Poezia humoristike


 

 

Dionis Xhafa

Vetë nuk e kisha vënë re,

por ecja turbullt dhe sikur kisha kthyer një shishe rum,

nëpër trotuar gjerë e gjërë,

të Athinës së Madhe.

 

Kur papritur një burrë,

nga karrigia e një bari aty pranë u çua dhe më tha:

“heroinë apo kokainë” se e kish marrë sikur trupi më kërkonte drogë

e qesha, sesa “jonormal” paskam qenë.

 

Njeriu dhe kapitalizmi


 

Dionis Xhafa

 

Si një fëmijë “lundronte” në kufirin shqiptar – grek,

me valixhe në dorë e kishin ndalur grekët,

e me korruptim që iu shkon të pafytyrëve,

duke iu besuar mashtruesve, ecte vëngër me shpresë.

 

E vinte e bëhej si një vogëlush që qan vetminë,

lutej të kalonte tutje ,

ku më shumë se një kafshë e punës nuk ish,

sigurisht.

 

12 pëllumba


Dionis Xhafa

 

12 pëllumba bëhen tokë,

fluturojnë në shesh, në “Platia”,

ngjiten lart në Olimp,

si hartë me shtigje, udhë e tyre.

 

Se ndër pllaka tektonike,

ky gadishull më i varfëri,

ka mbajtur peshë e ka qenë,

më i vjetri, më gjigandi.

 

Akropoli i mpirë


 

Dionis Xhafa

Ajkuna me siguri do të qante gjatë nëse do të shihte gjendjen e Greqisë sot e kësaj dite. Gazi i dikushëm dhe majat e arritura janë vetëm një ëndërr e bukur e jetuar një natë më parë, që nuk ka më asnjë lloj cifle realiteti. Përkundër, Greqia është e zhytur në borxhe dhe entuziazmi në vendin ballkanik, më të zhvilluarin ndër këta që kemi, ka nisur të zbehet e ka rënë hija e rëndë. Ekonomia duket se ndikon ndjeshëm në gëzimin e paktë të njerëzve, në mpirjen e gjithanshme dhe ngjan sikur vendi të jetë djegur prej së tashmes së hidhur. Këtë realitet mundesh ta vësh re që pa prekur kufirin, e vjen shkallë – shkallë hyn në pore të greqizmit të gaztë të shuar vitet e fundit. Në kufi, greku me flokët e krehura me xhalatinë ngre muzikën në fund teksa kalojnë shqiptarët në radhë me pasaportë, si për të dëshmuar se “këtu jemi ne grekët, të lartit e paarritshëm”. E shqiptarët vihen në radhë, në një kolazh të shëmtuar që ngjan me situatën e hebrenjve ndaj hitlerianëve, por vetëm ka mungesë dhomash të gazit, por ndjen anti-empati e racizëm të thekshëm. Korrupsioni tashmë është një fenomen jo vetëm shqiptar. Me rritjen e represionit shtetëror mbi policët grekë, me rroga të ulura, këta të fundit, disa prej tyre lidhen me interesa ekonomike kriminale, zbatuar në dyja anët e kufirit. Më tej, Greqinë e bukur, natyrën e pazëvendësueshme, e ka mbuluar hiri e zjarri, e sikur të ishte goditëse si metaforë që bie nga Olimpi, në këta ditë vendi u përfshi nga flakë, duke djegur njerëz në mënyrë të egër. E, kryeqendra helene, Athina është vendi i shumëllojshmërisë, ku “pjatën kryesore” e kanë pushtuar të huajt, shqiptarë, afganë, pakistanezë, e këta mbijetojnë e jetojnë nën shtypjen e indiferentizmin vendas. Grekët fajësojnë të huajt për krizën, kurse ka gjasa që ajo (kriza) të jetë shkaktuar nga vetë grekët, që me qeveri të korruptuara bëri që helenët të përjetojnë parajsën në tokë, duke u pasuruar pa punuar, çka solli edhe trishtimin e qiellit të mbushur me legjenda mitike. Në Athinë e gjen prostitucionin, drogën, njeriun që i droguar shtrihet në bulevard, e të njëjtin sivjet e gjen e vitin tjetër jo, ndërsa pirja e hashashit, kokainës, heroinës është bërë thuajse normalitet për athiniot e të huaj, aq sa edhe policia nuk ka ç’të bëjë. Ndërsa lart Akropoli lart qëndron i mpirë, ndoshta nën lutjen që në mos me shkëlqim, së paku me qiellin e trazuar, të mos shembë krenarinë e lindur helene.

 

Gjysma e kombit


Dionis Xhafa

 

Gjysma e kombit është më e mirë se gjysma tjetër,

e më e keqja shan më të mirën pjesë të së tërës,

më dashamirë janë ata që tejkalojnë kufirin shtetëror,

e kriminelë në zemër këta të shtetit amë, ndoshta prej varfërisë.

 

 

 

Sizifi është i lumtur


Dionis Xhafa

 

Sizifi, siç edhe pandehet, jo nuk duhet,

sepse më tmerr se puna pa përfitim nuk ka,

por ai është dhe më i lumturi nga të gjithë,

proletari i perëndive, në rrugën e vet drejt lartësisë.

 

 

Bukën e gojës për kombin e kriminalizuar


 

Dionis Xhafa

Një betejë, nga ata që vihen në fushën e shahut në Ballkan po zhvillohet në Forcat e Sigurisë së Kosovës. Dhe debati është pikërisht për këtë ushtri, e cila nga njëra palë konsiderohet se është e një shteti të mëvetësuar dhe të pavarur si Kosova, ndërsa pala tjetër këmbëngul në idenë e vet ( që ka pak ose aspak mbështetje ndërkombëtare) se kjo ushtri ngjan me forca irredentiste e teori konspirative të ngjashme.

Serbia, qeveria e saj, më së shumti MB e kësaj republike lëshoi urdhër që policët serbë, pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të mund të ikin nga kjo përbërje policie, që nuk e njohin. Dhe dezërtimet e para kanë ndodhur. Mirëpo edhe këto me probleme të mëdha e me pendesë së thellë. Një polic i dorëhequr serb që kishte qenë pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës, FSK thoshte për REL se tërheqja bën që të mos ketë rrogë dhe për rrjedhojë nuk mban dot familjen. Pra, një zgjedhje mes bukës së gojës dhe kombit të kriminalizuar, që rrënjët e veta i sheh edhe përtej sa ka shtetin, në mënyrën më të padrejtë.

Të vendosësh njeriun në këtë dilemë të madhe, në një humnerë të tillë thjesht për disa urdhra shtetërorë dhe shtypëse është e rëndë. Jo se shtetet e tjera nuk e bëjnë, por tërheqja në pikën që të luash me bukën e gojës, nën kërcënim e dhunë, është mënyra e shovinizmit, mbetur në mendje kriminale të Serbisë. Dhe ajo mendje vërtitet si fantazmë në kombin përtej nesh, në vendin e mbushur me kriminalitet. Dhe krimi ndoshta “hahet” për kombin, në Ballkan po e po, por të luash me bukën e gojës për komb të kriminalizuar, është më tepër se ç’njerëzore.

 

Barbarët


Dionis Xhafa

 

Barbarët vijnë nga Karpatet

dhe na shtrydhin kokën, me tre gishta,

na dëftojnë historinë e përbindshme

e na thonë të përulemi, derisa të na hyjnë në mish.

 

Thonjtë e tyre ngjitur pas nesh,

nëpër vite e shekuj të tërë, ndër luginat e përgjakura,

na dëftojnë se mbi të gjitha historikun e kanë me vete,

e nuk ngopen me gjak shqiptari, të pafajshëm, ata barbarët.