Për shqiptarët e Malit të Zi


Dionis Xhafa

Kur flasim për shqiptarët në rajonin ballkanik, më së shumti kemi parasysh këtë etni që banon në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Pak dëgjojmë për shqiptarët të cilët banojnë në jug të Serbisë dhe aq më pak për ata gjysmë milionë shqiptarë që banojnë dhe punojnë si emigrantë kryesisht në Greqi. Kurse rrallë e më rrallë dëgjojmë të flitet për shqiptarët e Malit të Zi. Ndoshta kjo e lidhur me faktin se shteti malazez është vendi me më pak banorë e sipërfaqe në gadishullin ballkanik. Por se për hir të së vërtetës shqiptarët në hapësirën e Malit të Zi i kanë fituar disa të drejta dhe liri. Ndoshta kjo prej faktit se qysh prej shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia ky shtet nuk e ka kthyer më kokën mbrapa por ka ecur në rrugën euro-atlantike. Megjithatë edhe në shtetin malazez shqiptarët i kanë disa probleme.

 

Influenca serbe në Malin e Zi

Çështja që dua të shtroj në këto rreshta është fakti se Akademia e Shkencave e Malit të Zi i kishte konsideruar shqiptarët me banim në qytete nën territorialitetin e shtetit malazez si “ardhacakë” apo të tilla stigma që përcjellin inferioritet për një etni të caktuar. Po si ka mundësi të ndodhë kjo? Si mundet që edhe pse jemi në vitin 2016 shqiptarët në shtetet ku ata jetojnë vetëm përçmohen?  Kjo në një kohë që shqiptarët në Malin e Zi konsiderohen autoktonë në tokat e veta. E para arsye mund të jetë fakti se në Malin e Zi akoma influenca e Serbisë është e gjallë përmes etnisë serbe që banon në këtë shtet. Mos harrojmë se Mali i Zi ishte shteti i fundit që u shkëput nga Serbia dhe kjo e fundit jo pak e ka “halë në sy” shtetin malazez prej këtij fakti.  Duke qenë se Serbia e humbi territorialisht Malin e Zi pa kryer luftë, çfarë bën për ta mbajtur Malin e Zi nën kontroll dhe që ta mbajë poashtu këtë shtet sa më larg BE-së dhe NATO-s? Vepron kështu: I përdor serbët e Malit të Zi siç përdor serbët në Kosovë. Partitë serbe në Malin e Zi trubullojnë gjëndjen dhe këta janë ca ultra-nacionalistë që nuk e duan as NATO-n dhe as Bashkimin Europian. Kujtojmë se shumica e opozitarëve sot në Malin e Zi janë serbë. Këta shpesh dalin nëpër demonstrata rrugëve të Podgoricës dhe duan që kryeqyteti malazez të jetë orbitë e Beogradit dhe e Moskës në Ballkan. Këta serbë nëpër demonstrata shpalosin edhe disa parrulla nacionaliste si “Kosova është Serbi” apo “Nuk e duam Malin e Zi në NATO”. Këta serbë janë sot në opozitë në shtetin malazez dhe larg qoftë që ndonjë ditë me këta ide të marrin pushtetin. Gjukanoviç vërtetë akuzohet për korrupsion e akuza të ngjashme por se po e drejton Malin e Zi nëpër proceset euro-atlantike. Serbët opozitarë në shtetin malazez janë më së shumti të brumosur me ide të vjetëruara të nacionalizmit. Serbët këtu në mos duan të jenë pjesë e Serbisë dhe politikën e Podgoricës duan ta drejtojnë për nga vlerat moskovite. Të tillë serbë nuk e duan NATO-n duke e konsideruar organizmin ushtarak perëndimor me stigma njëlloj sikundër vepron Rusia si “fashiste” etj. Kurse duan një shtet me polici dhe shërbime të fshehta të rrezikshme dhe me ushtri të fuqishme e jo  të paktë e kjo me disiplinë e rregull. Kështu duket se Serbia përmes serbëve në Malin e Zi dëshiron modeomos ti realizojë qëllimet e vëna vetes duke përdorur popullsinë me etni serbe për qëllimet e veta të mbrapshta politike.

 

Serbët mund të kenë depërtuar deri në Akademinë e Shkencave në Malin e Zi

Serbët në Malin e Zi janë të shumtë. Kjo etni përbën një pjesë të mirë të shoqërisë. Shumica e serbëve janë opozitarë dhe kanë ide që përafrojnë më tepër për nga Moska sesa nga Brukseli. Sigurisht që mundet të ketë edhe serbë që kanë ide pro-europiane dhe përparimtare por se të tillë janë realisht pak. Çfarë ndodh? Patjetër që serbët në Malin e Zi janë të përfaqësuar nëpër institucionet e shtetit dhe disa prej tyre kanë depërtuar deri në Akademinë e Shkencave malazeze. Rrezik jo pak janë serbët akademikë me ide të vjetra të nacionalizmit serb. Këta ka gjasa të përdoren si marioneta nga Beogradi dhe për fat të keq vënë në jetë edhe ide të vjetëruara nacionaliste pan-sllave.

Ndryshimi i identitetit nga ana e shqiptarëve në Malin e Zi

Në Malin e Zi ka një tendencë e cila pak vihet re ndër shqiptarët të cilët jetojnë në shtete të tjera ballkanike. Këtu shqiptarët edhe janë asimiluar në forma të ndryshme. Ndryshime të identitetit duke nisur qysh nga emri dhe mbiemri kanë pësuar në këtë shtet deri edhe zyrtarë të lartë shqiptar në rangun e deputetëve. Shembulli më ekzemplar mund të konsiderohet Dritan Abazoviç zyrtar shtetëror me etni shqiptare. Me patjetër që është zgjedhje e personit ta ndryshojë edhe emrin e mbiemrin siç e ndjen, por edhe mbajtja e identitetit si shqiptar nuk është se tregon inferioritet siç kërkohet të paraqitet në Malin e Zi. Por sa duket influenca sllave në Malin e Zi dhe propaganda shtetërore është kaq e pranishme saqë i bën shqiptarët me pozita të larta të dëshirojnë të mos ndihen të tillë (pra shqiptarë).

Kjo flet për një ide qëndrore propagandistike të Podgoricës se të mos kesh emrin shqiptar është të jesh “i civilizuar”. Dhe duket se kësaj ideje fantastiko-shkencore të dalë nga laboratorët e Akademisë së Shkencave të Malit të Zi iu shkojnë nga pas disa shqiptarë që duan të duken “trendy”, se janë “ndryshe” dhe jo “halabakë e të paqytetëruar”. Në fakt kjo është propagandë shtetërore malazeze e përhapur nga falangat nacionaliste sllave të mbetura në Malin e Zi.

Në mos përkundrazi popujt që ngrenë teori se janë më superiorë se të tjerët kanë probleme të hapura me identitetin e vet. Megjithatë të ndryshosh identitetin mbetet zgjedhje personale. Por mundësia është se ndryshimi i këtij identiteti bëhet nën thundrat e propagandës sllave. Është e drejtë e çdokujt ta zgjedhë identetin, por se edhe nuk është turp të jesh shqiptar!

Pushteti i trafikut të drogës


Dionis Xhafa

Transportimi i sasive të llojeve të ndryshme të drogës brenda shteteve ballkanike ose tutje në Europë ka qenë dhe mbetet problem akut i plasur në shesh qysh se këtu u hapën kufijtë dhe u arrit demokracia. Ndër ballkanasit e thjeshtë dhe ndër këta edhe tek shqiptarët nisën procedimet e shumta individuale për akuza të tilla si prostitucioni, favorizimi i këtij “zanati”, transporti i drogës, përfshirja në organizata kriminale e deri në vrasje si larje hesapesh mes bandave mafioze.

Pra pas vitit 1991 sidomos bashkë me përshpejtimet demokratike dhe ato ekonomike, nisi edhe kriminalizimi në masë i një pjese të mirë të shoqërisë të anëve ballkanase të cilët edhe e keqkuptuan lirinë fillestare e cila iu dhurua. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Cila është tjetra? Tjetra anë është ajo se grupet e caktuara të mirëorganizuara kriminale në Ballkan lidhen me udhëheqësit politikë dhe kështu kukullat politike në pushtet vijonin të qëndronin si të tilla në saj të punëve të fëlliqura që zhvillonin bandat të cilat i mbanin në këmbë. Akuza të tilla se janë të lidhur me krimin e organizuar, transportin e drogës dhe kontrabandën e cigareve janë ngarkuar mbi disa zyrtarë të lartë të shteteve të Ballkanit. Të tilla akuza janë lëshuar në drejtim të Milo Gjukanoviç në Malin e Zi, mbi Hashim Thaçin në Kosovë dhe mbi Ivica Daçiçin në Serbi. I tillë fenomen sa duket përflitet se ndodhka edhe në Shqipëri ku krimi i organizuar ka gjasa të mëdha të jetë i lidhur me pushtetin.

Rasti Balili “tmerri” i lidhjes krim-politikë

Klemend Balili ngjan si emër i tmerrshëm dhe rast ekzemplar i asaj sesi ka gjasa se funksionon ingranazhi politik në Shqipëri. Ai ishte kreu i një bande kriminale në vend dhe që transportonte drogë nga Shqipëria drejt Greqisë apo në shtete të tjera ballkanike. Del se partia e ka emëruar Balilin si shef të Transportit të Sarandës dhe se biznesi i tij me gjasa të mëdha i bërë me para droge ishte inaguruar nga ana e politikanëve. Është e frikshme veç kur e mendon se Balili dhe miqtë e tij të bandës kriminale kryenin transportin e mbi 600 kg drogë me kamionë.

Dhe më e rënda është se Balili me siguri do të kishte vijuar të jetonte si në parajsë dhe me pushtet si e i paprekur në rast se nuk do të procedohej penalisht për trafik droge nga ana e shtetit grek. Balili u zhduk na thanë dhe se policia as që mundi ta kapte dot. Si more u zhduk. Si more iku. Si nuk mundi ta kapë policia. Si ikën kështu pa gjurmë një kriminel tipik i cili ka qenë kreu i një bande kriminale të trafikut të drogës dhe se vuri në alarm Ballkan e Europë të tërë.

E fshehën thonë disa zëra thashethemesh dhe ka gjasa që e vërteta të jetë kështu. Atë që po e kërkon Interpoli, policia jonë nuk e arreston dot. E zhdukën pa e arrestuar sepse siç thonin mediat helene Klemend Balili i kishte të fuqishme lidhjet politike. Ky “peshk i madh i krimit” ishte “shkëmb graniti” për qeveritarët tanë. Nëse nuk arrestohet në këtë vend dikush i cili mirret me trafikun e 600 kilogram drogë apo edhe vrasësit, kë do të arrestojmë atë të pambrojturin, atë që vjedh energjinë?!

Balili si “maja e ajsbergut”

Rasti i Klemend Balilit është “maja e ajsbergut” që dëfton fenomenin e tmerrshëm se shumica e politikanëve mbahen në këmbë dhe janë të fuqishëm për shkak se ata kanë si bazament organizatat kriminale dhe njerëz të lidhur me krimin. Qeveria jonë ngjan si një ndërtesë e cila është e ndërtuar në Rinas. Këtu ndodhet një ndërtesë e cila “të merr në qafë” teksa e sheh nga jashtë, madhështore, e bukur mjaft dhe me kolona të gjëra sikur të jetë “Shtëpia e Bardhë”.

Kështu ngjan edhe qeveria jonë. Qeveritarët tanë janë të pashëm e të grimuar në pamje të parë dhe pushteti i tyre ngjan si madhëstor dhe i larë në argjend. Por se po ta gërvishtësh paksa këtë ndërtesë e di çfarë del? Del kalbësirë. Aty të lidhura me pushtetin e ke drogën, prostitucionin, vrasjet e krimet e kobshme të lidhura me fijet politike. Pushteti e zëmë për një moment se është ndërtesa dhe se përbrenda saj ka thika, shpata, krime, drogë e prostitucion.

Kolonat që e mbajnë në këmbë ndërtesën e bukur dhe “joshëse” qeveritare janë secila një “Klemend Balili”. Kjo sepse Balilët nuk janë një e dy por në mos qindra të cilët mbajnë në pushtet kukullat e tyre. Lëre më pastaj themelet e ndërtesës kanë përbrenda krime edhe më të zeza. Këtu ka edhe krime që nuk parashikohen nga ana e Kodit Penal por janë ingranazh për atë sesi mbahet pushteti. Militantizmi, mungesa e meritokracisë dhe shkërdhatokracia gjendet thellë në themelet e ndërtesës kancerogjene.

“I pandreqshmi” Ukshin Hoti


Dionis Xhafa

 Në historinë e njerëzimit qysh nga lashtësia kanë zënë vend në zemrat e njerëzve sidomos ato persona që iu kundërvunë pushtetit gjakatar dhe ishin në krah pikërisht të jetëve njerëzore. Dëshmi për këtë është Sokrati e deri tek perëndia Promete, që zjarrin e Olimpit donte tua jepte njerëzve dhe jo ky zjarr të mbahej peng nga ana e Zotave e nga Zeusi.

Por se njerëzit e drejtë, “të pandreqshmit” e disidentët ekzistuan edhe në shekujt e konsideruar si më të modernizuar. Diktatura e Stalinit në Bashkimin Sovjetik dhe bunkerët e tjerë diktatorialë të ndërtuar në Lindje të Europës hasën në kundërshtimin e shkrimtarëve dhe të antikonformistëve të pashoq.

Disidentët janë ata që po vlerësohen me të drejtë në kohët që po i jetojmë. Kundërshtarja e ideve të Stalinit, Svetlana Aleksievich fitoi çmimin “Nobel për Letërsi” me “Zëra nga Çernobili”.

Por se disidentë kemi edhe ne shqiptarët – qoftë nga diktatori ynë Enver Hoxha ashtu edhe nga fashizmi i Serbisë. Disident i pandreqshëm i diktaturës hoxhiste ishte Kasëm Trebeshina që kaloi 13 vite burgjeve të komunizmit vetëm se mendonte ndryshe nga pushteti. Ndërsa si disident kundër fashizmit serb kemi Ukshin Hotin, filozofin, shkrimtarin dhe pedagogun që gjithë jetën ia kushtoi lirisë të popullit shqiptar kundër dhunës barbare serbe. Padyshim “i pandreqshmi” Ukshin Hoti është zemra e lirisë së Kosovës martire të çliruar nga thundra e pushtuesit serb.

Ku është varri i Ukshin Hotit?!

Në Prishtinë, mbrapa statujës së Zahir Pajazitit ku ndodhet konvikti studentor gjendej një stampim në mur ku shkruhej “Ku gjendet Ukshin Hoti”. Filozofi dhe politologu shqiptar u mor nga ana e serbëve, u burgos për 17 vite dhe u torturua në mënyrën më ç’njerëzore. Aq e torturuan autoritetet e Serbisë, e sakatuan, gjakosën, sa e bënë të mundur që edhe vajza e tij e vogël në atë kohë ti distancohej babait. Regjim gjakatar e kryekëput ç’njerëzor që jo vetëm të dënon për atë se mendon ndryshe, por edhe të distancon nga familja. Regjimi serb sa duket fill pasi e liroi nga burgu e zhduku Ukshin Hotin. Nuk i la as nam e as nishan. Por siç edhe thonë: Një njeri mund ta burgosësh, ta torturosh, ta gjakosësh dhe madje dhe ta ndash nga familja, por nuk mundet ti burgoset ideja dhe ideali i tij!

Ukshin Hoti nuk duket gjëkundi me siguri prej dorës kriminale e gjakatare të Serbisë, por idetë e tij triumfuan. Ideali për të cilin Ukshin Hoti ishte i gatshëm të jipte jetën ngadhënjeu në shekullin e ri. Bota u rrokullis në diametrin e vet dhe Kosova e martirizuar u shpall shtet i pavarur nga Serbia. Sikundër një perëndi e keqe që lëshon zjarr mbi njerëz të pafajshëm ishte Serbia.

Ndërsa “prometenjtë” janë ata që sakrifikojnë deri edhe lirinë individuale në hir të interest të përgjithshëm. Ukshin Hoti ndoshta nuk është gjallë por idetë e tij janë mes nesh. Zjarrin që ai e ndozi për lirinë e Kosovës nuk ka dorë gjakatare pushtetare serbe që ta shuajë.

Pushteti i krimit


Dionis Xhafa

Mediet ndërkombëtare raportojnë se Ballkani akoma mbetet toka e heronjve të rremë ku adhurohen deri edhe kriminelët kurse mbeten në pluhurin e harresës ata që vërtetë mbrojtën vlerat e lirisë. Kështu në Ballkan vijon adhurimi për njerëzit që kanë pushtet, paranë edhe përkundër faktit se ky pushtet e kjo pasuri mund të jetë krejt i(e) padrejtë. Në trojet ballkanase cilësohen “heronj” deri edhe vrasësit, kriminelët me damkë, shkaktarët e luftrave dhe të kaosit galopant. Cilësohen deri “heronj” njerëz që kanë vrarë përmes pushtetit jo veç një, por edhe qindra e mijëra persona. Akoma vijojnë të trajtohen sikur të ishin heronj politikanë apo persona të caktuar me influencë që i kanë duart e lyera me gjak jetësh njerëzore të pafajshme, që e penguan lirinë e njerëzve dhe që shkatërruan dhe rrethuan qytete.

  1. Kryekriminelët Mlladiç e Karaxhiç, heronj ndër serbë

Në vazhdë të trajtimit të kriminelëve sikur të ishin heronj, rasti më ekzemplar është ai i Ratko Mlladiç dhe i Radovan Karaxhiç. Dy liderët militarë serbë kanë kaluar nga Gjykata e Hagës ku janë akuzuar për krime të rënda si “genocid” apo “krime kundër njerëzimit”. Janë madje të dokumentuara edhe me video vrasjet makabre të boshnjakëve nga ana e këtyre liderëve nëpër fushat e Srebrenicës dhe rrethimi që i është bërë Sarajevës. Dy liderët e milicisë famëkeqe të Serbisë për fat të keq kanë shumë adhurues në shtetin serb. Emri i tyre ende është ndër institucione si “gjeneralë të luftrave”.

Kurse mbetet thuajse i harruar emri i atyre gjeneralëve – qofshin këta edhe serbë – që refuzuan të rrethojnë Sarajevën dhe nuk e drejtuan pushkën kundër njerëzve të pafajshëm. Këta të fundit jo vetëm që pak njihen, por edhe kur përmenden nga ana e serbëve, më shumë përbuzen. Realitet i këtillë, ku kriminelët ngrihen në pietestal kurse heronjtë e vërtetë varrosen është dramatik. I tillë realitet ka pasoja të tmerrshme mbi vetë popullatën serbe duke mos e shkëputur nga mitet e rreme që qarkullojnë brenda për brenda Serbisë. Tjetër është se paqja dhe kultivimi i tolerancës etnike në Ballkan nuk mund të vijë duke ngritur si heronj kriminelët. Kjo do të thotë ti trazosh shpirtrat e të vrarëve. Paqja vjen kur kriminelët të mos lartësohen qoftë edhe brenda shtetit të vet. Kjo duhet të ndodh edhe me shqiptarët. Edhe kur kriminelët të jenë shqiptarë, ata s’bën të ngrihen në pietestal.

Të ikim apo të rrimë?!…


Dionis Xhafa

Fundi i ciklit të studimeve Master po afron. Njeriu i bën plot 17 vite shkollë dhe se del nga dera e fakultetit e nuk di se ku e përplas jeta. Por se gëzohemi se akoma e kemi edhe një muaj në shkollë. Janë bërë në fakt kaq shumë vite që vemë e vijmë në institucione arsimore sa disa prej nesh kanë filluar të shfryjnë prej mërzisë. Ja këto orë janë të fundit edhe me profesor Fugën.

Aq tmerr është bërë dhe jemi mërzitur sa sikur të mos ishte shpjegimi “flladitës” dhe i veshur me humor të lehtë i profesorit do ia kishim plasur të ikurit nja tre muaj përpara se të mbaronte masteri. Por se edhe tani që po i shkruaj këto rreshta në shkollën tonë mungojnë here pas here shumë persona dhe se përpiqen me hir e me pahir ti kapin lëndët mësimore. Po ja ca punojnë nëpër “Call Center” e ca nëpër media. Kush ka gjetur mik, kush punon në profesion e kush akoma është në praktikë. Një dramë e madhe me pak fjalë që duket se do edhe pak kohë ta mbyllë siparin e vet. Tani është vapë. Ja tek jam në bankë me Andrean që është nga Himara e Vlorës.

Po ne jemi të kundërt për nga origjinat. Unë verior e Andrea nga jugu që shpesh e ngacmoj me Petro Markon meqë e kam shkrimtar të preferuar. Jemi njohur dhe flet e flet njeriu me shoqërinë dhe vjen një moment që nuk ka më çfarë të flasë. Halle kemi plot. Pak për tiu shpëtuar këtyre halleve dhe brengave që edhe ne që e bëjmë një copë shkollë sna lanë rehat, vendosëm të argëtohemi dhe krijuam me letra një varkë dhe një gur. Në fakt për të qenë i saktë, këto i krijoi Andrea. Po unë pse e përmend?

Po ja pak për tu lavdëruar, pse jo. Por mua më vajti në mendje diçka tjetër në fakt. Andrea i ndërtoi këto objekte kot ashtu rastësisht se gurin e kishte nisur për kub në fakt por gur po e bëjmë edhe për efekt të asaj çka duam të përcjellim si mesazh. Çfarë më lindi mua në mendje? Ja sapo e pashë pamjen direkt më vajti në mëndje: Ue, sa pamje interesante për nga simbolika. –Pse? – tha Andrea. Ia ktheva: Po ja anija si mjet që ikën drejt Italisë apo shteti tjetër ku duhet të kalosh një det. Kurse guri, guri thashë si shprehja kundërvënëse “Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.

Ja fiks për ne që jemi të rinj dhe që lidhet edhe me eksodin, i thashë. Edhe Andrea ra dakord me mendimin tim. – E fiks plako, tha Andrea me një shprehje që veç nga jugu s’duket në fakt por sikur e ka vjedhur këtej nga fshatrat e Tiranës, ndonjë Ndroq a Farkë. Mundet në Farkë them, për shkak se Andrea ka shok goxha të ngushtë Endri Farkën që siç e ka mbiemrin është nga ai fshat. Në fakt edhe unë jam nga veriu e pak flas si andej. Të gjithë marrim e japim nga njëri-tjetri për nga dialekti.

Nejse, tani të kthehemi tek simbolika e asaj që e krijoi Andrea Çali, meqenëse ia them edhe mbiemrin sa herë që i flas me seriozitet e ai gjithnjë prapë ta kthen me “plako”. Kështu pra ne jemi të rinj dhe përpara nesh shtrohen dy rrugë: të ikim apo të rrimë. Të ikim me anije në Itali apo shtet tjetër përtej Adriatikut apo të qëndrojmë këtu siç thotë shprehja që e ka nxjerrë populli ynë “i lavdishëm” “guri i rëndë në vendin e vet”.

Kësaj anijes ia vuri dikush nga banka mbrapa nesh (se nuk e mbaj mend tani që po shkruaj, Nusreti ose Rashela do ketë qenë ) emrin Titanik. Dhe sa bukur. Tamam Titanik do jetë se aq shqiptarë sa po ikin duhet ndonjë Titanik që ti zërë. Janë shumë vërtetë dhe është kthyer në Eksod numër 2 ky që po ndodh. Kaq shumë po ikin sa edhe ne që u rropatëm për 17 vite nëpër shkollë themi “Ore të ikim apo të rrimë”. Po ia vlen këtu mo. Këtu s’ke c’bën. Këtu gazetari është më keq se i fundit zyrtar në Gjermani.

Pagat, dreqi e shejtani janë këtu bashkë dhe ta bëjnë helm rrugën e jetës. Edhe pse për gazetari, njoh unë që e kanë mbaruar atë shejtan “Master” dhe kanë ikur. Po këtu gazetari nuk trajtohet siç duhet mor. E pra kështu edhe ka ndodhur. Të rrimë apo të ikim? Kjo ishte pyetja jonë e madhe. Andrea madje thotë se duke qenë se ka vëllain në Angli do iki atje. E ka nisur edhe një kurs praktike gazetarie këtu e kështu një këmbë e mban këtu e një për të ikur jashtë. E pra sa kontraversale. Po kështu jemi të gjithë.

Dikush me punë e dikush pa punë. Sa i takon shprehjes popullore të popullit tonë “të ndritur” se guri i rëndë na rrinka në vendin e vet, personalisht e vë shumë në dyshim. Pse more duhet të rrijë në vendin e vet po është gur i rëndë. Pse po ike jashtë nuk qenke gur i rëndë nëse ke vlera? Kushedi të vlerësojnë më tepër madje. E kështu ngrinim teori dhe binin prapë këto të shkretat dhe prapë përgjigje nuk i dhamë në mënyrë përfundimtare. Të ikim apo të rrimë? Me një fytyrë si prej të padituri dhe të ç’orodituri do i përgjigjeshim “Se di plako”.

 

dionis_xhafa_andrea_cali_kubat

Dhuna në futbollin shqiptar


Dionis Xhafa

Dhuna në shoqërinë shqiptare ka përhapje të gjërë dhe në shumë fusha të jetës. Ajo është e pranishme jo vetëm në rrugë, por edhe në stadiume në fakt duhej të luhej futboll dhe të kishte argëtim. Realitet që njihet më së miri është ai se këtu në ndeshje të kampionatit tonë kombëtar apo dhe inferior, zihen gjyqtarë, trajnerë, futbollistë dhe tifozë. Dihet se këtu gjyqtari shahet edhe nga motra e duhet pas kësaj një deklaratë qesharake si ajo se “arbitri nuk ka motër”.

Dihet poashtu se futbolli luhet në kushte dramatike e këtu mjaft të kujtojmë faktin se një portier i skuadrës së Burrelit ca vite më parë e la futbollin dhe iku të punonte si emigrant në Greqi. Kjo sepse këtu rroga e tij në atë kohë ishte në nivel tepër qesharak, vetëm 150 mijë lekë të vjetra. Sëfundmi një gjyqtar i Kategorisë Superiore iku sepse i doli Llotaria Amerikane.

Gjithsesi po rikthehem tek dhuna në stadiumet tona. Dhuna nëpër stadiumet e këtij vendi nuk ka munguar qysh kur ka aguar demokracia jonë. Fillimisht zhvillimet sociale dhe politike ishin të tilla që dhuna ishte në përmasa të konsiderueshme. Kur u duk se filluam të mësojmë diçka nga fillimet gjakësore dhe rrokopujë të demokracisë sonë, dhuna u risoll fuqishëm nëpër stadiume.

Fillimisht rasti i paprecedent u shënua në ndeshjen Tirana – Partizani ku pas derbit kryeqytetas shpërthyen edhe grushtat. Më vonë sherr i dendur ndodhi edhe në ndeshjen Pogradeci – Luftëtari ku dy ekipet luanin fort për vendin e parë në Grupin e Jugut të Kategorisë së Parë. Në Pogradec ndodhi një sherr i madh ku hyn në fushë trajnerë, drejtues klubi dhe tifozë vendas. Tjetër rast dramatik ishte humbja e jetës së një tifozi në Vlorë ku po luante Flamurtari. Dhe kjo dhunë u shfaq edhe në ndeshjen Korabi – Kastrioti në Peshkopi. Dhuna që lidhet me Korabin nuk ishte veç në Peshkopi, por edhe më komplekse se kaq. Le të ndalemi pra tek dhuna dhe kjo e parë në tërësi tek klubi sportiv Korabi.

Dhuna në Korabi – Kastrioti

Fillimisht duhet thënë se Korabi fitoi në Peshkopi një ndeshje me shumë rëndësi pasi fill një javë më vonë u ngjit zyrtarisht në Superiore. Ekipi që përfaqëson Dibrën mund të na nderojë në kategorinë më kryesore në vend, pra. Kjo ndodh pasi mbi Korabin, për të thënë të vërtetën është ushtruar presion dhe represion derisa edhe presidentin e klubit në Tiranë e kërcënuan me jetë. Gjithashtu u raportua se në ndeshjen kundër Kastriotit, krutanët provokuan.

Pavarësisht këtyre fakteve e sidomos i pari që e kam përmendur, sërish fitorja në Peshkopi duhej gëzuar dhe jo të përdorej dhuna si mjet. Sepse vetiu shtrohet pyetja: Për çfarë duhet dhuna pasi e ke fituar ndeshjen me rezultatin minimal 1:0? Ku do ta çosh këtë dhunë? Përse duhet të dhunosh lojtarët e ekipit tjetër kur e fitove ndeshjen dhe se më tej i kishe shanset e mira për tu ngjitur në Superiore.

Pse? E pra duket paksa kontraversale që fill pasi e fiton ndeshjen, tifozët e Korabit përdorën dhunë derisa lojtarët mysafirë i mbyllën edhe në dhomat e zhveshjes. Pse more, kështu pritet miku duke e dhunuar? E di se me këto veprime përpos se mund ta dëmtosh ekipin e Korabit, nga ana tjetër i jep imazh negativ Shqipërisë? Shkurt, dhuna pas ndeshjes nuk duhej asesi. Dhunën pasi ke fituar mund ta shpjegoj vetëm me psikologjinë histerike të turmës, ku të gjithë “marrin  flakë” veç nga një ndodhi. Por se e tillë dhunë kurrsesi nuk është e duhura dhe nuk duhet toleruar në futboll.

Dhuna mbi gazetarin sportiv Eduard Ilnica

Sa duket “lufta” mes Korabit dhe Kastriotit për atë se cili ekip do ta fitojë kampionatin në Grupin e Veriut është tepër e ashpër. Duket sikur për këtë vend të parë eksponentë të ekipeve bënin çdo gjë, deri edhe veprime që bien ndesh me ligjin. Nisi gjithçka me atentatin kundër një drejtuesi të Korabit, presidentit Fehmi Mëziu. Ky i fundit nga presioni dha dorëheqjen dhe u duk se Korabi u fundos. Fill pas dorëheqjes së Mëziut, Korabi humbi me Kamzën krejt “papritur”, ekip ky më inferior se ai i Peshkopisë. Por se me ngadalë ekipi dibran u ngjit sërish. Ekipi nga Peshkopia fitoi një ndeshje me shumë rëndësi kundër Kastriotit dhe këtu u ushtrua dhunë. Rasti më i tmerrshëm ishte ai se pas fitores së Korabit, në Tiranë pranë “Zogut të Zi” u godit gazetari Eduard Ilnica nga presidenti i krutanëve Alban Vogli. Ilnica rrëfeu se madje kishin dashur deri ta eleminonin fizikisht, a thua se kishte kryer ndonjë krim të rëndë. Ngjarja ishte e bujshme dhe me rastin u mor gjykata duke e proceduar penalisht Voglin. Rasti kundër gazetarit sportiv Ilnica duket sikur të thotë se futbolli në këtë vend nuk luhet në fushë, por me goditje fizike ku përdoret edhe thika. Kjo është e papranueshme për sportin në rradhë të parë, dhe duhet të jetë aspak normale për drejtuesit e ekipeve në rradhë të dytë. Dhuna duhet eleminuar dhe gara në futboll të jetë demokratike. Madje nëse kundërshtari e fiton ndeshjen duhet uruar sepse me ndershmëri u tregua më i fortë se ty! Por se kulturë e tillë fatkeqësisht mungon.

Gazetë lokale, Maj 2016

Gruaja e nëpërkëmbur!


Dionis Xhafa

 Atë ditë bënte vapë. Kaq vapë bënte sa dielli dukej sikur lëshonte shigjeta. Kohë dreke. Verë. Kisha hipur tek një autobus që do të më çonte nga “Kthesa e Kamzës” drejt qendrës. Shumë pak njerëz në autobus. Ky autobus dukej sikur mezi lëvizte. Shoferi i zhytur qull në djersë sa duket veç donte të mbaronte turnin. E kush mund të dilte në atë orë në pikën e vapës. Faturinoja sillej vërdallë nëpër mjet sikur të ishte ndonjë i hutuar. Unë u vendosa në mesin e autobusit.

Po rrija qetë aty, pak i lodhur dhe duke shijuar paksa edhe zhurmën e motorrëve të mjetit në atë zhur vape. Pasi udhëtova për një stacion, pikërisht tek “Dogana” erdhën pasagjerë të veçantë. Një grua e re me tre kalamaj hyri brenda në autobus – dy i mbante për krahu kurse atë më të voglin në karrocë. Fëmijët e saj qanin me dënesë. Gruaja po qante edhe më keq se të vegjlit e saj, edhe pse herë pas here mundohej ta mbante veten dhe te tregohej sikur ishte e fortë. Kuptova se kjo grua kishte qarë kaq shumë sa pak qyre i dilnin si dëshmi si për të treguar se ishte këputur së lotuari.

Gruaja ishte diku tek 35 vjeçe. Ajo ishte e thatë si një thane, e vuajtur dhe sa duket sapo e kishte rrahur bashkëshorti. Ky ishte momenti kur kjo grua e kishte marrë guximin që ti ikë bashkëshortit së bashku me fëmijët dhe ta denonconte dhunën që ushtrohej mbi të. Këtë gjë e kuptova pasi ajo sa duket po fliste në telefon me bashkëshortin ndërsa fëmijët nga ana tjetër ia kishin plasur të qarit me ulërima. Gruaja fliste me zë të tronditur të përzier me vaj. “Ke për ta mbajtur mend.

Po zbres në Laprakë, do të iki në polici dhe do të të denoncoj. Boll të kam duruar. U bënë shumë herë që të kam toleruar. Nuk ka më. Të njëjtin zanat ke. Nuk ka më. Nuk të lejoj. Veç dorë ke. Edhe prindërit e mi të ulën dhe prapë nuk more vesh”, fliste gruaja në telefon dhe zëri i saj i dridhur ndërkaq kumbonte kudo në autobus. Dukej tamam se ajo grua dramën e vet dhe të grave që dhunohen në këtë vend e kishte plasur mu në rrugë. Ky realitet që unë po e shihja përgjithësisht fshihet dhe nuk tregohet. Por se tek ajo grua dhe tek fëmijët e saj dukej hapur. Gruaja e dëshmonte edhe në portret se ishte viktimë e dhunës. Ajo ishte kockë e lëkurë. Kishte veshur një bluzë të thjeshtë. Pak ishte e rrahur nga dielli i fortë kurse në kraharor dhe në shpatulla mundeshe të vije re pjesë trupi të dhunuara, të skuqura. Kështu gruaja mes ulërimave të kalamajve të vet dhe dënesës vajtonjëse të saj donte të zbriste në stacion. Autobusi u ndal. Gruaja më tha që ta zbres bashkë me të në tokë karrocën ku ndodhej foshnja më i vogël.

E pashë gruan me shumë dhembshuri dhe foshnjën që e fillonte të qarën papushim, e mora njërën anë të karrocës dhe bëja të zbres në tokë. Dy fëmijët më të rritur ndërkohë kishin zbritur nga mjeti. Gruaja ndërsa zbriste bebin e saj në tokë së bashku me mua, akoma fliste në telefon me të shoqin. Gruaja ia numëroi me zë të dridhur një mijë të zezat që i kishin ardhur nga personi që e kishte në anën tjetër të telefonit. Derisa u dëgjua zëri i bashkëshortit. “Hajde moj në shtëpi”. Burri i saj e thoshte këtë frazë me zë shumë të fortë dhe imponues.

Ai sikur e dinte se bashkëshortja nuk do ta denonconte. Ai e dinte se bashkëshortja sapo ti afrohej stacionit policor do të zbrapsej. Kjo sepse gruaja kishte frikë. Ajo kishte tre kalamaj dhe nuk mund ti linte rrugëve. E dyta ishte se në rast se ndahej nuk mund ta mirrte dikush tjetër. Po tjetër arsye ishte se financat i vinin nga burri. E pra burri i saj e dinte se gruaja nuk do ta denonconte. Dhe ashtu u bë edhe në të vërtetë. Gruaja ishte dhunuar por se prapë nuk kishte fuqi të denonconte. Pasi ia zbres karrocën dhe ajo u ul në tokë bashkë me tre fëmijët, gruaja qëndroi për pak kohë aty. Foli edhe pak në telefon. Fëmijët veç qanin pa pushim. Gruaja e pa zonën se nga shkohej për tek rajoni policor, por se nuk i bënin këmbët të shkonte për andej.

Përkundrazi mori rrugën në këmbë nga kishte ardhur. Ashtu me shapka shtëpie siç ishte. Ah ata kalamaj! I pikonin mu në zemër dhe nuk mund ti linte rrugëve. Ndarja e mundshme e saj nga bashkëshorti sigurt do të binte mbi ato qënie të pafajshme që qanin papushim. Kështu gruaja u nis për në shtëpi bashkë me fëmijët sapo bashkëshorti i tha në telefon se kur të mbërrijë në shtëpi nuk do ta gjente asgjë. Edhe me krim ajo qëndroi me bashkëshortin. Tragjedia e saj jetësore mundet që do të vazhdojë pasi ai burrë e dinte se bashkëshortja ishte e dobët në brendi të saj dhe ku i dihet – sërish mund ta rrihte si kafshë! Gruaja veç në dukje bënte sikur ishte e fortë, por se ajo ishte vërtetë e dobët, shumë e dobët. Nëna u dhunua dhe prapë u kthye në shtëpi për hir të fëmijëve. Ah fëmijët! Sa i dhimbseshin!

Dionis Xhafa

Shqiptari nga Prilepi


Nga Dionis Xhafa

Kur e kam vizituar Shkupin kam mundur të flas edhe me një person i cili më la mbresa vërtetë të veçanta. Tek lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë pyes një burrë rreth 50-vjeçar lidhur me atë se ku të gjej Stacionin e Autobusëve të Tiranës pasi bëja të kthehem për shkak se e kisha vizituar kryeqytetin e Maqedonisë tërë ditën. Fillimisht e pyeta nëse ishte shqiptar pasi gjasat ishin që të hasje edhe në maqedon.

“Po shqiptar jam. Nga Prilepi”, ma ktheu burri rreth të 50-tave. Përgjigja e tij ishte rrënqethëse dhe disi e tmerrshme. Pse ishte e tillë? Ishte e këtillë sepse shqiptari nga qyteti Prilep mezi e shqiptonte atë që fliste. Vijoj më tej ta pyes për vendndodhjen e Stacionit të Autobusëve dhe më thotë me një shqipe të çalë. “Nuk di. S’flas mirë shqipen”. Edhe këtë me një shqipe sikur të jetë i huaj. Aty e kuptova se e kishte thuajse të pamundur për të ma shprehur se ku ndodhej stacioni që kërkoja pasi shqipja e tij thuajse nuk mirrej vesh. Por se gati në të ikur, teksa dielli gati po rrëzohej përtej malit ktheva kokën dhe e pashë edhe njëherë burrin nga Prilepi.

Ngjante njerëzor gjithsesi. Mendova se si banor i një zone ku pak kanë mbetur shqiptarë ishte asimiluar. Burri në fjalë ishte asimiluar jo veç në të folur, por se edhe në mënyrën e jetesës, gjestet, veshja që dukeshin e zakonet ndoshta. Po aty më ra ndërmend se Prilepi është qytet ku shqiptarët as katër përqind nuk janë.

Më e tmerrshme bëhet situata kur merr me mend se shumë afër Prilepit ndodhet Manastiri, qyteti i Kongresit të Alfabetit Shqip. Edhe këtu në Manastir, qytet që andej e njohin si “Bitola” situata është thuajse e njëjtë. Braktisje, zbrazje, asimilim. Duke çuar ndërmend ide të tilla e pashë ngultas edhe njëherë shqiptarin nga Prilepi. Ai dukej edhe në fytyrë si i pafajshëm. Ndoshta faji ishte i një shteti që pakicat pak i integron dhe se ku të mundet dhe sheh të dobëtit i asimilon.

Të gjithë duan të ikin


Nga Dionis Xhafa

Vendi ynë ngjan tanimë si një shtet ku bandat kryejnë aksione sikur të ishin në Amerikën Latine dhe një kazan i vërtetë i krimit, ku mundet të gjesh gjak, shpata, hekura, inat e vrer. Shkurt, një vend i madh krimi. Krimi është në rrugë dhe disa herë qëllon edhe në institucione. Dhe krimin po tentojnë ta kapin si në rrugë edhe në institucione, por sërish këtu nuk ia vlenka të qëndrosh.

Njerëz që kërkojnë të arratisen. Plot 200 mijë shqiptarë që duan të ikin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se jemi në gjendje katastrofike. Një numër i tillë kërkesash për të ikur është vërtetë dramatik. Shto këtu kërkesat për azil për në Gjermani apo shtet tjetër europian. Ky vend ka marrë fund, dëgjohet të thuhet vërdallë. Po si shpjegohet që të gjithë duan të ikin? Si ka mundësi që është një valë kaq e madhe njerëzish që përpiqen të largohen nga ky realitet i përditshëm shqiptar? Vërtetë ata qenkërkan mërzitur kaq shumë me vendin e tyre? Kaq në majë të hundës ua ka sjellë atdheu sa duan të ikin? Si shpjegohet ikje kaq masive?

Sigurisht që vështirë se gjendet një person i cili ta thotë njëqind përqind të saktë se përse ikin shqiptarët. Por se gjenden disa përgjigje lidhur me enigmën e madhe se përse ikin shqiptarët. Sigurisht që ndikojnë papunësia tejet e madhe dhe gjithashtu edhe diferencat ekonomike të skajshme. Ndikon ambjenti ku pa frikë është si të thuash depresiv e shumë i zezosur. Por se mbi të gjitha është edhe ajo se këtu mundet të luftosh vetëm për mbijetesë dhe vështirë të jetosh sikundër jetohet në perëndim.

Kjo sepse rrogat janë si në Afrikë kurse çmimet si në Europë. Është kundërvënie e frikshme kjo. Por se gjenden shumë përgjigje se përse të gjithë duan të ikin, por ndoshta më së miri secili e di vetë arsyen se përse dëshiron të ikë nga ky vend. Ikin shumë e sidomos rinia, duke mos parë shpresë e jetë në një atdhe të kërrusur. Gjithsesi jetojmë në një realitet të frikshëm dhe ky është fakt. Dyqind mijë persona që duan të ikin. Sa shumë. Sa tmerr. Sa llahtari. Vërtetë shumë.

2. Njëzetë mijë dollarë për të ikur në Kanada

Që gjendja politike, ekonomike dhe sociale në këtë vend është ajo se e dërrmon çdokënd këtë mundet ta thotë secili që ka vendosur të jetoj këtu, e sidomos ata që nuk i kanë njoftësitë “e larta”. Për ta kuptuar sesa thellë iu është ngulur thika në palcë njerëzve në këtë vend e dëshmon në mënyrë tragjike fakti i rëndë se kishte nga ata shqiptarë që kishin paguar nga 20 mijë dollarë për të ikur drejt Kanadasë. Kjo në fakt rezultoi se ishte agjenci që i mashtronte njerëzit se me kaq para mund ti çonte në shtetin kanadez. Por se me rëndësi është shuma tejet e madhe dhe thuajse marramendëse në raport me rrogat e shqiptarëve thjesht e vetëm për të ikur. Edhe këto para me siguri që mund ti kenë marrë borxh tek të afërm apo ndonjë stërmundim për ti mbledhur do ketë qenë. Si ka mundësi që ti paguajë shqiptari i kohës moderne, i shekullit të XXI-të 20 mijë dollarë vetëm për të ikur që këtu? Si është e mundur kjo? Një shumë kaq e madhe e paguar me vetëdije të plotë vetëm për të ikur nga një vend në tjetrin që fundja brenda këtij rruzulli tokësor ndodhen të dyja vendbanimet? Aq më tepër që ky këtu është vendi yt, ke njerëzit e tu, tokën tënde.

Por se njerëzit as që duan tia dinë për mëmëdhe. Ata dëshirojnë arratisjen nga ky vend i skëterrë pasurinë e të cilit duket sikur e kanë marrë peng. Nuk duan tia dinë më. Shqiptarë të ngopur me mashtrime elektorale, varfëri dhe që përballen me një realitet të përditshëm që ngjan depresiv. Duan të largohen me çdo kusht . Edhe duke marrë borxhe. Kjo sepse këtu nuk rrihet. Po ikin nga sytë këmbët. Kjo sepse atdheun e morën peng. Shqipëria vijon të grabitet. Padrejtësia ngre krye mbi drejtësi. Të gjithë duan të ikin. Atdheun e morën peng.

dionis xhafa1