Bixhozi shkatërrimtar


 

Dionis Xhafa

Mjafton të kalosh në rrugën “Ismail Qemali” që konsiderohet ndryshe edhe ish-Blloku dhe do të hasësh një udhë të mbushur me lloto dhe kazino. Jo vetëm në ish-bllok, por Tirana dhe Shqipëria janë mbushur me bastore, ku shqiptarët hedhin para të pastra në paratë e pista, të cilat pastrohen me të tilla “biznese” kancerogjene për popullatën.

Si pasojë e bixhozit, shumë individë janë shkatërruar dhe kanë marrë në qafë edhe familjet e tyre. Që të mund të mësosh sa i rëndë është fenomeni, mjafton të bisedosh me një person dhe mëson gjithçka se në ç’tmerr e lemeri hyjnë shqiptarët. Pikërisht në ish-Bllok, një meso-burrë tregonte se në Fier, qytetin e tij të lindjes ishte bërë dhe bëhet nami me bastoret, të cilat thithin paratë e familjeve duke i shkatërruar këto të fundit.

“Unë jam nga Fieri. Bashkë me djalin, vite më herët jemi marrë me bixhoz. Llotot janë të këqija, por kazinotë janë edhe më keq. Në ato vite në Fier, mbaj mend se unë dhe djali merreshim me bixhoz. Kemi lënë para pa fund. Linim nga 100 mijë lekë të vjetra, por kishte raste miliona në natë. Jo vetëm ne, por edhe të tjerë persona në qytetin e Fierit. Kishte drejtorë të rëndësishëm në qytet që linin nga 4 – 5 milionë para në natë. Është mikrob, nëse të hyn nuk të del, do luash se s’bën. Kur i humbisnin lekët, kërkonin që t’i paratë e veta dhe zhyteshin edhe më keq. Tmerr kam parë. Disa kanë kryer edhe vetëvrasje, kurse familje të tëra janë shkatërruar. S’të mban gruaja kur merresh me bixhoz”, u shpreh burri.

Ai shton se sa iu takon kazinove, ndërsa jashtë lojtarët kanë më shumë shanse për fitim, në vendin tonë shanset janë shumë të pakta. “Në vendin tonë, nëpër kazino, një shans e ka lojtari, kurse nëntë i ka pronari. Kam qenë në Mal të Zi, në Kroaci dhe atje shanset janë 3 me 10 ose 4 me 10. E kupton se çfarë pabarazie dhe lemerie është këtu”, shpjegoi ai.

Kazinotë vijojnë të jenë prezente në udhët e qyteteve të Shqipërisë, me gjithë premtimin e qeverisë se ata s’do jenë më nëpër rrugë. Ata nuk dërgohen as në ndonjë vend e të grumbullohen diku, siç ndodh jashtë shtetit, por ndodhen të shpërndara, ca këtu dhe ca atje. Raporti më i fundit tregonte se shqiptarët janë duke u shkatërruar si pasojë e problemeve të mprehta sociale të tilla si bixhozi, por edhe droga e fenomene të tjera negative. Llotot dhe kazinotë vazhdojnë të “lulëzojnë” kudo në Shqipëri, duke shkatërruar shqiptarët e thjeshtë e rrënuar ekonomitë tona familjare.

 

Djalë nga Drenica


Dionis Xhafa

 

Në sheshin kryesor të Tiranës,

në prag të verës, kërcet muzikë,

e një djalë nga Drenica, këndon këngë amtare,

rri djalërisht e pi cigaren burrërisht.

 

Djali drenicak, këngëtari pranë berates,

tjetër vajzë sarandiote, qeni i bardhë lundron me top,

nën tinguj dhe muzikë popullore, të “Fisnikëve”,

mbledhur tok, vallëzohet shqipërisht.

 

 

Imazhe fëmijërie


Dionis Xhafa

 

Një gulag përshpëritës, tri pallate në shtet-rrethim,

kthyer pas 20 vitesh, në rrugicën e vjetër, më të vogël tashmë,

e njëjta grua, më e vjetër, ikte të blinte ushqim në dyqanin përballë,

banonte në të njëjtën hyrje, ndërsa herë pas here dilte në dritare dhe pinte duhan.

 

Gruaja ikte në dyqan pas shumë kohësh, njësoj siç kishte bërë dikur,

e aty gjë nuk kishte ndryshuar, edhe pse në Ballkan kishin plasur luftëra,

në Ruanda ishte ushtruar gjenocid, e regjimet e Lindjes së Mesme kishin rënë si domino,

prapë në atë vend e njëjta jetësi, burri për karshi me tabelën e shahut në kohën e lirë, në lulishten e njohur.

 

Oborri njëjtë, “grirë” prej betonit dhe dy porta me gurë, portat famoze,

dielli  si poç digjte fëmijët, sharrën e vjetër vetëm e kishin bërë lokal,

po e çuditshme shumë se jeta vijonte, dramat sociale ndodhin, luftërat e trazira plot,

kurse oborri i pallateve po njësoj, Gulagu i vogël,  e gruaja ikte në dyqan, si njëzet vite më parë.

 

 

Odisea e një kombi


 

 

Dionis Xhafa

Mitologjia greke, kryesisht pjesa tragjike e saj është përshkrimi universal i ngjarjeve që kanë ndodhur dhe ndodhin në botë. Problemet e njerëzve janë të njëjtat, vetëm se kohët ndryshojnë. Edhe me kombin shqiptar luhet një tragjedi e përditshme, pa fund e anë. Ndërsa perëndite bien dhe ngrihen, bashkë me ta “lëviz” edhe populli. Një plagë e popullit tonë mbetet emigrimi. Të tillë fat e kanë shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë në mos edhe më gjerë në hapësirën ballkanike ku jetojnë ata. Dhe emigrimi nuk mund të mishërohet më së miri sesa te Odisea, që la vendin e tij për të ikur në Itakë. Odise në këtë kuptim është çdo shqiptar i zakonshëm që lë dheun e tij për një jetë më të mirë në vend tjetër, kryesisht në Europën Perëndimore. Dhe shqiptari i zakonshëm udhëton, punon e stërmundohet si ndër gurët e Sizifit, në kohën që perënditë ngërdheshen ashpër me njëri – tjetrin. Një atdhe që braktiset e një Odise që lundron nëpër Adriatikun e pamasë. Dje dhe sot, në një tragjedi që vazhdon, e zezë disa herë e kobshme në herë të tjera. E ngjarjet vetëm ndodhin, valët e detit përplasen, kurse Odisetë ikin në shikimin e trishtuar që ngulitet te ajri, deti, toka që mbeten, kurse njeriu është vdekatari në fatin e Olimpit të fuqishëm.

Tërmeti ndihet në udhëtimin e një jete të përkohshme. Vdekatarët ikin. Në botë ka dy lloj njerëzish: Mashtrues si jeta dhe të vërtetë si vdekja. Odisea lëviz dhe bashkë me të tragjikja e kombit, në velat e anijes që sapo u nis. Aty, njerëz me fate të panjohura, udhëve të kombeve të botës, në udhëkryqe të panumërta, fate njerëzore. Por Odisea ndihet çuditshëm. Grekët e tij fituan, e Trojës iu vu flaka prej pabesisë që mbante. Udhëve të Europës gdhendet fat i zi dhe i pjesës më të mirë të kombit. Një demokraci e brishtë. Një Homer që vdes në radhët idealiste. Trazirë dhe errësirë, si jetë e njerëzve të vërtetë, që për fund kanë të sigurt vdekjen. E ndërsa muret e Trojës bien dhe digjen, Odisetë “shëtisin” brigjeve të Adriatikut.

 

Vjolë


 

Dionis Xhafa

 

Kështu janë lulet, manushaqet,

e tillë është lule e fiorentinasve,

ngjyra e mbretërve, vjolë është,

bukuri e natyrës, blu si qielli i paanë.

 

Ndër gjallësi, më të bukur ngjyrë s’ka,

kallinjtë e Firences flasin gjuhë dantaske,

dhe rreth brigjeve të lumenje vjen era fllad,

ndërsa nuhat, sheh, ndjen, thellë vjolë.

 

 

Fijet e kombit


 

Dionis Xhafa

 

Fijet e kombit dergjen ndër deje të Adriatikut,

çohen lart nëpër kodra e male gjigande,

e këputen ndër mese të lëkundëta, Zeusi e madh e di,

si plagosen, rreken e shtriqen, dejet, fijet e kombit.

 

 

 

Lule


 

Dionis Xhafa

 

 

Një manushaqe,

një mimozë,

trëndafil që shndrit,

përzier në aromë luleshqerrash.

 

Në kopshtin përtej,

fle hijshëm bukuria,

kalbësirën zhduke Zot,

edhe mbill lule, lule.

 

Mizat


 

 

Dionis Xhafa

 

Mizat banojnë në pallatet e qytetit,

çohen me vrik dhe ikin tufa – tufa nëpër punë,

lëkunden, shkarkohen, lëvizin sa në një ndërtesë në tjetrën.

 

E në lëvizjen e tyre,

tundet toka,

të fortët mbijetojnë në natyrën e egër, milingonat më tepër,

kurse bien njëra pas tjetrës, mizat.