk kishte udhëtuar jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe për se çfarë ndodhte jashtë shtetit të vet amë vetëm në radio e television e kishte dëgjuar dhe rrallë kur kishte lexuar ndonjë gazetë. Uliksi periudhën e fëmijërisë e kishte kaluar disi mirë. Kurse me rritjen e tij trupore, ai vetë dhe familja e tij kishin rënë ndjeshëm ekonomikisht. Situata nuk ishte aspak e mirë. Vizat për shqiptarët e Shqipërisë sapo ishin liberalizuar. Djali dibran kështu e kishte mundësinë që për tre muajt e verës të ikte për në Itali, aty ku punonte dhe jetonte prej shumë vitesh babai i tij. Nuk kishte se ç’të humbiste. Në mëngjesin e asaj dite vere mamaja i kishte përgatitur gjithçka dhe ishte bërë gati për ta përcjellë.

Uliksi do të nisej për në Itali. Kishte qenë djalë i urtë, i mirë. Sistemi politik shtypës, shoqëria tepër inatçore e Shqipërisë me siguri që ishin ndër faktorët kryesorë se përse Uliksi po e linte vendin e lindjes për disa muaj dhe për të punuar paksa në vend të huaj. Djali 19 vjeçar kishte për tu nisur drejt një rruge të panjohur, me një valixhe në dorë dhe me një pasaportë në xhep. Përshëndeti familjarët.

Mamaja e tij nisi të qajë. Në ikje shihte mjegullisht gjithandej. Shihte zezonjë të sistemit. Me valixhen në krah u nis për në një rrugë qorre. Shkon në qendër të qytezës dhe aty merr një furgon. Heshtje varri. E kryen udhëtimin normalisht deri në Tiranë. Në kryeqytet merr tjetër furgon për në Durrës. I vetëm ecën rrugëve të Durrësit. E merr një biletë trageti deri në Bari. Kushtonte 60 euro. Edhe tre orë bëhej nisja e tragetit, në 23.00. E piu një kafe zhytur thellë në mendime. Ngadalë-ngadalë nisi të errësohej. Me valixhen në krah u drejtua për tek porti. Dorëzoi pasaportën, ia miratuan, dhe vijoi të ecë për të hyrë brenda në traget. Pasi bëri një copë rrugë nëpër betonin e portit me valixhen në dorë, gjithnjë i menduar, hyri brneda mjetit lundrues. Aty zuri një vend. Valixhen e mbështeti për një cepi të tragetit, u ul dhe me pamje prej njeriu të vuajtur, po sodiste qytetin natën.

Trageti lë pas Durrësin

Uliksi, pasi qëndroi njëzetë minuta ulur dhe mjeti nuk po lëvizte, më në fund diktoi se trageti u ndez. Ora shënonte 23.00. Uliksi, që aty ku ishte ulur, në pjesën e pasme të tragetit dhe në ambjent të hapur, mendueshëm sërish po shihte Durrësin. I zunë sytë fillimisht farin e portit. I la përshtypje ngjyra e kuqe që e kishte fari dhe drita e gjatë të cilën e lëshonte ky far nga Durrësi drejt tërë bregut të detit. Qyteti ishte i zi si nata, por me drita e poça të shndërritshëm që e bënin jo pak romantik.

Hera-herës Durrësi bëhej si vetë fati i Uliksit: I zi fort dhe me drita shumëngjyrëshe diku tek –tuk. Edhe pallatet., gradaçelat ishin zhytur në zi e pak drita dalloheshin. Uliksit i bëri mjaft përshtypje ajo pamje. Në qytezën nga ai ishte, sapo ora të shënonte 23.00 askënd nuk e gjeje rrugëve dhe se shuhej çdo poç e jetë nuk kishte më.

Durrësi në sytë e Uliksit sa vinte e largohej, teksa trageti “çante” detin drejt Italisë. Më tutje, si bëri e u zhduk pak nga Durrësi, Uliksi ndjeu aromën e detit. Nuk e dinte se deti kishte aromë. Ishte vërtetë fantastike për të aroma e detit që po shijonte. Por tek deti diçka e habiti më së tepërmi: vetëm lëvizte. Mendoi se deti qenka i veçantë, si ujët e lumit për shkak se nuk ndalej. Por se iu bë se ishte i veçantë nga lumi pasi vëzhgoi se deti ishte i paanë. Mendoi sesi ky det e lidh një shtet me një tjetër shtet, një kontinent me një tjetër kontinent. Botë e habitshme. Aty Uliksi u njoh edhe me disa djem të cilët po luanin me letra. Kurse 19 vjeçari dibran ishte ulur në dyshemenë e tragetit, kokën e kishte mbështetur për muri dhe donte të flinte. Kjo pasi kishte ngrënë çka mamaja i kishte përgatitur. Kjo edhe sepse po kursente dhe nuk hëngri në restorantin e tragetit. Ra gjumë rëndshëm.

Zbritje në Bari

Uliksi ishte mbështetur në “murin” e tragetit dhe aty kishte fjetur gjumë të rehatshëm për tetë orë rresht. Pranë tij, disa djem, kryesisht nga Kavaja kishin luajtur me letra thuajse tërë natës. Uliksi shpesh i kishte ndjerë, ishte çuar për pak kohë, sytë diç i kishte hapur sikur në mjegull dhe prapë kishte rëndë gjumë rëndshëm. Tashmë u çua. Sapo hapi sytë, vërejti se pranë tij gjendej çanta blu me rrota që e kishte marrë nga shtëpia. Edhe njëherë iu kujtuan me dhëmbshuri në shpirt lotët e nënës teksa e përcolli për në emigrim. Me shpejtësi, doli jashtë, tek kuverta, tek pjesa e përparme e tragetit.

Vërejti mjegull përmbi det. Kurse teksa kulloti sytë larg, vërejti brigjet e Italisë. Në atë freski mëngjezore, vërejti qytete e ishuj në anën tjetër të Adriatikut. Pikërisht aty do të shkonte. Veç pesë kiulometra larg Barit gjendej tanimë. Trageti me ngadalë u ndal. Uliski pa sesi për nja njëzetë minuta punëtorët italianë të portit e ankoruan tragetin. Ai pa sesi gjatë koordinimit, italianët lëshonin litarët dhe bërtisnin me të madhe që të dëgjonte tjetri për karshi. Trageti u ankorua.

Njerëzit filluan të shpërndahen. Uliksi, gjithmonë me valixhen me vete, zbriti tëposhtë. Ai përnjëherë pa plot me kërshëri qytetin e Barit. Ky ishte qytet tepër i qetë. Tek tuk shihje karabinierë të veshur tepër me sqimë të cilët flisnin me njëri tjetrin. Ujët e detit aty, kurse makinat ecnin pa ndërprerë në xhadenë tepër të rregulluar. Bari si qytet në përmasa ishte pak a shumë sa Durrësi por shumë më i qetë dhe më i rregulluar. Uliksi në Bari pa edhe pallatet e rradhitura kaq bukur, kaq me finesë dhe me ngjyra të shumta. Ai kaloi edhe për nga stacioni i trenit i qytetit.

Teksa ecte ashtu habitshëm dhe i yshtur me kuriozitet, Uliksi vërejti se thuajse në qendër të Barit gjendej një lapidar. Ky ishte lapidari i Luigj Gurakuqit, mbrojtës dhe krahu i djathtë i Fan Nolit si dhe thonë se urdhërin për ekzekutimin e tij e ka dhënë Zogu. Pra u vra për hesape të pastra politike në një kohë kur egërsia e politikës në Shqipëri ishte në kulmin e vet, diku nga vitet 1930 e tëhu. Në sytë e Uliksit bëri habi fakti se një hero shqiptar, të cilin e kishte mësuar në librat e historisë, ta kishte varrin në Bari të Italisë. Atëherë mendoi se bota qenkërka vërtetë e madhe dhe thuajse e paanë.

Drejt Napolit

Uliksi thuajse e shëtiti Barin por se destinacioni final i tij ishte Napoli. Dhe se Napoli ishte qytet gjeografikisht shumë më lart në very të Italisë sesa Bari. Napoli gjendej thuajse në qendër të shtetit italian. Për të ikur drejt Napolit, uliksin do ta ndihmonte Seadi kushëriri i dytë i tij i cili e njihte mjaft mirë Italinë. Uliksi hipi në makinë dhe do të udhëtonte disa orë të mira deri në Napoli. Rrugës ai pa gjelbërim, pisha, drunj, ullinj e vreshta. Kishte plot plantacione rrushi dhe frutash nga më të ndryshmet.

Madje pa edhe helika të mullinjve të erës. U mahnit nga ajo pamje. Shqipëria, që aq e lëvdojnë këtej nga anët tona, pak ose aspak i ka ato bukuri natyrore. Kjo për shkak se Shqipëria është thuajse 70 përqind e mbuluar nga malet. Për orë të tëra Uliksi, e shijoi natyrën kryesisht baritore mes Barit dhe Napolit, vend ku Uliksi kishte babain. Në fakt makina e la Uliksin në një fshat tjetër të Napolit dhe jo në Nola, ku gjendej babai i tij. Uliksi zbriti nga makina pasi kishte udhëtuar mjaft kohë.

Ishte pikë vape. Dielli thuajse të piqte. E kishin dërguar pranë një vendi ku qëndronin shumë emigrantë shqiptarë. Anës rrugëve si të humbura me asfalt të fshatit napolitan pa se kishte gjethe duhani thuajse dy metra të gjatë. Diellli vijonte të përvëlonte. I thanë Uliksit se disa shqiptarë emigrant po punonin duhanin edhe pse ora ishte afërisht 14.00 dhe dielli të përvëlonte. Shqiptarët ishin future nëpër rreshta të parcelës me duhan dhe punonin me aq sat ë kishin fuqi. Pak më tutje ishte një derë. Këtu, pasi Uliksi hapi derën iu shfaq drama e vërtetë.      – Gazeta përmujore –

 

Dallga e frikshme e nacionalizmit…


Dionis Xhafa

Në rrjete sociale po bëhet nami. Shqiptarët që mezi shkuan në “Euro 2016” – edhe kjo për shkak se Ballist Morina iu mori 3 pikë serbëve në Beograd – duket se kanë marrë hov më tepër nga se ç’është realiteti. Nëpër “Facebook” u përhap fjala se duhej bërë me hashtag #ALB me qëllim që Kulla Eiffel të ngjyrosej me ngjyrën e flamurit tonë kombëtar, Kuq e Zi. Fotografia e Kullës Eiffel me ngjyrat kuq e zi u shpërnda nga qindra e mijëra shqiptarë. Madje sipas një statusi që arrita ta lexoj teksa më dilnin statuset e shokëve në “Njoftime” dilte se ne ishim ndër tifozët më të flaktë në Europë edhe pse një komb i vogël.

Kam dëgjuar madje edhe se u kualifikuam ne dhe se serbët tani janë jashtë, madje edhe duke i sharë si mos më rëndë këta. Poashtu shahen edhe grekët për shkak se Greqia nuk ka qenë në Europian. Kurse kishte edhe një fotografi ku paraqiteshin serbët teksa mblidhnin patate e punonin tokat tani në verë, kurse shqiptarët shohin Kombëtaren. Një nacionalizëm që po shpërthem si në kazan.

Një nacionalizëm që duket se tejkalon çdo lloj normaliteti. Kësaj atomosfere skizofrenie të tifozërisë si ujku që kërkon mjegull i janë lëshuar edhe politikanët tanë. Kryeministri Rama tha se ne e meritonim barazimin pasi dhamë një ndeshje të shkëlqyer sipas tij. Ndërsa nuk ka harruar që ta shfrytëzojë në maksimum ndeshjen e Kombëtares për të qenë patriot. Ndërkaq edhe Berisha tha se Kombëtarja humbi për shkak se Rama ishte në stadium. Edhe Basha gjithashtu përdori retorikat e nacionalizmit.

Po ç’janë këto gjëra more? Po iu harruat se ne në “Euro 2016” na dërgoi Ballist Morina dhe jo se e meritonim aq të ishim aty? E harruat se Serbia humbi në Beograd thjesht prej tifozërisë së vet idiote dhe huligane, por se Serbia si kombëtare është ku e ku në raport me Kombëtaren Shqiptare? Harruat ju që sot talleni me Greqinë se shteti grek ishte fituese e Europianit më 2004. Por se bëjmë festë aty ku na intereson e errësojmë të mirat e kundërshtarëve dhe shteteve fqinje që nuk ngurojmë hera herës ti quajmë edhe armike. Nuk na intereson fort ta dimë se Serbia është më lart se ne në kualitete, por sesi e “poshtëruam’ në Beograd. Nuk na intereson fort ta dimë se Greqia u shpall kampione e Europës, por se ne e mundëm fill pasi ishte kurorëzuar.

Pse more kështu logjikohet? Pse more vetëm gjërat e tua do ndriçosh dhe të të tjerëve ti errësosh? Po nuk bëhet kështu mo. E gjithë kjo situatë për fat të keq nuk është vetëm në sport, pasi do të ishte gjysma e së keqes. Por zhvillohet sidomos në politikë. Në politikën tonë po rriten tepër parti të spektrit nacionalist ndërsa edhe partitë kryesore në fakt e përdorin nacionalizmin për masat. Ndërsa vazhdojmë akoma të mendojmë se jemi viktima të fqinjëve tanë, ide të tilla janë të rrezikshme.

Ndërsa vazhdojmë ti mendojmë Serbinë dhe Greqinë si shtete armike, ide nacionaliste të tilla janë vërtetë të rrezikshme. Ajo çka shoh më dramatike në këtë situatë është fakti se në të ardhmen e afërt mundet që të kemi ndonjë qeveri të mirfilltë nacionaliste populiste e cila shkatërron raportet me fqinjët dhe mashtron masën popullore me ide mesjetare të gjuetisë së shtrigave.

Rreziku që i shfaqet Shqipërisë është ndonjë “erdoganizëm’ apo ndonjë lëvizje e tillë e cila krejt shtetet fqinje i cilëson si “inferiore” apo “të këqinj” kurse shtetin e vet më superiorin ndërsa “dënon” edhe anti-nacionalistët. Ky është rreziku që i shfaqet Shqipërisë së bashku me islamizmin, që do të thotë se të kemi njerëz që mendojnë se ligjet e fesë të jenë në shtet. Por sidomos nacionalizmi mbetet një problem akut që do të ishte tragjik në rast se ndodh të ngrihet si valë. Kemi shumë persona që duke menduar se jemi viktima të fqinjëve urrejnë shtetet e tjera rreth e rrotull nesh. Nëse ngrihet një pushtet i tillë me baza të fuqishme tek nacionalizmi apo qoftë edhe ismalizmi, Shqipëria vihet në rrezik. Kjo sepse është dëshmuar se kombet që kanë ngritur vala të stërmëdha të nacionalizmit, kjo valë iu është përplasur në fytyrë! Nacionalizmi të çon veçse në vetëshkatërrim!

Mbi ikjen masive të rinisë nga trojet shqiptare


Dionis Xhafa

Shqiptarët po ikin si kurrë më parë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë përmbysje serioze e sistemeve siç ndodhi më 1990 kur iu kthye shpina komunizmit tragjik të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Por po ikin masivisht dhe këtë herë në një eksod numër dy sa në Greqi, Itali, Gjermani e ndokush edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe të drejtë kanë. Kemi një qeveri dhe qeveritarë që vazhdojnë të veprojnë sikur jemi të verbër dhe nuk e shohim realitetin e na mbajnë gjallë me nacionalizma dhe tone të fryra të patriotizmit. Politikanë që përdorin fjalë të mëdha dhe nuk shohin gjërat e vogla dhe realitetin migjenian e tragjik në vendin që ata e lëvdojnë gjithnjë si i “shqiponjave” apo të njerëzve fisnikë. Nga njëra anë kemi propagandën e qeveritarëve tanë dhe të lyer e të ngjyer me grim kurse në anë tjetër realitetin tragjik që gjendet në udhët e këtij atdheu apo në bisedat e përditshme të qytetarëve të këtij vendi. Ndërsa politikanët flasin me fjalë të mëdha dhe për projekte serioze apo pompoze në anë tjetër ka njerëz që vuajnë si mos më keq në këtë vend. Ndërsa padrejtësia më e madhe si shpatë bie mbi të rinjtë, mbi njomësinë dhe mbi shqiptarët më të mirë që nuk bëhen palë me të keqen dhe shtypjen e bashkëkombasit të vet. Jo më larg se përpara disa kohësh teksa isha ulur tek kafe “Opera” në tavolinën ngjitur dhe aty dy shokë të moshës së re po bisedonin ngutshëm me njëri tjetrin teksa e pinin kafen edhe me një nxitim të madh. Njëri i thotë tjetrit se ku mund të iknin dhe më pas vijonin të thonë se e kam tezën këtu, xhaxhain atje apo vëllain këtu e atje me qëllim që të gjenin një terren njoftësie diku për tu larguar nga Shqipëria. Po po iu kishte ardhur kaq në majë të hundës ky vend sa kishin zgjedhur rrezikun përballë një klime të tmerrshme politike dhe dhune të përditshme. Ishte kaq kontraversale se këta të rinj me siguri deri pak kohësh nëpër libra shkollorë kishin mësuar se Shqipëria është vendi ynë i dashur dhe duhet të punojmë drejt për atdheun kurse sot që janë të rritur dhe kanë kërkesa ekonomike rruga iu bëhet e vështirë dhe po duan ta braktisin këtë vend. Muhabeti i dy të rinjve në fjalë sikur kishte lëngim, kishte gjak e mall bashkë të përziera nën tymin e cigares të njërit prej djemve i cili shihte me dyshim nga larg statujat dhe ndërtesat më të larta të kryeqytetit të shqiptarëve.

Politika e propagandës dhe e krimit

Propaganda në politikën shqiptarë nuk njeh limit. Këtu në emër të patriotizmit e zhvasin shtetin deri në rrënjë. Këtu bëjnë si patriotë me flamuj e me hymne e nga ana tjetër e shkallmojnë shtetin. Këtu kreu qeveritar bën thirrje për bashkim kombëtar dhe flet fjalë të mëdha në një kohë që situata ekonomike është në gjendje katastrofike. Ajo për çka mendohet është pushtet e vetëm pushtet. Maxhoranca aktuale ka marrë me vete gjithçka gjeti nga përroi i ri dhe i vjetër, kriminelë dhe sharlatanë nga e mbarë Shqipëria dhe duke përligjur edhe krimin, edhe propagandën edhe pa e folur kurrë të vërtetën alarmante në terren e cila është ku e ku me atë që na dëfton përditë e përnatë televizioni në shtëpi. Një politikë që zhvillohet si në çmenduri është kjo e cila as që pyet për realitetin “poshtë” e të përditshëm që është i trishtë për qindra e mijëra shqiptarë që duan të jetojnë këtu e është bërë thuajse e pamundur. Njerëz që flasin me vete dhe që nuk guxojnë as të kundërvihen pasi propaganda bën të veten. Njerëz që përballë politikës e kanë humbur shpresën dhe disa që janë më laramanë dhe që mbrojnë edhe atë që nuk mbrohen bëhen mbrojtës të politikave kurse më të mirët sidomos ikin për të mos e kthyer kokën më pas ndoshta në këtë vend politike kriminale. Njerëz që politika iu ka ardhur në majë të hundës dhe që bashkë me fjalën “politikë” kanë dëgjuar edhe video-skandale seksuale, kanë dëgjuar kriminalizimin e parlamentit, kanë dëgjuar përgjime, sharje, fyerje, poshtërime, mendjemadhësi dhe marrëzi që i ofron politika jonë. Njerëz që politika pas 25 viteve iu ka ardhur në majë të hundës dhe se po u bëre palë me të duhet të jesh si qeni që tërhiqet zvarrë dhe ta mohojnë çdo liri personale por kthehesh në rob partiak. Njerëz që përballë politikës janë shumë të vegjël dhe se as që llogariten a janë shtetas të kësaj republike apo jo. Nuk pyetet për fatin e tyre, për diplomat që i kanë marrë me kaq shumë mund, për përpjekjet, për stërmundimet. Shkurt, njeriu në këtë atdhe përballë politikës ose detyrohet të kthehet në vegël të saj ose të heshtë dhe ta përballojë realitetin në një mijë mënyra nga më të egrat, duke patur gjithnjë kujdes se mos shkelin në dërrasë të kalbur dhe ndoshta edhe detyrohen disa syresh të mirren me prostitucion, edhe me vrasje, edhe të jenë pjesë e grupeve kriminale, edhe me shumë të liga. Janë rrugë krejt të gabuara, por se drejt tyre të çon edhe largimi nga vendi si shkak i politikës që gatuhet brenda vendit të lindjes së çdo shqiptari.

Realiteti tragjik

Ndër shqiptarët përgjithësisht duket sikur kemi të bëjmë me një realitet tragjik dhe që hera herës merr edhe nota të së tmerrshmes. Ajo që po ndodh është zbrazja e vendit nga ana e shqiptarëve, sidomos e të rinjve. Këta të fundit pasi e mbushën një farë moshe dhe rriten, sidomos ata me arsimin më të ulët (por edhe me deri arsim të lartë) nuk shohin shpresa në këtë vend por ikin drejt shteteve të ndryshme në perëndim ose deri në kontinente të tjera. Kjo sepse këta të rinj kanë parë disi edhe sukseset e paraardhësve dhe akoma funksionon batuta se më mirë emigrant sesa mësues i ndershëm në këtë vend apo të tillë që është në fakt edhe realitet. Tragjikja qëndron në atë se ka një forcë të jashtëzakonshme tërheqëse tek shqiptarët për të punuar jashtë vendit dhe ngjan sikur ky vend të ketë dështuar totalisht përderisa gjithçka shihet me shpresë vetëm në një jetë jashtë. Të shumtë janë ata që duket sikur mbyllin veshët dhe nuk duan më të dëgjojnë as kryeministrin, as presidentin dhe asnjërin që ua mbush mendjen me propagandë boshe dhe veç mblidhen në atë hallin e tyre të vogël. Pikërisht për hallet e vogla të shqiptarëve nuk pyet askush por mirren me çështje madhore politikanët tanë. Qytetari ngjan si term i largët për politikanët ose më saktë përdoret si një retorikë komplet boshe dhe pa asnjë vërtetësi. Kreu qeveritar shprehet se ka vende pune Shqipëria apo Kosova dhe kontraversja këtu është se këtë fjalim e dëgjon ndonjë kryefamiljar i papunë dhe kur e ballafaqon me realitetin e vetes i vjen ta pështyjë televizionin. Politika këtu nuk është as për halle e as për probleme të thjeshta, por si ti rregullojmë raportet apo ti ndreqim me Greqinë apo me Serbinë, si ta zgjidhim kauzën e madhe tonën të përbashkët dhe fliten këta kur populli s’ka bukë për të ngrënë e djemtë janë jashtë atdheut se këtu nuk rrihet. Këtë vend e kanë marrë peng trafikantët e drogës, ata që mirren me prostitucion, me vrasje dhe me të tilla poshtërsi. Kush nuk është i aftë për të bërë politikë të ndyrë dhe për tu marrë me shenjtanllëqe të tilla të ikë më mirë se ky atdhe po jep shpirt. Njerëzorja thuajse ka vdekur dhe toka është mbjellë në vend të dashurisë, me urrejtje, me vrer, me tmerr, kanabis, vrasje e poshtërira të pafundme. Ikja sigurisht nuk është ikje vetëm fizike. Përkundrazi është ikje që pas shpinës ndjen edhe thikën e shtetit tënd, e trafikantëve dhe të tjerëve që e grabisin atdheun me punë të pista.