2014, një vit ndryshe politik në truallin ballkanas


Viti 2014 pritet të jetë ndryshe. Së paku në sferën politike ndërballkanase. Një gjë e tillë është nënvizuar shpesh nga kryeministri Edi Rama në fjalime të mbajtura brenda dhe jashtë vendit. Ai ka nënvizuar faktin se Ballkani është sot në një vit paqeje dhe tolerance, si kurrë më parë në historinë e saj. Rama si person është i njohur për parimet e tij liberale, madje deri kozmopolite. “Një vit ku ballkanasit nuk do të qëndrojnë më në pritë të njëri-tjetrit nëpër frëngji kullash, por do ti japin dorën njëri-tjetrit”. Kjo ka qenë fjalia më e artikuluar nga Rama edhe në takime, madje dhe në takimin që u mbajt në Bukuresht ku ishin prezentë 27 kryeministra të Evropës Juglindore. Më e “rëndë” duket vizita në Beograd, një qytet mjaft hijerëndë në raport me shqiptarët. Kryeministri ynë ngjan të jetë i vendosur të vendosë raporte të ngushta me të gjitha shtetet në truallin e përbashkët ballkanas. Menjëherë pas takimit të konsumuar tashmë në Prizren mes dy qeverive të shteteve me shumicë shqiptare, hapi i rradhës rrëshqet menjëherë në Serbi. Me aq sa njihen parimet e Ramës, me shumë mundësi vendosja e raporteve ndrshtetërore më të afërta nga ç’janë është kryeaxhenda e tij. Në raport me fqinjët dhe shtetet ballkanike, po duket një vendosje e një raporti të ri. Ajo që befason është fakti se jo vetëm politika e do këtë, por edhe shoqëria po pranon realitetet paqësore në një gadishull të gjakosur në të shkuarën e afërt.

Almakos

Image

Civilja përballë politikës titane!…


Shoqëria civile është baza e një shoqërie që ka një demokraci të mirfilltë. Në një det të paanë ku mbytet një popull i tërë, civilja ngjan si një ishull e aspak më shumë. Politika gjithnjë zhyt e mbyt, ose së paku kështu ka bërë deri më sot. Në një realitet të tillë, e rëndësishme është shtylla e civiles. Mirëpo, duke qenë se në një vend si Shqipëria tentakulat e politikës janë shtrirë në të katër anët, është e lehtë po ashtu zhytja në një batak total të njerëzve, brenda kornizava të politikës. Kjo e fundit s’ka lënë segment shoqëror pa e tërhequr pas vetes, si rrjedhojë e valës influente mjaft të gjerë që ka, valë që për bazë ka më së shumti disponimin e parasë. Përballë një “beteje” të tillë titane, civilja po humet gjithnjë e më shumë. Nëse do të merrnim një njeri që jeton brenda për brenda një habitati natyror, do të ishte e krahasueshme po të thonim se një titanizëm politik e ka lënë atë në një ishull të izoluar. Ky ishull gjithmonë e më shumë gërryhet nga ujë i turbullt, zemërues dhe inatçor i kurtheve të ashpra politikbërëse. Në të tilla kushte, ky njeri, “njeriu ynë” ndihet i kërcënuar dhe i mjerë përballë stërkalave që shkatërrojnë me materie, dhunë e “kërcënim” ekzistencial. Në një vend si yni, vështirësia e ngritjes së shoqërisë civile është akoma e dukshme. Shtypja e saj nga përqëndrimi i materiales vetëm në politikë, bën që dobësia e saj të jetë kurdoherë e dukshme. Ngritja e ndërgjegjes qytetare dhe nevojës për një ndryshim të një sistemi krejtësisht politik, është rruga drejt civiles dhe socialen. Kur të mos ketë më njerëz të fuqishëm të veshur me kostume politike, por një erë e përgjithshme barazie, do të jetë rrezja e parë drejt një “epoke” ku në qendër vihet njeriu dhe jo aksesi i tij material.        

Dionis Xhafa , AlbObserver.al

Image