Europa si Kulla e Pizës


Dionis Xhafa

Ishin vitet diku 2011 ose ndoshta pak më herët, kur në Lindjen e Mesme kryesisht ranë njëri pas tjetrit diktatorë e autokratë qeverisës. Rënia e tyre, në një formë apo tjetër, sigurisht që u sponsorizua nga SHBA-të në radhë të parë e se edhe nga shtete të tjera perëndimore. Gjysma e punës u bë. Libia ishte shembulli tipik, ku diktatori Gadaf u rrëzua. Por çfarë ndodh më pas? Më tej ndodhi kataklizma.

Rënia e diktatorëve, të cilët thuajse kudo shtrinin duart e tyre të përgjakura nuk u pasua me demokraci, aq më pak të shëndoshë, por me rrënim e kaos, luftë civile dhe se bashkë me këtë fenomen, u shfaqën edhe organizatat terroriste, të cilat shfaqën synime të qartë për oreks për territore. Ishin këto shembuj dhe mënyrat si shkuan gjërat, se përse Erdogan në Turqi dhe Bashar Al Asad në Siri nuk ranë nga pushteti. Përkundrazi, e mbajtën fort pushtetin, edhe prej frikës se shteti do të shndërrohej në arenë përplasjesh, e kështu vendi do të hynte në një luftë të ethshme civile gjakatare. Dhe kjo është e vërtetë. Më mirë është diktaturë, sesa luftë civile. E tregova këtë kronologji ngjarjesh që kanë ndodhur së afërmi jo pa shkak.

E tregova për të treguar se terrorizmi sot, qoftë në Europë apo larg saj, lind pikërisht si kundërpërgjigje e individëve apo organizatave të caktuara ndaj asaj çka bën SHBA, Perëndimi në Siri, Irak, Libi e në shtete të tjera të këtij rajoni. Këta njerëz, që janë në thelb kriminelë sigurisht, janë duke kryer hakmarrje, sipas tyre. Kjo sepse kanë parë fëmijët e vrarë në rajonin nga vijnë apo kanë origjinën. Gabim e kanë, fort gabojnë, sepse kryejnë veprime kriminale. Ama nga ana tjetër, Perëndimi duhet të jetë me fytyrë më njerëzore, të pranojë emigrantët, të mos përjashtojë të ardhurit apo të gjykojë nga orgjina e feja, e kështu paqja do të ishte akoma e më e begatë. Mirëpo, Perëndimi goditet e goditet, ku pas Brukselit, pas Nisës, e Parisit, tashmë u trondit edhe Londra.

E keqja e madhe është se sulmet nuk po ndalen dhe vështirë shumë se do të ndalen. Kështu, pasi Europa bie disi në qetësi, lëkundet prapë, e ngjan si Kulla e Pizës, e cila duket e lëkundur, por pranë nuk bie në tokë. Unë besoj te vlerat europiane, fuqia e një bashkësie shtetesh, palëkundshmëria e këtyre vendeve, të rregulluar më së miri me ligje dinjitoze njerëzore. Kam shpresë e besim se vetë Europa duhet të jetë më njerëzore në politikat që ushtron në Lindjen e Mesme, ku të mendojë për njerëzinë jo thjesht për stabilitetin e disa shteteve. Në këto kushte, sulme vështirë se do të kishte, organizata terroriste jo e jo, botë paqësore nën qiej europian do të mund të shihja, ndoshta me re të pakta. Europë, kullat tua kanë kolona të forta dhe shembje të rëndë të tyre, kurrë mos pastë.

Dionis Xhafa 

Suksesi, siç e mendon njeriu


Dionis Xhafa

Shkrimtari dhe filozofi britanik James Allen ka shkruar një libër me titull “Siç mendon njeriu”. Allen shpjegon në këtë libër  se një zemër e mirë, një mendje e kthjellët, një njeri i pastër e i sinqertë, me objektiva në jetë, pajisur me humor, është i ekspozuar për nga suksesi në krahasim me një mendje apo zemër të keqe, kriminale e dashakeqe. Siç e shpjegon edhe vetë titulli i librit në fjalë autori Allen perifrazon se njeriu vepron në thelb ashtu siç mendon. Aty vlerësohet se një mendje e mbrapshtë, e errët është e prirur për të rënë në batakun e së keqes. E kundërta ndodh me zemrat e çiltërta dhe me njerëzit që shpërndajnë kudo harmoni dhe gëzim të madh. Allen thekson se edhe jeta e njeriut bëhet sipas asaj që ka në mendje njeriu. Një mendje e shëndoshë, që nuk merret as me kritika dhe as me boshësi, me synime të qarta, ka predispozitën për të “krijuar” njeriun e suksesshëm. Arritjet në jetë të një njeriu janë drejtpërdrejtë rezultat i mendimeve të tij.

Njeriu me mendje dhe me zemër të kthjellët krijon kopshtin e tij me shumë lule, të cilat janë me plot ngjyra, kurse mendja e mbrapshtë lëshon veç farëra të këqija. Këtë gjë, e cila është teorike desha që ta zhvendos në realitetin e përditshëm shqiptar, të cilin ne e jetojmë përditë. Njerëzit, në këtë shoqërinë tonë, në përditshmërinë e tyre, përpos se janë të varfër në të shumtë nga ana materiale, fatkeqësisht shpesh janë të varfër edhe në zemër, për nga vlerat humane, në shumicë. Në shoqërinë tonë pra, shpesh mungon edhe një mendje e kthjellët, apo një zemër e mirë. Shoqëria ku jetojmë përditë ka shumë probleme, duke nisur nga krimi e të tjera me radhë e se gjithë ky kriminalitet sikur të mos mjaftonte, duhet edhe zemra jo e mirë e disa shtetasve të republikës, që e bëjnë zeher në shumë raste shtetin tonë.

Kjo zemër e tillë, e keqe pra ndër shtetas duhet të ishte sa më pak e pranishme. Një zemër e mirë është gonxhe në kopshtin me lule të lumturisë së përbashkët shoqërore. Një zemër e mirë përbën një njeri të mirë e disa njerëz të mirë përbëjnë një shoqëri realisht të mirë. Sepse fundja shoqëritë njerëzore mbajnë mend ëndërrimtarët, që me mund e përpjekje kthyen ëndrrat e tyre në realitet. Ata njerëz që nuk menduan vetëm për paqen e vet, por edhe të njerëzve të shoqërisë ku jetuan dhe ndërvepruan. E shpesh kur shohim të tillë njerëz mendojmë se ata kanë arritur gjithçka si me magji. E kundërta ka shumë gjasa të jetë e vërtetë. Ne jemi të prirur të shohim te njerëzit e suksesshëm vetëm suksesin e tyre. Kjo ndoshta edhe prej faktit se njerëzit e sukseshëm dinë të fshehin mrekullisht të gjithë dramat e ndodhura në jetë dhe për të prezantuar veç rrezatimin e tyre të përditshëm. Në mos, sa më tepër përparon një njeri, më tepër dhimbje ka lënë pas.

Kjo sepse shpirtrat e mirë shkëlqejnë si dielli në zenit në një ditë të bukur pranvere. Andaj, unë besoj se shoqëria jonë ka nevojë për të pasur sa më shumë njerëz të mirë, me zemër të mirë, që të bëjnë vepra të mira e se në stacionin e fundit të jetës të kujtohen për mirësitë e tyre. Kështu do të vinte paqja shpirtërore, qetësia e mendjes, një shoqëri me më pak krime, ku çdokush të kishte mundësi të barabarta për të plotësuar idealin që ëndërron. Zemrat e mira i duhen Shqipërisë. Ata e begatojnë atdheun, kontribuojnë që shoqëria të mos priret drejt krimit, imoralitetit, por paqes shpirtërore dhe pastërtisë morale. Dëshira është e madhe, që me zemra të pastra të kemi Shqipëri të begatë dhe jo të mbushur me krime e intolerancë.

Hipokrizi në Sarajevë


Dionis Xhafa

Takimet që janë bërë dhe akoma vazhdojnë të bëhen mes liderëve politikë në Ballkan, sidomos mes kryeministrave, por qoftë edhe mes presidentëve, duken më tepër fasadë dhe diçka false sesa një realitet i një gadishulli që bëhet sikur është në qetësi.

Duke qenë se Ballkani në njëfarë mënyre ka qenë lëmsh historikisht dhe fatkeqësisht është akoma ashtu, në fakt nëpër kryeqytete të saj, sidomos ata me më pak peshë ose që kanë më shumë tension e peshë politike, luhet një teatër, vënë në skenë nga ana e liderëve politikë dhe që ka “dhunën” e Bashkimit Europian, që përpiqet në një projekt idealist, që duket tepër larg.

Kështu duket se në Beograd, bashkë me dramën luhej edhe një komedi dhe se kur drama e komedia shkojnë bashkë, krijojnë një histerizëm të tmerrshëm politik, një hipokrizi, që nuk ka asnjë lloj lidhjeje me realitetin, që është i përditshëm në këtë gadishull ku jetojmë.

Kryeministrat e Ballkanit takohen dhe bëjnë sikur janë bashkë, kur në fakt në shtete të ndryshme ka specifika të ndryshme. Nëse i marrim me radhë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç bën sikur është europianist në sytë e zyrtarëve të BE, është afër Rusisë dhe popullin e ushqen me nacionalizëm. Rama është patericë e perëndimit dhe se nuk ka lidhje fort me hallet e vërteta të popullit, Gruevski pak a shumë si Vuçiç e në mos më keq akoma. Pra kjo është njëlloj sikur të marrësh disa njerëz që mendojnë ndryshe, që kanë direktiva nga fuqi të ndryshme botërore dhe se thua se “shiko se këta janë duke sjellë paqen në Ballkan”. Kjo është e trishtë, e tmerrshme dhe na shitet sikur Ballkani sot ka paqe e tolerancë.

Hipokrizia u duk disi në Beograd, por sidomos në Sarajevë, ku dhe njëherë raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë u dukën se janë shumë të brishta dhe të dyja luftojnë nën rrogoz njëra-tjetrën. Sërish çështje kryesore e përplasjes mbetet Kosova, të cilën Serbia e ka mit, kurse Shqipëria e ka realitet, territor i humbur për shkak të luftërave ballkanike. Por me rëndësi është që hipokrizia doli, maskat u çjerrën, politikanët dolën se luajnë aktrime kudo shkojnë nëpër kryeqytete të dobëta të Ballkanit e se nga ana tjetër këtu s’ka paqe, por ka dhunë në shtetet ballkanike, ka varfëri, ka papunësi, ka shtypje e jetesë të rëndë.

Shqipëria, Vilalba e Mesdheut


Nga Dionis Xhafa

Autori sicilian Mikele Panteleone ka shkruar një libër “Mafia dhe politika”. Në këtë libër flitet për mafien siciliane veçanërisht dhe atë italiane në përgjithësi, shumë vite të shkuara. Aty thuhej se mafia, sidomos në jugun e Italisë kishte lidhje me pushtetarët, qofshin këta komunistë apo fashistë. Mafia pra kishte gjithmonë ndikimin e vet në Siçili. Ngjarjet kryesore të përshkruara në libër, që janë të vërteta, zhvillohen në Vilalba, që quhej edhe sheshi kryesor i Siçilisë. Autori me një mjeshtëri të madhe të përshkrimit të ngjarjeve reale dhe konkrete, shprehet për luftën e ashpër që zhvillohet në Vilalbë për dominim dhe sesi mafia depërtonte në çdo qelizë të politikbërjes italiane. Nga ana tjetër, duke qenë se ambienti politik në Italinë e Jugut ishte kaq konfliktual, popullsia vetëm vuante rëndë pasojat e pandreqshme të një klase politike, e cila ishte në themel hakmarrëse, e ethshme për pushtet vetjak. Populli pra ishte thuajse i gjunjëzuar përballë politikës. Mafia italiane nuk është se ishte e mbyllur vetëm në këtë pjesë të Italisë. Në libër përshkruhet mjaft mirë sesi ekzistonin lidhjet mes Siçilisë dhe Amerikës nga ana tjetër, pasi dihet fare mirë se italianët kanë udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë kohë më parë. E pra pasi përshkrova me pak fjalë këtë libër, dua të vij te ajo pjesë e cila më intereson të tregoj në këtë shkrim.

A nuk është sot Shqipëria një Siçili si e asaj kohe, e mbytur nga krimi politik. Personalisht, kam udhëtuar në disa qytete në veriun dhe në jugun e vendit. Gjendja në to është mizerabël. Shpesh krijohet përshtypja se veriu është shumë i varfër dhe se jugu ka një lloj zhvillimi, e kjo gjë është deri diku e vërtetë. Ama, edhe jugu në një pjesë të vetën paraqet probleme të theksuara sociale, një terren të ashpër, ku përditë llogaritet ekzistenca njerëzore. Kështu është realiteti thuajse në mbarë Shqipërinë. Këtu ka varfëri, ka gjendje thuajse depresive, aq sa edhe një gjerman po ta marrësh dhe ta plasësh në realitetin shqiptar, ama ta zhveshësh nga gjendja ekonomike e Gjermanisë, me siguri që shndërrohet në një person si shumica e shqiptarëve, të lënë në rrugë të madhe dhe endur në gjendje të rëndë, thuajse pa shpresë. Ajo që ka thënë shkrimtari ynë gjenial për nga parimet e veta universale Migjeni, duket se është realitet edhe sot e kësaj dite. Kudo sheh fëmijë rrugëve të lënë të harruar, duar të mpira që të shtrihet përpara syve, për të shtuar se ka edhe rrugë të shkreta, ku malli e varfëria përzihen keqas me një realitet që të vret përditë, sa më shumë e sheh qartësisht atë. Qytetarët shqiptarë janë në një gjendje të rëndë ekonomike, skamja ka kapur majat nëpër qytete dhe se shtetasit e Shqipërisë ia dalin vetëm duke kërkuar e marrë borxh te njëri-tjetri.

Madje, ka raste që sheh edhe njerëz duke folur me vete rrugës. Sigurisht, këtu nuk e kam fjalën për ata që e kanë ves këtë punë, por për ata që flasin me vete nga e keqja, nga halli. Gjendja është thuajse kaotike dhe me gjasë ka për të shkuar edhe më kaos nga se është. Pika e fundit që dua të sqaroj është metafora që kam përdorur në këtë shkrim. Shqipëria ngjan tamam si Vilalba e Mesdheut, për shkak se këtu përplasjet politike janë më të egra se kudo, konfliktualiteti është më i madh se ngado dhe se përballja me botën e krimit është lufta më pak e përballueshme ndoshta se kudo në Mesdhe.

Shqiptarët e gjunjëzuar të Maqedonisë


Dionis Xhafa

Situata politike në radhë të parë në Maqedoni duket tepër e vështirë për tu zgjidhur. Nga njëra anë, kemi forcat shumicë tanimë të LSDM-së dhe të shqiptarëve, kurse nga ana tjetër është politikani i sprovuar Nikolla Gruevksi, që për hir të realitetit udhëheq partinë me më shumë vota në shtetin maqedonas. Megjithatë, kjo nuk do të thotë gjë, për shkak se edhe diktaturat, fashizmi, nazizmi e regjimet më të egra të historisë kanë pasur masën e madhe të popullit me vete. Ka shumë gazetarë e analistë politikë që janë përpjekur të analizojnë situatën në shtetin e Maqedonisë, ku ka një kundërvënie të rrezikshme politike. Ajo që dikur frikësohej të ndodhte në Serbi, në fakt duket se është duke ndodhur në Maqedoni. Kemi nga njëra anë shqiptarët dhe forcat progresive maqedonase që duan një Maqedoni në Europë, kurse nga ana tjetër edhe pikëpamje deri raciste dhe parime politike ruse, sidomos te partia e VMRO-DPMNE-së. Nuk do shumë mend për të thënë se presidenti i shtetit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov nuk përfaqëson gjyqtarin e palëve, por ai është vegël politike e Gruevskit. Madje, mund të thuhet se nga ana tjetër e platformës shqiptare, është edhe një krah deri ultra-nacionalist e shovinist, sidomos organizata “Për Maqedoni të bashkuar”.

Këta të fundit, me një paturpësi që s’njeh kufi, kanë dalë nëpër qytete të tëra të shtetit fqinj, me pankarta në duar: “Dhoma gazi për shqiptarët”. Gjë e ulët, e tmerrshme, lemeritëse, të vësh duart në kokë dhe të mendosh se ajo që është ndërtuar prej kaq shumë vitesh për Maqedoni dyetnike, vetëm varroset e varroset, pa ditur një ditë të gëzohet ideja e barazisë mes etnive. Ndërkaq, një nga pikat ku është “kapur” politika maqedonase radikale në përgjithësi, VMRO veçanërisht apo në daç Ivanovi ka qenë se platforma shqiptare parasheh përdorim të gjuhës shqipe në shkolla, institucione etj. Aktualisht, gjuha shqipe njihet vetëm në disa zona, ku popullata shqiptare tejkalon 20 për qind të popullatës. Ligji aktual bën që shqiptarët të ndihen si emigrantë në tokën e vet, pa mirëqenie shpesh, pa të drejta dhe pa liri. Edhe po ta marrësh gjendjen në tërësi është një masakër që po ta përshkruash, shkon për shtat me dramat ballkanike. Të jetojë një popullatë e tërë etnike në një shtet si Maqedonia, me psikozën e sëmurë se shqiptarët gjoja janë të ardhur në këtë vend, është marrëzia teorike që ekziston, në një shtet me politikë realisht të çmendur.

Në lidhje me gjuhën shqipe, nuk dua të merrem në tërësi, pasi besoj se problemi është tepër kompleks, por do ta paraqes me një shembull të thjeshtë. Kur kam vizituar Shkupin, në ikje, jam rastisur me një burrë diku te 40-50 vjeç. Ai ishte nga qyteti i Prilepit dhe etnikisht shqiptar. Por, qenia mu trondit jo pak, kur mezi e fliste shqipen. Kur e pyeta për një vend të caktuar, mezi më përgjigjej. Më tej e pyes nëse ishte shqiptar. “Po po”, Kaq dinte të thoshte e se më tej as nuk dinte të shpjegonte. Në fakt, unë nuk shihja në ato momente vetëm atë shqiptar të Prilepit që kishte humbur disi nga identiteti i vet për shkak të terrorit shtetëror të Maqedonisë. Por në sytë e tij disi të pafajshëm për humbjen e atij identiteti shihja popullin shqiptar të Maqedonisë, një popull endur si mërgimtar në tokën e vet, imponuar me zor deri aty sa të humbë edhe gjuhën, themelin e identitetit të një kombi. Në ata sy shihje bashkë me humbjen e identitetin, edhe një popull të poshtëruar politikisht e të përunjur prej fuqisë së egër politike sllave. /Shekulli/