Përplasja për Republikën


Nga Dionis Xhafa – Opozita e Kosovës, e përbërë nga subjektet politike LVV, AAK dhe NISMA, e dobët numerikisht në parlament po i jep “flakë” skenës politikës në shtetin më të ri në Ballkan.

Mjete të ndryshme, helme, fishekzjarre, brenda dhe jashtë parlamentit të Kosovës po hidhen nga ana e deputetëve dhe aktivistëve të opozitës. Ngjan se “lidere” e opozitës së Kosovës është bërë Lëvizja Vetëvendosje, pasi që të tilla protesta vetëm VV-ja mund ti zhvillojë.

Pozita, numerikisht tepër e fortë, ku dy partitë më të mëdha në vend PDK-LDK janë në koalicion qeverisës, i quan ‘bombat” në parlament dhe jashtë tij si “veprime ekstremiste”. Hashim Thaçi akuzoi opozitën se po e prish imazhin e vendit dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës.
Opozita i përligj veprimet e veta, flet për shtet policor dhe për kryerrezikun , sipas tyre, të copëtimit të shtetit të Kosovës sikundër Bosnja.

Sipas opozitës., Thaçi dhe Mustafa i falën tokë Kosove Malit të Zi dhe nënshkruan në Bruksel me “Millosheviçët e rinj’ të rinj të Serbisë, Vuçiç dhe Daçiç, me ç’ka shitën interesin shtetëror të Kosovës dhe atë kombëatr të shqiptarëve.

Opozita mendon se drama dhe post-drama që Serbia e shkaktoi në Bosnje, mund ta shkaktojë edhe në Kosovë.

Serbia e vrau Bosnjën, , e lau në gjak atë, por edhe me duar të zhytura në krim dhe të gjakosura, Millosheviçi arriti t’iu japë serbëve një “pjesë toke” të Bosnjës.
Pas luftës në Bosnje, Serbia me makinerinë e egër ushtarake të vetën kreu luftë edhe në Kosovë. Territorin e shtetit boshnjak që e deshi, Serbia e rrëmbeu dhe mund ta rrëmbejë edhe veriun e Kosovës.

Situata duket vështirësisht e zgjidhshme, pasi kërkesa e opozitës që Thaçi dhe Mustafa të heqin nënshkrimet është thuajse e pamundur.

Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Daniel Server i jep të drejtë opozitës, pasi mbron tezën se nënshkrimet e liderëve të Kosovës e “bosnjëzojnë” Kosovën.

Pozita thotë se ajo që opozita e konsideron “Zajednicë” është në fakt vetëm përmbushje e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe thekson se këto protesta lidhen me pakënaqësi të elektoratit të opozitës, që nuk ka pushtet.

Megjithëse protestat duken jo pak të dhunshme, thjesht fakti se disa të rinj dhe të reja të Kosovës, deputetë e aktivistë, të bërë bashkë, brenda dhe parlamentit po gjejnë forcë të reagojnë fuqimisht, është shenjë pozitive se ndër shqiptarë ka reagim.

Përtej faktit se firmat e Thaçit dhe të Mustafës janë apo jo shitje e Kosovës , në fakt të dy janë në krye të një sistemi vështirësisht të pastër, të mbushur me nepotizëm dhe për më tepër, që në pushtet janë dy parti me filozofi krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.

Pra, vetë ky fakt të thotë se ia vlen të protesohet.
Vetëvendosje së bashku me partitë e tjera opozitare po nxit një reagim që tepër rrallë e kemi parë në hapësirën shqiptare.

Protesta të tilla të fuqishme e masive rrallë ndodhin në Maqedoni,ndërkaq që në Shqipëri janë tepër të rralla, në mos nuk ka fare.

Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko është i vetmi që ka reaguar dhe ka thënë veç tjerash kohë më parë se Tirana e ka humbur rolin e saj mbi shqiptarët që jetojnë në rajon.

Opozita e Kosovës, jo pa të drejtë po përpiqet t’i bëjë ballë një fati të mundshëm fatal për Republikën e Kosovës, gjymtimin e saj prej thundrës serbe.

Së paku, Vetëvendosje në qëndrimet e saj ka qenë gjithnjë kundër politikave fashisoide, jo vetëm të serbëve, por edhe kur politika fashizoide zhvillohen prej shqiptarëve.
Nëse dje, mbi Kosovën kishte fashizëm nga Serbia me makineri ushtarake, një valë të lehtë të fashizmit duket se e shkakton pozita e sotme.

Festa mbaroi, po tani ç’do bëhet?


nga Dionis Xhafa

 

Thonë se çudia më e madhe e mundshme në këtë botë nuk zgjat më tepër se tre ditë. Aq duket se zgjati dhe festa për kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2016″dhe tashmë atmosfera pritet të rindizet vitin e ardhshëm, kur Kombëtarja jonë do të luajë në fazën e grupeve në Francë. Pak e çuditshme kjo festë. E çuditshme sepse ne si komb jemi përfaqësuar po në Europë, por në këngë. Madje, në Eurosong kemi arritur edhe majat e klasifikimit, por se askush nuk festoi për këtë arritje.

Gjithsesi, entuziazmi i lartë fillestar i festës ka rënë thuajse fare tanimë. Në qytetet tona po e njëjta situatë, po e njëjta panoramë. Në Shqipëri vijojnë spektaklet e së enjtes, ku shqiptarët ngazëllehen përpara televizionit, në Kosovë nuk dihet se cilin politikan të rradhës e kap ndonjë vezë fytyrës, ndërsa në Maqedoni nuk po mbarojnë enigmat, sherret dhe përplasjet brenda shqiptarëve.

Kombëtarja Shqiptare e përbërë nga futbollistë nga të gjitha trevat shqipfolëse, ndër të tjera dha një mesazh që politika jonë nuk e ka dhënë: Të bashkuar dhe pa inate të brendshme, mund t’ia dalim!

Kombëtarja jonë dha mesazhin se bashkimi i disa njerëzve rreth një qëllimi të përbashkët, paçka vështirësive apo vuajtjeve rrugës, mund të triumfojë një ditë dhe të gëzojë pjesëtarë të të gjitha moshave të një kombi të vogël.

Politika shqiptare, ndryshe nga përfaqësuesja duket të jetë e përçarë, e polarizuar dhe pa një vizion të përbashkët.

Polarizimi i shoqërisë në Shqipëri duket që nga ajo se Erion Veliaj organizon 70-vjetorin e Çlirimit, duke përkujtuar vetëm partizanët dhe duke nderuar vetëm të majtët, a thua se nuk ka patur edhe të djathtë që kanë  luftuar për çlirim të vendit. Kjo është ta ndash shoqërinë, të kategorizosh disa persona se këta “e humbën luftën”, kurse këta të tjerët “e fituan”.

Për të mos folur për përplasjet e dhunshme verbale në arenën parlamentare, të cilat vetëm sa krijojnë përçarje në klasën politike dhe varfëri në shoqëri.

Në Kosovë dhe në Maqedoni po njëjtë, me formulën e famshme makiaveliste të politikës “Përça e sundo” vijon të sundojë hajnia, mashtrimi dhe marria.

Kombi shqiptar diti të përfaqësohet denjësisht, kur kombasit e vet bëhen bashkë për një qëllim të përbashkët dhe aq më tepër largohet targeti nga ky qëllim, sa më tepër të përçarë janë!

Mos e shani Ballist Morinën


  • nga Dionis Xhafa –  Ismail Morina, njohur si “Ballisti” u arrestua se iu gjetën disa armë, së bashku me disa shokë të tij.

Heroi i dikurshëm krejt papritur u shndërrua në njeriun, që të gjithë donin ta largonin, madje edhe ta nxijnë.
Ai do të dalë të premten përpara gjykatës si një person, që është gjetur me armë dhe akuzohet për “armëmbajtje pa leje”.

Të shumtë ishin ata që filluan ta shajnë, si “nacionalist primitiv”, por shkuan edhe deri aty, duke e quajtur rëndë “hajvan”.

Ballist Morina nuk ka prekur njeri, ai nuk është dënuar zyrtarisht dhe sharje të tilla as që shkojnë fare për shtat.

Ismail Morina është njeriu, që kishte idenë gjeniale që mbi qiellin e Beogradit, të tregonte faktin se shqiptarët janë autoktonë në Ballkan e serbët nuk janë të tillë. Ai e bëri këtë pa prekur askënd fizikisht.

Kur e shanë, e quajtën “hajvan”, “njeri që nuk ia vlen të na e mbrojë kombin” për faktin se iu gjetën armë, nuk pyeti askush për të, se mund të jetë ndjerë i kërcënuar nga serbët për veprimin që kreu në kryeqytetin serb.

Nëse Ballist Morina është apo jo për burg e vendos gjykata. Askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë atë.

Ismail Morina nuk është si Ivanovi dhe shteti ynë nuk është si shteti serb. Ivanov ishte për burg dhe zuri fushën e blertë në Beograd, kurse Ballisti kurrë s’ka treguar dhunë.

Askush nuk ka të drejtë ta gjykojë një njeri, që një Serbi e tërë i “hidhet në sulm” me lloj-lloj etiketimesh, të pabazuara në fakte, por duke e quajtur veprimin e tij “provokativ”.

Gjithashtu, “Ballisti” është personi, që me ç’ka bëri në Serbi, po mban ndezur ëndrrën e shqiptarëve për Europian.

Kush janë më të varfër, shqiptarët apo grekët në krizë?


nga Dionis Xhafa

Së fundmi, u realizua “Balkanika 2015” ku marrin pjesë shkrimtarë nga vende të ndryshme të gadishullit ku bën pjesë edhe vendi ynë.

Pjesë e konkursit për të fituar çmimin “Balkanika 2014” ishte edhe shkrimtarja shqiptare, Mira Meksi. Edhe pse pretendente kryesore me “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, Meksi humbi titullin vetëm në momentet e fundit përballë shkrimtarit të ri grek, Christos Chryssopoulos, i cili garonte me disa ese të tijat personale.

Shkrimtari nga Greqia fitoi më tepër për shkak se në esetë e tij përshkruante rrënqethshëm dramën e kombit grek si pasojë e krizës së thellë ekonomike që ka kapluar vendin helen.

Chryssopoulos në esetë e tij jep edhe një përshkrim të përgjithshëm interesant për krizën greke, duke thënë se kriza në Greqi, më tepër se ekonomike, është psikologjike.

Përpos rasteve të veçanta të izoluara, të njerëzve të rënë në varfëri ekstreme, ndër qytetarë grekë pasuria ende ekziston.
Ata kanë shtëpi të mëdha, në mos dy të tilla, kanë kapital të qëndrueshëm dhe vetura.
Grekët thjesht ishin mësuar të mirrnin paga të larta që vinin nga borxhet që Greqia i mirrte BE-së. , duke punuar shumë pak ose thuajse aspak.

Sot, ata politikanë që i mashtruan grekët, kanë ikur në shtëpi dhe rehatia nga mashtrimi deri diku mori fund.

Po në Shqipëri çfarë ndodh? Këtu nuk ka krizë të përkohshme, por të përhershme.

Kjo jona është krizë e përbashkët politike, ekonomike dhe psikologjike.

Këtu, realiteti i para-krizës greke është fakt. E gjen edhe mashtrimin politik, edhe politizimin në punësim , edhe varfërinë e skajshme.

Personalisht, jam nga ata persona që më pëlqen të eci shpesh natën rrugëve të qeta të qytetit, e ajo ç’ka mund të vësh re është se ka jo pak njerëz që flenë nëpër trotuare apo në cepa rrugësh, të zhytyr në krizë ekonomike, psikologjike dhe identitare.

Kjo është vetëm panorama e dukshme. Sa e sa të papunë, sa e sa të punësuar jo se e meritojnë, sa e sa të zhgënjyer nga ky vend që kanë marrë rrugën e arratisë drejt shteteve perëndimore.

Sa e sa të zhgënyer nga politizimi dhe polarizimi i skajshëm i shoqërisë, të braktisur dhe të pashpresë, ikin me ide jo të mirë për këtë vend, sepse vendi i tyre i pa si armiq.

Sa padrejtësi në pietestal dhe sa drejtësi e zhytur nën tokë. Sa e sa…

Janë të gjitha këto fakte, që dëshmojnë se ky vend, ndryshe nga Greqia, e cila ka një krizë të përkohshme, është në llum tërë kohës.

Janë të gjitha këto fakte që dëshmojnë se shqiptarët janë më keq se grekët e goditur nga kriza.

Shqipëria në anën e duhur


nga Dionis Xhafa

Shqipëria është një vend i vogël ballkanik, që me të drejtë është rradhitur përkrah SHBA-ve dhe shteteve të tjera aleate në luftën e pakompromistë kundër terrorizmit. Vendi ynë është pjesë e botës dhe atë e “djegin” në një apo mënyrë tjetër ngjarjet që ndodhin sot në rruzull, ku kulmi i konflikteve arrin në Lindjen e Mesme, rajonin që vështirë se gjen rehati.

Në kuadër të luftës që po zhvillon SHBA dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme, ku me patjetër kërkohet të eleminohet ISIS, një fjalim në OKB e mbajti edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama.

Patjetër që Shqipëria është një vend i vogël dhe ndoshta nuk e ka peshën e madhe për të luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në politikën botërore, por aq sa e ka këtë peshë mundohet të kontribuojë.

Nga ana tjetër, krahasimi i fjalimit të Ramës me të Enver Hoxhës as që përputhen, për shkakun e thjeshtë se Hoxha bëntë thirrje në kohën e vet për të përforcuar politikat staliniste dhe nuk donte një sistem më të butë politik.

Ndërkaq sot, të ngresh zërin kundër terrorizmit në botë është më e drejta politikë. Thirrja e Ramës po ashtu është e atillë, që fton për altruizëm dhe të jemi njerëzor, duke qenë larg një nacionalizmi primitiv vetëmbytës në vendin tonë.

Rama vijon të theksojë më tej se ISIS duhet luftuar deri në fund, gjersa të shkatërrohet i tëri.

Në rast se kryeministri vepron njëjtë edhe me “ISIS-in brenda vendit”, fjalimi do të kishte kuptimin e vërtetë.

Dhe, e vërteta është se ky ISIS që mbart Shqipëria është aq i zi, sa kërkon luftë të pandërprerë për ta mposhtur atë, jo përmes forcës, por drejtësisë.

Çfarë fshihet pas “Kumanovës”?


nga Dionis Xhafa

“Kumanova” është ndër ata raste, aq të dyshimta, aq të mbushura me mister e teori komploti, sa ngjarja që ka ndodhur në realitet, ngjan sikur të jetë skenar filmash. Edhe pse ka kaq kohë që ka ndodhur një përgjakje e rëndë në këtë qytet, e vërteta po qëndron e mbyllur si nën thëngji dhe se ajo vështirë se do të dalë ndonjëherë në dritë siç qëndron.

Edhe pse s’mund të thuhet një e vërtetë e prerë, informacionet e fundit janë “tulla”, që të ndërtojnë një kullë të së vërtetës. Kjo e vërtetë nis të dalë në dritë që me zgjedhjen e prokurores Speciale në Maqedoni, Katica Janeva. Pasi që dihet se Janeva është figurë e pandikuar politikisht, policët maqedonas të arrestuar për netët e tmerrit të 9 dhe 10 majit kanë marrë zemër të shprehin zemërimin ndaj pushtetit të Gruevskit.

Policët kanë thënë në një letër dërguar prokurores se në Kumanovë nuk janë përballur me një rrezik real terrorist, sikundër ka qenë varianti zyrtar i qeverisë së kryesuar nga Nikola Gruevski. Policët e revoltuar, pasi që u çuan në kasaphanë, u hoqën nga puna dhe po sillen përpara drejtësisë, si dhe të shqetësuar për humbjen e jetëve të kolegëve të tyre, nga se deklarojnë, gjasat janë që të jenë bërë “koka turku” nga Gruevski, vetëm që ky të vijojë ta mbajë pushtetin e tij.

Policët nuk ka si të jenë fajtorë. Ata morën urdhëra nga qeveria e Shkupit dhe me këta urdhëra iu përplas koka në Kumanovë e prej andej, nga fati shpëtuan gjallë, e prej këtu u përplasën në gjykatë për tu gjykuar si “kriminelë”. Por, ata (policët maqedonas) vështirë se janë fajtorë. Sikundër nuk janë fajtorë ekzekutorët që vrasin me urdhëra të diktatorëve, edhe policët maqedonas në rastin konkret, kanë zbatuar “urdhërat nga lart”.

Thjesht, tanimë këta uniforma të rendit publik nuk janë më nën “uniformën” e qeverisë së Shkupit. Në rast se prokuroria, e yshtur nga ndërkombëtarët, ruan pavarësinë ndaj pushtetit, që i pëlqen të “fusë hundët” gjithkund, këta policë mund të jenë “heronj të së vërtetës”. Deri më tani, e vërteta për ngjarjen e rëndë që gjakosi Kumanovën është e vështirë të vijë, pasi edhe deklaratat e policëve në gjykatë nuk janë bërë publike për mediet.

Megjithatë, publike është letra e policëve dërguar prokurores Speciale, ku ndër të tjera i thonë se “rasti i Kumanovës nuk kishte rrezik real terrorist”. Deklaratë e tillë është shmangia e parë ndaj qëndrimit zyrtar të qeverisë së Gruevskit. Kjo e fundit (qeveria) shqiptarët e përfshirë në ngjarjen e Kumanovës, i ka cilësuar parreshtur “terroristë”.

Madje, duke i dhënë këtij epiteti jo pak konetacion etnik. Këta janë provat e fundit të një rasti aq të diskutueshëm, që përgjaku një qytet të madh, mëngjesin e një dite të qetë. “Kumanova” me siguri do të mbetet mister për shumë kohë. Secili mund ta ketë një variant të tijin për ngjarjen në fjalë. Por, të dhënat më lart, të thonë se shqiptarët të përfshirë në atë përgjakje, vështirë se janë “terroristë”.