Si gjenden shqiptarët këtë 28-Nëntor?


Nga Dionis Xhafa

Shqipëria shënon 103-vjetorin e shtetit të pavarur, të shpallur si të tillë nga qeveria e kryesuar nga Ismail Qemal (Vlora). Datat 28-29 Nëntor, që megjithë debatet janë përkatësisht pavarësia dhe çlirimi i vendit nga pushtuesit, gjithnjë priten me mjaft entuziazëm nga shqiptarët. Por se sot e ditë të jetuara nga secili, me siguri që duhet ti bëjmë pyetje vetes: A jemi realisht të pavarësuar si qënie njerëzore, si shtetas të një republike dhe si etnikë shqiptarë? A jemi njerëz të çliruar në atë se askush nuk e cënon integritetin tonë personal, nuk përjetojmë padrejtësi në jetën e përditshme, nuk provojmë dhunë mbi shpinë e të tjera si këto? Për të arritur në një përgjigje të përafërt, së pari duhen rradhitur disa fakte që flasin për realitetin që përballen sot shqiptarët në të gjitha trojet ku ata jetojnë.
Më së pari, si gjendet sot Shqipëria. Vështirë se një shtetas i zakonshem i Republikës me pak më tepër se 28 mijë kilometra katrorë provon shijen e pavarësisë në kuptimin e mirfilltë të fjalës. Aq më pak që individi të ndihet tërësisht i çliruar nga dhuna që sjell politika, gjyqësori në këtë vend dhe jeta e lodhshme dhe tejet rraskapitëse që bëhet këtu e vite të shkuara në Shqipëri e padrejtësia e përhershme, e hakmarrja, e urrejtja. Entuziazmi i festës zhbëhet jo pak…

Rebelimi i Vetëvendosjes!


Nga Dionis Xhafa

Një dimër i ftohtë po e përcjell Prishtinën edhe këtë fundvit të 2015-tës. Është dimër me stuhi, i pazakontë, jo vetëm për nga stina si e tillë, por edhe nga atmosfera politike në Kosovë.
Sërish Lëvizja Vetëvendosje, që në “kryeneçsinë” e vet thotë se nuk lëshon aspak në disa parime, deri aty sa të deklarojë se “ose Kosova pa Zajdenicë, ose shporret kjo qeveri”.
Protestat, të konsideruara shpesh të dhunshme nga pushteti kanë marrë përmasa të gjëra. Janë djegur makina zyrtarësh, janë shkatërruar zyrat në kryeqytet me parimin e shpallur tanimë të VV-së, “s’mund të ketë qetësi aty ku ulërin padrejtësia”.

Një element i pazakontë ishte se një politikan nacionalist ekstrem serb, Marko Jakshiç lëvdoi Dardan Molliqajn, për shkak se sipas tij “deputeti shqiptar po iu vinte flakën zyrave të Republikës së Kosovës”.

Jakshiç madje tha se “Vetëvendosje ka marrë para nga Beogradi që ti kryejë veprimet e dhunshme”.

Dashakeqësia e disa medieve arrin deri aty sa të thonë se derisa politikani serb mbështeti deputetin e VV-së, Vetëvendosje është parti pro-serbe. Absurde! Alogjike!
Vetëvendosje në mos është e vetmja lëvizje apo parti politike në trojet e banuara nga shqiptarët që është parimore në qëndrimet e saj dhe e pakompromistë kundrejt pushtetit fashist, dhunues apo të padrejtë të ushtruar nga Serbia apo politikanët serbë.

Në këtë vijë logjike, kryetari aktual i Lëvizjes Vetëndosje Visar Ymeri akuzoi pushtetin se po legjitimon deri edhe kriminelët e Serbisë, duke dhënë si shembull faktin se gjenerali serb Ljubisha Djokoviç, i akuzuar nga organizata humanitare në Beograd për krime lufte mbi popullatën civile në Kosovë, sot më 2015 kthehet pa frikë në vendin e krimit, po në Kosovë.

Tanimë deputeti i VV-së Albin Kurti botoi një shkrim për situatën politike në Kosovë dhe rrezikun që i kanoset vendit, me titull “Shansi ynë i fundit në hapin e tyre të parafundit”.
Kurti theksonte edhe njëherë rrezikun e bosnjëzimit të Kosovës si kryeshqetësimin e tij dhe të njerëzve nga opozita, të VV-së, AKK-së dhe NISMA që po protestojnë rrugëve të Prishtinës.

Edhe vetë zëdhënës dhe diplomatë ndërkombëtarë e kanë thënë se “Marrëveshja e Dejtonit”, e cila i dha fund konfliktit të përgjakshëm në Bosnje, ishte një marrëveshje e nxituar dhe me qëllimin e vetëm që Serbia të hiqte dorë nga lufta.
Bosnja sot e kësaj dite mban mbi kurriz liderin nacionalist serb Milorad Dodik, i cili bën ligjin në Bosnje dhe Herzegovinë dhe se Bosnja mbetet ende një shtet me struktura shtetërore më të dobëta dhe më të keqorganizuara në të gjithë Evropën.
Kurti në shkrim thekson edhe se Kosova e Bosnja, të dyja të djegura nga Serbia janë sot plaga e Ballkanit dhe e Evropës, shtete me papunësi rekord, të rrënuara në themel dhe shumë më poshtë në nivel ekonomik se çdo shtet i kontinentit evropian.

Tjetër fakt është se Vetëvendosje në qëndrimet e saj gëzon simpatinë e disa figurave të njohura në Kosovë. Azem Vllasi, shqiptari i qetë që e luftoi në heshtje Millosheviçin dhe e “fitoi luftën” mendon se Marrëveshjet e Brukselit e dëmtojnë Republikën e Kosovës.

Vllasi sugjeron që kryeministri Mustafa ti heqë nënshkrimet për krijimin e komunave serbe në Kosovë dhe për vijën kufitare me Malin e Zi.

Nga ana tjetër, Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe tanimë ministër i Jashtëm i cilëson veprimet e opozitës së bashkuar si protesta që marrin reaksion nga fakti që opozita nuk ka pushtet.

Kjo mund të jetë deri diku e vërtetë për AAK-në e Haradinajt dhe për NISMA për Kosovën e Fatmir Limajt, që me siguri do të donin të kishin më tepër pushtet nga sa kanë.
VV ndërkaq ka jo pak pushtet, pasi qytetarët i kanë besuar komunën më kryesore të vendit, Prishtinën.

Tjetër diskutim është se nëse Vetëvendosje beson realisht në parimet që parashtron dhe i kryen këto veprime për ideale të larta apo se janë veprime për rebelizëm, “sa për të rënë në sy”, pasi që rebelizmi është me doza jo të pakta në rradhët e LVV-së.

Derisa Vetëvendosje po mbrohet nga disa personalitete të njohura dhe derisa shembulli i Bosnjës së shkatërruar është këtu në derë, në Ballkan, vështirë se veprimet e VV-së janë vetëm rebelizëm, por se ato duket të kenë të bëjnë më tepër me parimet e kësaj force politike.

 

Ne të vrarët, sot me viktimat!


nga Dionis Xhafa – Shqiptarët janë një komb që kanë përjetuar mbi shpinë terrorizime, vrasje, tortura e krime barbare mbi ta.

Nuk duhet të shkohet shumë vite përpara për ta ilustruar, pasi lufta e Kosovës është dëshmi e përjetimit të dhunës, terrorit, vrasjeve dhe masakrave nga ushtarët serbë.

Ne shqiptarët kemi qenë viktima të luftës, konflikteve, dhunës, deri tentativës për genocid, ndërsa sonte terrorin e përjetuan francezët.

Ishte një tjetër bombë. Një tjetër sulm terrorist. Në zemër të Evropës. Në qytetin e dashurisë, ku sa duket u vulos të luhet akti i dytë i tragjedisë në kryeqytetin francez.

Dhjetëra të vrarë, shumë të plagosur dhe një rrëmujë e vërtetë. Thonë se terrorizmi qëndron pas sulmit, por mund të jenë edhe njerëz të veçantë. Kjo ka disi rëndësi për atë se a njeh frikë terrorizmi, por duket se më rëndësi ka fakti se në Paris u vranë njerëz të pafajshëm për të dytën herë.

U godit zemra e Evropës, themelet dhe vlerat e saj. U godit paqja, u bë therror humanizmi.

Me sulmin e përgjakshëm në Paris u trondit e gjithë bota, e cila ndan parimet njerëzore kundër terrorizmit.

Ky sulm asesi nuk i godet vetëm francezët, pasi dhimbja për viktimat nuk njeh etni, racë e komb,por është universale dhe mund ta ndjej çdo qënie e gjallë në botë.

Në këtë kuptim, Parisi na ka goditur të gjithëve ne që ndajmë aspiratën për një botë më të mirë, më të paqtë, me fytyrë më njerëzore.

Ngjarja dëshmon edhe njëherë faktin e rëndë se terrorizmi është gjallë dhe se edhe pse më 2015, organizata të mirfillta terroriste të tilla si ISIS vijojnë të mendojnë se mund të veprosh duke vrarë.

Ajo ç’ka dëshiron bota është paqja universale, e cila sa duket është tepër e vështirë që të vijë.

“Bombat”, konfliktet, armiqësitë, përplasjet mes fuqive dhe ideve kanë bërë një botë të zhurmshme, të errët, të vrazhdë, mbytur në krime e larg parimeve që kurrë nuk të afrojnë tek vrasja.

Presidenti Barack Obama, fill pas ngjarjes tha se sonte nuk u goditën vetëm francezët, por të gjithë ata që kanë ndër deje dëshirën për një botë pa krime.

Evropa sot ndihet e lëkundur dhe e tundur nga frika e terrorizmit.

Humanizmi evropian, ai që i pranon sirianët të cilët ikin nga lufta e tmerrshme në Siri, po merr goditje të rëndë.

Njerëz që vranë njerëz sikur të mos ishin qënie njerëzore, që presin e therrin pa ndjerë ndopak mëshirë, dhimbë.
Pak rëndësi se kush e kreu krimin.

Ai nuk mund të jetë asesi i përligjur. Njerëz të pafajshëm nuk janë më mes nesh dhe ndërgjegja jonë bën vetëm të peshojë rëndshëm për të tilla viktima.

U vra pafajësia, njeriu,, u shkallmua utopizmi për botë më të lirë, më të denjë për jetesë dhe më të drejtë.

Sonte nuk u goditën vetëm francezët, por mbarë njerëzimi.

U goditëm edhe neve, shqiptarët që jemi pjesë e këtij rruzulli dhe për më tepër kemi përjetuar mbi shpinë dhunën, terrorit, vrasjet.