Stacioni i radhës


Dionis Xhafa

Është e premte dhe ditë pune. Në lodhjen e përditshme, në atë që djersa nga rraskapitja bëhet kripë, çdo gjë bëhet dhe më dramatike, kur ke hipur në mëngjes në autobus.

Por është fushatë dhe diçka ka ndryshuar. Në sfond, një megafon shpjegon stacionet. “Ferluti – The next station” thotë megafoni, ndërsa rrotat e mjetit, bashkë me pasagjerët ecin përpara.

Prapë jam i lodhur dhe koka sikur më këputet nga fakti që dua të qetësohem totalisht për një moment. Fushata është çudi në vendin tim e tëndin, e tonin. Njerëz që dalin nga asgjëkundi, si fantazma dhe bëjnë sikur rregullojnë rrugë, kanalizime, drita, ujë, me pak fjalë, çdo gjë që mungon. Këta ditë i shikon dhe kupton që paska njerëz që punojnë për komunitetin se katër vite të tjera nuk janë më.

Dhe, si për ironi edhe zërin e megafonit e kanë në anglisht, për t’u dukur si të huaj, ku asgjë nuk është e bukur, por gri, mes pluhurit e maskarallëkut të përditshëm.

Dhe, shprehja “Stacioni i radhës…” të vjen e të ngulitet në kokë e të shkon drejt e në tru. Është shprehje absurde në fakt, sepse nuk mund të dish si ta kuptosh si frazë.

Për ne shqiptarët është frazë që na ka shoqëruar dhe do na shoqërojë shumë gjatë, sa kohë do jemi përmbi këtë dhe të bukur, të nxirë nga shumëçka.

Stacioni i radhës nuk dihet se ku është, ndoshta kishte pak gjurmë, por edhe ata ia kanë zhdukur. Edhe shpresën e kanë venitur, për mos të thënë e kanë shuar.

Stacioni i radhës nuk është më Tirana, as qytete dhe as qyteza tonat, që janë zhytur në errësirë të madhe dhe për të ardhur keq për ta, njësoj si vargjet e një kënge të njohur “Është e djegur, e shkatërruar, Prishtina që unë kujtoj”.

Stacionet e radhës janë Hamburgu, Frankfurti, Berlini, Berna, Milano e deri përtej Atlantikut, duke ikur të gjithë, sikur vrapojmë për të shpëtuar nga ngrënia e një kafshe të egër. E kanë bërë atdheun kafshë të egër.

E, stacionin e radhës nuk e dimë, e nuk kemi si ta dimë, por jemi në dijeni në stacionit tonë të fundit të jetës, se do jetë shembja e trupit tonë, që ka pasur nën poret e veta gjithmonë indinjatën  nga ajo që të fal atdheu, të cilit i jep e vetëm të largon e të degdis, në hone me koordinata të panjohura. E kështu, ka shembje e lindje, nën absurd, breza të rinj, që sërish kërkojnë stacionin e radhës.