Një terrorist plot mllef


Dionis Xhafa
Akti terrorist në Mynih nuk ishte njëlloj krejtësisht si aktet e tjera të tmerrshme, të cilat më shumë kryhen nga ana e ISIS-it. Edhe pse akti në fjalë nuk është kryer nga ISIS, gjithsesi mbetet terrorist. Ky akt shënjon edhe faktin se viktima të terrorizmit mund të jenë edhe shqiptarët. Gjithashtu, në këta akt, tri shtetas të Kosovës, mbetën të vrarë nga dora e Ali Sonboly. Djaloshi, me kaq sa u raportua, nuk kishte lidhje me ISIS-in apo me organizatë terroriste, por ishte frymëzuar nga vrasësi i tmerrshëm i Norvegjisë, Anders Breivik. Por, “frymëzim” për djaloshin përbënte edhe një monstër si Adolf Hitleri. Tjetër fakt ishte se Aliut i bëheshin keqtrajtime në shkollë. Sipas fqinjëve, ai ishte një djalë i urtë dhe i qetë që kurrë nuk të shkonte mendja se do të kryente vrasje. Ai ishte i frustruar. Nuk kishte as miq dhe as shokë. Atij iu gjet edhe libri “Pse studentët vrasin”, shkruar nga një akademik amerikan. Por le ta shyrtojmë pak rastin, në rreshtat e mëposhtëm. 
 
Ali Sonboly, djali i poshtëruar
 
18-vjeçari gjermano-iranian Ali Sonboly, nuk e kishte marrë më kot të lexonte librin “Pse studentët vrasin”. Ai përpara kësaj, me siguri që është ndjerë keq dhe i frustruar. Duke qenë në gjendje depresive, Sonboly ka gjetur një manual për të vrarë personat që e kishin poshtëruar në shkollë. Por a është kjo e drejtë? Absolutisht jo. Librat policorë ose me vrasje e ekzekutime, nuk lexohen që t’i kopjojmë, por thjesht në to dëftohen histori, sesi të mos veprojmë. Si kryelibër ku dëftohen vrasje, është vetë libri i Hitlerit “Main Khapf”. Libri i shkruar nga diktatori nazist nuk lexohet për të mësuar nga çfarë shkruhet aty, por thjesht për të hyrë për kuriozitet brenda një mendjeje vrastare. Shkurt, librat që propagandojnë vrasjen, dhunën apo përdhunën, thjesht lexohen për t’i ditur si histori, por asnjëherë për të pasur shembuj të tillë. Nuk e përligj vrasjen e tmerrin as mllefi që kemi përbrenda ndaj çdokujt.
 
5 vjet pas masakrës së Breivikut
Masakra në Mynih nga 18-vjeçari Ali Sonboly ka ndodhur fiks 5 vjet pas masakrës në Norvegji, ku Anders Breiviku vrau 77 persona. Tjetër lidhje është se Sonboly kishte fotografi të Breivikut çka flet për “frymëzim” të djaloshit nga monstra norvegjeze. Djaloshi gjermano-iranian sërish ka gabuar. Në vend se thjesht ta dinte historinë e Breivikut e ta injoronte, ai ka përthithur propagandën e zezë naziste të tij. Djali, ndoshta nga mosha dhe nga frustimi njëkohësisht, propagandën e zezë e ka ngrënë si djathë me bukë. Kjo sepse me siguri Sonboly ka qenë shumë frikacak. Kjo, pasi ai pas masakrës, ka kryer vetëvrasje. Sonboly, që për nga origjina ka qenë edhe gjermano-iranian në vend se të mbillte paqen mes etnive të ndryshme (sepse paqja vjen pikërisht prej fëmijëve që janë për shembull izraelito-palestinez, serbo-shqiptar, serbo-kroat, austriako-italian) ai ka përqafuar vrasjet, tmerrin e nazizmin. Kjo flet për faktin se te Sonboly ka pasur shumë frustrim.
 
Aktet terroriste, nga njerëz të ligë
 
Aktet terroriste që i kemi dëgjuar në televizion ose i kemi lexuar në gazeta duket se kanë diçka të përbashkët dhe kjo është se kryhen nga njerëz të ligë. Pra janë njerëz të frustruar, manipuluar ose të poshtëruar disi. Ata janë të gjithë të ligë. Sado ta poshtërosh njeriun,  sado të përpiqesh ta ulësh, sot në kohën e individualizmit, ekziston mundësia e injorimit total të tjetrit. Andaj, kjo anë është vetëm pretekst. Nëse prekesh ose cënohesh, denonco dhe ka ligje që e dënojnë atë që të kërcënon ose të kanos. Por aktet terroriste kryhen vetëm nga terroristë, çfarë do qofshin këta, për nga përkatësia etnike apo fetare. Akti terrorist nuk legjitimohet kurrsesi.
 
Në rrezik, Evropa dhe Lindja e Mesme
 
Organizata terroriste më e rrezikshme sot në botë ISIS-i nuk godet vetëm Evropën. Bëhet fjalë për një organizatë, e ngjashme me partitë naziste në mbarë botën, në Luftën e Dytë Botërore, përpara se Aleatët tiu jepnin grushtin e merituar. ISIS nuk po terrorizon vetëm kombet evropiane si gjermanët, francezët ose italianët. ISIS e mori përsipër edhe masakrën që ndodhi në Afganistan, ku u vranë mbi 85 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Këta ishin një fis i persekutuar afgan, që kishte dalë të protestojë për të drejta të barabarta e qytetare. Imagjinoni sikur një sulm i tillë, me mbi 80 viktima, të ndodhte në Evropë. Do të ishte një tmerr i madh. Bombat e ISIS-it vrasin njëlloj. Këto bomba vrasin kombet evropiane, kombin amerikan, por edhe mbarë kombet e Lindjes së Mesme, njerëzit më të varfër e më të persekutuar. Jemi të gjithë të rrezikuar. Jemi të gjithë në luftë. ISIS është nazizmi i ri që nuk duhet të ngrejë krye. Rezistenca është e nevojshme deri në eliminimin e organizatës famëkeqe.

Terrorizmi nuk ka racë, fe, etni


Dionis Xhafa
 
Franca u godit sërish. Këtë herë në një qytet bregdetar, në Nisë. Një person realisht i çmendur me emrin Mohamed Lahouaei Bouhlel, kishte marrë një kamion me qera, e ngiste atë dhe shtypi të gjallë mbi 85 persona të pafajshëm. Ndërkaq që la edhe disa dhjetëra persona të plagosur. Bouhlel e kishte mbushur kamionin me municion dhe armë, e se shkelte çdo njeri që kishte dalë në shëtitore për Ditën e Shtetit të Francës. Në raportime, thuhet se Bouhlel nuk kishte asnjë lidhje me fenë, madje ai pinte alkool e drogë dhe se kishte kryer krime të vogla. Ajo që duhet thënë qysh në krye të herës është fakti se shpirtrat e njerëzve të gjallë mbi tokë, duhet të jenë me viktimat. Vetëm kjo anë e medaljes është njerëzore, shumë njerëzore.
ISIS goditet dhe kundërpërgjigjet?!
Ka shumë kohë që ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare hedhin tezën se ISIS mund ta godasë Evropën më shumë në këto momente. Pse pikërisht tani? Kjo ka gjasa të ndodhë sepse Amerika dhe aleatët e saj perëndimorë e lindorë po godasin fuqishëm bazat e organizatës terroriste. ISIS për rrjedhojë ka humbur disa territore në Siri dhe në Irak. Organizata terroriste, në këtë mënyrë, ka prirjen të sillet sikundër kafsha e plagosur, e cila bëhet më e egër kur e ndjen agoninë. ISIS pikërisht e mori përsipër aktin terrorist, edhe pse fillimisht u duk se kishim të bënim me një mendje të çmendur, të izoluar nga propaganda e organizatës terroriste. Teza e mësipërme të thotë se për sa kohë që ISIS-i vazhdon të goditet fuqishëm me raketa dhe me mjete të tjera në Siri, në Irak apo më gjërë në Lindjen e Mesme, IS do të kundërpërgjigjet. Kështu që rreziku nga IS është konstant dhe nuk mbaron këtu.
Vrasjet barbare
 
Terroristi Mohamed Lahovaei Bouhlel, përpos të tjerash, kreu vrasje masive të tmerrshme. Të vrasësh njerëz duke i shtypur ata me kamion është mizori e kaluar mizorisë, që vetëm një mendje e sëmurë mund ta kryejë si veprim. Por se sulme barbare nuk kryhen vetëm në Perëndim. Është e gabuar të mendohet në të tillë mënyrë. Vrasjet barbare nuk po ndalen së kryeri në Lindjen e Mesme, sikundër edhe janë kryer më herët në këtë territor.
Sulmet terroriste në shtete si Iraku, Siria, Afganistani apo Turqia janë të shumta. Edhe këto sulme viktima prodhojnë dhe jetë të pafajshme njerëzore janë edhe këta. Jetë njerëzore të humbura, sikundër në Perëndim. Por se në rrjetet sociale kurrë nuk e gjen as flamurin e Irakut, as të Iranit, e as të Jemenit. Propaganda perëndimore qëndron në fuqi. Tjetër është se për vrasje fëmijësh apo të tjerë në Lindje të Mesme, perëndimi ka jo pak faj. Franca ka qenë dhe mbetet vend kolonizator. Britania po njëjtë, por edhe Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë në shumë shtete të lindjes, ku jo pak herë kanë interesat e tyre vetjake. Sido të jetë, vrasja dhe terrorizmi, në çdo rrethanë, nuk mund të legjitimohen. Terrorizmi nuk është i përligjshëm as kur ka hakmarrje dhe as kur e kryen këtë veprim për shkak se ke vlera të ndryshme me të tjerët. Terrorizmi nuk mund të kryhet as se tjetri i përket një tjetër race, as se tjetri i përket një tjetër etnie dhe as se tjetri i përket tjetër besimi. Kush kryen veprim terrori është terrorist dhe kush kryen vrasje është vrasës. Pak rëndësi ka se ç’përkatësi etnike apo fetare ka vrasësi. Ai është kriminel dhe vrasja e tij as nuk mund të përligjet dhe as mund të përgjithësohet. Përgjegjësia është padyshim individuale.
Dështimi i Shërbimeve të Inteligjencës
Franca, edhe pse gëzon statusin e një vendi me institucione të shëndosha dhe demokratike, po goditet disa herë dhe rëndë madje. Mund të kishte ndodhur që terroristët ta gjakosnin Francën një ose disa herë, por sulmet e njëpasnjëshme ngrenë dyshimet për shërbime inteligjente joefikase. Shteti francez parimisht duhet të pranojë emigrant, mirëpo duhet ti kontrollojë shtetasit e vet ose rezidentë. Terroristët parimisht mund të jenë edhe shtetasit francez edhe jofrancez. Kjo sepse janë mbi 5 milionë emigrant në mbarë Francën që punojnë për demokracinë e këtij vendi. Në rastin konkret sulmuesi ishte tunizian, por kjo pak rëndësi ka. Sulmuesi mund të ishte edhe francez. Por kontrolli ndaj shtetasve është i nevojshëm për disa element si: precedentët kriminal, pranimi në Francë jo i personave të rrezikshëm, kontrolli dhe vëzhgimi i elementëve që përbëjnë kontigjent kriminal. Terroristi Bouhlel fare mirë mund të ishte kontrolluar dhe tragjedia mund të shmangej. Ai kishte patur precedent kriminal, si dhe kishte qenë person problematik. Shërbimet sekrete franceze sidoqoftë duhet të bënin dhe të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Kjo sepse pa kontroll, jo vetëm Franca, por e mbarë bota do të ishte në kaos. Por se terroristët vështirë të ndalen, pasi ato godasin befasisht në mënyrë ç’njerëzore nga Parisi në Stamboll, nga Damasku në Islamabad.
Terroristët nuk janë myslimanë
Islamofobia po shënon rritje në Europë. Partitë ekstreme të djathta dhe të majta besojnë në mënyrë krejt të gabuar se Islami ka ndonjë lidhje me terrorizmin. Islamofobia nuk ekziston vetëm në shtetet e zhvilluara europiane, por edhe në trojet shqiptare. Opinionistë, njerëz të medies e të politikës janë bërë më “europeanist” se se vetë europianët dhe gjoja në hir të vlerave të Europës, nxijnë islamin. Ne kemi opinionistë që për sulmin në Nisë ia linin fajin “islamit të dhunshëm” e se fisheku u duk se doli bosh qysh në fillim sepse më tej u raportua se sulmuesi ishte përdorues droge, veprim i cili bie ndesh me parimet fetare. Të tillët janë shtuar shumë. Këta kanë arritur deri në nivelin e akademikëve, akademi e brumosur keqas me idenë se “Europa është qendra e botës” dhe se “çdo gjë në periferi të Europës, është gjë e keqe”. E turpshme dhe mjerane njëkohësisht që ekzistojnë mendje të tilla. Islami është fe e paqes. Islami nuk ka lidhje kurrfarë lidhje me terrorizmin. Çmenduria islamofobe arrin deri aty sa ne kemi opinionistë që përdorin terma që as ekzistojnë të tilla si “islami i dhunshëm” apo “islami i butë”, kur në fakt feja islame është një. Sidoqoftë, çdo terrorist, në çdo rast që ka sulm, nuk është mysliman. Kjo sepse myslimani i vërtetë nuk vret, nuk pret, nuk dhunon dhe nuk i bën keq askujt.
dionis_xhafa10

Uliksi në Itali (Pjesa e dytë, Emigrimi në sytë e një djaloshi)


Ishte vapë e madhe. Gjinkallat zhukasnin nëpër fusha. Uliksi gjendej në një vend i cili i dukej sikur të jetë fundi i botës. Qetësi e madhe. Rreth e rrotull sera e fusha të mbjella me duhan. Gjithashtu edhe magazina e kapanone. Përpara Uliksit u shfaq një derë e hekurt. Kjo dukej se ishte e vjetër qysh para lindjes së Dante Aligherit dhe përpara Jezu Krishtit madje. Aty brenda Uliksi shikoi gjendjen e rëndë, apokaliptike. Ai pa dy rumunë që punonin duhanin në dy të drekës kur dielli të binte mu sipër kokës. Të dy ishin zhveshur nga mesi e lart dhe shfrynin ndërsa punonin në duhan. Si bëri pak më tutje, vuri re edhe një dhomë të vogël. Brenda në dhomë gjendeshin emigrantë të etnive të ndryshme. Aty kishte shqiptarë në të shumtë, por gjendeshin edhe dy rumunë. Në të kishte shtretër sikur në konvikte, të krijuar me mjete rrethanore dhe thjesht një televizor të vogël, i cili herë kishte sinjal dhe herë nuk kishte. Një hapësirë tepër e vogël ishte kjo që të mund të banonin dhe të jetonin aty kaq shumë njerëz. Aty Uliksi pa edhe rroba krejt të papastra të lëshuara në tokë. Ai vuri re se edhe punëtorët e duhanit aty ishin krejt të dobët dhe se iu kishin dalë kockat jashtë. Kurrë nuk kishte parë të tilla pamje. Ishte hera e parë  që shikoi të tilla skena që për syrin e tij ishin të tmerrshme. Uliksi vërejti se edhe emigrantët aty nuk shkonin kaq mirë me njëri-tjetrin. Rumunët e kishin ulur kaq shumë pazarin për të punuar në duhan saqë shqiptarët ishin irrituar fort me këtë fakt. Shqiptarët urrenin rumunët për shkak se këto të fundit e kishin ulur pazarin shumë, kurse rumunët “kokëkrisur” punonin me pagë më poshtë se normalen në duhan, në atë pikë vape, në atë zagushi të tmerrshme dhe rraskapitëse.

Puna e rëndë

Uliksi 14 vjeçar sapo kishte parë një skenë e cila nuk i pëlqeu aspak. Nga ana tjetër “trandja” që kishte marrë i shërbeu jo pak për tu burrëruar në mendje e në shpirt. Adoleshenca e papërfunduar siç duhej e tij kishte mbaruar dhe e vërejti se kjo rrugë ishte përplot pengesa e vështirësi. Ai pa sesi njeriu e shtyp njeriun apo sesa e vështirë është që ta fitosh paranë. Tashmë ra mbrëmja dhe Uliksi u nis për në Nola, në periferi të Napolit. Aty takoi babanë por edhe zuri mik një bashkëmoshatar. Edhe ky i fundit kishte ardhur tek babai i tij. Me bashkëmoshatarin Uliksi fliste sinqerisht për atë sesa e vështirë është jeta apo sesa e vështirë është të mësosh. Por se e biseduan se në një vend si Shqipëria, edhe po të mësosh, prapë e vështirë është të përparosh.

Kështu dy-tri ditë qëndruan thuajse së koti derisa baballarët i morën nëpër fusha që të shihnin sesi punohej në emigrim. Uliksi u çua në orën 05.00, kohë kjo e zakontë për emigrantët për tu zgjuar nga gjumi. U bënë katër persona tanimë, miq nga Shqipëria. Dy baballarët e dy djemtë e tyre do të punonin. Uliksi dhe shoku i tij u lutën që të punonin edhe ato, por baballarët nuk pranuan. Në të tillë mënyrë Uliksi pa një ditë pune të emigrantëve. Ai vërejti sesi tufat e emigrantëve që nga Afrika Qendrore, Afrika Veriore, nga Ballkani dhe më gjërë punonin për orë të tëra në fushë. Ai pa sesi punëtorët ngrinin duart që kur dielli lindte e derisa perëndonte. Pak pushonin. Kjo sepse ritmi i punës ishte i lartë dhe ishte koha e prodhimit të domateve. Ndërsa çudi e madhe ishte fakti se duke qenë se ishte muaji i Ramazanit, shumica e emigrantëve, ata të besimit islam edhe agjëronin. Sakrifica e tyre ishte e dyfishtë. Djersët iu shkonin çurg dhe as nuk pinin ujë.Uliksi pa se një ditë pune në tokë të huaj ishte e rëndë dhe vetëm e imagjinonte sesi mund të jetë vite të tëra pune. E kishte dashur fort Italinë dhe kishte menduar se ishte parajsë. Mirëpo ai perceptim që kishte patur për këtë vend i ishte shembur jo pak në tokë nga realiteti që po e shikonte me sytë e tij. Atë natë, pas pune, pa babain teksa shtrihej i lodhur sikur të ishte ndonjë i vdekur. Vetëm tani e kuptoi sesa me vështirësi ishte rritur ky baba dhe sesi e fitonte paranë. E pa babanë teksa u shtri plumb i rëndë sepse nesër sërish do të punonte. Kështu thuajse të ngjashme me këtë i shkuan Uliksit 30 deri në 40 ditë. Ai vërejti goxha errësirë. Në tren me babanë teksa ktheheshin për në Napoli, i ati i tregoi Uliksit qytetin historik. “Ja ku është Napoli. Kjo është qendra e qytetit historik që njihet nga e mbarë Europa dhe bota. Kudo të shkosh, edhe në Amerikë, nuk gjen më tepër zhvillim sesa kaq. Edhe ndërtesat kaq të larta janë dhe jo më tepër”, tha babai. Uliksi, si u kthye rroku mësimet dhe nuk e donte të ardhmen të atillë. Por se edhe me të mësuar, asgjë nuk ishte e sigurt nëse Uliksi kthehej apo jo në atë vend ose në vende si ky.

dionis_xhafa10

Srebrenica ose masakra mbi myslimanët


Dionis Xhafa

Kontinenti më i vjetër i rruzullit tokësor, pas Luftës së Dytë Botërore, e cila i plasi në derë, mendoi për atë sesi të vendoste paqe, me qëllim dhënien fund të luftrave, masakrave dhe të gjakderdhjes. Për këtë qëllim u krijua Bashkimi Europian dhe një sërë organizatash të tjera. Kjo Evropë në momentin që mendoi se e kishte sjellë paqen, i plasi “baruti” në zemër të saj në gadishullin e vjetër të Ballkanit të djegur nga plagët e së shkuarës. Pllakat politike lëvizën në fundin e viteve të shekullit XX-të në ish-Jugosllavi, aty ku serbët nisën të mos durojnë etnitë e tjera dhe dëshironin dominim absolut serb në një shtet multi-etnik. Jugosllavia e nisi rrugëtimin e vet si shtet nga konfliktet dhe u shkatërrua prej tyre.

Pas një përgjumjeje afro 50-vjeçare dhe armëpushimi etnik, Serbia dhe Kroacia ishin të parat që i mprehën shpatat. Konflikti i hershëm për dominim mes serbëve dhe kroatëve doli në shesh. “Lufta” mes Serbisë dhe Kroacisë ishte krejtësisht etnike dhe se shteti serb udhëhiqej nga ideja e mbrapshtë se Serbi duhej të ishte gjithandej ku ka serbë. Me këtë ide gjakësore, Beogradi nisi luftërat me rradhë në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë pasi këto shtete kishin brenda tyre pakica të serbëve. Ndërkaq u la e qetë Sllovenia për shkak se shteti slloven nuk kishte pakicë serbe. Me idenë gjakësore se “ku ka serbë duhet të jetë Serbi”, shteti serb nisi luftërat anembanë Jugosllavisë duke shkaktuar vrasje, dhunime e përdhunime shumica e të cilave ende nuk janë dënuar.

Srebrenica

Serbia kreu luftë gjakatare kundër Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës. Por se dora më e fuqishme e saj ishte në Bosnje por se jo pak edhe në Kosovë. Kjo edhe si hakmarrje për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ku serbët në masë ishin rradhitur si “komunistë” dhe se boshnjakët e shqiptarët ishin konsideruar si “bashkëpunëtor të fashizmit apo të nazizmit”. Një tjetër hakmarrje ishte se boshnjakët janë quajtur padrejtësisht të gjithë si “të pabesë” ndaj pan-sllavizmit për shkak se janë sllavë dhe se u konvertaun në myslimanë. Kurse Kosova nga ana tjetër është pesha e rëndë e mitit serb se “Kosova u humb që kur turqit shkelën në Ballkan”. Miti serb mbi Kosovën dhe preteksti se shqiptarët kishin qenë “fashistë’, e plasi luftën edhe në shtetin tanimë në anën tjetër të kufirit me Shqipërinë. Pra luftë mirfilli ideologjike ku për fat të keq për ide të mbrapshta përligjet vrasja, dhuna e përdhuna.

Srebrenica ishte tronditja më e thellë dhe gjakësore e kryer nga serbët. Qyteti i vogël boshnjak u sakatua rëndë. Ishte një ditë ajo kur 8 mijë burra boshnjakë u morën dhe u ekzekutuan pa mëshirë nga mitralozë të milicisë serbe. Qyteti i vogël i Bosnjes ende përjeton tragjedinë dhe ngjan sikur të jetë qyteti i të vdekurve. Srebrenica sot, vite më pas, ngjan sikur të jetë një varrezë e madhe dhe duket se asnjë zë gëzimi nuk ka mbetur nga pas. Qyteti është shkretuar dhe ka mbetur sikur gjak e kasaphanë të jetë mbjellë. Srebrenica është varreza e Ballkanit, varri i marrëdhënies së paqtë etnike. Vendi ku gjeneralët e ushtrisë tregojnë forcë e ku prej vërteti në fakt janë vrasës, gjakpirës e masakronjës. Srebrenica është tragjedia e përbashkët e atyre që janë me viktimat dhe jo me gjakësorët.

Hakmarrja e madhe serbe

Pavarësisht se gjithçka vërtitet tek hakmarrja e serbëve për shkak të etnisë së kundërt kundrejt kroatëve, boshnjakëve apo shqiptarëve, duket se viktimat kanë qenë etnik jo-serb. Mirëpo arsyet se përse u kryen masakrat e Ballkanit duket se i kanë rrënjët jo pak edhe tek historia e nacionalizmit të sëmurë serb. Ngjan se Lufta e Dytë Botërore të ketë lënë tek serbët shijen e hidhur se luftuan dhe se më tej Tito iu dha thuajse njëlloj fuqi si serbëve, si kroatëve, si boshnjakëve dhe shqiptarëve. Kjo iu duk e padrejtë serbëve, që gjithnjë mendonin se ishin mbi të tjerët, se ishin ata fitimtarët dhe se atyre iu takonte historia e gjithçka. Kjo mendësi krejtësisht e gabuar dhe e mbështetur në ideologjinë e mbrapshtë të nacionalizmit të errët serb duket se ishte ngulitur në zemrat e Radovan Karaxhiç, të Ratko Mlladiç dhe të Slobodan Millosheviç. Ata nisën pastrime etnike për shkak se ishin mllefosur ndaj etnive të tjera duke i konsideruar ata se janë “fajtore” dhe se vetja e tyre iou dukej si më e mira. Problemi nuk është thjesht e vetëm tek hakmarrja serbe, por hakmarrja në tërësi prodhon vetëm vrasje, dhunë dhe një ambjent aspak paqësor. Hakmarrja prodhon njerëz monstra të cilët gjithnjë fiksohen në diçka të cilën ata e konsiderojnë të drejtë dhe për të vendosin të kryejnë gjithçka. Hakmarrja është gjëja më e gabuar dhe fundi i ndjesive njerëzore.

Anti-njerëzore

Ajo që mund të thuhet pa frikë për tragjedi si Srebrenica apo të tjera si kjo është fakti se këtu gjen plot elementë të anti-njerëzores. Është maskaradë e kaluar maskaradës të kryesh vrasje e të dhunosh njerëz vetëm pse ata janë pasardhës të dikujt që ti e konsideron “armik”, vetëm se ata janë ndryshe nga ty apo se ata nuk puqen në mendime me ty. Vetë tragjedia dëfton se njeriu mundet të sillet edhe si një bishë, edhe si kafshë dhe se mund të vrasë edhe njeriun. Kjo etje e anti-njerëzores shtohet gjithnjë e më shumë kur njeriu ka pushtet. Kështu Karaxhiç, Mlladiç apo Millosheviç kishin pushtet dhe ndaj shtypnin dhe shkatërronin njerëzit e vepronin me ta sikur të dëshironin. Një tjetër fakt që duhet nënvizuar është se edhe SHBA e BE duhen vënë në dyshim nëse janë apo njerëzorë. Kjo sepse Srebrenica në njëfarë mënyre ishte paralajmëruar. Bosnja digjej dhe aty vriteshin fëmijë dhe se SHBA sërish nuk ndërhynte, ndërsa kur Uashingtoni ndërhyri, tragjedia ishte shënuar në dyert e Ballkanit. Njëjtë mund të thuhet edhe për Evropën. Misioni holandez në Bosnje dështoi edhe pse iu premtoi njerëzve se ata do të shpëtonin gjallë. Kjo ishte padyshim paaftësi e tyre për të ndalur një tragjedi me përmasa të së tmerrshmes që e kujtojmë sot. Pra faktori ndërkombëtar duhet të bënte më tepër nga se bëri me qëllim që ta ndalte masakrën. Ajo cka ka rëndësi përtej rastit është fakti se duhet të mos jemi të ashpër apo hakmarrës me njerëzit, por të mbizotërojë dashuria, harmonia dhe njerëzorja, në çdo rast.

Për paqen

Ajo që dëshiron bota është paqja por duket se interesat më së tepërmi nuk e lejojnë këtë paqe që të mund të arrihet. Srebrenica apo tragjedi të tjera në mbarë botën janë dëshmi e gjallë sesi nuk duhet vepruar dhe se duhet të bëjmë thirrje për të kundërtën e asaj cka ka ngjarë në Srebrenicë, Kosovë apo kudo ku ka patur masakra kundër të pafajshmëve. Paqja është arma më e fortë e njerëzores. Që kjo paqe të arrihet duhet që njeriu të mos bëhet kafshë sapo të marrë pushtetin, por të zbresë në nivelin e njerëzve të thjeshtë. Paqja është e vështirë të arrihet sidoqoftë. Ndaj duhet bërë ç’është e mundur që paqja të promovohet, por edhe të punohet për ta arritur atë.

“Pseudo-historiani nuk e denigron dot figurën e Skëndërbeut”


Nga Dionis Xhafa

Pavarësisht deklaratave të tilla, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë të mira dhe normale. Nuk bën për asnjë moment që të prishen marrëdhëniet mes dy shteteve mike për deklarata të tilla të njerëzve të çmendur. Prandaj mendoj se kur ka deklarata të tilla nuk duhet prononcim qeveritar. Kjo sepse prononcimi zyrtar ashpërson marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia e sotme është shtet modern dhe thuajse nuk ngjan aspak me Perandorinë Osmane. Raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore dhe të ngrohta.

Çdo komb i rruzullit tokësor lëvdohet për heronjtë të cilët dalin nga gjiri i vet. Franca lëvdohet me Napoleon Bonapardin, Italia me Garibaldin, Shqipëria me Skëndërbeun. Heroin tonë kombëtar e kanë lëvduar shumë shkrimtarë, historianë dhe akademikë. Mirëpo jo të rralla kanë qenë së fundmi deklaratat denigruese ndaj figurës së Skëndërbeut. Historiani ose ciceroni nga Turqia Talha Ogurluel nga memoriali i Skëndërbeut në Lezhë lëshoi deklaratën “bombë” se Skëndërbeu ka qenë “terrorist” dhe “tradhtar”. Ugurluel madje e krahason Skëndërbeun me terroristët e partisë kurde në shtetin turk. Historiani madje nuk ka kursyer as fjalët “bandit” dhe “kusar” për heroin tonë kombëtar. Ish ambasadori i Shqipërisë në Turqi gjatë periudhës 1992 – 1997 Skënder Shkupi mendon se Ugurluel është një pseudo-historian, i cili nuk duhet të merret seriozisht.

Ai mendon se deklarata të tilla janë “lajthitje” dhe sulme të ulëta ndaj figurës kryesore të histografisë shqiptare. Për ish ambasadorin shqiptar në Turqi deklarata nuk e prek aspak dinjitetin e shqiptarëve pasi personi që flet kundër Skëndërbeut nuk ka integritetin e duhur moral e profesional në shoqëri. Z. Shkupi shprehet se problem përbën fakti se histografia turke ende e cilëson si “tradhtar” Skëndërbeun. Për të, janë librat shkollorë në Turqi ata që brumosin një pjesë të turqëve me ide kundër heroit tonë kombëtar. Ish ambasadori mendon se tekstet shkollore turke e denigrojnë figurën e Skëndërbeut në mënyrë të padrejtë. Ai thotë se ekzistojnë dokumente të tëra që flasin për trimëritë dhe veprën e heroit tonë kombëtar.

Skënder Shkupi thekson se pavarësisht deklaratave të tilla të çmendura raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore. Ai shton se Turqia e sotme është shtet modern dhe pak ose aspak ka lidhje me Perandorinë Osmane të dikurshme.

  1. Shkupi, si i cilësoni deklaratat e historianit turk për Skëndërbeun?

Mendoj se çështja ka dy aspekte. Mendoj se së pari deklarata e Ugurluel nuk duhet të na çudisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë tek bindjet e tij. Ai shprehet në të tillë mënyrë sepse i tillë është mentaliteti dhe bindja e tij.

“Historiani” në fjalë ka krijuar të tillë bindje për shkak se në tekstet shkollore turke Skëndërbeu ende paraqitet si “tradhtar”, “i pabesë” e të tilla cilësime. Pra histografia turke ende mban qëndrim poshtërues ndaj figurës së Skëndërbeut dhe se heroi ynë së bashku me Huniadin e Hungarisë paraqiten ende sikur ishin “të pabesë” ndaj Perandorisë Osmane. Një shtrembërim të tillë nuk e bën vetëm histografia turke por edhe ajo serbe. Serbia ende e nderon figurën e Esat Pashë Toptanit i cili tradhtoi interesat e Shqipërisë.

Aspekti i dytë që duhet kuptuar: Mungesa e etikës njerëzore dhe diplomatike nga ana e historianit turk. Ai paraqitet i vetëm në Memorialin e Skëndërbeut në Lezhë dhe deklarata që lëshon është një çoroditje e plotë. Nuk ka në këtë mes asnjë institucion apo emër shteti që ta ketë lëshuar deklaratën, por një person që pa frikë do ta cilësoja si të lajthitur.

A mendoni se deklarata e historianit turk nëpërkëmbi dinjitetin tonë kombëtar?

Nuk e besoj. Kjo sepse të tilla deklarata më së shumti janë marrëzi të cilat ngjajnë shpesh mes kombeve ose vendeve të ndryshme. Unë mendoj se pavarësisht goditjeve që i bëhen Skëndërbeut, qoftë nga element radikalë apo nga akademikë të ndryshëm, heroi ynë kombëtar nuk mund të demaskohet dot. Kjo sepse ekzistojnë me qindra dokumente në arkiva të ndryshme në Turqinë e sotme apo në Evropë ku dëftohet për përpjekjet e stërmëdha të Skëndërbeut për lirinë e popullit shqiptar. Mendoj se duhet të jemi krenar që kemi një hero të tillë i cili nuk u përkul përballë fuqisë të perandorisë më të madhe në atë kohë.

A mendoni se duhej të kishte reagim nga ana e shtetit shqiptar për deklaratat e Ugurluel?

Nuk e besoj se ia vlen të merret me këtë rast Ministria e Jashtme apo institucionet e tjera të shtetit shqiptar. Kjo sepse siç e sqarova më lart deklarata bëhet nga ana e një personi që i tillë është formuar. Reagimi do të duhej në rast se denigrimi i figurës së Skëndërbeut do të bëhej nga ana e shtetit turk apo ndonjë shteti tjetër. Ky është një rast i izoluar dhe se personi nuk përfaqëson shtetin, por veten e tij. Mendoj se mjafton reagimi i kryetarit të bashkisë së Lezhës për rastin. Madje mendoj se mund edhe të mos kishte aspak reagim, pasi është e kotë ti japësh vëmendje një deklarate të çmendur si kjo.

Nuk është hera e parë që sulmohet figura e Skëndërbeut. Ç’mendoni për këto sulme?

Kam dëgjuar shumë zëra kundër Skëndërbeut dhe të them të drejtën nuk më pëlqejnë sulmet që i bëhen heroit tonë kombëtar. Sulmet më së shumti bëhen nga ana e elementëve radikalë dhe është e kotë t’ju jepet rëndësi e madhe. Një zë kundër Skëndërbeut së fundmi ka qenë edhe akademiku austriak Oliver Schmitt. Jam njohur me tezat e tij dhe ajo që mund të them është se sado që e godet figurën e  Skëndërbeut, nuk mundet që ta rrëzojë atë. Schmitt megjithatë ndryshon me deklaratat radikale të disa elementëve pa identitet dhe nuk e fyen aq rëndë heroin tonë kombëtar.

Deklarata e historianit turk ishte e fuqishme, megjithatë raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të mira. A mendoni se këto deklarata dëmtojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë?

Pavarësisht deklaratave të tilla, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë të mira dhe normale. Nuk bën për asnjë moment që të prishen marrëdhëniet mes dy shteteve mike për deklarata të tilla të njerëzve të çmendur. Prandaj mendoj se kur ka deklarata të tilla nuk duhet prononcim qeveritar. Kjo sepse prononcimi zyrtar ashpërson marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia e sotme është shtet modern dhe thuajse nuk ngjan aspak me Perandorinë Osmane. Raportet mes Shqipërisë dhe Turqisë duhet të jenë vëllazërore dhe të ngrohta.

Adam Yamey: Ja si e mbaj mend Shqipërinë e viteve 80-të


Dionis Xhafa

Përshtypja më e mirë që kam marrë në vizitën e vitit 1984 në Shqipëri ka qenë jeta e qetë dhe e thjeshtë që zhvillonin shqiptarët. Kurse përshtypja më negative ishte se nuk mund të komunikonim dot me shqiptarët e asaj kohe. Kurse më 2016 gjëja më e mirë ka qenë takimi dhe komunikimi me njerëzit. Gjëja më e keqe që kam parë tani që e vizitova Shqipërinë ishin ndërtimet e shumta kudo në Shqipëri.

Ai quhet Adam Yamey dhe është një anglez “i fiksuar” pas Shqipërisë. Yamey në rrjete sociale mban identitetin e plotë si “Adam Robert” por se në fakt ky është thjesht pseudonimi i tij. Ky anglez e ka vizituar Shqipërinë në kohën kur vendi ynë nga rrallëkush mund të vizitohej. Yamey e ka shkelur tokën shqiptare në vitet 80-të. Ai tregon se çfarë ka parë kur zbriti në Shqipëri në fillim të viteve 80-të. Yamey madje ka shkruar një libër me kujtime nga vizita e tij në Shqipëri të titulluar “Shqipëria në mendjen time”. Në këtë libër ai jep detaje nga koha e komunizmit në Shqipëri dhe mënyrën sesi jetonin dhe visheshin shqiptarët në atë kohë. Yamey nuk ka dashur të shkëputet nga “fiksimi” i tij për Shqipërinë dhe se e ka vizituar vendin tonë edhe verën e këtij viti. Anglezi në fjalë nga profesioni është dentist, mirëpo udhëtimet dhe shënimet mbi udhëtimet janë pasioni i tij. Përpos Shqipërisë, Yamey ka vizituar edhe vende të tjera në Ballkan dhe në kontinente të tjera të botës. Ne e kemi intervistuar Adam Yameyn lidhur me ndjesitë që ka marrë gjatë vizitës në Tiranë gjatë vitit 1984 dhe ndjesitë që ka marrë verën e këtij viti. Ai na ka treguar për ndryshimet e mëdha të ndodhura në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kohore, për përshtypjet më pozitive që ka marrë dhe ata më negative.

  1. Si e mbani mend Shqipërinë e vitit 1984?

Shqipëria e viteve 80-të ishte e bukur, e paqtë dhe misterioze. Unë mbaj mend më së tepërmi vendin dhe jo aq njerëzit. Kjo sepse ne ishim një delegacion i huaj dhe se nuk duhet të kishim kontakte aspak me shqiptarët. Kjo nuk na lejohej nga ana e personave që na shoqëronin.

  1. Si e vizituat Shqipërinë pikërisht në vitet 80-të, kohë kur vendi ynë ishte i izoluar nga bota?

E kam viztuar Shqipërinë pasi udhëtova me një kompani angleze e cila kishte raporte të mira me Shqipërinë dhe si duket edhe me qeverinë e asaj kohe në Tiranë.

  1. Si i mbani mend shqiptarët gjatë vizitës suaj në vitin 1984?

Unë i shikoja shqiptarët por nuk komunikoja me to sepse nuk na lejohej. Shqiptarët e kësaj kohe silleshin mjaft mirë, ishin të sjellshëm dhe ishin të veshur thjesht ose me rroba pune.

  1. Po vajzat shqiptare si ishin veshur në këtë periudhë?

Pak a shumë e shpjegova në pyetjen më herët. Edhe vajzat e reja ishin të veshura me rroba serioze dhe silleshin mjaft mirë. Ata ishin të veshura në mënyrë serioze por edhe të thjeshtë.

  1. Cilat ishin gjërat më interesante që mundët të shihnit në Shqipërinë e atyre viteve?

Di që gjatë asaj kohe kishte shumë gjëra interesante, por ajo që më la më shumë përshtypje ishin sloganët politike që ishin të përhapura në shumë vende. Gjithashtu interesant ishin edhe bunkerët të cilët ishin të shumtë në numër dhe sikur kishin mbirë si kërpudha në mbarë vendin.

  1. Ju e keni vizituar Shqipërinë edhe tani më 2016. Cilët janë ndryshimet me Shqipërinë e viteve 1980?

Ku duhet të filloj të përgjigjem lidhur me këtë pyetje? Ka ndryshime vërtetë të mëdha dhe është bërë shumë punë. Gjithsesi trafiku në Tiranë është i dendur, në mos “i çmendur”. Tashmë ka liri dhe mund të shkohet në çdo vend që duam e nuk të pengon askush. Në dimensionin e lirisë ka përparime të mëdha.

  1. Cila ishte përshtypja më e mirë dhe më e keqe në Shqipërinë e vitit 1986? Cila ishte përshtypja më e mirë dhe më e keqe e vitit 2016?

Përshtypja më e mirë që kam marrë në vizitën e vitit 1984 në Shqipëri ka qenë jeta e qetë dhe e thjeshtë që zhvillonin shqiptarët. Kurse përshtypja më negative ishte se nuk mund të komunikonim dot me shqiptarët e asaj kohe. Kurse më 2016 gjëja më e mirë ka qenë takimi dhe komunikimi me njerëzit. Gjëja më e keqe që kam parë tani që e vizitova Shqipërinë ishin ndërtimet e shumta kudo në Shqipëri.

  1. Cila ishte ndjesia më pozitive që keni marrë gjatë vizitës suaj në Shqipëri gjatë verës së këtij viti?

Mund të them pa hezitim se gjëja më pozitive gjatë vizitës së fundit në Shqipëri ka qenë komunikimi me njerëzit dhe mirësjellja e tyre.


dionis xhafa2

Posted in Uncategorized