Kruja, toka e historisë


Nga Dionis Xhafa

Do të nisesha për në Krujë me synimin për të parë muzen e këtij qyteti. Kur thua se do të ikësh për në Krujë përnjëherë të vijnë ndërmend një sërë aspektesh që lidhen me këtë qytet. E para është se do të shkosh të vizitosh një qytet i cili mbart histori sidomos në Mesjetë. Tjetër është se për historinë që e mbart Kruja ke parasysh edhe vargje të poetit tonë kombëtar Naim Frashëri  si ajo “Krujë o qytet i bekuar”. Ky lloj romantizmi të shkonte disi në mendime kur merr me mend se fundja do ikësh në një qytet shumë pranë Tiranës dhe që ndodhet diku në një rrëzë mali. Isha nisur në kërkim të një makine që do të më çonte në Krujë, teksa më vinin ndërmend këta mendime.

Fillimisht prita për pak kohë tek “Kthesa e Kamzës”, më saktë përpara kompleksit “Garden City” duke menduar se makinat që niseshin që nga Tirana dhe shkonin në Fushë- Krujë do të ndalojnë edhe këtu. Ishte ora 6 e mëngjesit dhe mundja të shihja sesi nga një qetësi e madhe që mbretëronte gjithandej njerëzit filluan të dalin nga shtëpitë e tyre sikur të ishin milingona. Dhe kjo për një hark kohor as njëzetë minuta. Gjithsesi pyes aty dy burra që po bënin muhabet me njëri –tjetrin nëse këtu vijnë makina që të çojnë për në Fushë-Krujë dhe më thonë se në gjashtë e gjysmë vjen makina. I bindur se do të vinte në këtë orar, pres për pak kohë. Dhe vërtetë që në gjashtë e gjysmë erdhi një mikrobus i cili kishte tabelë përpara në xham “Fushë – Krujë”. Isha unë dhe një tjetër person që ngritëm dorën, por se shoferi nuk u ndal por filloi rrugën. U habita nga veprimi i shoferit. Pyes sërish dy burrat që ndodheshin afër stacionit dhe më thonë se sa duket shoferët kishin marrë urdhër nga ana e bashkisë që të mos ndalen kërrkund. I mërzitur jo pak kaloj nga ana tjetër e rrugës dhe marr një autobus që nuk e mbaj mend mirë tani që po shkruaj nëse ishte i Institutit apo i Kamzës. Pyes aty një burrë dhe ky më thotë se stacioni i autobusëve që të çojnë në Fushë-Krujë ndodhet tek Zogu i Zi dhe i shtova se mos ishin aty ku janë furgonat e Shkodrës. “Po aty afër i ke”, më tha. Zbrita tek Zogu i Zi, aty ku e dija se akoma ndodheshin furgonat që të çojnë për në Shkodër. Por se aty fusha ishte bosh, e tëra me beton dhe me një lokal ku punëtorët e pijnë zakonsiht kafen e mëngjesit.

Ndodhej diku aty edhe një grua e cila shiste mallra me vlerë të vogël. Shitëse ambulante. Sapo më pa se po kërkoja furgon më tha se këtu më nuk kishte asnjë furgon. Më tha se duhet të drejtohem për tek “Dogana” sepse atje ishte Stacioni i Madh i Autobusëve. I hip dhe njëherë urbanit. Zbres tek stacioni i “Doganës”. Shkoj tek sporteli dhe aty një djalë që e kisha patur në klasë paralele në shkollë të mesme më thotë se këtu ndodhet vetëm Stacioni i Autobusëve të Jugut dhe se ata të veriut ishin lart, përballë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Edhe njëherë unë i ziu mora furgonin dhe shkova pikërisht tek stacioni ku vërtetë ndodheshin furgonat që të çonin për në Fushë- Krujë. Aty ishte Stacioni i Autobusëve që të çontë për në qytete si Peshkopia, Burreli, Bajram Curri, Shkodra etj. Por se për dreq kishin vendosur që stacioni të ishte në një vend ku pak më tutje dergjet një pallat i tmerrshëm dhe gati në rrënim dhe se kushtet ishin ende që linin për të dëshiruar. Si për ti shpëtuar këtij lloj ambjenti gati depresiv e kishin vendosur një kafe aty rrotull dhe përpara se të nisesha e piva një kafe.

Aty mendova se plani për ti ndarë autobusët në ata që nisen drejt Veriut apo drejt Jugut ishte përgatitur nga Bashkia e Tiranës. Dhe kjo mu duk gjë e mirë, pasi stacionet kanë qenë kaq të tmerrshëm dhe të shpërndarë kudo në qytet.

Udhëtimi dhe Fushë- Kruja 

Udhëtimi për në Fushë – Krujë përgjithësisht ishte i qetë. Një burrë i ri në moshë diku tek të tridhjetat dhe me flokë thuajse të rënë krejtësisht nga përpara kaptinës ishte pranë meje në sedilje. I thashë se për sa kohë shkohet në Fushë-Krujë e më tha se as për gjysmë ore. Kështu me ngadalë kaluam Kamzën dhe për pak kohë vërtetë që u gjendëm në qytetin e Fushë-Krujës. Ishte mëngjes dhe shihja kudo nxënës të vegjël dhe gjimnazistë që ikin për në shkollë me çanta në shpinë. Kjo ishte atmosfera në orët e para. Më tej si kaloi ora 08.00 sikur qyteti filloi të bjerë në qetësi. Shumë pak njerëz kishte nëpër rrugë dhe ata si në sonambul dhe si të tulatur. Në mendjen time gjithnjë për Fushë Krujën kisha menduar se si qytet afër Tiranës, njerëzit këtu do të ishin disi të mirëqënë. Por se realitetin që e pashë mu duk shumë larg kësaj. Njerëz që realisht ishin si të hutuar, që ecnin duke menduar rëndshëm a thua se po zgjidhnin me mënd ndonjë ekuacion matematike apo formulë fizike. Mu duk qytet i tmerrshëm me pak fjalë.

Katrahurë urbane dhe me njerëz që o ishin kapur pas ndonjë biznesi ose i kishe në rrugë. Mundet që paratë më të shumta këtu të vinin nga emigrimi. Ndonjë zbukurim në të rrallë vetëm ia prishte pamjen e trishtë qytetit të Fushë-Krujës, pasi në vija të përgjithshme më ngjau qytet i zymtë dhe me njerëz poashtu të zymtë. Dua të shtoj se nuk më pëlqyen aq edhe vetë njerëzit për nga sjellja, mënyra sesi të kthenin përgjigje. Kur pyeta dikë në qendër të Fushë Krujës se ku ndodhen furgonat për në Krujë, ma tha vendin por me një lloj sjellje të rëndë dhe aspak të dëshirueshme. Gjithashtu edhe njerëz të tjerë kur i pyesja për diçka, në vend se të thonin fillimisht “Po urdhëro” apo ndonjë fjalë të ngjashme ta kthenin “Hë çar do”. Për një cast teksa hasja veç të tillë njerëz më vajti në mendje thënia e Fan Nolit për krutanët “matrapazë e kokëtharë”. Edhe pse e vërejta një sjellje të atillë nga ana e shumë krutanëve me të cilët bisedova, sërish mendoj se ka edhe krutanë të mirë por se në mesin e atyre të cilët fola unë nuk gjeta –  së paku në sjellje. Gjithsesi më duhej të drejtohesha për tek vendi ku ndodheshin furgonat që të çonin në Krujë dhe se pasi eca vërdallë nëpër qytet e gjeta stacionin. Aty pikërisht në vendin ku prisja u ula në një kafe. Kjo ishte kafja më e mirë në qytet dhe ndoshta e vetmja që kishte edhe gazetë, edhe kafe. Të dyja i mora dhe më shijuan jashtëzakonisht pasi ishte akoma mëngjes. Kafja quhej “Shtatë yjet” dhe ishte e vetmja që vërtetë mund ti meritonte disa yje. Për shkak se kafenetë e tjera ishin si “copy-paste” dhe krejt bajate e pa shije estetike, por si kafene lagjesh ku shërbehej kryesisht kafe turke.

Nga Fushë Kruja në Krujë

Mora furgonin për të udhëtuar nga Fushë-Kruja drejt Krujës. Fillimisht rrugë e drejtë e asfaltuar dhe më tej kjo rrugë gjarpëronte. Kur hyje në një pyll që sa dukej ndodhej nën Krujë vërtetë që diçka filloi të ndryshojë. Natyra më e qetë ishte tanimë dhe kishte tepër gjelbërim. Gjithashtu edhe rrugët ishin vërtetë magjepsëse. Teksa shkuam më tej u zhduk disi pylli dhe u shfaq qyteti. Mjaft pamje e bukur dhe mbresëlënëse. Kruja ishte vërtetë hijerëndë ndoshta siç ka qenë edhe dikur kur kishin dashur ta vënë nën sundim por nuk ia kishin arritur dot. Dukej sikur Kruja e mbante vellon e peshës së madhe të historisë. Ngjante që nga poshtë qytetit sikur nga humnera po ngjiteshe drejt malit. Pallatet e vjetra nuk mungonin, por se vura re se kryesisht mbizotëronin pallatet dy, tre apo pesë katësh të ndërtuar në komunizëm. Me ngadalë furgoni u ndal në kërthizë të qytetit dhe më la aty. Pikërisht në këtë vend kishte disa njerëz të moshuar të huaj të cilët sa duket do të shikonin muzeun. Përmes tabelave po orientohesha drejt vendeve më të rëndësishme të qytetit, që sigurisht ishin pazari, kalaja dhe muzeu i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu.

Pazari

Tashmë që nga pazari apo qendra e Krujës mund të vije re nga larg shtëpitë e shumta dhe të dukej sikur këta shtëpi i kishe nën këmbë. Ishte ndjesi e bukur kjo. Ndërkaq që pasi e kishe parë këtë pamje, këmbët të çonin drejt pazarit të Krujës. E kisha dëgjuar shpesh Pazarin e Krujës dhe se këtë qytet e kanë vizituar poashtu shumë persona, por ja që unë tani në moshën 24 vjeçare vetëm e vizitova qytetin historik. Tek pazari më pëlqyen më tepër pllakat tek të cilat ecje. Kishte një butësi në ecje. Pllakat sikur nuk ishin nga guri, por nga një lëndë e butë, e përthyeshme. Pazari siç dihet kishte më së tepërmi qilimë me shqiponjë dykrenare, punime artizanale dhe të tjera punime mjaft me vlerë dhe që përbëjnë shpirt të traditës shqiptare. Më pëlqeu fakti se në atë pazar mundeshe të gjeje edhe sende nga e shkuara jonë. Ai pak vend aty në pazar përbën një ansambël të vërtetë vlerash foklorike. Këtu më së shumti gjeje në statujë të vogël Skëndërbeun, i cili ishte edhe heroi që më së shumti ngrihej në peshë thuajse në tërë vendet kryesore të Krujës. Pazarin duhet ta kaloje modeomos që të gjendeshe më tej tek Kalaja.

Kalaja e Krujës

Hyra në kalanë e Krujës. Fillimisht kishte mure dhe mundeshe të mirrje me mend se kushedi se ç’beteja e ç’përballje gjakësore janë zhvilluar në këto mure. Mendoje sesa shpata ishin kryqëzuar këtu, sa gjak ishte derdhur dhe sesa fuqi kishin lëshuar ushtritë kundra njëra-tjetrës. Këto gjëra po më vinin në mendje. Por se realiteti ishte ai që përballë syve të mi u shfaq një burrë i moshuar që shiste libra për historinë e Krujës dhe të Skëndërbeut. Ia bleva një libër dhe më pyeti më tej se nga isha. “Nga Dibra jam”, i thashë. Ndoshta ngaqë ia bleva librin më lavdëroi dhe lëvdoi edhe krahinën nga isha. Folëm pak dhe i thashë edhe se Skëndërbeu është nga Dibra në fakt dhe se fjalimin e parë që e ka mbajtur ka qenë përpara popullit dibran. Si për çudi burri i moshuar ma aprovoi informacionin, ndryshe nga ç’kishte ndodhur me disa bashkëfolës të tjerë që mbronin tezën se Skëndërbeu ishte nga Kruja. Në fakt e di fort mirë se në Krujë thjesht ka luftuar, por se fshati Sinë e Dibrës është pika e origjinës së tij dhe familjes së Kastriotëve. Madje në Dibër sot e kësaj dite gjendet një fshat që ka pikërisht emrin Kastriot. Megjithatë thjesht e transmetova si informacion e jo me lavdërime se Skëndërbeu mund të kishte lindur në çdo lloj krahine dhe ky fakt pak rëndësi ka. Dhe se më tej më tepër dëgjova fjalët e burrit të moshuar sesa fola, për shkak edhe të moshës së tij.

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu”

Në fakt edhe Muzeu ishte brenda Kalasë, por në tre katet më të larta të saj. Bleva biletën për të hyrë në Muzeun që i kushtohej thuajse tërësisht figurës së Skëndërbeut. Bileta ishte 200 lekë të reja. Pas meje kishte edhe nja dy-tre tufa me nxënës nga shkollat 8-vjeçare që e vizitonin shpesh këtë muze. Ndërsa muzetë ndahen në disa pavione, ky kishte veç në fillim Pavionin e Lashtësisë dhe më tej gjithçka ishte rreth Skëndërbeut dhe glorifikimit të figurës së heroit tonë kombëtar. Tek Pavioni i Lashtësisë thuhej se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se për demonstrim jepej një statujë e një luftëtari ilir si dhe armë nga koha e Ilirisë. Pas kësaj gjithçka i dedikohej veprimtarisë 25-vjeçare të Skëndërbeut. Ajo që nuk më pëlqeu shumë ishte fakti se gjithçka trajtohej sikur e mësojmë në histori. Skëndërbeu që për 25 vite me rradhë kishte ndalur ushtritë turke të cilat kërcënonin Europën. Madje kishte edhe një hartë për këtë gjë sesi kishte ndodhur mësyjma osmane kundër Evropës. Kishte plot piktura të realizuar nga piktorë të ndryshëm për Skëndërbeun, piktura të betejave të Skëndërbeut, harta e Arbërisë, si dhe karrige që përdorej nga vetë Skëndërbeu dhe princërit e tjerë shqiptarë të kohës. Nuk kishe çfarë të komentoje më tepër se ajo që aty mund të shihje të njëjtën gjë që na është treguar në histori rreth periudhës 25 vjeçare të luftimeve të Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Aty tregohej harta e betejave të Skëndërbeut, më tej luftëtarë dhe heronj që bashkëpunuan ose bashkëkohës me heroin tonë (Gjergj Arianiti, Vrana Konti, Lekë Dukagjini etj.). Për çudi ndër ata statuja veç busti i Hamza Kastriotit nuk ishte, që kurdoherë në histori e kemi quajtur “tradhëtar”. Edhe një lloj glorifikimi i tillë kaq shumë i Skëndërbeut nuk është se më pëlqeu  shumë. Ndoshta ndjesi personale, por se nga ana tjetër mund të jetë figura e vetme publike që e kemi e që na nderon, sidomos në Europë. Kjo sepse ndër të tjera Skëndërbeu ka kontribut për mbrojtjen e krishtërimit në Europë, për shkak se Perandoria Osmane u ndal pikërisht në Arbëri për të mos vijuar dot pushtimet në anën tjetër të Adriatikut. Kjo ishte arsyeja se përse Skëndërbeun e adhuronte si Huniadi ashtu edhe Mbreti i Napolit, i cili tregohet se ka qenë mjaft i tmerruar nga ndonjë invazion i mundshëm turk. Ja pikërisht nga fundi i Muzeut shfaqej Skëndërbeu së bashku me aleatët e tij më të ngushtë: Huniadin e Hungarisë dhe Mbretin e Napolit. Thuajse i kisha parë të tre katet e muzeut i cili ishte brenda Kalasë dhe se ndërmend më vinte se pikërisht në këtë vend kushedi ç’tmerre, ç’makthe e ç’lemeri është përjetuar. Sa topa mund të jenë lëshuar për këtu nga ushtria osmane, sa gjak mund të jetë derdhur, sa…sa… Por se dola në ballkonin e Kalasë dhe të Muzeut njëkohësisht dhe që aty shihje sërish Krujën magjepsëse që nga larg dhe flladi të përplasej në fytyrë. Horizont i pafund. Përnjëherë mu çlirua disi koka duke menduar për historikun e Kalasë dhe ndjeva aromë freskie, natyre e disi lirie.

Në vend të mbylljes

Teksa përmend Krujën sërish në mendje më vjen historia dhe pas kësaj edhe Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu. Më saktë betejat e tij të lavdishme. Në të ardhur nga Kruja në mendje më shkoi se qyteti historik ndoshta duhet të kishte edhe njerëz më të mirë që të konsiderohej vërtetë i tillë. Këtë përputhsmëri që e kërkoja nuk e gjeta. Shpresoj ta vizitoj sërish Krujën, por tjetër herë jo veç me historinë e saj të lavdishme, por edhe me njerëz tepër më të kulturuar.

Shesheli, kuçedra e Ballkanit


Nga Dionis Xhafa

I akuzuari për krime të përbindshme e të tmerrshme mbi shqiptarët, boshnjakët e mbi kroatët Vojislav Sheshel që nga Haga ku fatkeqësisht u lirua do të jetë tanimë deputet i Kuvendit të Serbisë. Partia që ai udhëheq kthehet në skenën politike serbe, edhe pse kryetari kishte 13 vite që qëndronte në burgje me akuzën e rëndë të genocidit. Partia Radikale e Serbisë nuk ishte e përfaqësuar me deputetë në Kuvend por se i fitoi votat për të qenë pjesë e parlamentit në Beograd. Shesheli, i dyshuar si tejet i kriminalizuar deri në rrënjë dhe me deklarata poashtu të tmerrshme sërish do të përfaqësojë një pjesë të qytetarëve serbë. Partia Radikale Serbe (SNS) është turpi i politikbërjes sot në arenën ballkanike duke u mbajtur fort pas një nacionalizmi të theksuar pro-rus. SNS e Sheshelit vendos dorën në plagët e vjetra të Ballkanit dhe rikthen përçarjet e ndasitë etnike në Gadishull. E sigurt është se zëri i tij do të kumbojë në parlamentin e Serbisë si një nacionalist primitiv dhe do të cilësohet një “kuçedër” në zemër të Ballkanit. Sheshel përpos tjerash është ndaluar të hyjë në territorin e shtetit të Kosovës dhe të Kroacisë, të cilat e kanë shpallur “non grata” të dyshuarin për genocid në Hagë. Domosdo që duhej të shpallej “non grata” një person i cili akoma flet sikur të ishin vitet e nëntëdhjeta dhe me çmendurinë e tij të nacionalizmit të flaktë serb. Sigurt poashtu është se çmenduria e Sheshelit është vënë re shumë nga opinioni publik, por jo vetëm. Raportohej se edhe familjarët e tij nuk e duronin dot më për nga mënyra sesi iu fliste dhe si sillej me ta dhe me parime aspak që lidhen me lirinë.

Serbët, popull nacionalist

Skenën politike të Serbisë e dominojnë disa parti politike të mbarsura me nacionalizëm. Partia më e tmerrshme siç mund të mirret me mend është SNS-ja e Sheshelit por se me ndriçime të nacionalizmit janë edhe Partia Socialiste e Ivica Daçiç dhe Partia Përparimtare e Aleksandër Vuçiç. Kryeministri aktual serb ka qenë gjithashtu bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviçit dhe i Sheshelit që nga nacionalist hiqet kinse është europianist. Analistët e çështjeve politike theksonin se parlamenti serb ngjan si në kohën e Millosheviçit kur ky i fundit e kishte opozitën më keq se vetja dhe kur iu thoshte ndërkombëtarëve se “ka më keq se ne, kështu që na mbani në qeveri”.

Shkurt, në parlamentin serb kemi krahun që përfaqëson nacionalizmin bolshevik Vojislav Sheshel dhe gjithashtu nacionalizmin tradicional serb me përfaqësues Daçiç dhe Vuçiç. Të tërë këta janë pjesë e së njëjtës shije të nacionalizmës serbe përlyer keqas me Millosheviçin dhe me të tjerë kasapë të Ballkanit. Derisa serbët kanë në parlament kaq shumë parti me sfond nacionalist dëshmon qartazi se kemi të bëjmë me një popull krenarist mbi nacionalizëm. Edhe pse pikërisht nacionalizmi e dëmtoi Serbinë dhe solli mijëra viktima anembanë Jugosllavisë serbët në shumicë edhe me gjak po e mbajnë të tillë flakë nacionaliste. Pjesëmarrja në parlament e kaq shumë partive serbe me sfond të nacionalitetit është dëshmi se vetë serbët janë popull nacionalist.

Veriu i Kosovës, dora e zgjatur e Serbisë

Qysh në krye desha të sqaroj se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë është turp për vetë shtetin e Kosovës që përulet përpara shtetit serb. Për sa kohë që Serbia ndërhyn dhe bën ç’të dojë në veriun e Kosovës, kjo do të thotë se Kosova është shtet i dobët dhe ka poashtu qeveri të dobët, e cila përulet përpara furtunës nacionaliste serbe. Kosova do të funksiononte si shtet normal për sa kohë që në veri nuk do lejojë asnjë lojë politike të Serbisë dhe këtë pjesë të territorit të mos e kontrollojnë bandat serbe. Qeveria e Prishtinës poashtu nuk ka përse ti mbivlerësojë serbët në veri në raport me shqiptarët që jetojnë anembanë Kosovës, por ti vlerësojë njëlloj. Një qeveri si ajo e Kosovës e cila dështon përballë politikës fashisoide serbe në veriun e shtetit është e dështuar. Një qeveri e Kosovës e cila nuk e shtrin ligjin e Kushtetutës së vet deri në pikën e fundit të terriutorit të vet, është e dobët. Një qeveri e Kosovës e cila lejon brenda vetes së vet Vuçiç, Nikoliç, Daçiç e këta pa e njohur shtetin e Kosovës është e paaftë në reagim. Një qeveri e Kosovës e cila nuk i përgjigjet nacionalizmës dhe dhelpërisë politike serbe, nuk është e duhura. Një qeveri e Kosovës e cila hyn në bisedime me një qeveri serbe kur kjo nuk e njeh, është poashtu e dobët. Andaj në Kosovë nuk duhen lejuar asesi duart e zgjatura të Serbisë dhe se poashtu iu duhet imponuar njohja e realitetit: Shteti i Kosovës.

Rroftë kombi. Vdektë kombi


Nga Dionis Xhafa

Qysh se kur na futën ndër institucione të shtetit mësuam si të sillemi mirë e urtësisht për të qenë qytetarë të denjë për shoqërinë por se nga ana tjetër na veshën me një propagandë tejet madhore e boshe. Na mësuan se kombi ynë ishte i pari dhe më i rëndësishmi në Ballkan që ua kallte tmerrin armiqve që na rrethojnë.

Na mësuan se kombi na ishte më e larta vlerë e se duhet të përulemi përpara flamurit kombëtar për ta respektuar atë si të shenjtë. Na mësuan se qëllimi i vetëm në jetë na ishte ti përkushtohemi me shpirt atdheut dhe kombit. Na mësuan se fjala, besa jonë, krejt qënia jonë duhet të ishte e përbetuar ndaj kombit. Na thanë edhe se prej luftës prej kombit të vet largohet veç ai që ka lindur tradhëtor. Dhe kishin shtuar se veç kush ishte burrë qëndronte në nderim të flamurit, atdheut e të kombit!

Na thanë edhe se nëse vdesim nga lufta për atdheun nuk ishte hiç asgjë. Edhe sikur ky kombi ynë të shkonte në një luftë të gabuar dhe vetëshkatërruese duhet të ishim burra sërish e ti shkojmë nga pas. (!?). Madje vetë Zoti na paska thënë se ne si komb jemi më superior se të tjerët e se fqinjët tanë na qenkan ca vemje, tradhëtarë, njerëz pa dinjitet e kotnasikot! Veç ne jemi të mirë dhe këtë e thotë himni ynë kombëtar. Grekët, serbët, maqedonët, malazezët, kroatët (ndoshta se herë i bëjmë miq se ishin armiq të serbëve), turqit e ç’janë rreth e rrotull nesh na qenkërkan racat më të ndryra që ekzistojnë mbi Tokë. Ne superiorët. Ne të lartmadhëruarit. Ne, Skëndërbeu ynë dhe kombi i lashtë madje edhe se vetë lashtësia. Ne pambarim.

Duke qenë kjo propagandë shtetërore e politike e nxitur nga ana e institucioneve bën që të gjithë thuajse të thirren në emër të krenarisë të të qënit shqiptar. Madje ka nga ata parti që rrengun e nacionalizmit, të bashkimit të madh kombëtar e përdorin si opium për popullin, si trëndafil që nuk e ha as gomari. Thonë “Rroftë kombi” madje në të shumtë mortjet dhe coftinat e kombit! E thonë këtë shprehje hajdutët, imoralët, njerëz me flamuj në sfond që e grabisin atdheun. Militantë budallenj që iu është bërë mendja dhallë e kos. Kombi është fjala që përdoret si djath kaçkavall për turma të ekzaltuara budallaqe, të marra, idiote, krejt militantë që as e njohin sensin e kritikës.

Sepse vetiu shtrohet pyetja: Përse dikush që është i ndershëm duhet modeomos të thotë “Rroftë kombi”? Pse more zotëri ti shash ti kombet e tjerë si “aziatikë, majmunë, mulatë, grekë të fëlliqur e të poshtër, vlleh”? Po kush je ti more zotëri? Kush je ti të gjykosh tjetrin nga etnia, prejardhja fetare e kulturore. Kush je ti more që çdokënd e quan tradhëtar sapo ta prekin interesin tënd të ngushtë bashkë me partinë tënde? Kush je ti mor që shan të tjerët dhe mbron kombin tënd edhe kur brenda kombit tënd ka kriminelë, hajdutë, bashkëpunëtorë të zinj të nazi-fashizmit e të diktaturës bashkë?! Kush je ti more zotëri që e tërë jeta të shkoi duke sharë komunistët, madje edhe ata që më 1945 e dhanë jetën për liri që quhen heronj dhe ti shkon e i quan njerëz të kotë. More njeri që e ngatërron komunizmin me diktaturën. Paragjykues idiot. Njeri që nuk ke respekt për njeriun sido që është tjetri dhe cilëndo prejardhje që ka ai.

Po ç’na qenka ky komb i shenjtë. Kush e solli mor. Çjanë këto dokrra politike se ne qenkemi komb trim, sypatrembur, njerëz me moral të lartë e të tjera si këto. Po ç’janë more këto budalliqe. Po a jetoni këtu ju more a jeni të marrë? A jemi ne që po dëgjojmë përditë se nga ky komb kanë lindur edhe njerëz maskarenj, vrasës, hajdutë, trafikantë e tutorë dhe se tipa të tillë kanë vajtur deri në parlament. Hë pra ku e ke kombin sypatrembur? Ku e ke kombin sypetrit dhe shqiponjat dykrenare?

Madje edhe heroi ynë kombëtar (e thotë një autor yni por se nuk e përmend njeri sepse ai thotë të vërtetën dhe askush në fakt nuk e do të vërtetën) na paska qenë një vrasës, hajdut, i pabesë, njeri që të vriste pas shpine e se të gjitha tiparet e shqiptarit të sotëm i kishte edhe ky. Po ky ka komb më të kriminalizuar se shqiptarët more? Ndoshta edhe ka, por se jemi të kriminalizuar aq sa nuk thuhet. A jemi ne që vrasim njëri-tjetrin, ia fusim njëri-tjetrit, presim, plagosim, shajmë, pështyjmë, çirremi dhe për inat kushedi se ç’i shkaktojmë shokut. A jemi ne spiun? Po pra ne jemi ata që e themeluam Sigurimin famëkeq të Shtetit. A jemi ne që ndër Europë kemi shitur vajza, gra, i kemi nxjerrë në rrugë, kemi krijuar banda e kemi masakruar për pazare të prishura të drogës.

Sigurisht që të ligj nuk jemi veç ne. Ka vrasës serbë, grekë, maqedon etj. E pra çdo komb ka njerëz të mirë dhë të këqinj. S’ka komb të mirë e të lig. Hë mor. Vazhdo akoma me gjueti shtrigash e me hajdutëri e me vrasje brenda të thuash “Rroftë kombi”. Unë për sa kohë kam jetuar në mesin e këtij kombi kam njohur patjetër njerëz të mirë, por edhe maskarenj, qelbësira, zemërkëqinj dhe narkotrafikantë. Unë “Vdektë kombi” do thoja për atë se “Rroftë kombi” nuk dua të përdoret sidomos nga ato gojë të liga e të gabuara që në fakt janë vetë legenë e hajdutë deri në grykë.

Por derisa njerëzimi është i ndarë me kombe sa duket qenka e thënë që secili komb ta shajë tjetrin. Dhe secili përfiton nga racizmi që e shfaq. Njeriu ka rëndësi mbi të gjitha paçka përkatësisë etnike. Po nuk kuptove kaq gjë more zotëri, vemje do mbetesh e njeri kotnasikot! E shet mendjen e shpirtin tek djalli i korruptuar!..

 Dionis Xhafa   

Dialog me një djalë nga Qyteti i Kromit


nga Dionis Xhafa

Të gjithë këtu në vendin e shqipove e kanë dëgjuar Qytetin e Kromit. Po kush nuk ka dëgjuar për të. Të gjithë thuajse ia kanë dëgjuar zërin edhe nëse qëllon të mos e kenë parë. Dhe vërtetë që Qyteti i Kromit është i vështirë të shihet sepse me apo pa qëllim e kanë lënë aty në një cep të Shqipërisë. Aty në një cep pa pikë perspektive dhe në një vend si të qelbur. Ja kështu e kanë lënë Qytetin e Kromit.

Ky është një qytet i ndarë më dysh dhe se poshtë tij gjenden katakombet me metalin e çmuar i cili nxirret që nga nëntoka. Aty rrapaten tërë ditën më shumë njerëz nga Qyteti i Ri i Kromit dhe Qyteti i Vjetër i Kromit. Nën thellësi është ky realitet i zi dhe i zymtë kurse nëpër qytet njerëzit sillen si të pirë, të ç’orientuar si mumje, fantazma, lugetër, kockë e lëkurë të bërë.Jo veç njerëzit por edhe ndërtesat.

Të ndërtuara nga ai që në popull njihet si “mërhumi” janë ashtu me tulla të kuqe të zhveshura e gati nën rrënim. Me kanale, me jashtëqitje e me ujëra të zeza nëpër këmbë. Ky pra është qyteti i shrytëzimit, i mbijetesës dhe i njerëzve me jetë me halle dhe të harruar. Nuk duhet ndoshta të flas shumë për Qytetin e Kromit pasi për të është folur dhe stërfolur kaq shumë.

E pikërisht në rrethinat e këtij qyteti, mes maleve të thepisura dhe grykave të ngushta jetojnë edhe kushërinjtë e mi. Njëri nga ta që më është burrëruar ka ardhur në këtë Tiranën tonë të madhe e kaotike dhe se po shkollohet me qëllim që me mund e përpjekje të ndërtojë një jetë të ardhshme në kryeqytet. Po ja e ftova për një kafe për tu llafosur me kushëririn sepse rendja pas vetes e materiales na e ka zhbërë njerëzoren dhe ka bërë që ti harrojmë njerëzit tanë më të dashur.

Për mua ky që e kam përballë në kafe nuk është thjesht kushëriri im, por një nga djemtë e shumtë të Qytetit të Kromit.  Kam njohur shumë persona nga ky qytet dhe se i errët siç është qyteti ashtu janë edhe njerëzit këtu. Varfëria, problemet e hallet e shumta veç të depresionojnë, ta kallin datën e ta fusin frikën. Ja pra kështu rritet një djalë në Qytetin e Kromit. I tillë është edhe bashkëbiseduesi im. Ai thotë se qyteti nga i cili vjen së bashku me rrethinat e veta i ngjan si i vdekur kurse njerëzit që sillen rreth e rotull sikur tiu ketë rënë skleroza. E ç’faj kanë njerëzit në fund të fundit. Çdokujt nëse ia ngul thikën në palcë siç iu bëhet njerëzve në këtë vend, ky person deformohet, ecën shtrembër, flet me vete, krejt përçart. Djali nga Vendi i Kromit më thotë se gjithçka në vendin e tij ka mbaruar.

Edhe Tirana në këto kohë të krizës të tmerrshme ekonomike është bërë xhungël e llaftari e se nuk gjendet punë. Lërë më pastaj si është situata në Qytetin e Kromit ku për punësim veç një drejtim ka: Të punosh për të nxjerrë pikërisht metalin e çmuar që prodhon kjo tokë.

Djali nga ky qytet thotë se vë re se edhe njerëzit atje shpesh nuk ia duan të mirën njëri-tjetrit por duan veç të të shtypin, të të poshtërojnë e të të përulin. Më thotë se Qyteti i Kromit në sytë e tij ka kapitulluar tanimë. E ka pushtuar mortja, e zeza, një vello e hirtë e krimit pushtetor. E ardhmja është shumë e vështirë e në mos e pamundur që të jetë vërtetë e begatë nëse je nga Qyteti i Kromit. Po linde këtu ngjan sikur ke lindur me fat të zi skëterrë. Sikur të ka thithur një vorbull e zezë skëterrë e cila veç vërtitet rreth e rrotull pambarim dhe se i thith shpresat tona e i venit ato.

Djali nga Qyteti i kromit thotë më mirë me mund e me përpjekje ta ndërtojë një të ardhme në Tiranë apo jashtë Shqipërisë sesa të kthehet në qytetin e zi për të. “Nuk bën që të kthehem më atje. Nuk ia vlen”, thotë teksa bën një shenjë mohuese dhe fytyrë prej të pakënaquri.

Kështu djemtë nga Qyteti i Kromit veç duan të largohen nga vendlindja e cila ngjan si vorbull që përpiqet ti thithë e ti përpijë. Djali përballë meje poashtu e ka në majë të gjuhës se në Qytetin e Kromit gjithçka ka vdekur. Dhe ka të drejtë me aq sa e njoh vendlindjen ku nuk jetova thuajse kurrë, por ndonjëherë e vizitoj.

Aty ka vdekur liria, shpresa dhe kudo ka veç vorbulla që tentojnë ta thithin njeriun. “Mos qofsh nga Qyteti i Kromit. Do të të mbushej shpirti me dhembshuri me çka sheh rreth e rrotull”, është thirrja trishtuese e kushëririt.

E vërtetë ashtu është. Kufoma të gjalla që kanë dalë mbi tokë si shkak i maleve të rënda me krom që ndodhen mbi qytet. Flamur i kromit valëvitet mbi malet e qytetit. Veç kufoma, trupa, zombie.

Kabul…


Nga Dionis Xhafa

Kabuli është kryeqyteti i Afganistanit, shtet ky i përmendur shpesh në raporte dhe në deklarata se mungon ndjeshëm demokracia dhe liria në të shprehur. Por se qysh në fillim desha të sqaroj se Kabuli apo ndonjë kryeqytet tjetër qoftë aziatik, afrikan apo i Lindjes së Mesme nuk bën të (para) gjykohet për atë se ku ndodhet gjeografikisht. Por Kabuli pavarësisht se ku ndodhet gjeografikisht ka namin e zi si kryeqytet i një shteti me demokraci të sakatuar e të gjakosur. Vend ku talebanët e organizata kriminale ende veprojnë në vend. Megjithatë s’po i hyjmë thellë pjesës sesa probleme ka Afganistani pasi me siguri që janë të shumta dhe se gjenden të tjerë njerëz të cilët mund të mirren me problemet e shtetit në fjalë.

Kabulin nuk po e marr si mëshërim i një kryeqyteti ku njerëzit që jetojnë aty janë më të mençur apo më budallenj sesa njerëzit këtej në Europë ( këtë nuk e di, mund të ketë më të mençur sikundër edhe më budallenj, sia kam idenë sepse nuk e di). Po e marr Kabulin si kryeqyteti simbol i një shteti të shkatërruar dhe katrahurë. Pse a nuk është Kabul edhe Tirana?! A nuk është Afganistan edhe Shqipëria? Jo do thoni. Gjithashtu thoni se po e ekzagjëroj. Ke jetuar ndonjëherë në Tiranë ti? A e di se këtu rrogat janë në shumë raste as 200 euro kurse çmimet njëjtë sa në Europë?!  More thuajse tërë pushteti është si zinxhir. Të tërë të krimbur. Nuk më beson. Që të gjithë hyjnë tek një zyrë. Aty “e vizitojnë” mirë e mirë, e bëjnë besnik dhe tërë jetës e ke ushtar të më të madhit. Ky i madhi që diç e ka edhe kokën e madhe prej vërteti e trupin tashmë e ka zvogëluar është një hajn i paskrupullt, një zezonjë e këtij vendi e shkatërrimtar i Shqipërisë.

Jo veç ky mor jo. Që të gjithë derra të pangijshëm janë. Njerëz pa dinjitet që gjithçka e kanë paranë dhe karrigen. Akoma s’po të mbushet mendja se këtu është Kabul? Akoma more? Do më?

Po dil more, dil njëherë rrugëve të këtij vendi e shihe rininë sesi e kanë masakruar. Kush nuk bëhet palë me politikën flasin me njëri – tjetrin sesi të mund të ikin nga ky ferr. Po pra. Dil more njëherë. Dil e pije një kafe me një student parimor i cili ka mbaruar Masterin. Punon në Call Center more. Po ai vjen nga Gjirokastra mor. Po ç’do të bëjë ai me 250 mijë lekë të vjetra të qelbura mor.

Të paguajë qiranë, të ushqehet apo të lahet. Çfarë të bëjë më përpara mor? Po është krim more. Krim sa nuk thuhet more mbi rininë. Janë bërë shumica me sëmundje. E pijnë pa fund cigaren nga stresi, nga tmerri i një pune maskaradë ku duhet të dish gjuhën e huaj e ti nxjerr mendtë e kresë!

E nis jetën me rrogë të qelbur. Pa shtëpi, pa groshë dhe pa katandi. Kurse elita more bën sikur ua do të mirën këtyre studentëve dhe vendit ashtu të veshur me krevata e qëndrojnë ndër karrige të ngrohta.

Këta që historinë e Shqipërisë e bëjnë lëmsh me paçavure gazetareske e se personit me pushtet të cilit i shërbejnë ia ndryshojnë biografinë për mrekulli.  Ia ndreqin biografinë hajdutit, të poshtrit, të tmerrshmit.

Këta janë elitë e kuqe që fjalët i kanë të ngrohta kurse në fakt janë ca njerëz që djegin shpresa qytetarësh pa fund. Janë edhe të zinj disa syresh prej tyre, siç i kanë “xhipat” e tyre të shtrenjtë që i ngasin me kapërdisje.

A s’po të mbushet mendja se këtu është Kabul? Akoma mor? E mirë dëgjoja edhe këtë. Këtu mor muzetë, kryeministrinë e ç’janë vlera të vendit e të kombit i grabisin vrasësit, hajdutët, përdhunuesit e maskarenjtë.

Këtu hajdutët me damkë, maskarenjtë, njerëz që kanë qenë në burgje të Europës për prostitucion a për vepra të rënda penale vijnë dhe me gangsterizma e me presione bëjnë pronë të veten muzetë, lumenjtë dhe fushat e vendit.

E pra e more vesh. Kabul është pak. Mos e krahaso me asnjë vend. Quaje Mizerje!…

Masakër…


Nga Dionis Xhafa

E keni dëgjuar fjalën “masakër”? Sigurisht që e keni dëgjuar. Jo jo. Kjo që po e tregoj nuk është ashtu siç e ke dëgjuar dhe që iu shkon përnjëherë në mendje. Nuk është “masakër me gjak”, as krim i tmerrshëm me kufoma e me njerëz, as pastrim etnik as…as…

Është masakër urbane. Po ç’është masakra urbane? Pse kaq lemeri, tmerr e llaftari qenkërka? Për një sy të thjeshtë që e vëzhgon për të parën herë të tillë pamje mendon se është thjesht periferia e një qyteti “metropolitan” si Tirana. Jo pra nuk është kështu. Është krim. Tmerr madje është.

Është tia veshësh një njeriu kapuçin tek këmbët dhe çorapet tek koka. Është ti bësh transplant një njeriu të cilit zemrën ia vë tek këmbët kurse trurin tek zemra.

A vritet ky njeriu po qe se ia kryejnë në të tillë mënyrë operacionin?! A e dëmton? Po ç’thua more. E masakron. E vret në vend.

Kështu pra edhe qyteti i Tiranës po përjeton hemorragji sepse veshkat ia kanë ngatërruar me zorrët, zemrën me trutë, kurse palcën me kokërdhokët e syve.

Kështu e kanë sakatuar, e kanë përçunduar, sikur një njeriu ti biesh me sëpatë pas kokës. A çohet ky njeriu pasi i ke rënë me shat’ e me sëpatë m’u në tëmël të kokës?! Çohet thua?

Kështu pra i kanë rënë edhe qytetit. E kanë mbytur në rrugë, asfalt, pluhur, baltë e gjithëçfarë lloj aromash të pakëndshme.

Kështu duket pallati sikur është i bukur, i lartë, kurse pranë tij janë plehrat, balta, rrugicat copa-copa dhe një rrugë-baltë e hapur pasi mbi të kanë kaluar me mijëra njerëz. Këtu është Lana, janë kanalizimet e gjithandej  ndjese për fjalën por aromë urine vjen në të katër anët. Fjalën diç jo të duhur nuk po e them për ta veshur me banalitet situatën, por i tillë është realiteti prej vërteti.

U qartësove tani? Akoma jo?! A i sheh fushat?! Po këta shtëpitë 2-3 kate që katin e parë e kanë me shtylla, të dytin e kanë për banim kurse të tretin një dreq e di se për çfarë e kanë ndërtuar. Po këto i sheh. Fushat e mbushura me plehra dhe me barëra të këqija?

S’mirret vesh as se kush i ka këto fushat e derisa rrinë kështu djerrë kushedi pronari mundet të jetë më i zoti se shteti. Individ mbi shtetin. Ke parë ti kështu? E kupton tani?

E pra: Ka masakër si krim pasioni me gjakra e kufoma por se ka edhe kështu krimi. Tani a do ta dish se cili nga këto krime është më i rëndë?!

Ja ta them unë. Sigurisht që ky krim të cilin po e sheh me sy. E di pse?! Sepse krimi i pasionit e merr jetën e një personi, dy apo të disave.  Kurse ky që e sheh ti është “krim i qetë” por me përmasa tragjike.

Po çuditesh? Hiç mos u çudit. Hiç fare. Kjo pamje që po e sheh ti është krim tejet i rëndë. E para ta lartpërmenda se nuk i dihet se e kujt është toka dhe se shteti nuk e përdor dot atë tokë për të ndërtuar parqe, lulishte etj. Individë mbi shtetin. Ke parë ti?!

Edyta shtëpi mbi toka buke, mbi bar dhe mbi lulishte. Pallate mbi natyrë. Ke parë ti?! Individë prapë mbi shtetin. Shtet që nuk i planifikon dot individët e vet.

Prit se akoma nuk kemi ardhur tek “krimi final”. Po cili është “krimi final” do thuash?! Këto krimet që ti përmenda kanë si pasojë ajrin e ndotur plot pluhur e llum.

Këto krime “na e hanë” përditë shpirtin ngadalë dhe na e shkurtojnë jetën. E pra krim me pasoja tepër të rënda. Që shkurtojnë jetë. Mbi shumë njerëz.

Po tani çfarë mendon? Ajo që po e sheh nuk është thjesht një pamje. Është vend krimi.

Dionis Xhafa 20 prill 2016

 

Maqedonia kah Rusia


Nga Dionis Xhafa

Maqedonia si shtet i mëvetësuar u krijua fill pas shkatërrimit të Jugosllavisë për të mbetur një “Jugosllavi e vogël” në Ballkan edhe pas viteve 2000. Por me ndryshimin e vetëm se këtu pak ka serbë, kroatë e etni të tjera por veç maqedon e shqiptarë. Dy etni të cilat duken krejt të kundërta për nga vlerat të cilat këta përqafojnë por se iu thonë se duhet të jetojnë bashkë.

Shqiptarët nga njëra anë më janë popull liridashës dhe se më tepër të drejtuar për nga vlerat perëndimore. Ndryshe nga sllavët që në përgjithësi “kryeqendrën e vlerave” të veta e kanë në Moskë. Një ndarje si me thikë në vlera mes dy etnive nuk vihet re veç në popull por edhe në politikë.

Maqedonisë ia do rendi që në qeverisje të jetë një parti maqedonase dhe një shqiptare – e që aktualisht janë në pushtet VMRO-ja dhe BDI-ja. Po të vësh re këta dy parti që e udhëheqin vendin janë si nata me ditën, ku VMRO udhëheq, imponon, dhe drejton në mënyrë thuajse të hekurt vendin. Pasi parashtrova të tilla fakte të dalim tanimë tek problem të cilin dua ta shtroj.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov ka vendosur ti falë krimet e politikanëve. Ivanovi përpos se maqedon është nga rradhët e VMRO-DPMNE-së. Thuhet se një gabim në politikë është edhe krim më i rëndë deri edhe te vrasja në jetën civile. Kjo sepse vrasja në jetën civile merr jetën e një personi kurse gabimi në politikë merr në qafë me dhjetëra, qindra e në mos mijëra njerëz.

Vendimin e Ivanovit për faljen e krimeve të politikanëve e kundërshtoi ashpër ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian duke i bërë thirrje kreut të shtetit maqedon që të tërhiqet nga vendim i tillë kriminal dhe absurd. Ivanovi sërish nuk u tërhoq. Ai përdori argumentin sa tragjik aq edhe komik se mosfalja e krimeve të politikanëve rrezikonte eleminimin fizik të dy krerëve kryesorë politikë në Maqedoni. Deklaratën e Ivanovit e përforcoi më tej Nikola Gruevski po sërish me tragji-komizëm duke thënë se presidenti me anë të faljes së politikanëve kishte kryer akt të lartë kombëtar.

Po si mundet të jetë normale që të falen krimet e politikanëve? Si mundet shtet demokratik ai ku falen krimet e kokave të shtetit?! Vendimi i Ivanovit është akt as më pak e as më shumë se për të mbrojtur më së paku Gruevskin dhe jetëgjatësinë e tij në pushtet.

Gruevski ka këtu e vite me rradhë që nuk e lëshon karrigen e pushtetit dhe njerëzit e tij nuk ka sesi të mos i shërbejnë që ta mbajë akoma karrigen e kryeministrit të vendit.  Gruevski e nisi karrierën e tij politike si ekonomist i zoti, reformator i madh dhe njeriu që do ti sheshonte raportet e nxehta etnike në vend. Ai po përfundon në një njeri që edhe me krime të mundshme përpiqet ta mbajë mbërthyer karrigen, nacionalist sa nuk thuhet me projektin “Shkupi 2014” dhe se nuk i do as emigrantët.

Falja e krimeve të politikanëve nga ana e Ivanovit është fakti i trishtë dhe tronditës se Shkupi po i afrohet vlerave politike të Moskës. Nacionalizëm, pushtet pa kursim, mosdurim nga liria dhe kërbaç ndaj të huajve dhe emigrantëve. Kështu është veç regjimi i Vladimir Putinit në Rusi i cili nuk pyet as për vlera demokratike por veç i shtyp kundërshtarët politikë.Putini jo vetëm që nuk e dha dorëheqjen kur emri i tij doli i përfshirë në skandale financiare në “Panama Papers” por injoroi dhe se për më tepër shtoi edhe se e gjitha kjo “ishte propagandë perëndimore kundër pushtetit të tij”.

Me të drejtë ministri i Jashtëm polak  Witold Waszczykoëski tha se Rusia është rrezik më i madh për Europën sesa ISIS. Me rastin e Ivanovit dhe të ngjashme Maqedonia duket se për nga politika që e prodhon po shkon nga Rusia. Një gjë e tillë bie si thikë mbi shqiptarët.

Kjo sepse shqiptarët si komb janë të prirur për nga vlerat perëndimore dhe e duan më tepër lirinë e pavarësinë. Shqiptarët në Maqedoni ngjajnë si të shtypur brenda një shteti i cili për nga ajo ç’ka lartëson dhe promovon nuk shkon për shtat me to.Thikë e rëndë e nacionalizmit maqedon që e ngre VMRO-ja bie pikërisht mbi shqiptarët!

18 mars 2016

Si braktiset atdheu (Për ikjen e shqiptarëve)


Si braktiset atdheu

Boshatiset Shqipëria,

Plagoset mëmëdheu

Përligjet tirania.

Përjashtohet ndershmëria

Nga tokë ku u lind,

E përplas ndër fate të këqija

Ndër rrugë, dete e shkëmbinj.

Përplaset shqiptari me botën

Ndër fate të zeza e të trishta,

Ndër kryqëzime të Europës

Gjenden fytyrat tona të ligshta.

Është kohë e mbijetesës

Kohë e ditëve të zeza,

Lart në ballë të fortesës

Ngre kryet flamur si monedha.

Përpëlitemi, sakatohemi

Ndër rrugica e ndër shkrepa,

Vritemi e gjakosemi

Vuajtje qençe qenka jeta.

Shtet i bardhë e shtet i zi

Të na rrosh edhe njëqind të tjerë,

Ti na dhe veç lirinë

Për ta patur jetën të mjerë.

Nëpër rrugë e ndër rrugica

Këtu gjenden fatet tona,

Fytyrat tona prapë të ligshta

Do të drejtohen kah Europa.

Po ky vend ama na leu

Me realitetet e mënxyra,

Andaj braktiset atdheu

Boshatiset Shqipëria.