Nobel për “vetëvrasje”!…


nga Edi Sara, G.Dita    Dixhitura marrë nga MAPO.

http://gazetadita.al/okb-ja-plehron-shqiperine-nobel-per-vetevrasje/

Një situatë dramatike ka ngjethur vëndin tonë dhe situatën ndërkombëtare, pas marrëveshjes së fundit që u arrit mes SH.B.A. dhe Rusisë për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shator të këtij viti. OKB-ja vendosi t’ia besoje këtë çështje inspektimi dhe mbikqyrjeje në duart e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) e cila fitoi çmimin Nobel për Paqen në muajin Tetor që lamë pas.

Megjithatë, e gjitha kjo duket si një skenar loje e orkestruar me kujdes nga dy fuqitë më të mëdha ushtarake të cilat edhe nënshkruan paktin: SH. B. A. dhe Rusi. Për herë të parë ndodh që çmimi Nobel për Paqe t’i jepet një lloj organizate të këtij lloji, si dhe koiçidencë në të njëjtën kohë që një muaj më parë arrihet kompromisi mes dy fuqive antagoniste dhe në arenën Siriane: Amerika e cila mbështeste rebelët, si dhe Rusia e Kina të cilat mbronin sovranitetin e shtetit Sirian me qeverinë e Pr. Bashar al Asad në krye. Në të njëjtën kohë, po këto fuqi të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurisë (KS) të OKB-së, hartuan skemën e re gjeopolitike post-rezolutës së miratuar për gjëndjen e Sirisë dhe palëve të saj qeveritare/rebele.

Rezoluta nr. 2118 nga Këshilli i Sigurimit/OKB

Rezoluta në fjalë u arrit në akord në mënyrë unanime nga të 5-shtetet anëtare të përhershme të KS si dhe nga 10-të tjerat jo-të përhershme. Ky vendim u arrit më në fund pas një dialogu të gjatë 2-vjeçar midis Amerikës dhe Rusisë, dhe nga marrëveshja e tyre doli si produkt përfundimtar propozimi i rezolutës nr. 2118 mbi Sirinë që u pranua nga KS, ku theksi vihej mbi asgjesimin e arsenalit të armëve kimike të shtetit Sirian (i dyshuar për përdorim kundër rebelëve).

Siria vetë vuri kushtin e vetëm ndaj kësaj rezolute që shkatërrimi i tyre të bëhet jashtë territorit Sirian. Për këtë arsye iu ofrua Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), si një organizatë me kredibilitet dhe reputacion të lartë në arenën ndërkombëtare, duke patur parasysh edhe çmimin Nobel për Paqe që morri i cili shërbeu si një aset i rëndësishëm. ONAK-ut iu besua survejimi dhe vëzhgimi i gjithë proçesit të shkatërrimit të armëve kimike siriane kudo që do bëhet.

Gjeo-politika

Duke patur parasysh SH.B.A.-të si aleatin kryesor e më të madh të Shqipërisë, çështja merr një trajte tjetër në debatin gjeo-politik parë nga aspekti i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë rast mund të shohim një konfrontim të drejtpërdrejtë mes dy shkollave më të mëdha në fushën e shkencave politike: asaj realiste kundër asaj liberale.

-Realistët do argumentonin se Shqipërisë i ra fati (i mirë ose i keq – do e shqyrtojmë më pas) për të marrë afro 1300-ton gaz sarin në plan të parë thjesht për magazinim, por për të qënë “hard-core realist”, me pritshmërinë se në Qershor’ 14 do të merret edhe vendimi i çmontimit dhe asgjesimit të tyre në rajonet ku do mbarten. Arsyeja e përzgjedhjes së vëndit tonë vjen së pari nga proksimiteti gjeografik. Pse jo Turqia ose vëndeve ngjitur me Sirinë në Lindjen e Mesme, skolarët Amerikanë të shkencave politike mund t’ju përgjigjen me argumentimin se: Siria nuk pranon Turqinë për t’ia besuar armët e saj duke pasur parasysh se kjo e fundit akuzohet vazhdimisht nga qeveria e Asad-it për favorizim dhe suport të rebelëve përgjatë kufirit. Ndërsa përsa i përket vëndeve fqinje me Sirinë, është Amerika ajo e cila nuk pranon t’ua “besojë” armët e shtetit Sirian, si pasojë e celulave terroriste, qarqeve të shumta pro-qeveritare ndaj Asad-it, dhe aktivitetit të lartë të radikalëve fondamentalistë islamikë anti-amerikanë. Megjithatë në ndërkombëtar është bërë e ditur se Jordania dhe Turqia kanë refuzuar paraprakisht vetë ofrimin e këtij arsenali për shkatrrim në territorin e tyre. Së dyti, ndërkombëtarët shohin një “eksperiencë” të mëparshme në Shqipëri duke pasur parasysh eliminimin e 16t gaz mustard 2002-2007.

Në analizë të drejtpërdrejtë diplomatike, Amerika e ka ofruar vetë “aleatin” dhe partnerin e saj strategjik në Ballkan gjatë tryezës së negociatave me Rusinë, si një nga territoret më potenciale për t’ju ofruar shkatërrimi i këtyre armëve përkundrejt një çmimi prej 2-milion $ të cilën Moska nga ana e saj është e gatshme ta depozitojë në llogari të Bankës Kombëtare të Shqipërisë për kryerjen me sukses të këtij proçesi. Lind pyetja: Pse Washington-i nxorri Shqipërinë në negociatat e saj me Moskën? Në gjuhën diplomatike, kjo quhet “prioriteti më i ulët” ku negociatori është i gatshëm të bëjë lëshimin e tij të parë për t’iu afruar kompromisit. Nga ana e saj, Moska po luan me shtetet e Europës të ofruara në listën e mundshme të vëndeve që mund të shërbejnë për këtë proçes, si Franca, Belgjika, ose Suedia. Moska është në rolin e efendiut i cili ka paranë në dorë, dhe është gati t’ia ofrojë muzhikut të parë që vjen të punojë çifligun por jo të sajin, por jashtë oborrit të vetë. (Min. Jashtëm Rus S. Lavrov ka deklaruar se nuk do pranojë importimin e armëve kimike ne territorin rus, por do mbështesë financiarisht dhe me logjistikë projektin).

-Liberalët nga krahu tjetër, do ta vështronin këtë situatë me një sy më pak kritik. Përkundrazi, ata do argumentonin se partneriteti midis Shqipërisë e SH.B.A.-së do forcohet më tej nëse pranohet “oferta” e dërguar e Washington-it drejt Tiranës zyrtarë pak ditë më parë. Gjithashtu përfitimi ekonomik i vëndit tonë të vogël i cili është i prekur nga kriza e rëndë qysh prej disa vitesh sikundër gjithë Europa, do ishte një ndihmesë e çmuar për të ndrequr nivelin e borxhit publik, shpenzimeve suplementare si dhe defiçitin doganor shqiptar, ndrequr inflacionin dhe rigjeneruar kostot imediate të qeverisë. Kontributi i Shqipërisë do njifet jo vetëm në rajon, por Shqipëria mund të marrë premtimin e emërimit si një nga vëndet e ardhshme  jo-permanente të KS. Argumentet e tyrë do të ngriheshin mbi parimin e reciprocitetit dhe bashkëpunimit për të siguruar përfitim për të gjitha palët në këtë lojë, ku Shqipëria nga ana e saj do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajonin e Lindjës së Mesme por edhe atë global.

Retorika kundër pranimit të armëve kimike siriane në Shqipëri

Në retorikën e argumentimit kundër importimit të gazit sarin në Shqipëri, janë ngritur organizatat qytetarë, ato ambientalistë si dhe një pjesë e mirë e intelektualëve të cilët kanë pasur mundësi të informohen nëpërmjet shtypit ndërkombëtar dhe kombëtar.

Pyetja e parë që lind natyrshëm është: Pse jo Greqia? Edhe ajo pjesë e NATO-s është, biles që në themelimin e saj në 1949. Psë pikërisht Shqipëria? Pse jo një vend tjetër Ballkanik, ose kudo ne Europë? Duke përdorur gjuhen realiste, Shqipëria duhet të paguajë “kostot” e aleancës e partneritetit strategjik me SH.B.A. Tashmë sezoni i vjeljeve të fryteve me Amerikën mesa duket i ka lënë rradhën asaj të mbjelljes. Vëndi ynë mesa duket duhet t’i kthejë “favoret” aleatit të saj më të madh, duke pasur parasysh nderin që SH.B.A. beson se i ka kryer vëndit tonë në ndërhyrjen e konfliktit Sërbo-Kosovar (duke lënë mënjanë interesin e vet gjeo-politik në Ballkan me krijimin e një shteti të dytë satelit ndaj Pentagonit). Në të njëjtën kohë, statusi i vëndit kandidat brenda BE-së, ndoshta “përshpejtohet” me ritme galopante në rast pranimi nga Tirana zyrtare kërkesës së dërguar nga Washington-i mbi importimin e gazit sarin. Mesa duket Shqipëria nuk ka për të patur “fatin” e mirë të integrimit imediat si ai i Bullgarisë e Rumanisë, pasi nuk ka proksimitetin e tyre gjeopolitik rajonal vís á vís Rusisë.

Përsa i përket ambientalistëve, debati është një çështje e humbur për kundërshtarin përballë. Në argumentimin e tyre ata mund të përmendin një morri faktesh dhe statistikash në të cilat lexuesi dhe auditori mund të sensibilizohet dhe të kuptojë rreziqet realë dhe të mundshmë të pranisë së armëve kimike dhe veçanërisht të gazit sarin. Duke mos u zgjatur, si dhe duke lënë mënjanë hipotezat e mundshme të aksidenteve dhe/ose incidenteve që mund të ndodhin si në rastin e Gërdecit (ku ndodhte proçesi më i thjeshtë i çmontimit të armëve të zjarrit e jo më i armëve kimike-ndryshe imagjinoni pasojat dhe numrin e viktimave), unë përmend rreziqet e larta të dëmtimit mjedisor, si dhe riskun e lartë të shpërhapjes së sëmundjeve që zhvillohen në kancerogjene si pasojë e përmbajtjes së gazit helmues sarin dhe kimikateve të tjëra. Duhet përmëndur gjithashtu fakti se ky lloj arsenali kërkon kushte optimale magazinimi, pra temperatura të posaçme dhe të qëndrueshme për t’u ruajtur në gjëndje të sigurt. Pra skenari i strehimit te tyre në tunelet e nëndheshme të bazave ushtarake shqiptare, hiqet nga lista pasi nuk janë projektuar për këtë funksion, por thjesht për ruajtjen e objekteve dhe makinerive ushtarake ose magazinim të municioneve të tipit predha, top, raketa etj. Nqs ndodh një katastrofë me armë kimike në këto tunele, ujërat nëntokësore, do e shpërhapnin helmin në gjithë ekosistemin natyror nga ku erërat e ndryshme do e çonin edhe në zonat e populluara.

Analiza e debatit

Pa u zgjatur më tej me detaje dhe përshkrim, po i paraqes lexuesit dhe publikut shqiptar shkurtimisht rreziqet që i kanosen Shqipërisë në perspektivën afatgjatë:

1)      Rreziku i lartë i degradimit mjedisor dhe sëmundjeve si pasoje e përmbajtjes së gazit helmues sarin. (Kujtoni pasojat radioaktive në Nagasaki dhe Hiroshima pas bombave bërthamore- vazhduan për 70-vjet dhe ende zbulohen raste viktimash).

2)      Shqipërisë i mungojnë kapacitetet për shkatërrimin e këtyre armëve. Megjithatë aleatët tanë kanë ofruar mbështetje financiare dhe logjistikë në proçesin e transportimit, magazinimit dhe më vonë atë të neutralizimit të armëve kimike. Gjithsesi, nuk duhet harruar hezitimi i Francës, Belgjikës dhe Danimarkës, të cilat kanë shkolla të larta teknike dhe eksperiencë me dekada në fushën bërthamore. Diçka duhet të na dëftojë hezitimi i tyre.

3)      Duke pasur parasysh refuzimin e Norvegjisë e cila është lider në mbarë globin përsa i përket pikëpamjeve ambientaliste si dhe atë të Turqisë e Jordanisë (sidomos kjo e fundit si aleate e vetë Sirisë), mos ndoshta përceptimi i tyre për kërcënimet që i kanosen natyrës dhe popullatës në prani të këtyre kimikateve me përmbajtje vdekjeprurëse ndoshta duhet të reflektohet dhe shqyrtohet me imtësi edhe nga ana e diplomacisë sonë përpara pranimit zyrtar?

4)      Detyrimet e diplomacisë sonë në arenën ndërkombëtare, duhet të analizohen dhe shqyrtohen me perspektivë afatgjatë dhe jo jetë-shkurtër, si thjesht pranimi i disa transfertave bankare duke neglizhuar kostot mjedisore të parikuperueshme dhe kërcënimin ndaj popullatës nga këto armë kimike. Është detyra kryesore dhe më themelore ajo e diplomatit i cili është betuar për t’i shërbyer vëndit dhe interesave të tij mbi gjithçka.

5)   E fundit, qeveria e socialistëve miratoi që në ditën e parë të saj në kuvend ligjin për ndalimin e importimit të plehërave në territorin Shqiptar. Sikurse paraqitet në pikën 1 të nenit 48 të Kushtetutës: “Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.” Kjo nuk lë vend aspak për interpretime të mundshme, pasi dëfton qartë dhe prerazi çdo lloj mbetjeje, që do të thotë nuk ka rëndësi forma ose përmbajtja e saj, qoftë armë ose jo, qoftë e lëngët, e ngurtë ose në gjëndje të gaztë.

Replikë z. Ilir Kulla

Pak ditë më parë, më tërhoqi vëmëndjen në panelin e emisionit “Fakt” të Çim Pekës, z. Ilir Kulla i cili ishte përballë z. Sazan Guri. Z. Kulla artikuloi si një nga “argumentet” e tij më të fortë përballë ambientalistit Sazan Guri, se ndryshe nga ai, z. Kulla e shikon këtë si një mundësi të artë për Shqipërinë për të kontribuar botërisht në prezervimin e habitatit natyror duke shkatërruar këto armë kimike. Unë i drejtohem hapur dhe e pyes:

-Z. Kulla, pse mos i shkatërrojnë këto armë kimike vetë vëndet të cilat i prodhuan? Por Siria vetë nuk pranoi, Rusia është e gatshme të kontribuojë financiarisht dhe në logjistikë?

Z. Kulla gjithashtu pretendon se është gjeo-strateg. Dhe na sqaroi edhe arsyen e përzgjedhjes së Shqipërisë në këtë proçes. Por unë i rikujtoj z. Kulla se është detyra kryesore e diplomatit dhe sidomos hartuesve të politikave të jashtmë, të bëjnë çmos që t’iu shmangen kompromiseve që rezultojnë në kërcënim ndaj territorit dhe popullatës të vëndit tonë. Ju cituat disa herë gjatë emisionit se po tregoheshit realist, ç’ka më jëp mua të drejtë për t’ju drejtuar këtë pyetje personit në vijim. Nqs SH.B.A. është aleati dhe partneri jonë kryesor strategjik, në terma fuqie, ky është një rast flagrant i “hard-core power” dhe shkollës neo-realiste të Mearsheimer-it, ku Shqipëria si një vënd i vogël e pa fuqi ushtarake të krahasueshme, po “shtyhet” (band-wagoning concept) nga aleati i saj të ndjekë dëshirat kundër vullnetit të saj si pasojë edhe e “ndereve” në të kaluarën (Kosova dhe pavarësia, hyrja në NATO) të cilat i atribuohen Amerikës si lobuese kryesore për pranimin e vëndit tonë.

Atëhërë ju si “gjeo-strateg”, ç’farë plani keni përpiluar dhe cilat janë rrugëzgjidhjet e mundshme të diplomacisë Shqiptare për të shmangur këtë “propozim” të Washington-it për armët kimikë siriane?

Po ju rikujtoj se ju si “gjeo-strateg” i shërbeni diplomacisë Shqiptare dhe jo asaj Amerikane. Apo thjesht vështroni dhe komentoni situatën e krijuar dhe propozoni nënshtrimin e plotë të Tiranës zyrtare interesave të Pentagon-it? Se mesa kuptuam në emisionin “Fakt”, kjo ishte ajo ç’ka na latë të kuptonim. Pra le të pranojmë kushtet e fuqive të mëdha:

“Plerat kimike në vëndin e plehërave.”

Por Shqipëria nuk është vëndi i plehërave z. Kulla, ndryshe nga se mund të mendoni ju, pasi vërtet ka “plehëra në kostume” që punojnë kundër interesit kombëtar, por populli shqiptar ka mbijetuar historikisht ndaj këtyre tipave.

Dhe për t’i vënë fund, ekstremiteti i “argumentave” tuaj kapi majat kur ju thatë se Shqipëria mund të jetë një nga vëndet kandidate për t’u futur në listën e marrjes së çmimit Nobel për Paqe në 2014 në rast pranimi të shkatërrimit të armëve, si shenjë mirënjohjeje për kontributin që ka për të dhënë për ruajtjen e paqes në botë dhe stabilizimit rajonal gjeo-strategjik. (Ç’ka i jep të drejtë aludimit se nuk bëhet fjalë për Shqipërinë thjesht si vend transit-magazinues, pavarësisht se ju e mohuat.) Natyrisht auditori dhe mbarë publiku shqiptar iu pyet ju:

Për ç’farë do na i japin si dhe përse ta duam çmimin “Nobel për Paqe” kur rrezikojmë vetëvrasje/vetëshkatrrim?

-Ndoshta Suedia do na i japë këtë përgjigje në vazhdim të kohës kur të vendosë për vete çdo bëjë në lidhje me pranimin pse mospranimin e armëve në territorin e saj…

Image

This entry was posted in Media.

One comment on “Nobel për “vetëvrasje”!…

  1. Ajaytao2010 says:

    Nice reading about you

    Thanks for visiting my blog. Be in touch. Browse through the category sections, I feel you may find something of your interest.

Comments are closed.