Magji nga tragjizmi i përditshëm


Dionis Xhafa

Recension  për librin “Kolombrea” të Dino Buzzatit

Libri i titulluar ‘Kolombrea” me autor Dino Buzzatin më ka lënë mbresa të veçanta. Aty ka përmbledhje tregimesh e se ndër të tjera ndodhet edhe tregimi me titullin e tërë romanit, pikërisht “Kolombrea”. Në këtë tregim dëftohet sesi peshkaqeni i rrezikshëm i detrave i shfaqej vetëm një personi, vetëm një person arrinte ta dallonte kolombrenë, Personi që e dallonte peshkaqenin, kishte fatin tragjik që të ikte njëherë e mirë nga  kjo botë. Kolombrea zgjedh një djalë, kur ky ishte me babanë në det. Djali arrinte ta shihte vetëm kolombrenë e askush tjetër.

Babai i vdes. Djali largohet nga qyteti i lindjes, bëhet dikush në jetë, vendos pasuri, por se kthehet te pasioni i pashmangshëm e se kolombrea e kollofit. Eshtrat, tanimë të burrit, ishin vënë në breg të detit në një pozicion që dukeshin sikur buzëqeshnin. Fundja, personi në fjalë vdiq, la kockat e veta duke ndjekur me zemër e shpirt ndër dhëmbë pasionin, dëshirën, ëndrrat. Mund ta quash vdekje të lumtur e se personazhi kishte fat tragjik fatal.

Në romanin “Kolombrea” nuk më la përshtypje vetëm tregimi me titullin e njëllojtë me tërë librin, por edhe plot tregime të tjera e se jam duke renditur disa prej tyre. Tregimi “Shtatë kate” flet për një burrë të moshuar që shtrohet për tu shëruar në një spital që kishte gjithsej shtatë kate. Ky spitali në katin e shtatë mbante ata që ishin të sëmurë më lehtë ndërsa ishte rregull sesa më poshtë uleshe në kate, aq më rëndë ishe nga ana shëndetësore. Personazhi shtrohet në fillim në katin e shtatë e se ngadalë zbritet nga mjekët, që në fillim i thoshin pacientit, personazhit vetëm fjalë të ëmbla.

Por në katin e tretë i thuhet se “qelizat e tij ishin duke u shkatërruar” Shtang burri i moshuar e se mjeku prapë i thotë se vendin real e ka në vendin e shtatë, por se e kanë zhvendosur vetëm për momentin, sa të rregulloheshin punët ashtu. Me këtë logjikë që vijohej fort, pacienti personazh zbritet në katin e parë aty kthehet nga njëra anë e shtratit e se dëgjon kanatet e dritareve të dhomës së errët teksa mbylleshin. Kështu ndërronin jetë të gjithë në atë spital. Ishte traditë, që kur pacienti ndërronte jetë, mbylleshin kanatat. Tjetër histori e frikshme ishte e një personi që për të mposhtur frikën ikën për një natë në hotel, ku flitet se ka fantazma.

Ai fle pikërisht në dhomën, ku thuhej se shfaqeshin xhindet. Në darkë, shërbyesja plakë i server çajin. Kur zgjohet personazhi, vë re se gota e çajit që kishte lënë në komodinë ishte zhdukur. Aty pyet pronarin e hotelit se ku ishte gota. Pronari ia kthen menjëherë: “Gotën kush ta solli”. Personazhi në mënyrë naive i përgjigjet: “Shërbyesja juaj e moshuar”.

Në këtë moment, pronari i lokalit qesh me të madhe dhe ia kthen: “Ne nuk kemi asnjë shërbyese plakë. E pra, kishte qenë fantazmë. Këto e histori të tjera të ngjashme lexova në romanin “Kolombrea” të Buzatit. Autori italian përshkruante thuajse me magji tragjizmin e përditshëm që na rrethon. Buzati tregonte në mënyrë thuajse të përkryer atë që arrijmë të shohim e të shquajmë në përditshmëri, me gjuhë të thjeshtë, tepër të thjeshtë.  Ajo që më bëri më tepër përshtypje të tregimet e Buzatit e që më bëri të ndihem i mrekulluar ishte mesazhi i fuqishëm që arrinte të përcillte për fatin tekanjoz e satrap të përditshmërisë.

Xhadeja fatale


Dionis Xhafa

Qyteza ku jam rritur ishte vend i çuditshëm Ai ishte një vend diku në Kufi, përcaktuar gjeografikisht thuajse perfekt, sipas shpjegimeve që jep Amin Maluuf në librin: “Tronditja e botës”. Maluf thotë se vendet që janë kufitare kanë prirjen të kenë njerëz më të mirë disi, sepse këta nuk paravendosin si gjë qendrore centrizmin që “unë jam më i miri”, egon e fortë, etjen për të shkatërruar tjetrin, por paraqitën më të dashur duke mirëkuptuar edhe çdokënd që është ndryshe nga ata. E unë jam rritur në një vend sa të ngushtë aq të izoluar, por edhe global njëkohësisht. Jam rritur mes pallatesh të vegjël, ndërtuar ashtu nga sistemi i kaluar. Nëse je i huaj ose e viziton atë vend, të ngjan se është sa i izoluar, aq edhe i hapur. Kjo sepse Doganën me shtetin tjetër e kishim vetëm pesë kilometra larg.

Mund të them se ajo qytezë ku jam rritur, e cila është më e vogël në përmasa se fshatrat përreth, ka më pak banorë, ngjan e gërshetuar me shumë aspekte. Aty gjen ndërtesa që janë aty që në kohën e komunizmit në vend, gjen edhe kapitalizmin e skajshëm me ndërtesa e biznese, njerëz të emigruar në katër anë të globit e hera-herës sikur aty bie hija e madhe që lëshon qyteti historik që shtrihet aty pranë, tej kufirit, Dibra e Madhe. Duke qenë se është afër me ish-kufirin jugosllav, ngjan sikur ka edhe hijen e qyteteve që dikur kanë qenë nën juridiksionin e Jugosllavisë. Sidoqoftë, qyteza pranë Drinit ka jetë, brenda saj qarkullojnë thashetheme, ajo gëlon nga jeta. Dikur qyteza ka qenë mua më duket më “moderne”, sikur të jetë qendër urbane, me një qendër të sajën, me një lapidar dhe me makina që kalonin aty dhe iknin drejt qytetit të Peshkopisë. E tillë ka qenë Maqellara siç e mbaj mend unë dhe me disa lagje të vetat, që ndryshonin për nga karakteristikat.

Ekzistonte një lagje lart rrugës nacionale, e cila ndodhej në një vend sapo kaloje Maqellarën e furgonat drejtonin turinin drejt Peshkopisë, një lagje tjetër ishte e Gjonallarëve që e kishte emrin kështu për shkak se aty jetonin kryesisht një fis me mbiemrin Gjoni dhe lagjjia ku kam jetuar përafërsisht për pesëmbëdhjetë vite dhe që quhej Lagjja e Pallateve. Kjo e fundit për hir të realitetit dhe duke mos errësuar aspak lagjet e tjera kishte njerëz disi më të arsimuar, më qytetarë në tërësi, disa ishin kuadro, kurse në lagje të tjera varfëria dhe pamundësia ishin thuajse totale. Pas shpërbërjes të sistemit komunist, edhe banorët e Pallateve filluan të lëvizin, të ikin prej andej, kryesisht të vinin në Tiranë, në qytete të mëdha shqiptare apo jashtë shtetit.

E në këtë bllok pallatash të vjetra, bllok kaq i vogël në përmasa, me histori tepër, kanë ndodhur shumë ngjarje dramatike, herë qesharake, që jeta i mbart “brenda” vetes. Sapo dilje nga Pallatet, qëlloje që të “plaseshe” direkt e në rrugë të madhe, që ne i thoshim xhade, rrugës nacionale që kalonte aty pranë. Në atë cep rruge nacionale kanë ndodhur disa aksidente të tmerrshme, shpesh fatale, Më së pari personalisht kam qenë viktimë në vogëli, pasi një mjet më ka përplasur në moshën 2 vjeç, kur kishte pak kohë që kisha nisur të eci, por shpëtova mrekullisht, pasi mora mjekimin e duhur në spital, kuptohet.

Mbaj mend turbullt fort se isha me babanë, mamanë dhe se do të gjenim furgon për të ikur në komunën ngjitur ku kishim gjyshen dhe xhaxhallarët. Babait i ra shamia, ia mori era dhe pikërisht shamia shkoi përtej rrugës. Unë, ngaqë isha i vogël “u rrëmbeva” përnjeherë, shkova për të marrë shaminë, kur në mes të xhadesë më palosi një makinë tip “Benz” e cila ka gjasa se përdorej për taksi. Ndoshta është mrekulli që sot e kësaj dite jam ende gjallë. Siç më kanë thënë, se kam qenë vetëm 2 vjeç e njeriu në atë moshë nuk mban mend, kam shkuar në spital për kurim dhe nga i shëndoshë që kam qenë, u dobësova fort e me ilaçe më sollën në jetë. Më jepnin edhe mjaltë, turlifarë mënyre më gjenin që vetëm të shëndoshesha, pasi kisha humbur shumë gjak.

Kjo rrugicë, xhade fatale do ta quaja nuk ishte e tillë vetëm për mua. Edhe një djalë tjetër, bashkëmoshatar me mua, por se kur ishte diku 10 vjeç u përplas nga makina dhe ndërroi jetë. Kurse vetëm pak ditë më parë, javë më saktë, jo në këtë xhade, por në oborr të Pallateve, shumë pranë pra, është si të thuash se janë organe të të njëjtit trup, ndërroi jetë tragjikisht një djalë i vogël në moshë. Por aksidenti këtë herë nuk ka ndodhur në xhade, por diku pranë. Përtej rastit të afërt, ngjan se ajo xhade sikur kishte një fat disi të zi. Kjo ishte rruga nacionale që lidhte Dibrën e Madhe me Peshkopinë, Shqipërinë me Maqedoninë. Kjo udhë, xhade, sikur kishte njërën këmbë në Europë e nëse merrje udhën tëposhtë ikje në Greqi e në daç në Afrikë apo tutje larg në Lindjen e Mesme.  Mbaj mend se në atë zonë, shpesh rrotulliseshin edhe turistë. Që kalonin tranzit. Turistët me siguri që do të vizitonin Dibrën, qytetin historik të fjetur disi, Kalanë e Grazhdanit, Koxhaxhikun, apo Vajkalin. Por ata ndoshta nuk e dinin se në rrugën që kalonin, aty “fshehur” nën beton kishte gjak rinor, jetë të humbura, lot e dhimbje të tmerrshme. Aty në xhade ka pasur edhe një pemë, si flamurtare e madhe e kësaj tragjedie e që poshtë saj kishte edhe lule të kuqe, simbol i jetëve me dashuri të flakta, që Zoti a natyra vendosi t’i merrte në gjirin e vet, në moshë të njomë.

Donald Trump mori një vendim


Dionis Xhafa

Kjo javë që shkoi ka pasur shumë “përplasje” diplomatike më së shumti mes shteteve të fuqishme, të cilat konsiderohen se janë fuqi botërore. Mirëpo, më fort çdo gjë është përqendruar sidomos në Siri, shtetin që lufta civile thuajse e ka transformuar dhe rrënuar tërësisht. Që prej vitit 2011, kur në shtetin sirian nisi konflikti i armatosur janë shënuar viktima, ikje masive dhe vendi u shndërrua në arenë ferri, në tmerr për popullatën, që mori udhët e Europës dhe iku gjetiu për të shpëtuar lëkurën. Pavarësisht se protestat më 2011 në shtetin sirian nisën kundër Bashar Al Asad, presidenti i Sirisë, ky i fundit është akoma në pushtet.

Prania e Asadit në pushtet flet për një njeri që ka tipare diktatori, mirëpo qëndron ende në post dhe me pjesët e tij të errëta. Mirëpo nga ana tjetër, thuhet se diktaturat janë më mirë sesa lufta civile dhe kaosi total e ndoshta këtë të fundit, pra kaosin e madh sirian, Asadi e ka parandaluar në një farë mënyre. Asadi gjeti partner të pushtetit të tij Rusinë, një shtet që ka mbajtur shumë pranë regjimin aktual sirian, për shkak të interesave gjeostrategjike të Moskës në këtë vend dhe rajonin e Lindjes së Mesme. Kur dukej se Rusia doli flamurtare e madhe e luftës së madhe të Sirisë, ndodhi kthesa e papritur. Rusia arriti të fitojë një betejë në Siri, por jo luftën. Lajmi i kobshëm që përcollën mediet ndërkombëtare, se në shtetin e Sirisë janë përdorur armë kimike kundër fëmijëve, preku anekënd zemrat e miliona banorëve të rruzullit. Nga Kina, ku ishte për vizitë zyrtare, presidenti amerikan Donald Trump iu përgjigj thirrjes së ndërgjegjes mbarëbotërore, duke vendosur që të bombardoheshin disa caqe qeveritare dhe grupe terroriste në qytetin e vogël sirian të Khan Sheikhun.

Këtu duket se “lindi” edhe shkëndija e parë e një lloj përplasjeje mes Trump dhe Putin sa i takon politikave që duhet të ndjekin dy shtetet, që janë superfuqi botërore aktualisht. Që mes Trump edhe Putin do të kishte një lloj fërkimi e pakta e kishte parashikuar edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Ky i fundit në një intervistë dhënë revistës francize “L’Express” shprehej se do të vijë një ditë që do të ketë rivalitet mes dy figurave, që sot dominojnë skenën politike globale. Me ndërhyrjen në Siri për një kauzë madhore, njerëzore mbi të gjitha si vrasja e fëmijëve, Trump hodhi poshtë jo pak tezën e kritikëve të tij se ishte aleat i përjetshëm me Vladimir Putin. Përkundër, Trump e tha edhe vetë se nuk mund të toleronte Asadin që ai të vrasë fëmijë, gra e pleq.

Por Trump sërish nuk është person që të thotë se vetëm SHBA është e mirë dhe Rusia është e keqja e madhe, sikundër ka qenë ideja kryesore gjatë presidencës Obama e më herët, ku gjithnjë thuhej se SHBA kishte të drejtë, ndëra Rusia është “macja e zezë”. Donald Trump është presidenti amerikan që për herë të parë ka pranuar se edhe SHBA-të më herët kanë kryer krime në shtete të ndryshme dhe se jo vetëm zyrtarët rusë janë fajtorët. Trump karakterizohet, si rrallë ndonjë president tjetër, së paku amerikan nga një çiltërsi dhe sinqeritet që të habit. Presidenti ameriukan Donald Trump sërish nuk do që të shkatërrojë raportet me Rusinë, por të mbajë raporte normale me Moskën e këtë e dëshmoi teksa dërgoi në shtetin rus edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Rex Tillerson, me qëllim normalizimin e raporteve. Trump mori një vendim të madh, njerëzor mbi të gjitha, duke dalë kundër një krimi të tmerrshëm shtetëror. Vendimi i tij habiti shumë njerëz, duke lënë gojëhapur thuajse çdokënd.

Zhurmë e madhe


Dionis Xhafa

Në këtë vend, atdheun tonë

bëhet fort zhurmë e madhe,
sa ngjan sikur tronditen
rrugë, fusha, kodra, male.

Çdokush di të shajë vetëm
të fyejë, poshtërojë, nxijë,
të mundë e mposhtë tjetrin
pa ditur të kërkojë as falje.

Zhurma bëhet edhe për shkak
se jetojmë në një vend
ku jetesa është e rëndë
vetë jeta fort e vështirë.

E kësisoj këtu gjen
ligësi, tmerr e llahtari,
çdo gjë e gjen në Shqipëri
hakmarrje, inat e smirë.