Sikur paratë e koncerteve të këngëtarëve tua jepnin të varfërve


Nga Dionis Xhafa

Po afrojnë festat e fundvitit. Viti i Ri 2016 është shumë pranë. Një atmosferë e ngrohtë duket se përcjell për shumë shqiptarë ky fundvit, por se ka nga ata që atmosfera për festa nuk është e ngrohtë, por e njëjtë si stina e dimrit: e ftohtë akull. Bëhet fjalë për faktin se këta festa fundviti presin shumë shqiptarë, të rritur, të rinj e të vegjël në gjendje të mjerë, të varfër dhe me shpresa të copëtuara për të ardhmen.
Një rast ekzemplar ishte ajo që pashë dje. Ta shpjegoj fare thjeshtë. Rrugës hyrëse për në Tiranë, sapo zbret mbikalimin tek “Kthesa e Kamzës” ishte krijuar një trafik tejet i rënduar. Makina që hynin nga dy anë e kishin bllokuar rrugën kryesore që të çon për në qendër të kryeqytetit. Trafiku i dendur me makina këta ditë vjen edhe për shkak se për festa kthehen shumë emigrantë, që i festojnë festat pranë gjirit të familjes.
Në mes të këtij trafiku të rënduar pashë disa djem të rinj, të cilët duke shitur shkrepëse, çakmakë e sende të tjera me vlerë “iu kishin zënë rrugën” disa makinave. Madje arrita të shohë edhe një skenë, atë se shoferi nuk pranoi fillimisht të blinte gjë nga djali që mbante sendet në dorë, e nisi makinën me shpejtësi të ulët, por se u detyrua ta ngadalësojë për shkak se djali e ndoqi nga pas. Shoferi “i bezdisur” disi, por edhe se u prek nga ajo që po shihte, i bleu diçka djalit në fjalë.
Sa pashë ishin mbi 3 djem në atë rrugë që kërkonin të shisnin gjësend tek pronarët e makinave që ishin në trafik të rënduar prej fluksit të madh. Por, se edhe pak më tej, tek “Dogana”, në “Laprakë” gjenden plot që lypin rrugëve të Tiranës por edhe të Shqipërisë, të rinj, të reja dhe gra.
E trishtueshme ta mendosh se pak më tutje nga vendi ku pashë tre djemtë në fjalë, tek “Dogana” bashkia kishte vendosur një reklamë, ku reklamoheshin koncerte madhështore të këngëtarëve shqiptarë e të huaj për festat e fundvitit.
Mendova se sikur bashkia ata para që iu jep këngëtarëve tua japë këtyre të varfërve, me siguri që këtë fundvit më shumë do ta kalonin me ushqim përpara dhe me ngrohtësi.
Viti i Ri 2016 po vjen, por ai nuk vjen njëlloj për të gjithë. Ende ka shumë njerëz që vuajnë në këtë vend, jo vetëm në kryeqytet, por në mbarë Shqipërinë.

 

mjerim

U protestua më 21 dhjetor, ç’do të bëhet më 21 janar?!


Sot sa duket ishte dita e fundit për 2015-tën që opozita protestoi përpara Kuvendit. Të gjitha këto protesta të zhvilluara nga ana e opozitës kanë patur në shenjestër keqqeverisjen e vendit, abuzimin me pushtetin nga ana e qeveritarëve dhe shkaktimin e të këqijave nga ana e qeverisë kundër qytetarëve, është shprehur opozita (PD).

Dita e sotme e protestës shënonte në kalendar datën 21 dhjetor dhe si për koicidencë, pas festave, fiks pas një muaji do të shënohet 21 janari.
Data 21 janar mbetet një nga ata ditë të zeza e të kobshme, kur dora e pushtetit vrau 4 qytetarë të pafajshëm, ndërsa nga ana tjetër mbi gjakun e të vrarëve u ngrit opozita e dikurshme, sot në pushtet.

21 janari është dita e kobshme e politikës që gjakos bulevardin për interesa të vetat dhe se ende nuk është vendosur drejtësia për të vrarët.
Partia Demokratike i zhvilloi protestat e saj këtë fundvit dhe në janar duket se do të jetë një fushë-betejë e vërtetë politike mes partive në vend.
Kjo sepse do të nisë “beteja” për të inkriminuarit nga të dyja palët, ku do të shihet nëse realisht do të ketë apo jo zbatim ligji për dekriminalizimin dhe nga ana tjetër ky muaj shënon një nga ngjarjet më të zeza politike të kohëve të fundit, 21 janarin.

Nga njëra anë, një PD që ishte në pushtet kur u vranë 4 qytetarë dhe nga ana tjetër, PS që ka marrë gjysmën e qeverisë të mëparshme për të bashkëqeverisur.

Nëse protestat e opozitës dje (PS) dhe opozitës sot (PD) kanë qenë me përmbajtje të thellë politike, 21 janari është vrasja e qytetarëve dhe as përmbushja e së paku drejtësisë mbi ta.

Me siguri që 21 janari është i rëndë plumb për të dyja partitë më të mëdha dhe prova e vërtetë sesa realisht partitë janë me qytetarin.
Pa vendosjen e drejtësisë për 21 janarin, partite më të mëdha në vend vijojnë të bëjnë politikë mbi plagë, mbi gjak e padrejtësi.

Nëse Albini do ish’ deputet në Shqipëri?!


nga Dionis Xhafa

Ligji i dekriminalizimit, që u vulos nga opozita dhe pozita, por se u miratua në parlament për shkak të kërkesave të vazhdueshme të Partisë Demokratike është një farsë e madhe për shumë arsye, Duket se është ligj që më tepër si inat personal i Berishës dhe që nuk rregullon thuajse asgjë. Realisht asgjë e asgjë.

Në fakt, vepra penale të vogla mund të kenë sot në Shqipëri shumë e shumë shqiptarë, të dënuar se nuk kanë paguar dritat apo ndonjë shkelje, që vijnë edhe nga varfëria, por veprat më të rënda janë shkaktuar nga dyshja 2B.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë xhelatët politikë, të cilët në opozitë kërkojnë t’iu bëjnë edhe biografinë njerëzve dhe gjithçka e bëjnë nga inati i verbër politik kundër të tjerëve, duke legjitimuar krimet e tyre politike.

Ligji i dekriminalizimit zor se e prek si Sali Berishën ashtu edhe Lulzim Bashën, pasi ata kanë kryer krime që nuk janë të ndëshkuar, pasi kanë qenë të mbrojtur me kostum politik.

Krim i vërtetë janë 21 janari, Gërdeci, korrupsioni, drejtësia e falimentuar. Sipas ligjit në fjalë, që na dilka se po të shkelësh një nen të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë nuk kandidon dot, atëherë i bie që Albin Kurti që ndodhet në burg në Kosovë, po të ishte në Shqipëri i ndërpritej mandati?

Mora këtë shembull për të thënë se ligji mbi dekriminalizimin mund të këpusë edhe njerëz që realisht kërkojnë të vendosin politika të drejta për shoqërinë. Në këtë kontekst, ligji mbi dekriminalizimin patjetër është i nevojshëm, por se nga ana tjetër duhet parë me skepticizëm për aq kohë sa shtetasi Sali Berisha është i lirë.

Shqiptarët jetojnë në shtet racist!


Nga Dionis Xhafa

 

Nuk gjendet republikë në Ballkan, përpos Serbisë që ta konkurojë Maqedoninë për nga nacionalizmi, i përfaqësuar sidomos në pushtet.

Në Serbi sillen sikur janë në pushtet “progresistët” e Aleksandër Vuçiç dhe “socialistët” e Ivica Daçiç, por se prej vërteti janë nacionalistët më të mëdhenj të Serbisë dhe anti-shqiptarë deri në rrënjë, sidomos ky i dyti ka qenë edhe krahu i djathtë i Millosheviçit.

Ndërkaq, edhe në Maqedoni në pushtet gjenden nacionalistët, të përfaqësuar nga VMRO-DPMNE, një parti që gati tenton në parti-shtet dhe që ka një nacionalizëm etnik maqedonas të jashtëzakonshëm.

Për ta kuptuar këtë nuk është nevoja të shihet me hollësi, pasi vetë projekti “Shkupi 2014”, ndasitë etnike, dallimet, diskriminimet dhe përçmimi i shqiptarëve e dëftojnë këtë.

Diskriminimi i shqiptarëve nga elementë të VMRO-DPMNE u pa edhe në emisionin “Rruga Drejt”, ku përfaqësuesi i “Manifesti maqedonas”, Stefan Vllahov Micev hodhi vrer kundër shqiptarëve dhe kundër gjuhës shqipe.

Të shumtë janë ata që ngrenë teorinë se BDI e kishte përgatitur vetë një skenar të tillë për të treguar gjoja se është parti që mbron shqiptarët, por se përtej partive politike shqiptare mbetet për të thënë se fjalët e Micev ishin jashtëzakonisht të ulëta.

Micev kishte një stigmatizim karshi shqiptarëve dhe karshi gjuhës shqiptare, një padurim kundrejt shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

Në fakt, Micev ishte vetëm një person, fytyra dhe shëmbëlltyra më e qartë e politikës shtetërore të VMRO-së në shumë raste, anti-shqiptare në shumë çështje.

Micev po ashtu është shëmbëlltyra e atyre maqedonasve që nuk i durojnë dot shqiptarët dhe as faktin se duhet të bashkëjetojnë me shqiptarët.

Micev pra është personazhi ynë në skenë që dëfton shumë maqedonas, të pajisur me vrer anti-shqiptar si pasojë e propagandës shtetërore, politike dhe mediatike të orkestruara nga ana e pushtetit aktul në Shkup.

Derisa ka shumë maqedonas si Micev realiteti mbetet dramatik, duke i nënvlerësuar shqiptarët, përçmuar dhe me tendencën e zhytjes së tyre dhe gjuhës amtare shqiptare.

Me pak fjalë, kemi një aparat të tërë pushtet-media-politikë nga pala maqedonase që ka prodhuar tejet mase paragjykim e racizëm kundër shqiptarëve, sa me siguri që shqiptarët sot banojnë në një republikë të mbushur me elementë racistë.

Në fakt, VMRO nuk e ka nacionalizmin etnik vetëm anti-shqiptar, por edhe kundër etnive të tjera. Maqedonia nuk është republikë raciste vetëm kundër shqiptarëve, por kundër të huajve sidomos.

Kundër shqiptarëve se nuk i durojnë dot së brendshmi, qofsh se ata janë autokton apo se mund të rriten në numra – kundër grekëve se kanë frikë nga emri – kundër serbëve se kanë konflikt për Kishën – kundër bullgarëve edhe pse në fakt ka shumë dyshime mbi etninë e vërtetë të “maqedonasve” dhe në fund edhe kundër emigrantëve që vijnë nga Lindja.

Maqedonia është një shtet i mbështjellë së brendshmi, në strofullën e vet dhe me një racizëm kundër thuajse të gjithë të huajve, sidomos shqiptarëve, mbi të cilët duket se bie edhe barra më e rëndë e nacionalizmit, diskriminimit etnik dhe atij shoqëror.

Maqedonia ka shumë elementë të një shteti racist, pasi është i vetmi shtet që në vend se ti mirëpres ata që vërtetë vuajnë nga shpata dhe kamxhiku i luftës civile në Siri, i dhunon, iu ngre mure dhe i largon.

Për të gjithë këta elementë, për fat të keq shqiptarët sot jetojnë në një republikë të mbushur me elementë racistë.

 

 

 

Kur do të bëhet më mirë?!


Nga Dionis Xhafa
Ngadalë-ngadalë po kalojmë edhe ditët e fundit të vitit 2015 dhe ashtu si ditë të përvdekura nga dimri i ftohtë, të kujtojnë sesi i tillë ishte edhe ky vit.
Përtej dritave vezulluese, dekoreve në bulevarde e sheshe, përtej zbukurimeve shumëngjyrëshe e stolive nëpër dyqane, të kujtojnë se 365 ditë të një viti nuk janë të thjeshta për tu kaluar nga një shqiptar i zakonshëm.

Për fat të keq të një populli po ashtu fatkeq vijohet të nëpërkëmbet shpresa dhe bashkë me të mungon guximi për një ditë më të mirë.

Këto 365 ditë të lëna pas të thonë të hedhësh shikimin nga e shkuara e të marrësh me mend se ç’vuajtje e mjerim e sa problem mund të ketë një qytetar i thjeshtë në këtë vend.

Sa e sa njerëz të mjerë të lënë në harresë, sa e sa njerëz të vrarë në shpresat për një jetë më të mirë, sa të rënë në depresion e në gjendje kaotike të jetës së vet.

Që situata në mjaft pore të shoqërisë shqiptare është e këtillë, pra e varfëruar dhe e mjeruar, mjaft të kujtosh disa lajme të kobshme të kaluara së fundmi në titra televizionesh apo në tituj gazetash.

Njerëz që kryejnë deri vetëvrasje, deri në skena horror si ajo e varjes në pemë të kryefamiljarit; lajme të këtilla të zënë sytë e veshët në media.
Njerëz që të mbushur me halle e probleme nga pamundësia tentojnë të shkojnë deri në vetësakrifikim. Vetëvrasja për shkaqe të varfërisë me siguri që është i pakët si fenomen në shoqëri në raport me popullatën, por se shtrihet si virus vdekjeprurës depresioni e dhembja e kresë nga realiteti që të përplas në rrugë qorre të jetës.

Sot është realitet i një republike as 3 milionëshe, që shumë prej tyre tentojnë të arratisen nga atdheu i vet për një fat në vend të huaj dhe këto ikje shumë për shkak të kancerit politik të përhapur gjithandej në vend.
Përse një realitet i tillë? Pse kjo homorragji, shkatërrim i ndjesive më të thella të njeriut, shkatërrim në shumë raste i qënies njerëzore deri në palcën e vet?!

Me siguri që jo pak ndikon realiteti politik, fusha magnetike e të cilit është e aftë të thithë shumicën e banorëve të republikës.

Me siguri shkaktar i gjendjes është përplasja e gjigandëve politikë në një skenë ku luhet me fuqinë, forcën dhe çdo mjet që disponohet.
Është realiteti i dy këpucëve gjigande me stampa politike që kudo shkelin trondisin dheun, janë kaq të pranishme deri në hollësitë e jetës së çdokujt.
Politika punëson. Politika ndërhyn. Politika gjobit. Politika vendos. Politika dënon. Janë të gjitha këto elementë që e kanë shndërruar Shqipërinë në shtetin e partive, në republikën e partizuar, në vendin e njerëzve që mendojnë sipas ngjyrave politike.

Kësisoj siç funksionon sistemi, të gjithë personat me profesion të caktuar, përfshi policë, mësëues a zyrtarë nuk janë të mbrojtur e të pavarësuar, por brenda kllapisë politike, duke mos patur aspak mbrojtje nga agresiviteti politik që është gjithnjë i pranishëm.

Siç shprehet Ben Blushi, kemi parti të cilat funksionojnë si ndërmarrje, që japin me interes vende pune për persona të caktuar, dhe marrin prej këtyre njerëzve besnikërinë dhe ndihmën për tu rritur numerikisht, me funksione parësore vetëm pushtetin dhe interesin, duke e vdekur thuajse krejtësisht ideologjinë brenda-partiake.

Kemi parti që rritjen e vet e bazojnë në klientelizëm të pastër dhe se kushdo që është jashtë klientelës, lihet të vuajë në heshtjen dhe në dhimbjen e vet.
Kemi parti që e kanë shndërruar në sistem punësimin me lista, me klientelë të cilës i thuhet se do të ketë ofiqe përkundër besnikërisë thuajse të amoraltë politike dhe se e kanë rrafshuar thuajse krejt idenë, mendimin, por rendin pas fitimit. Parti që më saktë pavarësisht parimeve interesohen vetëm të rriten në numra dhe të kenë pushtet pasi pushteti thith njerëz.
Po partitë zhvillojnë punësime të përzgjedhura, selektive, e kësisoj nga ana tjetër zhytet meritokracia , shtylla bazë e demokracisë.

Aq bozë, aq ndyrë e mënxyrë është meritokracia në këtë vend, sa lëre profesionet e tjera, por edhe profesioni që duhet të dëshmojë të vërtetën, media, i konsideruar pushtet i katërt, në shumicë s’është gjë tjetër veçse mbetje e politikës dhe e kapur nga kthetrat politikë.

Sesa e zorshme është të mbash sot një vend pune në administratë, e dëfton fakti se disa ditë më parë në media u përcoll lajmi ogurzi se një infermiere në Shkodër kishte kryer vetëvrasje si rezultati gjendjes së rëndë psikologjike që kishte kaluar, pasi e kishin hequr nga puna dhe se për ta mbajtur atë vend pune i kërkonin një shumë të majme parash.
Tmerr. Maskaradë e zullum ta mendosh se edhe i dhuronte ata para, por se kishte frikë se mos sërish e largonin nga ai vend pune. Kjo ngjarje është një gotë në oqeanin e ndodhive në një vend, ku vuhet pa fund në kalvarë të dhimbjeve.

Shpesh nga ana tjetër vetëm flitet e flitet dhe nuk jepet zgjidhje dhe shumë pyesin sesi mund të zgjidhen kaq shumë probleme, traumatizime dhe situatë e rëndë në vend. Pra çfarë zgjidhje mund të ketë që ky vend të ecë mbarë në rrugë demokratike?

Rendi aktual politik mund të përmbyset kur partitë të mos vendosin diktatin mbi gjithçka, kur punonjësi të ketë status dhe të jetë i paprekshëm kundrejt çdo lloj pushteti, që shkon e vjen. Kur fitimi i vendit të punës me militantizëm partiak, të zëvendësohet me fitim të vendit të punës me meritë.

Kur partitë në vend se të jenë në rolin e ndërmarrjeve që fitojnë, të jenë vatra të prodhimit të ideve për një shtet që ecën në shina të vlerave të demokracisë, për një jetesë më të denjë dhe një politikë me fytyrë njerëzore.

Kur të jetë e shembur njëherë e mirë hallka më e fortë e sistemit aktual, që është media-politikë-biznes.
Kur politikanët ta kenë idenë se nuk janë liderë të përjetshëm, ku nga njëra anë shajnë diktatorin e nga ana tjetër qëndrojnë në pushtet sa gjysmët e viteve të diktatorit.

Kur të mos ketë njeri mbi njeri dhe jetë të veçantë për njerëz “të veçantë”, a thua sikur qënkërkan lindur ndryshe nga masa e gjërë e popullsisë.
Kur të shuhet njëherë e mirë dhuna policore, politike, kleptokracia, oligarkia dhe dora e fuqishme e politikës, e cila trondit fatet e njerëzve të zakonshëm.

Por, deri kur kështu? Deri kur në ujërat e trazuara të një oqeani ku peshku i madh e kollofit të voglin?

Deri kur në ujërat e turbullta të një realiteti të nxirë prej dorë politikanësh, gjyqtarësh, prokurorësh e zyrtarësh të partizuar, të pamerituar e të korruptuar?

Se kur do të bëhet më mirë nuk i dihet – por se dihet me siguri se realiteti është zymtësi, mënxyrë e fatzi për një popull fatkeq.

Ku qëndron “Drama e Shqipërisë”?


Nga Dionis Xhafa

 Gazeta e njohur në mbarë botën “Huffington Post” kishte botuar një shkrim të Jaime Pozuelo Monfort, me titull “Drama e Shqipërisë”.

Gazetari, që kishte shkelur tokën tonë kishte renditur edhe një sërë arsyesh pse Shqipëria ndodhet aktualisht në situatë të atillë, që të mund të konsiderohet situatë dramatike.

Monfort do ta thoshte lakuriqe atë të vërtetë që në këtë vend të vogël prej as 3 milionë banorësh e dinë të gjithë, por pak e thonë.

Administratë e mbushur përplot nepotizëm, ku emërimet bëhen me lista partish, ku sado i aftë të jesh do të duhet “miku” me patjetër të hysh në një punë dhe se për realitetin që e jetojmë, nëse nuk e gjen mikun e mbështetjen, do të duhet të arratisesh nga një realitet bardh e zi dhe i rënduar nga hijet e zeza të padrejtësisë.

Për ne që e jetojmë për çdo ditë realitetin e Shqipërisë, shohim dhe dëgjojmë po përditë sesi të rinj që nuk kanë krahë, që nuk kanë më asnjë shpresë nga ky vend, iu mbetet vetëm të ikin jashtë atdheut.

Ndër këta që tentojnë arratisjen, nuk janë vetëm ata që realisht janë krahë pune dhe që përkundër pagave të vogla në vend mund të merrnin paga të larta në perëndim, por janë edhe të arsimuar, që duke mos gjendur mikun, përplasen në ujërat e turbullta të një jete me sakrifica dhe pa përkrahje.

Nuk ka shqiptar që nuk e di se në këtë vend vihen nota fiktive për fëmijë deputetësh apo zyrtarësh të lartë dhe nuk joshet talenti, i cili mund të gjindet edhe tek fëmijë që fati ua ka sjellë të jenë fëmijë të familjeve të thjeshta shqiptare, term që aq shumë e propagandojnë liderët politikë.

Nuk ka shqiptar po ashtu që nuk e di se Shqipëria është shndërruar në vendin ku prodhohen diploma pa fund, por se janë thuajse krejt të pavlefshme, pasi vendi i punës përfitohet me miq a të njohur dhe këto me interesa partiake.

Monfort me të drejtë i quan politikanët shqiptarë si “mediokër”, në atë se e kanë formuar elitën politike sikur të jetë një klasë njerëzish “më lart se të tjerët”, “me cilësi më të mira se të tjerët” e të tilla terma të ngjashëm.

Janë këta politikanë që kanë ndërtuar një Shqipëri kaotike, me një treg të tmerrshëm pune, me mposhtje të shtyllës bazë të demokracisë, meritokracinë.

E ngjashme me doktrinën e neo-fazhizmit, ashtu funksionon elita politike në Shqipëri, ku disa jetojnë rehat, me të gjitha të mirat, marrin nota të pompuara, jetojnë në blloqe të veçanta dhe populli nga ana tjetër, që gjithnjë duhet menduar që ti hidhet një kockë për të mos lehur aq shumë sa ta dëgjojnë ndërkombëtarët.

E kësisoj si është ndërtuar sistemi edhe nga “të majtët” sot në pushtet, funksionon në mënyrë të atillë që nepotizmi, burrokracia, marrëveshjet e pushteti ndahen brenda një kornize të veçantë “të njerëzve të priviligjuar”.

E kësisoj, duke funksionuar kështu, vijohet të mbytet talenti i atyre që nuk e kanë përkrahjen, i më të ndershmëve që iu rrijnë larg sloganeve partiake të bukura dhe në shumicë të zhytura në llum nga punët që i kryejnë.

Shqipëria vijon të mbetet vendi, ku ndershmëria, drejtësia dhe integriteti zhytet, e ndërsa nga ana tjetër lartohet pushteti, që ka ngritur doktrinën dhe propagandën e atillë, sa të besohet se ky pushtet e nisi historinë e Shqipërisë dhe se ky do ta mbarojë.

Një sistem që nuk funksionon mbi barazi përpara ditarit të mësuesit a pedagogut, me konkurencë të ndershme përballë sfidave që të ofron tregu i punës, me departizim për ta zënë vendin e punës, ai sistem është i destinuar të dështojë apo të damkoset nga historia se nuk i ka shërbyer të gjithë njerëzve, të të gjitha shtresave, pa dallime, njëlloj.

Qeverisja aktuale, që e mban në këmbë një sistem të tillë, të nepotizmit, të jetesës brenda një muri ku jetojnë ata “të privilegjuarit” ku hyjnë artistët e shkrimtarët, të cilët gjenden në shërbim të pushtetit dhe me gjitha të mirat dhe jo të lirë, sikundër duhet të jenë.

Si mund të jetë e majtë  një qeveri e tillë, e cila sillet sikur të jetë elitë e vetëshpallur dhe aspak në shërbim të atyre që e kanë zgjedhur.

Si mund të jetë e majtë një qeveri, e cila (ndoshta) nuk e njeh një realitet të frikshëm, ku për çdo ditë, si rrjedhojë e sistemit ameritokratik të ngritur, vijon të prodhojë padrejtësi pa fund?

Vetëm ideologjitë ekstreme të përgjakshme të djathta apo të majta kanë njohur dhe njohin diferencimet e njeriut nga njeriu, e trajtimit ndryshe të një njeriu nga një tjetër, e privimit të talentit të një njeriu, vetëm se ai mund të jetë i departizuar apo se nuk i shërben pushtetit.

Në Shqipëri është një realitet aq i trishtë, saqë thuajse aspak nuk ndihet nga askush në qeveri trishtimi i thellë i njerëzve në këtë vend.

Një pushtet që është kundër të varfërve, kundër të përndjekurve, kundër punëtorëve, kundër të shfrytëzuarit, kundër atij që nuk pajtohet me ato që e bëjnë të keqen, kundër atyre që nuk mundet ta kenë lirinë dhe mirëqënien në vendin e vet, vetëm sa vjen e lëkundet.

Mbeten madhështore fjalët e shkrimtarit francez, Alphonse de Lamartine dhe tepër aktuale për situatën politike shqiptare.

 

Në qoftë se arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë shoqëri të turpshme gënjeshtarësh; në qoftë se e bën atdheun të skuqet për shkak të këqijave zyrtare; në qoftë se lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit; në qoftë se lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit – ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset.