Ju nuk e njihni Palestinën


dionis xhafa1

Dionis Xhafa

 

Jo nuk e njihni Palestinën, ose më saktë nuk doni ta njihni,

se jeni mësuar të jetoni mirë dhe të dredhoni e tradhtoni si të doni,

prandaj nuk keni si ta njihni e nuk keni si të flisni për të, pa e njohur më së miri,

se ju duket se strehohet në një cep të largët të atdheut, lënë pamëshirë, ashtu, pa zhvilluar, varfër, ndër vite, ndër dekada e ndoshta shekuj.

 

E, ju nuk doni ta njihni e shihni Palestinën, varfërinë dhe plagët e saj që dergjen si një burrë që jep gjithcka për atdheun e lëngon me plagë pafund,

sepse nuk mendoni të drejtën, por pasurimin e shpejtë, doni lingotat e arin që shëndrin, në format më të poshtra njerëzore,

e kështu, Palestina, kocka e kombit, furia e djalërisë, ku luftoi vetë heroi i kombit, ku fëmijët lindin me dhe pa bukë, nuk doni ta shikoni,

edhe pse iu lindi kombin, iu bëri shtetin arbër, themelet e kësaj Republike, që krejt pacavure e kthyet.

Ju nuk e  njihni Palestinën, ose nuk doni ta njihni, se nuk iu pëlqen ajo uri e lemeri, që ajo kaloi,

se nuk dini se c’do të thotë hasmi me të vra e pre’ për nëntë vjet, e hakun me hakun ta kthesh, pushkën me pushkën ta kthesh, plumbin me plumb,

por mendoni si të jeni lart e më lart, hic pa parime, ndër zgërdheshje të reja, tamam si kohët e këqija që jetojmë,

dhe Palestinën ashtu varfër e keni lënë në cep të atdheut, duke u dergjur e bërtitur me flamujt pacavure të ditës së sotme, se Palestina, që është bërthama e kombit, është lënë qorre e pa këmbë, e ju, jo nuk doni ta shikoni, atë Palestinën.

 

 

 

Skicë politike


Dionis Xhafa

Doli një njeri,

të mposhtë një marrëzi,

edhe një pushtet të zi,

sic në vargje e kish shkruar Migjeni.

Kur e zeza u mposht, thamë do triumfojë,

liri mbi harbutëri, sic do gjithë kjo rini, edhe njerëzi,

por u zbeh me ngadalësi, se u bë zi e më zi, e zeza,

erdhi e u trash, si egërsi, me dredhi, e tradhti, rrëzoi një fije shpresë, dic liri.

Virusi që na lemeris dhe viruset mes nesh


 Dionis xhafa

Bota mbarë, gjithë ky rruzull tokësor ku jetojmë e që askush nuk e di se kur mundet të përfundojë ndonjë ditë (nëse përfundon a mbaron, me siguri njëjtë është), po jehon nga lajmi i kobshëm se në planet është ‘lindur’ një virus, që qenkërka i keq, si ndonjë bajloz i ndyrë, e tamam si nëpër përrallat, por tashmë në realitet, ka ardhur dhe na ka hyrë në pore, në lëkurë, e ruhemi se mos na zërë, duke larë duar e fytyrë me sapunë të mirë.

Mbrohet bota dhe mbrohet njerëzia në Shqipërinë tonë nga koronavirusi, se mos e zë dhe kjo do ishte fatale. Një e keqe e vogël kjo me siguri në krahasim me viruset e vërteta që gëlojnë mes nesh e i vëmë re e ndoshta flasim, e ndoshta pak flasim ose bëjmë sikur nuk i shohim. Është virusi i qorrimit pas pushtetit që grumbullon cdo gjë, është virusi i smirës, inatit e rrebeshit, i poshtërimit të njeriut anash a në rrugë me ne, me e pa poshtë e më poshtë e ndoshta nuk duam ta shohim fare.

Është virusi i inatit, i pasurimit të shpejtë në supe të pista, pa kocka të lodhta, që na dhemb në bark e në brinjë, që e copëton përditë atdheun dhe e lëngon, derisa bijtë e vet më të mirë duan të ikin e të arratisen, larg tokës që i leu dhe polli, por duke u shpërbërë, e përpiqen të mbijetojnë si një akull në zjarr të vluar.

E, para se të trembemi nga ky virus, që na paraqitet si bajlozi i zi që u përlesh me Gjergj Elez Alinë, me siguri që kemi nevojë të shërohemi nga viruset tona, nga smirat, për të lënë dritën e shpresës të regëtijë në zemrat tona, e pas kësaj, për t’i lënë vendin diellit të shkëlqejë në qiell pa vetëtima, por me fishekzjarre në ngjyrë blu.