Serbia,e mbarsur në krime!


 

Të urresh serbët krejt pa shkas sigurisht që nuk është gjëja e duhur, por të jesh kundër nacionalizmit që përshkron akoma klasën politike serbe është mëse legjitime.

Ajo ç’ka ka bërë Serbia për vite me rradhë ka qenë një revansh i përsëritur kundrejt Kosovës, të cilën e mban edhe si pikën kryesore të nacionalizmit dhe kjo shërben edhe të të shikuarit prapa të përparimit të vetvetes.

Në Serbi vijojnë të mbahen gjallë mitet, legjendat kombëtare serbe dhe të gjitha krenaritë e shtetit serb, edhe pse në fakt si shtet është i mbushur me krime, akte të rënda njerëzore dhe me gjak popujsh të pafajshëm – mes të cilëve edhe gjak shqiptarësh.

Revanshi serb kundrejt Kosovës ka qenë, është dhe sa duket vijon të mbesë i tillë dhe i pandreqshëm.

Sëfundmi, Aleksandër Vuçiç është tallur me Mustafën pasi ai u paraqit në Bruksel në emër të Kosovës dhe se edhe kryeministri “progresist” duket në shumë deklarata se është në fakt i zhytur nën errësimin e një nacionalizmi të pafre serb.

Vuçiç do të mbronte deri edhe Oliver Ivanoviç, i dënuar me shtatë vite burg, akuzuar për genocid dhe krime kundër shqiptarëve.

Më qëndrim kriminal, jashtë çdo kohe të modernitetit dhe jashtë çdo lloj parimi njerëzor mban zëdhënësi i Vuçiç, Marko Djuriç, i cili haptaz e ka mbrojtur Ivanoviçin.

Deklarata është tipike fashiste deri edhe kriminale dhe merr tone qesharake dhe aq tragjike, kur Djuriç pa pikën e problemit dhe as pa iu skuqur fytyra shprehet se “arrestimi i Ivanoviçit fyen kombin serb apo është grusht për shtetin e Serbisë”.

Të deklarohesh i tillë do të thotë të jesh palë me krimin, ta ushqesh krimin dhe kombin tënd ta përlyesh me krejt ç’ka përfaqëson Ivanoviç: vrasjen, genocidin dhe maskaradën etnike serbe – etni e vetëshpallur “e shenjtë”.

Një komb si ai serb, i mbarsur ndër vite me krime dhe që akoma po mban krime, krenarinë e tij e ngre mbi gjak etnish të tjera të vrara për boshësi nacionaliste.

Reagimet për arrestimin e politikanit serb dëshmojnë më së miri se kombi serb nuk është çliruar nga prangat e krimit dhe të nacionalizmit të sëmurë tipik ballkanik,që mbarset në deklarata “të shenjta”, që në vetvete mbrojnë atë ç’ka nuk mund të mbrohet.

Në vend të ndjesës, të faljes, të distancimit nga kriminaliteti, politikanët serbë në hir të një “kombi serb të shenjtë” vijojnë të propagandojnë nacionalizmin, brenda së cilit ndodhet krimi, vrasjet e pafajësisë dhe çdo lloj mediokriteti tjetër të kryer nga Serbia dhe serbët për “interesa nacionale”.

Fatkeqësisht, në gojët e politikanëve serbë vijojnë të dëgjohen fjalë që nuk duhet të dëgjoheshin, teksa shkohet deri edhe tek amnistimi i krimit në emër të kombit serb.

Një komb që endet akoma në vrasje të pazbuluara, në krime lufte të padënuara, në marrëzi të një nacionalizmi që nuk gjen shoqe në hapësirën evropiane e ballkanike – është i zhytur në marrinë e mbrojtjes së kombit – edhe me kafka, edhe me genocide, edhe me shfarosje, edhe me dhunime, përdhunime, zhdukje e internime.

Serbia me ndihmën e politikanëve të vet sidomos, vijon të mbetet fantazmë e nacionalizmit të pafre ballkanas, që ka ngulur rrënjë në mendësinë e mbrapshtë të përligjies së krimeve në emër të kombit!

21 Janari i përgjakur!


Një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme në atdheun e tyre, pa qenë të detyruar të vuajnë në këtë vend dhe pa u bërë popull nomad në arrati për të gjetur fat më të mirë në jetë. Me siguri që kjo është ëndrra më e madhe e shqiptarëve.

Këtë e dëshmon fakti se të shumtë janë ata që e shtyjnë jetën në këtë vend dhe që jetojnë me sakrifica dhe nga ana tjetër të shumtë janë ata shqiptarë që kanë marrë arratinë jashtë atdheut për një jetë më ndryshe nga se e kanë aktualisht.

Shqiptarët shpesh themi se janë të pandjeshëm karshi fatit të tyre, por se duket se më tepër se të pandjeshëm karshi fatit që ua rezervojnë edhe qeveritë, populli duket i pamundur përballë politikës, që ngrihet në qiell nga makineritë propagandistike.

Që shqiptarët reagojnë dhe shprehin indinjatë, këtë e ka treguar më së miri 21 janari, protesta për armët kimike, por pse jo edhe disa protesta të opozitës aktuale (PD) që kanë patur brenda edhe nerv. Po ndalemi tek 21 janari, si ndër datat më të kobshme të historisë moderne shqiptare, ku një protestë opozitare e kohës përfundoi tragjikisht në vrasjen e katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

Edhe një herë të vetme kur shumë shqiptarë shprehën një indinjatë karshi pushtetit, 4 prej tyre u vranë dhe mbi trupin e tyre u ngrit një pushtet i ri, që si në premtime ëndrrash tha se do ta ndryshonte përnjëherë Shqipërinë.

Por se koha ka dëshmuar se 4 shqiptarët u vranë, opozita e djeshme erdhi në pushtet, drejtësia nuk është vënë në vend dhe për më tepër “lufta” e shqiptarëve shumë vështirë se është realizuar.

Pushteti që vrau nuk u dënua për vrasjet. Drejtësia për 21 janarin nuk është vënë në vend, ndërsa arsyeja e protestës të opozitës së djeshme dhe “blloku” famoz i arsyes pse shqiptarët dolën në protestë në atë 21 janar është prapë në pushtet – akoma më i fuqishëm.

Edhe me pushtetin e ri, “lufta” e përditshme e shqiptarëve nuk ka marrë fund. Nuk ka mbaruar “lufta” e shqiptarëve për një shtet të drejtë, ligjor dhe të barabartë për të gjithë.

Madje, si për ironi të fatit, kur duhet që pushtetet të dënohen për ç’ka kanë kryer mbi popullin shqiptar – po ndodh që të kalohet një reformë në drejtësi që prek qytetarët dhe që nuk ndëshkon zyrtarët e lartë.

Me këtë, me llogari të thjeshtë i bie që drejtësia ka heshtur dhe po hesht për politikanët dhe ka funksionuar dhe funksionon aq mrekullisht për popullin – sidomos për atë pjesë të popullit të pambrojtur dhe të pamundur.

Propaganda e të “majtës”, se do të ishte me popullin për të rrëzuar të keqen të gjithë së bashku duket se ka rezultuar thjesht një e tillë: propagandë.

Kjo sepse lidhjet e djeshme të pushtetit ekzistojnë edhe sot, sikundër është amnistuar gjysma e qeverisë së djeshme, e cila do të na bënka shtet sot.

Po ashtu, mediat ndërkombëtare – jo ata të paguara nga qeveria – shprehen se Shqipëria ka kaluar nga diktatura përpara 25 viteve në kapitalizëm të skajshëm, çka nënkupton humbje të shtetit të së drejtës.

Sa duket “lufta” e shqiptarëve për një Shqipëri më të mirë është e gjatë. Kjo “luftë” duket tejet e vështirë të fitohet.

“Lufta” fitohet kur partitë politike të jenë me 99 përqind të popullit dhe në krah të tij dhe jo me 1 % të klientelës dhe kundër 99 % të popullit, të cilët i degdis të zgjedhin ikjen si alternativë të vetme mbijetese.

21 janari është plaga që nuk shërohet dhe dëshmia më e qartë e një populli të vuajtur, plagën e të cilit vetëm sa e prekin ta zmadhojnë.

Plagimi i shqiptarëve ndihet për çdo ditë në padrejtësi të përditshme, në padrejtësitë në punësime, në ameritokracinë që ekziston, partizimin e institucioneve të shtetit dhe njëmijë mënxyrave që janë rrënjosur thellë tek partitë, që duken të vendosura në planet e tyre për ta shkatërruar jetën e qytetarëve.

Andaj, shqiptarët sot gjenden si të plaguar në fushë-betejën për një jetë më të mirë dhe për një Shqipëri të barabartë për të gjithë.

Për fat të keq, edhe pse pushteti aktual erdhi me pompozitete të fuqishme, shumë prej premtimeve janë falsitete që janë zbuluar tanimë.

Tre qind mijë vendet e reja të punës në fakt deri në fund të tetë viteve qeverisje edhe mund të dalin si shifra dhe si premtim i mbajtur. Po përse? Sepse thjesht e vetëm ata 300 mijë që kanë qenë të punësuar në shtet dhe në ndërmarrje private, nga puna e zezë kalojnë në punë të rregullt dhe që të gjithë nën llogoren e “njohjes” nga shteti.

Sepse realiteti është njëlloj si në qeverisjen e shkuar, por vetëm se kanë ndryshuar njerëzit në pushtet.

Njerëzit e thjeshtë provojnë republikën e padrejtë; republikën e punësimit prej listave partiake; të kohës kur fiton më tirani dhe më i egri e mposhtet më “i buti”, e kohës kur rinia mbetet ajka e problematikës.

Është koha kur propaganda qeveritare të thotë se po “bëhemi si bota”, sepse edhe atje “ka të pasur dhe të varfër” dhe ka edhe nga ata që thonë se “kapitalizmi i tillë është”.

Por se kapitalizmi i skajshëm, i diferencave të mëdha ekonomike dhe i mundësive në jetë shkon afër fashizmit ekonomik, pasi vetëm ky sistem ekonomik njeh shtypjen e njeriut nga njeriu; të asaj që 1 përqindshi vendos mbi 99 përqindëshin dhe ku “ajka” na del që janë biznesmenët dhe jo njerëzit vërtetë të ndershëm.

Ajo ç’ka mund të thuhet është se jetojmë në republikë të padrejtë dhe se “lufta e shqiptarëve” – më 21 janar – sa duket ishte lufta e disave për të marrë në dorë pushtetin sesa për Shqipërinë e shanseve të barabarta.

A ka të ngopur me pushtet Hashim Thaçi?!


Kryeministër, ministër i Jashtëm dhe pas kësaj tashmë kërkon të jetë edhe president i Kosovës, duke patur një pushtet thuajse absolut dhe i krahasueshëm me pushtete të liderëve autoritarë.

Njeriu që e filloi si kreu i luftëtarëve dhe që po vijon politikën e Kosovës si biznesmen, duke mbajtur pushtetin – e provuar të mbushur me nepotizëm, korrupsion dhe padrejtësi.

Përpos shumë çështjeve të dyshimta në qeverisjen e tij dhe faktit se ajo qeverisje dhe kjo e tanishmja nuk po e çojnë gjëkund Kosovën – pasi s’po merr as liberalizimin e vizave – Thaçi ka ambicien për tu bërë president.

Ndërsa opozita po ndez flakë vendin për shkak të padrejtësive, për shkak se pushteti ka numrat por se shpesh është amoral si e qeveris vendin, pushteti dhe Thaçi kridhen e duan të ngjiten lart e më lart në karrierë personale.

Pasi Thaçi ka vrarë shpresat e qytetarëve të Kosovës, po rrezikon copëtimin e shtetit dhe ka favorizuar haptazi pakicën etnike serbe në Kosovë, tashmë kërkon të bekohet si presidenti i republikës.

Tek protesta e opozitës së bashkuar, VV-NISMA-AAK mund të lexohet se ka një vullnet proteste për të bërë shtet dhe jo për përfituar pushtet – ndërsa nga ana tjetër kemi një pushtet që ka vullnet të ketë edhe më tepër pushtet dhe jo të jetë me problemet e popullit të Kosovës, i cili mbijeton më së shumti për shkak të emigracionit.

Përtej kësaj, ajo ç’ka lexohet ndër këta kohë protestash nga ana e opozitës është fytyra e një pushteti që e sheh me përçmim opozitën, në mos sikur ndihet se është e fuqishme dhe sikur ndjen kënaqësi nga ky fakt.

Është e vërtetë se pushteti aktual i Kosovës, ku janë dy partitë kryesore PDK dhe LDK ka shumë pushtet, ka dhe shifrat, por se janë shifra të cilat vështirë se janë morale dhe të pastra.

Hashim Thaçi për hir të rritjes së pushtetit personal bëri pakt me Mustafën dhe i dhuroi atij postin e kryeministrit të vendit, duke u spostuar kështu vetë nga ky post, por se në hije sërish si ministër i Jashtëm ishte i fuqishëm.

Shpërblimi për Mustafën ishte poashtu politik, pikërisht për faktin se sot i duhet Thaçit për ta patur mbështetjen e kryeministrit aktual për tu katapultuar si president.

Pra janë të gjitha këto pazare politike që luhen nga pushteti në Kosovë, që nuk e ndriçojnë aspak Thaçin, por se ai ka numrat dhe politika s’ka moral e për këtë arsye Thaçi përdor numrat dhe “tall” opozitën.

Nga protestat e opozitës, shihet/j një Thaç, i cili i shikon këto protesta si me përbuzje, si me nënqeshje dhe sikur i shpërfill ato, edhe pse në shumicë dërrmuese arsyet që jep sot opozita janë të qëndrueshme.

Kemi Thaçin, që duke qenë se shijon një pushtet realisht të madh dhe që kërkon ta forcojë pushtetin personal, duket tejet i ekzaltuar nga fakti që gjendet në majë të pushtetit dhe pak reflekton mbi gabimet e vetvetes apo të qeverisjes nga ai.

Ngjan se Thaçi e ka veshur veten me një petk lavdie të atillë sa të duket i pamposhtur politikisht; një burrë i fortë dhe që ka etje veç për pushtet.

Injorimi apo trajtimi i opozitës në këtë formë, deri në llojin e përndjekjes nga ana e qeverisë Thaçi – Mustafa, dëshmon një fytyrë pushteti që luan me fortësinë dhe me faktin që ka numra thuajse të padiskutueshëm.

Delir, madhështi dhe lavdi e këtillë e Thaçit, por edhe e Mustafës vetëm sa vulosin fytyrën e një pushteti që mendon për veten, rrethin e ngushtë dhe njerëzit rrotull – jo aq për popullin.

Por deliri, madhështia dhe lavdia të bëjnë që të kesh etje vetëm për pushtet personal – të tallesh e ta përndjekësh opozitën – veprime apo mendime të cilat pashmangshmërisht çojnë në betejë kundër qytetarit.

E nëse qytetari “shpërthen” një ditë, populli vlon, Thaçi vështirë se do kishte kaq shumë pushtet. Por edhe me pushtetin e gëzuar, emri i Hashim Thaçit vështirë të gdhendet si emër i ndriçuar.

Si përfundim, njeriu që mban mbi veten lavdinë se i solli Kosovës lirinë që aq shumë e dëshironte dhe më tej edhe pavarësinë e shtetit – është shndërruar në njeriun që po e gllabëron pasurinë dhe po rrezikon ta copëtojë territorin e shtetit të ri.

Me petkun e “heroit të luftës”, Thaçi ka marrë veç përpara në jetën politike dhe publike, duke shkelur me këmbë një sërë parimesh dhe mbi idealet e larta me të cilat u lufta në UÇK.

Vihet re një shkëputje thuajse totale e Thaçit nga problemet e popullit dhe duket sikur jeton në botën e tij të harremit politik dhe të të mirave materiale, të cilat e kanë verbuar aq shumë sa të mos zbresë nga froni ‘perandorak” në të cilën është ngjitur dhe as tia dëgjojë zërin popullit të tij.

Hashim Thaçi në kohën e luftës ishte realisht një çlirues i popullit të vet, sikundër ishin të tillë edhe një sërë komandantësh të UÇK-së, por se rrugës humbën idealet e larta të lirisë e të jetës së dinjitetshme që duhet ta kenë qytetarët e Kosovës.

Hashim Thaçi ka dëshmuar se tek figura e tij parimet vetëm bien, ndërsa lavdia dhe interesi pushtetor vetëm sa lartohet, interes ky personal i tij që bie në kurriz të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Hashim Thaçit po duket se nuk i interesn aq fakti se në Kosovë ka papunësi – se njerëzit gjenden në kushte mjerane – por se interes primar po vendos objektivat e vet për pushtet sa më të gjërë.

Koha është treguesi më i mirë i së vërtetës. Një qeveri që tradhëton interesat qytetare vështirë se njihet mirë me kalimin e kohës.

Poashtu edhe (ish)-lideri politik i kësaj qeverie dhe këtij vendi. Hashim Thaçi nëse ndjek rrugën e interesit personal dhe pushtetit po personal përpara interesit të përgjithshëm – ç’ka po e bën – vështirë se kohët do ta dëftojnë si emër të lëvduar!

A do të ikë Gruevski?!


Nga Dionis Xhafa – Me gjasa pritet që pasi të mbërrijë në Shkup komisioneri i BE-së Johanes Hahn , kryeministri i vendit Nikola Gruvski të japë dorëheqje, duke i hapur kësisoj rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Pas kësaj, kryeministër do të jetë një figurë politike që pak ndoshta njihet dhe përkohësisht, derisa të mbahen sërish zgjedhjet, ku lufta e ashpër zhvillohet në kampet kundërshtare kryesore, VMRO dhe LSDM.

Të shumtë kanë qenë politologët që hedhin idenë se edhe pse kryeministri për disa kohë nuk do të jetë Gruevski, në fakt ky i fundit do të dirigjojë kreun e ri të qeverisë, duke qenë drejtues në hije. Pra, Gruevski nuk ikën edhe pse nuk do jetë kryeministër, pasi hija e tij me siguri do të vërtitet sërish në “fronin më të lartë politik” të Shkupit.
Pas një qeverie të përkohshme, pas mbajtjes së zgjedhjeve, me siguri që Gruevski rizgjidhet sërish kryeministër i Maqedonisë.

Por a e meriton Maqedonia një kryeministër të tillë? A e meritojnë shqiptarët, por edhe maqedonasit një kryeministër si Gruevski?

Gjasat janë që Gruevski zgjidhet kreu i qeverisë sërish me votëbesim, pasi nacionalizmi që e karakterizon atë vetë dhe VMRO-DMPNE-në bën që të votohet nga masa më e gjërë e popullsisë maqedonase, të cilët për fat të keq akoma mburrin ndjenjat nacionaliste, të cilat të mbajnë larg BE-së dhe larg NATO-s.

Siç janë shprehur ekspertë ndërkombëtarë për politikën në Maqedoni – ata të cilët e shohin nga “lart” situatën dhe nga një këndvështrim racional, Gruevski nuk e meriton më të qeverisë.

Qeveria e Gruevskit ka krizën e legjitimitetit – pas skandaleve të shumta të zbuluara përmes përgjimeve të opozitës, ku një grup i vogël njerëzish luajnë si në teatër me politikat kombëtare.

Mbështetja për Gruevskin do të thotë mbështetje për një system jo aq demokratik dhe që e largon vendin drejt funksionimit të një shteti ligjor dhe të drejtë për qytetarët e vet.

Mbështetja për Gruevskin do të thotë mbështetje për një shtet të kapur, një ekonomie politike aspak funksionale dhe një qeverie që nuk është transparente me të dhënat e veta – përkundër ka mosbesim ndaj qytetarëve teksa ka përgjuar mbi 20.000 persona, vlerëson Florian Bieber.

Mbështetja për Gruevskin do të thotë më shumë probleme për Maqedoninë – më tepër ndasi etnike dhe mbytje nga nacionalizmi – e cila në fund përkthehet në një shtet “fuçi”, që krijon destabilitet politik në Ballkan.

Mbështetja e Gruevskit do të thotë mbytje e të drejtave të shqiptarëve dhe të pakicave të tjera etnike që jetojnë në Maqedoni – rrymave në opozitë dhe jashtë saj – e shoqërisë civile dhe atyre që duan paqe e tolerancë në një republikë me disa etni.

Këto idealizimime politike në fakt duhet të ndodhnin në Maqedoni, por se realiteti është kryekëput dramatik dhe me kokë-poshtë.

Sa më tepër që Gruevski ngre statuja dhe ngre në peshë delirin e madhështisë së Maqedonisë me statuja gjigande krejtësisht qesharake, pagëzuar me emrin “Shkupi 2014”, aq më tepër nacionalist mbledh rreth vetes Gruevski dhe aq më tepër maqedonas që duan të “ringrenë lavdinë e Maqedonisë”.

Një pushtet që ngjall mosbesim, nuk ka transparencë, është në luftë të hapur me ata që i bëjnë opozitë, që nuk dëshiron etnitë brenda shtetit, nuk mund të jetë asesi evropiane dhe as të funksionojë shteti në mënyrën e duhur.

Gruevski duhet të ikë, për ti hapur rrugë një Maqedonie më të drejtë, më të ndjeshme ndaj çështjeve publike dhe ti shmanget pushtetit me mendësi deri totalitare.

Dhe, si fund po sjellim ndërmend deklaratën famoze të Gruevskit, që e ngjit atë në nivelin e një njeriu që ka mendësinë diktatoriale.

Ai sëfundmi ka thënë se maqedonasit duhet të bëjnë sa më shumë fëmijë. Deklaratë kjo kaq e tmerrshme, kaq dramatike dhe aq me mendësi të vjetër.

Deklarata të tilla vetëm lideri i komunistëve shqiptarë bënte në kohën e tij, duke u shprehur se “sa më tepër që lindin shqiptarë, aq më shumë duheshin forcat për të përparuar sistemi socialist në Shqipëri”.

Në po të njëjtën logjikë thuajse është edhe Gruevski. Me deklaratën e tij, që maqedonasit të bëjnë sa më tepër fëmijë, ai ka parasysh faktin se i duhen sa më tepër maqedonas me qëllim që ti realizojë qëllimet e tij politike.

Gruevskit i duhen “maqedonas”, sepse kështu ngrihet akoma më tej lavdia e maqedonasve përmes nacionalizmit që ngre krye me statujat gjigande në Shkup.

Gruevskit i duhen maqedonasit, sepse është kjo etni që mashtrohet më kollaj nga nacionalizmi primitiv që karakterizon kreun e qeverisë në ikje e sipër.

Gruevskit i duhen maqedonasit, më tepër për faktin se ndër maqedonas ka rënë shumë lindshmëria, kurse nga ana tjetër shqiptarët sa vjen dhe po shtohen.

Një frikë e tillë e kaplon Gruevskin, për të sotmen dhe për të ardhmen, e bën atë që të vijojë të parashikojë të ardhmen, sesi shqiptarët gjithmonë “të jenë të përulur” në Republikën e Maqedonisë.

E bën me shifra të manipuluara – me lloj –lloj politikash me qëllim që republika të konsiderohet më tepër e maqedonasve dhe shqiptarët “si mish i huaj”, ndërsa tanimë Gruevski po e thotë hapur.

Shpërfaqja nacionaliste e kreut të qeverisë në dorëheqje të Shkupit ka arritur kulmin e vet. Nacionalizmi ka “të mirën” se të ngre shumë lart në pushtet, për shkak se i mashtron masat – por se nëse vijon të biesh – thyen këmbë e duar. Vijimi i kursit nacionalist gruevskian, fundin vështirë se e ka të vulosur me lavdi.

Politika


Muaji i parë i vitit 2016 pritet të nisë me beteja fjalësh mes pozitës dhe opozitës lidhur me atë se cila nga forcat strehon brenda vetes së vet kriminelë dhe do të kërkohet nga kundërshtari me siguri, që të përjashtohet “krimineli” nga partia dhe rrjedhimisht edhe nga posti publik.