Furtuna ruse, Bosnja dhe shqiptarët


Dionis Xhafa

Një faqe rus interneti, titulluar “Carnegie Moskow Center”, por që duket se nga qëndrimet nuk mbron idetë e Rusisë zyrtare, ka shkruar një artikull me titullin “A është Rusia duke mbështetur një skenar për serbët në Bosnjë, sikundër veproi në Osetinë e Jugut?”. Pra duket qartë se titulli flet për një agresion rus, sikundër ka ndodhur në Gjeorgji përpara disa vitesh, kur Rusisë iu mbush mendja se ata ishin rajone që duhet të ishin nën kontrollin e saj.

Furtuna ruse ka kohë që ka nisur në rajonin e Ballkanit. Në fakt ajo ka nisur si e tillë për arsyen se dëshiron të jetë një kundërpeshë me politikat e BE-së që zhvillohen në Ballkan dhe e dyta arsye është se Rusia ka plane ekspansioniste, për të qenë dominante në shumë rajone, të cilat dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit të Madh Sovjetik apo ku ka popullatë, shteti i së cilëve është pro rusëve.

Sa i përket Ballkanit, duket se është Bosnja shteti ku ka problem më së tepërmi. Kjo vjen edhe për shkak se BE-ja ka pasur problem në këtë shtet, duke mos mundur ta unifikojë një shtet të tërë, që ka shumë etni, duke përfshirë boshnjakët, serbët, kroatët dhe ndonjë pakicë tjetër, ndoshta edhe e papërfillshme.

Por, është pikërisht ky shtet, ku edhe konfliktet mes vetë etnive dhe mes influencave mund të kenë më katastrofiket në rajon. Aty, kroatët dhe boshnjakët duken paksa më të qetë dhe respektojnë shtetin e Bosnjës. Ato që bien në sy se nuk e duan ndarjen e pushtetit janë serbët. Këta të fundit madje mbajtën edhe referendum, me qëllim që të njohin si Ditë të Etnitetit 9 Janarin, atë ditë të shpallur që në vitet 90-të nga ana e kriminelit serb Radovan Karaxhiç, duke mohuar shtetin ndërkombëtar multikulturor. Serbët, në masë të madhe nacionalistë të çmendur pas kombit të tyre, votuan për ndarje nga republika.

Që referendumi është alarm më vete, tregon fakti se serbët janë duke menduar seriozisht për ndarje nga Bosnja, në mënyrë të padrejtë. Ata kanë me vete edhe një lider autoritar të tillë si Milorad Dodik, që nuk njeh as ligjin boshnjak aq shumë dhe që del edhe kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, e cila mendohet se është pak më pranë të vërtetës. Por Dodik nuk është se pyet shumë për atë çfarë mendojnë autoritetet boshnjake apo të ketë respekt për Kushtetutën e Bosnjës. Jo jo. Dodik mendon në mënyrë nacionaliste të tmerrshme dhe sesi serbët të mund të dalin më vete, duke qenë të mëvetësuar nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Kjo do të thotë ta shkatërrosh me themel Bosnjë dhe Herzegovinën, bukurinë e një shteti me shumë etni. Dodik madje nuk është se nuk ka shpatulla të ngrohta. Dodik ka qenë personalisht në Moskë dhe ka takuar presidentin rus Vladimir Putin. Kreu i shtetit rus e ka takuar Dodikun dhe madje në mënyrë speciale ka biseduar me të. Duket qartë se Dodik është më tepër politikan pro rus, nga ata të shumtët në vendet ish-jugosllave ose që kanë qenë dikur në B.S, të cilët punojnë për interesa të Moskës. Dhe Moska, Rusia, me fuqinë të cilën e ka, nuk është aspak çudi që të bëjë gjullurdinë e vet edhe në Ballkan. Tentativat për të rrëzuar “regjimet” pro evropiane Moska i ka bërë.

Kështu, në Mal të Zi u kap grupi i dyshuar kriminal, të cilët ksihin marrë direktiva në Serbi apo në Rusi më tepër ka gjasa, për të eliminuar fizikisht presidentin e atëhershëm Gjukanoviç, me qëllim që në krye të Malit të Zi të vinin forcat opozitare pro ruse. Kështu edhe në Serbi ka dyshime se ishte përgatitur atentat ndaj Vuçiçit, i cili ka zhvilluar disa takime me Merkelin dhe për këtë Moska duket se nuk e shikon me sy të mirë.

Shqiptarët

Shqiptarët do të ishin ndër të parët që do të dilnin të humbur nga ndonjë furtunë e madhe ruse. Kjo sepse miku tradicional i Rusisë, në çfarë do lloj regjimi që ka qenë Kremlini, kanë qenë serbët. Shqiptarët nga ana tjetër janë konsideruar gjithmonë si në atë të kundër në raport me Rusinë, sidomos në politikë. Kjo edhe për shkak të historisë së Kosovës, ku dallimi është shumë i qartë, ku SHBA-të dhe Rusia mbrojnë fort, njëra pavarësinë e Kosovës, kurse tjetra faktin që Serbia ka të drejtë ta ketë atë territor.

Shqiptarët dalin më të humburit nëse ka një fortunë politike ruse, për shkak se ata do të kërkonin që të mos ketë pavarësi Kosova, në Maqedoni të vendosej ndonjë qeveri po ashtu pro ruse, në Mal të Zi gjithashtu duan rusët e në shtete ku banojnë shqiptarët të drejtojnë politikanët, figurinat që janë me rusët dhe jo me BE-në. Kjo gjë e dëmton rëndë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët.

Kjo sepse shqiptarët, populli shqiptar është tepër i dobët dhe i brishtë e se një forcë ruse do të ishte e rëndë për të. Shqiptarët e kanë provuar se Rusia, në regjimet e saj të shkuara, ka qenë e ashpër ndaj tyre. Edhe aktualisht Rusia është regjim. Putini dhe administrata e tij janë hiç më shumë se një regjim, teksa atje janë vrarë liderë opozitarë dhe janë burgosur ata që kanë qenë kundër liderit “suprem”. Rusia nuk është e rrezikshme për shqiptarët dhe Shqipërinë vetëm nëse Rusia do të kishte një politikë të drejtë dhe jo Putini apo gjakësorë si ai. Por a mund të ndodhë kjo? Vështirë. Gjasat janë të vogla, andaj shqiptarët duhet të jenë vigjilentë për të mbrojtur vlerat e tyre, demokracinë e jo gjakatarët e pushtetin me hekur, siç do Rusia.