Dibër, tokë e trandur


Dionis Xhafa

Kisha një javë pushime dhe u nisa për në Dibër, vendlindja ime. Që kur rrotat e automjetit nisën të lëvizin drejt një krahine disi të fjetur, menjëherë sikur në mjegullnajë më erdhi ndërmend libri i Albert Kamy: “Njeriu i parë”. Kamy në këtë libër dëshmon në një mënyrë të qetë dhe natyrale për vitet e para të jetës së tij, për vendlindjen Mondovi në Algjeri, pasi atdhe kulturor i ishte bërë Franca. Ja kështu më ngjante pak a shumë vetja. Po kthehesha në një vend që e njoh shumë mirë, deri në qelizën e vet më të humbur, por se nga ana tjetër më duket shpesh i ftohtë, i shkretë, një shkretëtirë që ashtu çuditërisht natyralisht nuk e ka shkretëtirën.

Për në Dibër thua se je drejtuar menjëherë pasi fillon dhe merr udhën përtej Milotit e Mamurrasit. E pashë sërish këtë rrugë kthese, që duket e veçantë nga të gjitha udhët e kësaj republike paçavure, që gropën e vet më të madhe, zullumin e vet më madhor e ka ngritur në pietestal në rrethin e vendlindjes sime. Në udhën që merr kthesën fillon e hyn në atë që unë e konsiderova shkretëtirë, vendin ku dhe lulet kanë frikë të mbijnë. Përballë të shfaqet një shtëpi e vjetër, si tip kulle, që nuk është shkatërruar, edhe pse në fakt aty duket se nuk ka njeri, nuk është as biznes, por qëndron ndërtesa stoike nga kohët, a thua se është ndonjë thesar për këtë zonë, kur në fakt arsyeja mund të jetë bajate, se atë mund ta ketë ndonjë i fuqishëm, që s’ka pushtet që e rrëzon një shtëpi të përçunduar në atë mënyrë, sikur të jetë kuçedër me shtatë gjuhë. Kjo është përshtypja e parë që kam dhe e dyta që më vjen ndërmend është se shumë kohë ka kaluar, qysh kur isha fëmijë dhe rrallë i merrja këto udhëtime të gjata, njerëzia ka evoluar, kohët kanë ecur dhe kulla famoze në sytë e mi, ka ngelur ashtu, apoteozë e mjerimit të djeshëm e të sotëm, e zonës që edhe në republikën e varfër, ka mbetur jetime e një nëne që se di në ka nënë a ka lindur prej asgjëkundi. E rrotat e kamionit vijojnë e ecin, duke e pasur mendjen te ajo ndërtesë, tek ajo frikë, te ai mister, që nuk gjen zgjidhje, edhe kokën tel ta bësh.

Rruga vijon me lumin Mat, bukuria e madhe e një lumi të gjelbër, me kreshta shumë, që fatkeqësiosht ka mbetur në një zonë të varfër e të vakët, ku dhe shteti nuk ka bërë ndërhyrjet e duhura. Po këtu jo vetëm që s’ka gjë të përbashkët me shtete të Europës, po këtu nuk gjen as realitetin e Mirditës, as të Kukësit e ndoshta as atë të Pukës, që deri dje mbaheshin se ishin të varfëra. Kjo sepse në rrethet që lartpërmenda ka kaluar ndonjë projekt, si Rruga e Kombit, që me ato problemet e veta, sërish i ka sjellë ca hov zonës. Po këtu është lemeri. Në kohën që e gjithë Shqipëria nuk vuan për rrugë të shtruara, në mes të Klosit, qyteza që vështirë se meriton të jetë e tillë, nën zhurmat bajate të këngëtarëve hip-hop të zonës, nën benzonatë të derdhur në udhë, makina nis e “kërcen” nëpër gropa të mëdha, që duket sikur kanë hapur gojën e të thonë se ne nuk mundëm t’i bëjmë ballë kushteve atmosferike, se ashtu i ka hapur dielli i fortë e se i ka shkatërruar njeriu, ky kafshë që brenda lëkurës ka shumë kafshë. Po habitesh me vete se këta politikanët i shohin gropat, kur kalojnë? A habiten se njerëzia dergjen rrugëve? Këta me helikopterë lëizivin kështu? E rëndë është ta thuash, e vështirë ta shpjegosh, por rrugë si në Afrikë mundesh me gjet në republikën, që Zoti për ata që besojnë e natyra për ata që nuk besojnë e ka bekuar me qenë në Europë, që ashtu me fat qëllon të jetë ndër kontinentët më të mirë të kësj bote që e jetojmë.

Lashtësi e vdekje

Po më tej ka varre, po po janë varreza ku prehen njerëz që janë ose në rrugë kur i ka shtypur makina aty në mes të xhadesë ose janë pak metra më tutje, se janë varreza të fshatrave afër. Aty merr me mend se njeriu qenkërka një hiç, sidomos ai i këtyre zonave, që jeton për me pas trashëgimtar dhe atë pastaj me e lënë shëndetshëm se “kaq e ka kismetin” e të tilla shprehi arkaike përdoren në zonë. Po varret janë dëshmi lashtësie, janë fundi i një dhimbjeje që kalon përmes malesh vigane të zonës së quajtur Martanesh e zbret tëposhtë në Valikardhë. Po Valikarda çfarë është dhe ajo fushë ku afër gjendet Bulqiza e kromit me dy “qytetet” e saj? Valikardha është fusha ku ndër faqe të historisë na është mësuar se ka luftuar Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, se këtu pikërisht i ka kryer betejat e veta më të mëdha, e kjo ndoshta edhe prej faktit se turqit vinin ndër këta anë se është terreni i përshtatshëm për këtë punë. Në atë fushë të Valikardhës, kishin vendosur edhe një statujë të Skëndërbeut, si dëshmi e kohës së tij, që mbahet si e lavdishme fort. E këtu më lind dyshimi. Të kisha jetuar në kohë të tij, a do ta kisha dashtë a do ta kisha urryer? A mundet me qenë një zonë edhe historike njëkohësisht edhe e varfër? A mundet që të ushqehesh prej historisë e të vdesësh prej realitetit? A mundet me qenë pa rrugë të premtuar e të jetosh, për bukë të përditshme, ndër male të qytetit të kromit të madh, që deng e varg shkon në Durrës, e prej andej kalon Oqeane e nuk dihet se ku përfundon? A mundet?…

Bulqiza, jetë e mortje

Një natë e kalova në Bulqizë, qytetin që ndahet më dysh si dy të afërm që kanë varret ngjit e ngjit, se kështu thuhet se janë më afër emocionalisht. Kur shkon nga Tirana, në të djathtë gjendet Qyteti i Vjetër, një mal me krom e punëtorët që disa punojnë me kushte dhe disa pa kushte. I vjetri qytet është i minatorëve. Së paku kështu thuhet se dhe këtu ka ngjarë ai fenomen që ngjan në tërë republikën e absurdit që jetojmë përditë, se minatorët e vërtetë kanë ikur prej aty e banorët e fshatrave përreth kanë ardhur e janë bërë minatorë. Këtu është një qendër e vogël, një ose dy klube e ku pinë cigare rëndë e bisedojnë minatorët me njëri – tjetrin, në mëngjes pa nisur punë, që në varësi të stinës shohin ose jo diellin dhe në darkë që prapë në varësi të stinës, mundet me e përcjell perëndimin e diellit me sytë e vet, në dalçin gjallë. Aty afër ndodhet policia, se duhet sigurisht nëse thyejnë turinjtë minatorët, plagosen ose vriten, i marrin direkt, me ca autoambulanca, që ngjajnë sikur je në Irak a në Libi, të pluhurosura rëndë e me dyer nga mbrapa që ka raste hapen vetë ose i gjen edhe të shkatërruara. Po këta autoambulanca ose të tjera marrin me vete edhe në rastet kur përplasen banda të kromit me njëra – tjetrën, se policia a hyn a nuk hyn në punë kjo nuk është e sigurt. Në fakt, ndryshe nga autoambulancat në Irak për shembull këtyre iu mungon gjysmëhëna, edhe pse janë myslimanë kaq shumë, sa shumica e banorëve mbajnë Ramazan, në kontrast të thellë me historinë që e kanë, se kanë luftuar një armik që vinte vurishëm me flamuj gjigandë që ngrinin gjysmëhënat në qiell. Po Qyteti i Vjetër i tillë është, më shumë i ngjan mortjes, vdekjes për së gjalli. Mundesh me qenë pak më mirë në Qytet të Ri. Këtu për shembull me kushëririn luajtëm bilardino, bilardo, në një vend që ishte si bodrum, edhe lokale me muzikë gjeje dhe kjo është pjesa ku ky vend ka vërtetë jetë, në kontrast të thellë me Qytetin e Vjetër. Në Qytetin e Ri ka edhe loto, të gjitha që gjen kudo, tërë bajgat e kapitalizmit mbledhur aty, që përzier me llomin e Qytetit të Vjetër krijojnë një gjendjeje të fikti, që e mban vendin ashtu si njeriu në koma, që hera – herës i lëshon pak ujë e mundet të ngjallet.

Rrugë e pashtruar

Po do ecja në pikë të diellit, në atë diell që mua atje verës më duket më i nxehtë se në Tiranë. Do hidhja hapat në një udhë pesë kilometra të gjatë, për të shkuar në vendin ku kanë origjinën të parët e mi, që këtu edhe kur banoja në Dibër, kështu vinja. Ti ke hapin e madh tani, por thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Ka vapë, ka qetësi, ka kanale anash me ujin e Gurrës, lumth ky që thonë se derdhet në Drinin e Zi, që është prezent në këtë zonë. Po ecën dhe sheh fabrika të vjetra të kohës së monizmit, që kanë funksionuar në atë kohë apo të tjera objekte, që janë shkatërruar, a thua se ka ndodhur ndonjë sulm nuklear. Në fakt, unë edhe nuk i njoh fort traditat e zonës, por se çdo makinë që kalonte, shumica më përshëndesnin me dorë, se kështu e kanë zakon, çdokënd që kalon në rrugë e që me siguri është nga ai vend, e përshëndesin. Në rregull, shumë përshëndeta. Po si mund ta përshëndesje një djalë të ri, sa unë ose më i ri, ndoshta 20 vjeç, që me dum dum, kishte hyrë në mes të pyllit, i kishte prerë pemët më të mira aty, lisa që sapo kishin çelur filiz dhe ecte pa pikë meraku? A e dinte ai se ishte fill e për burg për atë krim që kishte kryer? Se ai krim që kishte kryer ishte njësoj sikur të vrasësh në djep foshnja të porsalindura? Epo e habitshme, thashë dhe dorën as që e ngrita fare. Vazhdova në atë udhë me pluhur plot, që ka këtu e vite e dekada që as nuk e ka shturar njeri e as ka ndërmend ta shtrojë askush. Dhe nga aty, në mes të rrugës pashë qytetin që mbahet si krenaria e zonës, atë që në zhargonin popullor njihet si Dibra e Madhe. Shtrihej ashtu në mes të malit të Deshatit sikur kishte zënë rrënjë buzë atij mali e mendoja thellë: Të duash historinë kaq shumë a ia vlen? A ia vlen historia të duhet e të përbuzësh gjendjen katastrofike, ku gjendet ai vend? E prapë në mes të madhështish në dukje, ngrihej varfëri e madhe, realitet maskaradë e një zone që e kam njohur si të tillë nga afër. E kam njohur aq nga afër, sa fytyra pa makiazh e saj është vërtetë e rëndë, por preferoj të mos gënjehem.

Maqellara, sa shumë për të thënë…

E kështu, e bëra udhëtimin dhe qëndrova edhe një natë në fshatin e të afërmve të mi, nga ku kam origjinën me pak fjalë. Por zemra s’më bëhej pa shkuar në Maqellarë, që është një qytezë që gjendet në mes Dibrës së Madhe dhe Peshkopisë e se jam rritur këtu dhe se njeriu ndoshta do më tepër atë vend ku ka më shumë kujtime. Duke qenë se është zonë kufitare, ka edhe doganën shumë pranë, ka një lloj gjallërie që rrallë e gjen në vende të tjera, së paku në Dibër. Nëse e quajta Dibrën një tokë të trandur, Maqellarën do ta quaja si vendin ku tronditja ka më pak magnitudë. Këtu kam dhe shokë shumë e takova disa prej tyre. Në fakt, nëse ke para në Maqellarë ia kalon mirë, nëse ke biznes ose punë për të qenë, pasi kështu kishin disa nga ata që kam arritur të takoj. Njerëzit janë vërtetë të mirë dhe punëtorë e jo më kot mbahet si zonë që thuhet se personat punojnë fuqishëm. Këtu thuajse nuk mungon asgjë nga Tirana, e ka edhe lokalin, edhe internetin, edhe freskinë, edhe shkollën. A po shkolla. Pasi bisedova me ca miq, u drejtova për nga shkolla që ka qenë e imja dikur, kështu e quaja. Sot është ndryshe. Shkolla 9-vjeçare ishte ndarë nga ajo e mesme. Te e para luanin fëmijët në oborr, kurse te e dyta adoleshentët, që kanë ardhur shumë edhe nga fshatrat përreth mbanin veten thua se je në një vend të mirëqenë. Nuk është tërësisht e vërtetë se kanë këtë mirëqenie, por se ndjekin si të thuash modë a trend, që vënë re nëpër internet, që ka hyrë kudo. Afër shkollës kishte edhe një lokal, edhe ky kopjim total thuajse i atyre që gjenden në Tiranë. Në fakt, Maqellara në thelb duket tepër urbane disi, por se edhte ketë urbanizim e ka një kopje të shëmtuar të perëndimit e të qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Pashë edhe pallatin tim, ku kam pasur shtëpinë, një zonë e qetë shumë, ku mundeshe të flije në drekë dhe të çoheshe për makiato pasdite. Po atë ditë rastësisht në Maqellarë u gjenda kur erdhi edhe kryeministri i vendit, që ishte sikur të jetë një ufo në mes të njerëzve, e se lëvizte duart duke mos iu dëgjuar zëri, a thua se ishte një i marrë në mes të turmës. Do të ndërtonin spital të ri më duket, edhe shkollë, diçka e tillë. Ishte së bashku me Ilir Beqajn që është edhe i pari në listë për të qenë deputet në Dibër. Se ç’lidhje ka Beqaj me Dibrën dhe me problemet e kësaj zone, unë për vete se di. Janë shumë gjëra për të thënë për Maqellarën që i kam më tepër në trajtën e kujtimeve të fëmijërisë, por se edhe i kam thënë e se janë gjëra që thuajse bëhen nga të gjithë fëmijët e botës e mbeten si hekur në bark në kujtesë e kanë lidhje me futbollin, shakatë, hidhërimet. Maqellara është pranë doganës, e besoj se kaq mjafton për të thënë se këtu ndodh çdo gjë që mundet të rrokë mendja njerëzore, por në sipërfaqe ka dritë, jetë, lumturi.

Ikje nga shkretëtira

Në fakt, unë e dua vendin tim, por edhe kur kalon caqet bëhesh me një mendje, aq sa fillon e refuzon edhe vendet e tjera. Ç’është e vërteta nuk jam i tillë, por thjesht shpjegova udhëtimin në pak rreshta në vendlindjen time. E, metafora më e denjë është se ajo është shndërruar në shkretëtirë, si pasojë e politikave, të veglave të pushtetit, të lloj -lloj mënxyrash, që atë vend, si çdo vend të republikës absurde e kanë kthyer në një kufomë, duke shkatërruar, rrënuar e vjelë prej Shqipërisë edhe atë pasuri që kishte në bark, duke na lënë sot pa hiçgjësend, sa duket ndonjëherë se mirë është se njerëzve nuk iu ka ikur mendja akoma!

Dionis Xhafa

Të jetosh në një vend jonormal


dionis_xhafa2

Dionis Xhafa

Shqipëria është vendi ynë dhe sigurisht që e duam atë, pasi këtu kemi lindur dhe se këtu duam të jetojmë. Vendlindjen e kemi në Shqipëri, por se si zogjtë që largoehmi prej folesë kemi ikur në shumë shtete, në të katër anë të globit, për shkak se vendin tonë e kanë kthyer në jonormal. Ikja është e frikshme. Po pse ikin? Ikin thua njerëzit se ashtu, në një ditë me diell apo me shi qoftë, iu kriset se do të largohen, kështu fare rastësisht si rrufe në qiell të hapur?

A ndodh vërtetë kështu? Jo, kjo nuk ndodh sigurisht. Ndodh e kundërta. Popullata sheh se në qiellin shqiptar ka re të shumta, në tokë ka krim dhe se shpresat janë vrara. Nëse do të bënim një ndarje të tillë, që tokën ta kishim si vendin ku ndodhin krimet, do të kishim të tillë ndasi: në tokë ka krime, ka vrasje, ka depresion të përditshëm. Këto gjëra shprehen në mënyrën më të qartë në ato ngjarje që dëgjojmë nëpër televizione dhe lexojmë nëpër gazeta e në mediet elektronike. Aty ka krim, ka gjak, ka një fushë të përgjakur prej krimit të përditshëm, që edhe ne të gjallëve, na bën të dukemi sikur jemi duke ecur në një tokë, të mbushur me trupa e skelete, pasi të tillë njerëz sheh ngado.

Që kriminaliteti në vendin tonë është i lartë, nuk është se do shumë gjë për ta dëftuar. Mjafton fakti se në Vlorë ndodhi një krim i shëmtuar, kriminal, tipik monstruoz. Por ai krim nuk është i vetmi. Si ai ka edhe të tjera krime, gjë që bën që Shqipëria të jetë e përgjakur thellë e se duhet që të kesh tepër kujdes për të mundur të dalësh përtej kthetrave të kriminalitetit. Ndërsa e lëmë tokën që është mbushur me gjak e krim, por duke marrë me mend se ç’kasaphanë ka ndodhur aty, mund të flasim edhe për qiellin. Po po qielli shqiptar mundet të ketë qenë ndonjëherë blu dhe me diell, por se në të rrallë shumë. Qielli ngjan i skëterrë dhe se kjo është një lloj metafore për të treguar se në këtë vend ka humbur shpresa, besimi, mundësia për të pasur një jetë normale, të thjeshtë, modeste, pa probleme të shumta. Po shpresa është gjë e madhe.

Njeriu aty mbahet dhe atë e ushqen. Shpirti i njeriut ndizet prej shpresash, që gurgullojnë thellë në zemër, për ta bërë atë të vlojë për një të ardhme, një të nesërme më të mirë. Por a ka shpresë në vendin tonë? A ka akoma mundësi për të bërë më mirë, për të qenë më mirë, për të qenë më të njerëzishëm? Mundësitë janë por se aktualisht situata, sa unë arrij të përceptoj në çka shoh përditë është shumë e rëndë. Një ditë, kur isha duke ecur rrugës, ishte ditë jave, por se nuk kishte njerëz dhe se edhe ata që ishin më së shumti ish moshë e tretë e rinia kërrkund nuk shihej thuajse. Por dihet se vendi është duke u shkretuar me ikje masive, me largime të dëshpëruara, që janë të një niveli thuajse biblik. Shpëtimi i shqiptarëve nuk është më qeveria e vendit, por se ata janë duke e kërkuar këtë shpëtim te të afërmit, te ndonjë xhaxha, dajë a nip që e kanë jashtë e se shkojnë dhe gjejnë strehim atje, tek ata. Po të jetosh në Shqipëri do të thotë të zgjedhësh të kalosh jetën në një vend që nuk është normal, por se duket i shtrembër tanimë. Harta e Shqipërisë që është ashtu siç jemi mësuar ta shohim që të vegjël, për fat të keq është shndërruar dhe kthyer sikur të ishte një varrezë, me dhimbje e halle të shumta në kurriz të popullit shqiptar. Gjendja në vend duket dhe është e rëndë. Po unë më së pari, sikundër edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës, do të doja shumë të jetoja në një vend normal, por se realiteti dëfton se ky është vend jonormal.

Shekulli

 

Fëmijëria. Shkolla e mesme. Rinia


Dionis Xhafa

Nuk ka ndonjë dyshim se nëse fëmijëria nuk është periudha më e bukur për jetën e një njeriu, kjo periudhë më së paku është ajo që ka pafajësinë më të madhe. Kjo periudhë jetësore që është fëmijëria me siguri që nuk është ajo më me trazira, më e bujshmja, por se është periudha kur nis e mëson se çfarë është jeta. Ti si qenie njerëzore e ke jetën, nëse do të bënim një krahasim, sikundër një lumë që në fillimet e veta nis qetë, njeh vetëm qetësi, një vazhdë thuajse të njëtrajtshme. Kështu rrjedh fëmijëria për shumicën e njerëzve. Edhe nëse fëmija qëllon se rritet në familje të varfër, nis të kuptojë se nëse të tashmen e ka të qetë, trubullirat e vorbullat do të vazhdojnë më pas, në të ardhmen e afërt. Fëmija ngjan kështu si qenie e pafajshme, më së paku reflektim i sjelljes, edukatës së prindërve, që në bazë të jetës të fatit të vet, rrethanave, ajo çka sheh, vepron edhe në të ardhmen. Po tashmë jam duke e kaluar të përgjithshëm dhe po dal te e përveçmja. Fëmijëria për mua personalisht ka qenë moshë e veçantë, por me siguri që më ngjan njëjtë si fëmijëria e çdo njeriu që rritet në tokë.

Kjo fëmijëri kishte ngjyra të kulturave të popujve të ndryshëm, të rruzullit tokësor. Ajo kishte ngjyra braziliane, për shkak se luanim futboll me Mirin, Mondin, me Fredin, Azemin, Klodin, Gentin, Xhikun, Arjanin. Bukuroshin që sot e kësaj dite nuk është më. Ndjesë nëse harroj ndokënd se lista është shumë e gjatë, por se luanim tetë orë futboll në ditë, në gurë e gëmushë, në borë e në shi, në fushë të shkollës e në fusha të Allejbegisë, E thyenim edhe rregullin se në orën 2 të drekës kur është vapë e dielli të përcëllon prindërit na thoshin që të flemë gjumë, kurse ne çoheshim dhe me hapin prej majmuni shkonimn e linim zemër e mend në fushë të sportit.

Fëmijëria kishte edhe ngjyrën gri. Kur në verë ika në shkollë për tu larë në liqenin e Pesjakës, erdhi mamaja dhe të tjerë persona për shkak se kishin frikë se zhytesha, mbytesha, në llucë të madhe të ujit të izoluar prej kodrash, por ja që as vdekjen nuk e kisha frikë. Kjo periudhë jete merrte ndonjëherë edhe ngjyrë gri të errët, kur në një grup shokësh mendjekrisur jo pak, ikëm në një shkëmb e lëndinë të Korabit, tregonim barceleta rrugës, hipur mbi Deshat e çmendurisht rrëshqisnim në borën e pashkrirë në pranverë, që ishte prezente në atë vend me lartësi mbi 2000 metra. Ujëvara e largët ku ishte e vështirë të shkoje e pamë, edhe pse në lëkurë në sytë tanë ishte vdekja. Me siguri që jam me fat që në atë udhëtim ishte Korabi, një djalë tepër shpirt mirë, i respektueshëm, me trup të lidhur dhe që më ndihmoi, për shkak se përndryshe mund të kisha përfunduar tragjikisht në një hon a në ndonjë humnerë të ndonjë fshati me pak shtëpi, por këta me qerpiqë e me taban të fortë tradicional. Po fëmijëria e ka pasur ngjyrën ndonjëherë edhe të zezë me drama e tragjedi që shihje ngado rreth e rrotull. Një burrë mbaj mend si e mori policia, forcat speciale, brisku, se ky rrihte njerëz të lagjes, edhe të pambrojtur ndonjëherë, jepte spektakël, teksa me shkop vrau bollën e shtëpisë që thonë se është ajo kafshë shtëpiake që të mbron. Po ashtu, jam frikësuar kur vija nga Pocesti, i isha ngjitur pas një makine e se që aty dolën tri të rritur, mua mu duk befasisht si mënyrë disi mafioze, por se ndoshta talleshin e unë kërceva kangjella dhe fusha për të mbërritur në Maqellarë me zemrën e ngrirë. Po në fëmijëri jam vrarë e sakatuar me këmbë e duar, rrëzuar nëpër fusha me gurralecë, sikundër edhe dëmtuar në ije në futboll apo këpusja mishin e mesit mënjanë.

Për fëmijërinë kam shumë për të treguar dhe se nuk do të mjaftonin faqe të tëra me gërma. Por se e tërë fëmijëria ime u zhvillua ndërkohë që bëja shkollën e ulët në atë 8-vjeçare në Maqellarë. Pikërisht shkolla në qendër të komunës kishte një kat lart, të tretë, të ndarë fizikisht prej një porte nga ne në katin e dytë e të parë, edhe për shkak se atje “lart” ishte tjetër moshë që zhvillonte mësim. Kur isha klasë e gjashtë, por edhe e shtatë, nisa të kuptoj edhe moshën e katit të tretë, të adoleshencës. Një histori që u zhvillua me bujë atje la mbresa kudo, më la edhe mua në fakt, edhe pse pak kuptoja në atë kohë nga këto gjëra. Një vajzë e bukur, e sjellshme, dhe e mirë në mësime ishte dashuruar me një djalë që me thënë të vërtetën kishte një bukuri të veçantë, të stilit italian. Djali ishte kaq i bukur sa vërtetë ngjante sikur një yll hollivudian kishte “zbritur” në një provincë të humbur. Mirëpo zërat e opinionit publik vendor e shanin disi djalin për sjelljet, se nuk mendonte mirë çka vepronte etj. Ama djali edhe veprimet e pahijshme disa i bënte për dashurinë që shumë persona përreth vajzës ia kishin mohuar. Vajzën e torturuan jo pak, e mbyllën në dhomë, i thanë që të mos e merrte atë djalë për bashkëshort të ardhshëm, por se ajo e donte, zemra e saj rregëtinte për të. Djali nga ana tjetër arriti deri në kufijtë e çmendurisë për dashurinë, dhe vajzën e mori në fund, por me një lloj historie jo të zakontë, jo siç ndodh zakonisht, por me një tragjizëm u përjetua ngjarja. Sidoqoftë fundi ishte si në përralla.

Kjo ishte pak a shumë ajo që shihja, përceptoja, nga shkolla e mesme në vegjëli. Nuk ishte vetëm kaq. Por shpesh kur në oborr të shkollës mblidheshim bashkë, ne të vegjlit e shkollës 8-vjeçare dhe ata të shkollës së mesme në Maqellarë, me shpoti iu thosha se unë nuk jam i vogël. Kjo ishte ajo gjë të cilën e mbaj mend, se shkollën e mesme e përfundova në Tiranë, e se kam përjetuar edhe vetë momente, thuajse të njëjta me ata që kisha parë te të tjerët kur isha i vogël. Mu shfaq shkolla e mesme, kjo pjesë e jetës si një pasqyrë e jetës, e cila pashmangshmërisht bën që të gjithë të kalojmë fazat e saj, me patjetër secili sipas mënyrës së vet por se emocionet, të dridhurat, gëzimet, tragjeditë, përjetohen thuajse njëjtë prej të tërëve.

Për të dalë tashmë te rinia jo veç imja, por e atij vendi të bukur, të shtrirë në buzë të Drinit. Sipas syrit tim, që sigurisht edhe gabon, të rinjtë në atë zonë ndaheshin në disa kategori. Kishte nga ata të rinj që mësonin relativisht mirë, dhe se kokën për të ardhmen e mbanin ose për nga Tirana ose Durrësi. Te ky rreth shkollarësh le ta themi kështu, kishte nga ata të rinj që synonin degë mësuesie, për të bërë karrierë në mësimdhënie në fshatra të Maqellarës dhe më gjerë. Ndërkaq, pjesë tjetër ishte edhe ajo moshë rinie, që duke qenë se ishte e vetëdijshme se nuk ishte për shkollë e karrierë dhe ky është aspekti ndoshta më i mirë që ka ajo zonë, se askush nuk lavdërohet nëse s’e ka diplomën ose dhe në e ka, pak e vije re, kjo klasë pra të rinjsh iknin jashtë dhe punonin fuqishëm, si kafshë pune, duke mbajtur familjet me bukë, në Greqi në Itali ose më gjerë. Nga këta me patjetër që ka edhe pjesë që hyjnë në rrugë të krimit, mirëpo shumica e kishin mendjen për të ndërtuar familje dhe kishte nga ata që përnjëmend me djersë të thata ngrinin ndërtesa 2-3 kate në fshatin m’u në mes të komunës, me ndonjë flamur kombëtar ose partiak, hijshëm disi. Pjesa më e errët e rinisë ishin ata, që mendja vetëm për keq iu punonte, për të vjedhur e për t’u marrë me fenomene të errëta të tilla si prostitucioni, dhe droga. Por atë rini në trajta të përgjithshme e shoh turbullt. Kur isha aty te klasa e gjashtë, kam parë në një urë në Pesjakë sesi të rinjtë e këtij fshati ziheshin me grushte e hunj me të rinj nga të tjerë fshatra,

Ky sherr masiv që bëhej mbi urë të Pesjakës, kur dielli ishte në perëndim, qielli i skuqur, retë e purpurta, ishte sa tragjik, po kaq edhe pa logjikë të qartë, një demonstrim force i një moshe delikate, kur njeriu rrëshqet shumë kollaj prej udhës të drejtë të jetës. Në fakt unë mendoj se ky sherr, kjo përplasje rinore, më shumë dukesh se ishte për të shfryrë inatet e moshës që ishin të shumta dhe nuk kishin se ku të çoheshin në një vend ku s’kishte punë. Sherret ndaleshin pasi të rinjtë iknin në emigrim, çlironin energjitë në punë të rëndë. Por sherrin në fjalë nuk e shoh vetëm të asaj moshe. Ajo rini e kishte përpasjen fizike, përballje kjo e drejtpërdrejtë, Por me siguri se po këta të rinj, nëse i merr të burrëruar, inatin e kanë me njëri – tjetrin ndoshta të njëjtë, fatkeqësisht, por me forma të ndryshme, jo më fizike, por mendore më shumë. Kaq shumë urrejtje në një vend kaq të bukur, kaq të vogël, fatkeqësisht. E unë do të doja që ata vila 2-3 katëshe të mos e kishin flamurin partiak, traditë që disi është zbehur, por as kombëtar të ngjyer me urrejtje, por të kenë flamur të kuq si dashuria e të bardhë si bardhësi e paqe, mirësia. Por edhe flamujt të mos jenë vetëm karikatura të rrejshme, por dashuri të valonte kudo në zonë. Mirëpo, edhe kushtet ekonomike e pamundësojnë lumturinë, e që kjo e fundit të hyjë në jetën e njerëzve, do të duhej një dritë fat e bardhë, thuajse verbuese.

Rruga e Arbërit

Qentë e natës


Dionis Xhafa

Po sonte ecja, rrugës së natës vetmuar dhe se ndërsa hëna qeshte, qentë lehnin.

U tmerrova, por e mora veten dhe rrëmbeva një shkop. Iu gjuajta qenve e ata ikën prej meje. Iu sulën maces që e kisha përballë. E hëngrën, e rropën të gjallë. Sa keq më erdhi, por më duhej të ikja se mos më kafshonin edhe mua.

Shumë keq. Për me vdek këtu duheshka me qenë mi ose macë.

/D.Xh/

Kosova, plaga e madhe


Dionis Xhafa
 
Shkrimtari ynë me famë ndërkombëtare Ismail Kadare ka një libër me titullin: “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”. Në këtë libër, Kadare ndër të tjera hedh tezën se shqiptarët janë me fat dhe se gjenden mjaft mirë, sidomos në këtë mijëvjeçar të tretë. Këtu pa mëdyshje hyn fakti se shqiptarët tashmë janë një komb që thuajse kanë dy shtete, Shqipëria dhe Kosova. Veçanërisht çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës në vitin 2008 ishte fati i madh, i një kombi, shpirti i të cilit është vrarë, masakruar e shtrydhur ndër shumë breza. Mirëpo, duket se në shekullin e ri që ka 17 vjet që ka nisur, madje mijëvjeçarin e ri, rezulton se shqiptarët kanë përparuar realisht shumë. Kosova, që doli e lirë pas gjakut dhe luftës së rëndë, e që më tej përjetoi gëzimin e vet hyjnor, moshën e saj të lules, sot ndodhet në udhëkryq shumë të madh. Në të kundërt, që gjithçka të merrej me qetësi e harmoni, Kosova është tanimë, për fat të keq, toka ku bajlozët luajnë fuqishëm se kush mundet që të gllabërojë më shumë pasuri të saj. Në prag të zgjedhjeve atje, janë krijuar edhe tre koalicione, ku dy rezultojnë të mëdha dhe njëri i vetëm e idealist fort ngjan. Nga njëra anë është PDK, partia e cila udhëheq një koalicion të fuqishëm dhe se ka propozuar për kryeministër Ramush Haradinajn e ky i fundit mund të bëhet kreu i qeverisë në Prishtinë, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh e procesesh gjyqësore në Francë, ngjarje kjo shumë e komentuar. Nga ana tjetër, ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duket se u rrëzua keqas nga pushteti, pikërisht prej politikanëve të PDK dhe ngjan se lojën në këtë mes e bënë më shumë këta të Partisë Demokratike të Kosovës, duke bërë të mundur rrëzimin e një qeverie të rrallë për shtetin kosovar, ku në një koalicion u bënë bashkë “krahu i luftës” me atë “të paqes”. Duket se koalicioni i madh, i paparë ndonjëherë më herët ndeshi në kundërshtime dhe rezultoi me rrëzimin e qeverisë “Mustafa”. PDK po e lufton dhëmbë për dhëmbë LDK-në tashmë e ngjan se në mënyrë më gjakësore është duke vepruar Partia Demokratike e Kosovës. Dalja më vete e Lëvizjes Vetëvendosje si forcë politike dhe kandidimi i Albin Kurtit si kryeministër është sa idealist si veprim, aq edhe donkishotesk, në atë që synohet pushteti nga një parti e vetme, e se përballë ka disa forca politike, të cilat kanë fuqi tepër të madhe. Lufta për pushtet në Kosovë ngjan se është e madhe. Paqja e fillimeve të pavarësisë ia ka lënë vendin një ere të fuqishme, që për bazë ka egon për të pasur forcë.
Shekulli