Qyteti me barkun bosh!


Nga Dionis Xhafa, “cafe de Cuba”, 

Ekziston një qytet me barkun bosh. Ky qytet nuk është as në hënë, as në qiell, as në re, as mbi ylber e as në diell. Qyteti ndodhet në tokë. Madje në tokën tonë të ujitur me djersë e gjak të sakrificës për një jetë më të mirë.

Qyteti me barkun bosh është i tillë fizikisht dhe realisht, sikundër edhe në mënyrë metaforike. Vërtetë që barku i qytetit është bosh, pasi është ngrënë nga vetë banorët e këtij qyteti kaq të çuditshëm. Banorët këtu e kanë ngrënë barkun e qytetit për të mbushur paksa barkun e tyre.

Sa më shumë që banorët e ngrohin disi barkun e tyre, sa më tepër që pronarët e qytetit e mbushin përplot barkun, aq më tepër barku i qytetit boshatiset. Të parët, punëtorë të kromit në qytetin e tyre rraspapiten tërë kohës me qëllim që të mbushin barkun. Kjo shkakton edhe ekuacionin e mirënjohur zinxhir. Ndërsa punëtorët punojnë fort dhe e ngrohin disi barkun, ndërsa pronarët qëndrojnë me barkun e ngrohtë , nga ana tjetër qytetit i bëhet barku gjithnjë e më i madh.

Si ekuacioni ku një tregues i prek të tjerët, njëjtë funksionojnë gjërat edhe në qytetin me barkun bosh. Kur djersa dhe gjaku i punëtorëve shkon curg, shefat më tepër gëzohen dhe e kanë barkun plot. Kjo ndodh më së tepërmi. Situatë e këtillë bën që qyteti të “hahet” për çdo ditë dhe realiteti është kështu: Nën tokë luhet me jetën për të mbijetuar më pas mbi tokë! Kështu jetohet në tragjizëm të përditshëm.

Ky nuk është qytet përrallash, por se aty jetojnë edhe demonët, edhe djajtë me brirë, edhe përbindëshat, sikundër edhe preja e tyre.

Në këtë xhungël e humbur del vetë xhungla pasi prishet e shkatërrohet parreshtur prej vetë banorëve të saj.

Qytetin me barkun bosh e njohin të gjithë. Ky qytet njihet nga të gjithë. E tregojnë si qytetin ku mishërohet vuajtja dhe skamja e shekullit të ri, shekull i i-phoneve dhe i tastierës.

E pamundur të kesh jetuar në këtë tokë dhe të mos kesh dëgjuar për qytetin me barkun bosh. Qytetin e njohin të gjithë. Është fyerje po të mos ia kesh dëgjuar emrin. Qyteti vijon të gëlojë, në të jetohet dhe barkun bosh të saj e kanë dëgjuar si metaforë të mjerimit!

ISIS-i i vërtetë është Serbia!


Nga Dionis Xhafa

Propaganda serbe nuk njeh kufij. Makineria propagandistike e Beogradit zyrtar,  e njëjta që ka zbukuruar edhe krimet makabre të makinerisë ushtarake të luftës në Kosovë, ngjan se është vënë në punë sërish.

Pasi e ka nxirë luftën çlirimtare të UÇK-së, pasi heronjtë shqiptarë të lirisë i nxin si “kriminelë”, së fundmi krerët e shtetit serb kanë nisur shfrenimin e retorikës kundër Kosovës. Që pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia, shteti serb vetëm sa përpiqet të shfrenojë zhvillimin e shtetit tanimë 8-vjeçar, pengon njohjet dhe përpiqet veç ta nxijë imazhin e shtetit të Kosovës. Në këtë këndvështrim, së fundmi ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka thënë se “Kosova është si ISIS”.

Edhe pse viti 2016, Serbia nuk rresht së lidhuri gabimisht dhe me tendencë të theksuar Kosovën me terrorizmin. Të tilla përpjekje të shtetit serb kanë qenë të kahershme, të parreshtura dhe të drejtuara egërsisht mbi Kosovën.

Daçiç me “Kosova është si IS” përpiqet të dëftojë në faqe të botës se “luftëtarët shqiptarë që e luftuan Serbinë janë si luftëtarët që sot luftojnë për organizatën famëkeqe në disa shtete të Lindjes së Mesme”.

Në këtë deklaratë lexohet qartë fytyra e Serbisë që kërkon ta deformojë të vërtetën, e që paturpësisht dhe pabesisht barazon luftën për liri me terrorizmin e egër dhe të pashoq të ISIS.

Paradoksalisht, akuza e rëndë vjen nga Daçiç, i cili ka qenë krahu i djathtë i Slobodan Millosheviçit kur ky kryente masakra kundër shqiptarëve dhe që flet në emër të Serbisë, shtet ky i kriminalizuar në rrënjë me gjakun kundër pushkës për liri e pavarësi të kombeve joserbe në ish-Jugosllavi.

Paradoksalisht, në krye të sistemit politik të Serbisë qëndron treshja Daçiç-Vuçiç-Nikoliç, e që kush më pak e kush më shumë kanë qenë të vendosur në luftën e padrejtë kundër shqiptarëve.

Paksa humor i zi ngjan dhe jo pak tragjike që të flasë për terrorizëm numri dy i sistemit politik fashist të Serbisë, që i ka terrorizuar dhe dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre shekullore.

Tinëzisht dhe barbarisht në krye të sistemit politik serb qëndrojnë kukulla të Millosheviçit që e kanë kriminalizuar Serbinë dhe që mbajnë peng të nacionalizmit mesjetar serb një komb të tërë.

Asgjë e keqe s’mund të të gjejë kur “murtaja” të thotë se je mënxyrë; kur xhindi të thotë se je fantazmë; kur vetë dreqi të thotë se je shejtan.

Deklarata të tilla janë marrëzi të një lideri të një shteti që e ka terrorizuar Kosovën dhe viktimën përpiqet ta tregojë sikur është agresori.

Deklaratë e tillë është marria e një shteti që nuk e di ç’është njerëzorja, humanizmi, të duash njeriun duke mos e parë si qënie etnike apo mirfilli politike.

Ivica Daçiç është rritur politikisht nën sqetullat e kasapit të Ballkanit, krimet e të cilit (Millosheviçit) oshëtinë thuajse të gjitha kancelaritë e Evropës.

Daçiç vijon të mbrojë me forcën e moskokëçarjes krimin e shtetit të vet, që u përpoq ta gjunëzojë e shkallmojë lirinë e shqiptarëve në Kosovë.

Me gjithë përpjekjet, tentativat dhe forcën e tmerrshme të dhunës e përdhunës,  edhe nën tytën e armëve, liria e shqiptarëve ngadhënjeu mbi bishën Serbi.

Ivica Daçiç si duket nuk është ngopur së pari gjak shqiptari, gjak lirie, gjak të derdhur lumë për shkak të mosdurimit nga shtypja, gjak që ka vulosur pavarësinë e Kosovës.

Një politikan që më së paku ka mbrojtur edhe krimet e serbëve kundër gjakut për liri, nuk ka sesi të jetë i pastër.

Ivica Daçiç, që përfaqëson një shtet të kriminalizuar, që si hije e zezë qëndron mbi Kosovën e njomë, më së pari do të duhej të vëzhgonte thellë në ndërgjegjen e tij.

Ndërgjegje e tij sa duket nuk përkulet e nuk gjunëzohet përpara dhimbjes njerëzore; gjakun e lirisë përpiqet ta prishë; parimin më të shenjtë – atë të lirisë e shkel, e shtyp, e nxin, e vret dhe e varros.

Në rast se ka një ISIS në Ballkan, ky IS mund të konsiderohet më së pari Serbia.

Shteti serb njihet ndërkombëtarisht i fryrë me gjak pafajësie. Serbia vijon të ketë damkën e “tokës pjellore” të kasapëve e të kriminelëve të luftës.

Serbia vijon të mbajë damkën e shtetit famëzi, ku kanë lindur “gjeneralët”, “baballarët e kombit” të mbytur në humnerë krimesh.

Serbia pos tjerash ka “pjellë” liderin e Partisë Radikale Serbe, Vojislav Seselj apo Arkanin që me bandat e tij kryente masakra në mbarë Jugosllavinë. Seselj ngjan sot si një përbindësh, si një njeri i dalë nga legjenda të errëta apo përralla të “shtrigave” që vrasin për arsye thjesht etnike a racore.

Këto e një sërë masakrash me vulë të urrejtjes etnike dhe racore të prodhuara nga llavë e vullkanit të nacionalizmit primitiv e grotesk serb e shndërrojnë Serbinë gati në ISIS-in e Ballkanit.

Ivica Daçiç dhe liderët e tjerë serbë përpara se të përmendin Kosovën, aq më tepër të përpiqen ta nxijnë pavarësinë dhe lirinë, më së pari do të duhej ta pastrojnë vetveten dhe atdheun e tyre.

Nuk ka sesi të besohen politikanët serbë, po qe se së paku nuk kërkojnë falje për krimet e shqiptarëve, ti japin shtysë prokurorisë e gjykatave për të dënuar kriminelët e luftës dhe të distancohen qartë e sinqerisht nga politikat monstruoze jetëgjata serbe.

Daçiç, Vuçiç e Nikoliç ngjajnë për fat të keq fytyrat e qelbura nacionaliste serbe, aq dritë vite larg principeve të lirisë dhe të pafajësisë.

Këta lloj politikanësh përkundër vetëm përpiqen ta mposhtin lirinë, ta vrasin pafajësinë e ti vënë pranga çlirimit nga dhuna e represioni.

Për fat të keq, si në sonambël a në ëndrra të keqija, përreth kokave të politikanëve serbë vërtiten kafka shqiptarësh të pafajshëm, të vrarë padrejtësisht nga Serbia dhe që nuk kanë gjetur ende drejtësi.

Përfundimisht mund të thuhet se sot, po qe se mund të ketë një shtet që ngjan me ISIS-in në Ballkan, për fat të keq ky shtet është Serbia.

Ky shtet nuk ka kërkuar falje, nuk ka dënuar një pjesë të mirë të kriminelëve të luftës dhe vijon “breshërinë” automatike me gjuhë të fashizmit të sofistikuar kundër Kosovës.

Gjaku i shqiptarëve të Kosovës u shkaktua nga Serbia, e cila këtë gjak e ka legjitimuar në shumicë, e se përpiqet që krimet tia ngarkojë Kosovës së pafajshme, duke lidhur krejt pa turp ISIS-in me faktin se shumica e shqiptarëve në Kosovë janë myslimanë.

Të lidhësh terrorizmin e ISIS me myslimanizmin e shqiptarëve të Kosovës është tinëzia e një shteti të ç’akorduar prej humbjes së një territori që e kanë shndërruar në mit të rremë të kombit serb.

Kombi serb me siguri do të ishte më tepër qytetar, po qe se do të ç’kriminalizohej, të zhvishej nga çetnikizmi dhe nga makabriteti.

Për hir të realitetit të sotëm, qytetaria serbe është pak e dukshme, me siguri e shtypur nga politika dhe kasta beogradase, që nuk e njeh as faljen dhe as përuljen.

Sa kohë vijon një situatë e tillë, ISIS-i i Ballkanit është vulosur të gjendet mbi Kosovë dhe që qëndron sikundër një qyqe e zezë me një shpatë të përgjakur në krah.

ISIS-i ka vrarë, ka kryer krime makabre, ka dënuar veçse je tjetër etni apo tjetër besim fetar; Serbia poashtu ka vrarë e masakruar vetëm se njerëzit nuk ishin serbë apo nuk kishin të njëjtin besim fetar me ta.

Krejt thjesht ngjan se ISIS i Ballkanit të  jetë Serbia!

Shqiptar si Stipe Mesiç!


Nga Dionis Xhafa

Presidenti i fundit i ish-Jugosllavisë në kohën kur republika federative ishte në prag të shkatërrimit, Stipe Mesiç vijon të mbtetet ndër ata figura emblematike që mbështesin fuqimisht shqiptarët si komb në përparimin e përditshëm.

Mesiç më së pari duhet thënë se është figurë politike ballkanike krejtësisht e pastër dhe me shpirt njerëzor, krejt ndryshe nga monstrat politikë që ka prodhuar trualli ballkanas.

Kroati i mirë ka qenë i dënuar nga ana e regjimit komunist pasi kritikoi Partinë Komuniste Jugosllave për politikat ç’njerëzore që po ndiqte.

Mesiç ka rrëfyer edhe se miqtë e tij më të mirë ishin shqiptarët. Ai do të theksojë edhe se shqiptarët ishin etni e tretë në Jugosllavi dhe se nga ana tjetër gëzonin më pak të drejta se çdo etni tjetër në shtetin jugosllav.

Mesiç rrëfen edhe sesi shqiptarë e kroatë, edhe pse të shtypur në republikën shumë-etnike – më tej të vrarë nga regjimi vrastar i Millosheviçit, nën peshën e dhimbjes dhe të rezistencës e shembën republikën ku dominonin fuqimisht serbët.

Stipe Mesiç poashtu ishte edhe president i Kroacisë së pavarur dhe se ka qenë për shkëputje totale të shtetit kroat nga shteti serb . Ai e ka bërë sëfundmi evident rrezikun serb edhe mbi Kosovën, në rast se edhe Kosova nuk shkëputet njëherë e përgjithmonë nga Serbia dhe ndikimi serb.

Serbia ka dëshmuar dhe po dëshmon se nuk njeh parime njerëzore, përpos forcës, gjakut, hekurit dhe represionit.

Edhe sot shteti serb po përdor një pakicë serbe në veri të Kosovës si marionetë për të shtënë në dorë polici, prokurori, e gjykata në veri të republikës.

Rrezikun e copëtimit të Kosovës nga ana e Serbisë do ta theksojë edhe Mesiç, duke hequr edhe njëherë paralelen mes Kosovës dhe Bosnjes.

Në të dyja shtetet, Serbia i përdor serbët atje për interesa që e kanë burimin në Beograd.

Kosovës po i shfaqet rreziku i Bosnjës, shtet ku serbët me imponim të forcës e kanë nënshtruar dhe vënë nën thundër të dhunës.

Andaj Stipe Mesiç ka të drejtë. Ish- presidenti kroat nuk është shqiptar, por i mbështet shqiptarët në kauzën e tyre të drejtë etnike e njerëzore.

Kroacia dhe Sllovenia, të dyja dikur pjesë e ish-RJ janë sot pjesë e BE-së edhe prej faktit se u shkëputën në mënyrë përfundimtare nga e shkuara dhe sidomos nga Serbia.

Ata shkëputën çdo raport të ndërsjelltë me shtetin serb, i cili në fqinjët e vet sheh vetëm ku mund ti qëllojë dhe ti godasë.

Serbia operon akoma me politika e metoda të vjetra, të djallëzisë dhe të gllabërimit.

Distancimi i Kosovës nga raportet e ndërsjellta ndaj Serbisë (më tepër nënshtruese), largësia nga një shtet që përpiqet të të sundojë është kusht i përparimit të mëtejm të Kosovës.

Pohim të tillë e aprovoi edhe Mesiç. Është mirë të jesh shqiptar si Stipe Mesiç!

 

“Rilindja” e krimit!


Nga Dionis Xhafa

Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet në saj të një propagande politike që zor se gjen shoqe në hapësirën rreth e rrotull nesh por edhe më gjërë.

E tërë kjo propagandë dukesh si pako dhuratash për njerëzit, të cilët votuan për këtë qeveri që sot na drejton.

Qeveria e fillimit që ishte mes PS dhe LSI, por sikur mos mjaftonin mbi kurriz veç këta dy parti, iu shtuan edhe partitë që qëndrojnë gjithmonë në pushtet pasi kanë “alergji” nga opozita, të tilla si PDIU dhe PDK.

Këta të fundit janë parti që u ndëshkuan me votë dhe që sot janë prapë në qeveri, duke e bërë copë- copë moralin politik në vend dhe parimet demokratike tw mirfillta politike.

Po ashtu, sikur të mos mjaftonin “dy oktapodët” Rama dhe Meta, në lojë është futur edhe Idrizi, duke u bërë kështu tre “oktapodë” që kudo shkelin djegin shpresa të shqiptarëve.

Ndërkohë që liderët e koalicionit të madh, që tenton të rivendosë formulën “të gjithë pushtetin sovjetëve” hanë darka e pinë verë në lokale të shtrenjta apo propagandojnë tërë ditën, masakra dhe terrori ndodh në qytetet e Shqipërisë.

Sikur të mos mjaftonin problemet e mirënjohura të tilla si papunësia, mungesa e mirëqënies apo futja në burg e atyre që lidhin energjinë elektrike pasi nuk kanë me sa ta paguajnë, shqiptarët sot po përjetojnë dramën, tmerrin dhe frikën e të jetuarit mes pasigurisë të përditshme.

Mitralozi, pistoleta dhe përgjakja janë kryefjalët e lajmeve këta ditë, ku në pak ditë janë hequr qafe shumë njerëz, të cilët kanë patur hesape karshi njëri-tjetrit apo që kanë qenë problematik dhe rrezik konstant për shoqërinë.

Shqiptari i thjeshtë dhe i pamundur sot që jeton në këtë republikë, përpos njëmijë problemeve, nuk jeton në një vend normal.

Shqiptari i thjeshtë sot jeton në frikë dhe në terror të përhershëm, me drojen se mos në vendin ku ai është ulur për kafe apo për të pushuar, mos ndonjë bande i “teket” të qërrojë hesapet më një bandë tjetër.

Njerëz pa fund me precedent të rrezikshëm kriminalë vrasin njëri-tjetrin, eleminojnë, përdorin vrasës me pagesë dhe njëmijë metoda ogurzeza, që ia kalojnë edhe fantazive të filmave “fiction”.

Me të gjitha ç’ka po ndodh në Shqipëri nuk ka sesi të thuash se jeton në vend normal dhe aq më tepër se po jeton në një vend të sigurt.

Të gjithë ata shqiptarë që ende nuk kanë ikur nga ky vend, s’ia kanë mbathur të ikin me vrap në një vend ku bandat bëjnë kërdinë në rrugë dhe partitë kanë ngjashmëri me këto të fundit nga mënyra sesi thithin paranë dhe të mirat materiale veç nga vetja, jetesa dhe madje mbijetesa është bërë e vështirë në këtë vend.

Jetojmë në kohën që ke frikë te jesh i qetë dhe të jetosh në paqe me veten dhe me të tjerët. Jetojmë në kohën ku s’bëhet fjalë për jetesë, por për mbijetesë.

Jetojmë në kohën ku përmbysen kupat mes pushtetarëve dhe ku morali është bërë në njëmijë copash. Jetojmë në kohën e një Shqipërie që asesi s’mund të thuash se është vend normal.

“Rilindja” e premtuar, entuziazmi se do të ketë punë, për fat të keq është zëvendësuar me mbjelljen e terrorit nëpër rrugë, e terrorit se mos rastësisht përfundon pas hekurave, e një terrori konstant psikologjik mbi njeriun.

“Rilindja” e parfumosur, e veshur bukur dhe e paraqitur si një zanë që vjen me shkop dore të na zgjidhë problemet, në fakt po rezulton një ngrehinë e madhe që po tenton “varrosjen” në mënyrë metaforike.

“Rilindja” në vend të asaj që të jemi të qetë, me mirëqënie dhe shtet social e të drejtës, ka prodhuar njerëz pa fund që në këtë vend nuk shohin më asnjë lloj shansi dhe asnjë lloj sigurie për të ardhmen.

Siç është situata, ta lësh të ardhmen tënde në një vend si Shqipëria, mbytur me nepotizëm, padrejtëi, imoralitet politik dhe frikë të vazhdueshme, është vërtetë e rrezikshme!