Qyteti me barkun bosh!


Nga Dionis Xhafa, “cafe de Cuba”, 

Ekziston një qytet me barkun bosh. Ky qytet nuk është as në hënë, as në qiell, as në re, as mbi ylber e as në diell. Qyteti ndodhet në tokë. Madje në tokën tonë të ujitur me djersë e gjak të sakrificës për një jetë më të mirë.

Qyteti me barkun bosh është i tillë fizikisht dhe realisht, sikundër edhe në mënyrë metaforike. Vërtetë që barku i qytetit është bosh, pasi është ngrënë nga vetë banorët e këtij qyteti kaq të çuditshëm. Banorët këtu e kanë ngrënë barkun e qytetit për të mbushur paksa barkun e tyre.

Sa më shumë që banorët e ngrohin disi barkun e tyre, sa më tepër që pronarët e qytetit e mbushin përplot barkun, aq më tepër barku i qytetit boshatiset. Të parët, punëtorë të kromit në qytetin e tyre rraspapiten tërë kohës me qëllim që të mbushin barkun. Kjo shkakton edhe ekuacionin e mirënjohur zinxhir. Ndërsa punëtorët punojnë fort dhe e ngrohin disi barkun, ndërsa pronarët qëndrojnë me barkun e ngrohtë , nga ana tjetër qytetit i bëhet barku gjithnjë e më i madh.

Si ekuacioni ku një tregues i prek të tjerët, njëjtë funksionojnë gjërat edhe në qytetin me barkun bosh. Kur djersa dhe gjaku i punëtorëve shkon curg, shefat më tepër gëzohen dhe e kanë barkun plot. Kjo ndodh më së tepërmi. Situatë e këtillë bën që qyteti të “hahet” për çdo ditë dhe realiteti është kështu: Nën tokë luhet me jetën për të mbijetuar më pas mbi tokë! Kështu jetohet në tragjizëm të përditshëm.

Ky nuk është qytet përrallash, por se aty jetojnë edhe demonët, edhe djajtë me brirë, edhe përbindëshat, sikundër edhe preja e tyre.

Në këtë xhungël e humbur del vetë xhungla pasi prishet e shkatërrohet parreshtur prej vetë banorëve të saj.

Qytetin me barkun bosh e njohin të gjithë. Ky qytet njihet nga të gjithë. E tregojnë si qytetin ku mishërohet vuajtja dhe skamja e shekullit të ri, shekull i i-phoneve dhe i tastierës.

E pamundur të kesh jetuar në këtë tokë dhe të mos kesh dëgjuar për qytetin me barkun bosh. Qytetin e njohin të gjithë. Është fyerje po të mos ia kesh dëgjuar emrin. Qyteti vijon të gëlojë, në të jetohet dhe barkun bosh të saj e kanë dëgjuar si metaforë të mjerimit!

This entry was posted in Shkrime.

One comment on “Qyteti me barkun bosh!

  1. Më duket kaq e njohur kjo ndjesi e juaja , pyes vetën vallë si mundemi ti largohemi kaq herë gjallërise e qetësise së brendshme gjatë rrugëtimit tonë nëpër këtë qytet pa jetë pa dinamizëm dhe në të njejten kohë të përshkrohemi nga boshllëku ; ky reflektues i mjerimit , i melankolisë , i trishtimit ,e të humbasim si skllevër të shpresës që jemi , mbetemi po aty ku ishim i njejti cikël , i njëjti fund…

Comments are closed.